Diabeti mellit

Diabeti mellit

Diabeti mellit

Diabeti mellit

Diabeti mellit është një çrregullim, me etiologji të llojllojshme, i karakterizuar nga prania e një patologjie hiperglic’hemike, që do të thotë: prani e një përqëndrimi të rritur të glukozit në qarkullimin hematik.
Diabeti mellit dhe hiperglicemia, si karakteristikë thelpësore e tij, janë pasojë e një defekti në prodhimin apo në mekanizmin e veprimit të hormonit të insulinës.
Çrregullimi i diabetit shpie në një seri ndërlikimesh sistemike – pra që prekin të gjithë trupin.
Diabeti, siç u tha, godet organe të ndryshme… ndër më të rëndësishmet, gjtihsesi, janë: sytë, veshkat, sistemi kardiovaskular dhe sistemi nervor.

Më parë u përmend insulina. Po, çfarë është insulina?, do të pyesë ndokush. Insulina është një hormon me aktivitet anabolik, pra që shkakon si korolar të veprimit të vet një rritje të qelizave (reaksioneve anabolike). Insulina prodhohet nga qeliza të veçanta të ishujve pankreatikë, dhe vepron nëpërmjet disa receptorëve specifikë me aktivitet tirozinë-kinazik. Efekti kryesor i insulinës tek qelizat e veta shenjestër, është rritja e shprehjes së receptorëve GLUT-4 në sipërfaqen qelizore.

  • Në mëlçi insulina shkakton një rritje të glikogjenosintezës, rritje të glikolizës dhe një rritje të aktivitetit liposintetik. Njëkohësisht shkakton edhe një zvogëlim të aktivitetit glikogjenolitik e gjithashtu inhibon edhe ketogjenezën.
  • Në indin adipoz (indin dhjamor) insulina rrit kapjen e glukozit nga ana e qelizave, inhibon lipolizën dhe rrit liposintezën.
  • Ndërsa tek muskuli insulina rrit kapjen e glukozit, rrit glikolizën, rrit sintezën e glikogjenit dhe po ashtu rrit edhe sintezën proteinike.

Indet adipoz dhe ai muskulor skeletik përkufizohen si inde insulino-vartës, meqënëse kanë nevojë për hormonin insulinë për të kapur molekulat e glukozit hematik (nëpërmejt GLUT-4). Ndërsa mëlçia, apo më saktë qelizat hepatike, përtej GLUT-4 shprehin edhe transportatorin GLUT-2 i cili ka një funksion që nuk faret nga hormoni insulinë.

Diabeti i tipit 1

Diabeti i tipit 1 është një sëmundje autoimune; megjithatë ekzistojnë edhe forma idiopatike. Mekanizmi kryesor që shkakton sëmundjen është mungesa e hormonit insulinë. Diabeti i tipit 1 prek kryesisht fëmijët dhe adoleshentët.

Diabeti i tipit 2

Diabeti i tipit 2 karakterizohet nga një nivel i rritur i glicemisë (hiperglicemi) e shoqëruar me insulino rezistencë. Për më tepër ekziston edhe një mungesë insuline relative dhe progresive. Prek kryesiht të rriturit dhe është forma e diabetit më e përhapur. Ekziston një asociacion mes diabetit obezitetit dhe të ashtuquajturës sindromë metabolike.

Karakteristikat klinike të diabetit mellit

Shenjat dhe simptomat që hasin pacientët janë të lidhura me gjendjen e hiperglic’hemisë dhe me reduktimin e përdorimit të glukozit nga ana e indeve të trupit.

  • Poliuri – rritje e akteve të urinimit. E shkaktuar nga glukozi i tepërt që kalon në nivel veshkor.
  • Polidipsi – rritje e etjes (dëshirës për ujë).
  • Humbje peshe – nga pamundësia e përdorimit të glukozit që qarkullon në gjak. Rritet përdorimi i lyrave.
  • Era e gojës karakteristike – që ngjan me atë të frutave të prishura, për shkak të rritjes së nivelit të trupave ketonikë në gjak, të prodhuar nga katabolizmi i acideve lyrorë.
  • Dobësi
  • Etj.

Ndërlikime të diabetit mellit

  • Ketoacidozë, deri në komë.
  • Sindromë hiperozmolare – diz-hidratim i shkaktuar nga hiperglic’hemia.
  • Infeksione të përsëritura (kryesisht në rrugët urinare)
  • Retinopati.
  • Nefropati.
  • Neuropati.
  • Mikro dhe makro vaskulopati.
  • Rritje e rriskut për IM dhe koronaropati.
  • Këmbë diabetike.
  • Etj.

