Embolia pulmonare

Embolia pulmonare

Ilustrim i embolisë pulmonare

Ilustrim i embolisë pulmonare

Zakonisht mushkëritë janë të afta të “filtrojnë” në mënyrë natyrore droçka venoze, edhe më të gjera se rruazat e kuqe të gjakut; kjo falë mekanizmave fibrinolitikë.

Gjithsesi embolia pulmonare (PE) është shkaku i vdekjes së 10-15% të pacientëve të shtruar nëpër spitale.

Droçkat (thërrimet) e mpiksura e kanë origjinën e vetë, në 95% të rasteve të embolive pulmonare, në venat e thella të këmbëve. Embolit venoze lindin më shpesh nga venat iliake të jashtme, venat femorale dhe ato popliteale.

Shkaqet kryesore futen në të ashtuquajturën triada e Virchow-it dhe përfshijnë:

  • Palëvizshmëri venoze (për shembull nga qëndrimi i gjatë shtrirë në krevat)
  • Traumë (për shembull, thyerjet apo dëmtimet e indeve)
  • Çrregullime të koagulimit të gjakut (të trashëguara apo të fituara)

Shkaqe të tjera që kontribuojnë në lindjen e droçkave të mpiksura të gjakut janë palëvizshmëria postpartum dhe disa mjekime hormonale të cilat rrisin rrezikun për krijimin e thërrimeve të mpiksura.

Rreth 60-80% e embolive pulmonare janë të heshtura duke qenë se janë të vogla. Embolitë më të mëdha mund të bllokojnë enët e gjakut me madhësi mesatare dhe të shkaktojnë infarkt të parenkimës mushkërore.

Embolia pulmonare mund të prezantohet edhe pa infarkt, madje është forma që haset më shpesh. Në këto raste pacienti paraqet takipne, ankth, dispne etj.

© Rinstinkt 2013

——————————————————————-

Reklama

Sëmundjet nga pllakëzat e gjakut (trombocitët)

Sëmundjet nga pllakëzat e gjakut (trombocitët)

Mes eritrociteve vihen re edhe disa pllakëza të gjakut, apo thënë ndryshe trombocitet (fragmentet e vogla me ngjyrë më të errët.)

Mes eritrociteve vihen re edhe disa pllakëza të gjakut, apo thënë ndryshe trombocitet (fragmentet e vogla me ngjyrë më të errët.)

Mungesa e pllakëzave apo trombiociteve në qarkullimin e gjakut (trombocitopenia) shpie në një sëmundje hemorragjike, pra ku ka rrezik për gjakrrjedhje, kjo ndodh sepse trombocitet apo siç i quajnë në gjuhën popullore shqip, pllakëzat e gjakut, kanë si funksion kresor bashkimin me njëra-tjetrën për të formuar agregate (ku më vonë ngecin fibra të caktuara të formuara nga proteinat e gjakut) për të ndaluar gjakrrjedhjen. Ndërsa tepria e pllakëzave (trombocitoza) shpie në rrezik për koagulim të pavend të gjakut dhe lindjen e trombeve.

Disa subjekte/pacientë paraqesin probleme të trashëguara të funksionalitetit të pllakëzave të gjakut, si për shembull defektet në shprehjen e proteinave të ngjitjes/agregimit qelizor apo defekte në sekretimin e faktorëve të ndryshëm që gjenden në kokrrizat e pllakëzave, te cilët janë të rëndësishëm për adezionin edhe veprimtarinë e tyre. Nëse mungon një nga këta faktorë, agregimi i pllakëzave të gjakut me tyre dhe me elementë të tjerë të kataraktës koagulative nuk ndodh, e nga këtu lind problemi me koagulimin/mpiksjen e gjakut.

 

—————————————————————————-

Anemia

Anemia

Reduktimi i numrit të rruazave të kuqe të gjakut (eritrociteve) apo reduktimi i sasisë së hemoglobinës quhet anemi.

Ka disa shkaqe të ndryshme të anemisë, mes të cilave mungesa e faktorëve të nevojshëm për formimin e hemoglobinës (si hekuri, vitamina B12 dhe acidi folik), humbja e tepërt apo shkatërrimi i tepërt i eritrociteve apo paaftësia e palcës së kuqe për të prodhuar një numër të mjaftueshëm qelizash.

Në disa tipe anemish mund të ndryshojë edhe forma e eritrociteve (rruazave të kuqe të gjakut). Mungesa e hekurit shpie, si pasojë, në qeliza që janë më të vogla se normalet (mikrocitë) ndërsa mungessa e vitaminës B12 shpie në qeliza që janë më të mëdha krahasuar me qelizat normale (makrocitë).

Eritrocitët në formë sferike dhe të brishtë (sferocitët), mund të lindin nga mutacione të gjeneve që kodifikojnë për proteina të citoskeletit të rruazave të kuqe.

 

© Rinstinkt

——————————————————————————————————-

Gjaku; elementët e gjakut

Gjaku – elementet e gjakut

Trupi i një mashkulli mesatar të pjekur përmban rreth 5000 ml gjak; ndërsa vëllimi mesatar i gjakut tek një femër është rreth 3300 ml për shkat të strukturës trupore më të vogël. Gjaku përbëhet nga një pjesë e lëngshme – plazma (55%) dhe një pjesë korpuskolare (apo thërrmijore) – hematokriti (45%).

Hematokriti

Hematokriti është i përbërë nga rruazat e kuqe të gjakut apo eritrocitet, ruazat e bardha të gjakut apo lekuocitet, dhe pllakëzat apo trombocitet. Ngjyra e gjakut përcaktohet nga hemoglobina.

Një eritrocit i vetëm është i aftë të transportojë mbi një bilion molekula oksigjeni, falë hemoglobinës. Rruazat e kuqe të gjakut janë bikonkave (të dylugëta), në formë disku dhe me mungesë bërthame. Këto qeliza udhëtojnë njëra pas tjetrës si monedhat njëra mbi tjetrën deri sa arrijnë në enët më të vogla të gjakut të quajtura kapilarë.

Qelizat e kuqe të gjakut – eritrocitet

Morfologjia e një eritrociti

Morfologjia e një eritrociti

Rruazat e kuqe të gjakut prodhohen më një ritëm prej 2 milion për sekondë, në palcën e kuqe të kockave si, brinjët, vertebrat dhe fundet (apo skajet) e kockave të gjata tek i rrituri. Pas katër muajsh jetë, eritrocitët (rruazat e kuqe të gjakut) vdesin. Qelizat e vdekura dërgohen në shpretkë dhe mëlçi ku shkatërrohen.

Hemoglobina

Hemoglobina është një proteinë me strukturë katërsore (kuaternare) që përbëhet nga katër vargje polipeptidike – 2 vargje të njëjtë alfa dhe 2 vargje të njëjtë beta, me një total prej 600 aminoacidesh. Çdo varg (zinxhir) kombinohet me një molekulë që përmban hekur të njohur si heme. Tek heme-ja gjendet një unazë porfirinike, qendra e së cilës është e zënë nga një atom hekuri. Porfirina mund të marrë oksigjen nga mushkëritë dhe ta lëshojë atë në të gjitha qelizat e gjalla të trupit. Kur hemoglobina lëshon oksigjen, ajo merr dioksidin e karbonit nga qelizat dhe e shpie në mushkëri.

Qelizat e bardha të gjakut – leukocitet

Leukocitet apo qelizat e bardha të gjakut janë mbrojtësit e trupit. Ka pesë lloje qelizash të bardha të gjakut. Tre prej tyre formohen në palcën ekuqe të kockave ndërsa dy llojet e tjera prodhohen në një ind special të quajtur ind limfatik (linfatik). Ky ind gjendet në disa rajone të trupit si, bajame dhe shpretkë (shiko: Sist. Limfatik).

Numri i qelizave të bardha të gjakut rritet në mënyrë dramatike kur një antigjen “sulmon” trupin. Qelizat e bardha të gjakut mbërrijnë në vendin e infeksionit duke udhëtuar nëpërmjet rrjedhës së gjakut dhe duke kaluar nëpër muret e kapilarëve. Ato mund të migrojnë midis qelizave endoteliale drejt indeve të tjera sikundër amebat lëvizin me pseudopode. Kur arrijnë antigjenet qelizat e bardha të gjakut mbështillen rreth tyre dhe i shkatërrojnë.

Pllakëzat e gjakut – trombocitet

Mes eritrociteve vihen re edhe disa pllakëza të gjakut (trombocite)

Mes eritrociteve vihen re edhe disa pllakëza të gjakut (trombocite)

Trombocitet apo pllakëzat luajnë një rol të rëndësishëm në prodhimin e droçkave (të gjakut) – koagulacionit apo mpiksjes. Në palcën e kuqe të kockave, qeliza të mëdha të specializuara – megakariocitët ndahen në fragmente më të vegjël. Çdo fragment është një pllakëz.

Pllakëzat (trombocitet) janë rreth 250,000/mm3 me një jetëgjatësi prej vetëm tetë ditësh. në vendin ku është krijuar një plagë (apo dëmtim) pllakëzat stimulohen të çlirojnë një substancë të quajtur tromboplastinë që vepron në konvertimin e enzimës protrombinë (e prodhuar nga mëlçia) në trombinë. Kjo e fundiit transformon fibrinogjenin në fibrinë.
Fibrat e fibrinës me rruazat e kuqe të gjakut që ngecin në to formojnë koagulin, apo droçkën e gjakut.

Trupi e kontrollon formimin e droçkave të brendshme (mpiksjen e gjakut) duke prodhuar substanca që parandalojnë mpiksjen. Këto substaca njihen si antikoagulantë (apo anti-mpikës). Një nga këto substanca është heparina, e cila prodhohet nga mëlçia, mushkëritë, zorrët dhe indet të tjera. Heparina inhibon shndërrimin e protrombinës në trombinë. Periudha e kohës që i duhet gjakut për tu mpiksur quhet koha e mpiksjes, e cila zakonisht luhatet nga tre në gjashtë minuta.

Plazma (e gjakut)

Plazma është një lëng i qartë i përbërë kryesisht nga uji (90%). Gjithashtu përfshin substanca organike dhe inorganike dhe gaze të frymëshkëmbimit. Molekulat e “ngurta” janë kryesisht proteina si ambumina e serumit, globulina e serumit, fibrinogjeni dhe proteina rregullatore dhe mbrojtëse si hormone, kundërtrupa dhe enzima. Substancat organike të plazmës janë materiale të mbetjes së metabolizmit qelizor si urea, acidi urik, kreatinina dhe amoniaku; po ashtu materiale ushqyes si aminoacidet, glukozi dhe lipidet. Substancat joorganike janë natriumi, klori, kalciumi, jonet bikarbonat, jodi dhe hekuri. Po ashtu është e pranishme edhe një sasi gazesh si oksigjeni dhe dioksidi i karbonit.

© Rinstinkt 2012

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————————————————————-