 

[Lexo dhe: Rregullimi i nivelit të sheqerit në gjak]

© Rinstinkt 2014

 

[Nëse postimi të pëlqeu, për të qëndruar i/e azhurnuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

—————————————————————————-

Advertisements

Mëlçia; fiziologjia e mëlçisë

Mëlçia; fiziologjia e mëlçisë

Mëlçia luan një rol thelbësor në metabolizimin e  shumë substancave; kryen, gjithashtu, funksione të rëndësishme biosintetike.

Pamje nga para dhe nga pas e mëlçisë

Pamje nga para dhe nga pas e mëlçisë

Në realizimin e këtyre funksioneve mëlçia favorizohet nga vendndodhja anatomike. Mëlçia është organi i parë që merr nëpërmjet qarkullimit portal, gjakun e pasuruar me elementë ushqyes – kryesisht amoniacide, monosakaride dhe acide lyrorë me varg të shkurtër ose të mesëm. Këto lëndë janë thithur nga tubi tretës dhe transportohen pikërisht drejt mëlçisë nëpërmjet venës portë.

Në mëlçi elementët ushqyes kapen nga hepatocitet dhe mund të metabolizohen, të akumulohen apo të rishpërndahen drejt pjesëve të tjera të trupit – sipas nevojave të organizmit.

Mëlçia ka një qarkullim të brendshëm gjaku karakteristik, kur gjaku venoz i ardhur, siç thamë,nga vena portë, përzihet me gjakun e pasur me oksigjen që transportohet nga arteria hepatike. Gjaku venoz dhe ai arterioz konvergojnë tek njëri-tjetri në shtratin e kapilarëve hepatikë të mëlçisë, ose siç quhen ndryshe sinusoidët.

Tradicionalisht parankima hepatike (e mëlçisë) përshkruhet sikur është e përbërë nga një tërësi njësish poliedrike me seksion ekzagonal, të quajtura lobtha.

Në qendër të çdo lobthi gjendet vena hepatike terminale, ndërsa në periferi të ekzagonit gjendet triadat portale, çdonjëra e përbërë nga vena portale terminale, dhe një ose më shumë komplekse të përbëra nga dukti i vrerit (i tëmblit) dhe arteria hepatike terminale.

Nga sistemi vaskular periferik i lobthit lindin sinusoidet, që duke kaluar përmes hepatocitëve mbërrijnë (derdhen) në venën qëndërlobthore.

Detyra (fisiologjike evolutive) kryesore e mëlçisë është ajo e të furnizuarit të organeve të tjera të turpit në çdo moment me materialin energjitik optimal.

Aftësia e mëlçisë për të akumuluar lëndë ushyese dhe për të moduluar biodisponibilitetin sistemik të tyre rregullohet nga shumë faktorë lokalë dhe nga kërkesat energjitike të organeve të tjera trupore.

Funksioni metabolik hepatik i nënshtrohet një kontrolli të imët kryesisht endokrin (hormonet pankreatike, të mbiveshkores dhe të tiroides).

Mëlçia, duktet intrahepatike, fshikëza e vrerit (tëmblit), stomaku, fillimi i duodenumit dhe pankreasi

Mëlçia, duktet intrahepatike, fshikëza e vrerit (tëmblit), stomaku, fillimi i duodenumit dhe pankreasi

Mëlçia kryen një rol fiziologjik metabolik të rëndësishëm në detoksifikimin dhe ekskretimin e xenobiotikëve, që mund të mbërrijnë në mëlçi nëpërmjet venës portë apo arteries hepatike. Quhen xenobiotikë ato substanca kimike të huaja për organizmin njerëzor dhe për historinë e tij evolutive (si ilaçet, pesticidet, ngjyruesit dhe konservuesit).

Mëlçia siguron sintezën e shumë proteinave plazmatike, dhe nëpërmejt prodhimit të vrerit, lëngut të fshikëzës së tëmblit, ekskretimin e shumë substancave si pigmentet biliare, kolesteroli, ilaçet apo xenobiotikë të tjerë.

Mëlçia, së fundi, luan edhe një funksion endorkin dhe gjatë jetës fetale edhe rol gjakpërftues (hemopoietik).

Rinstinkt 2013

————————————————————————————

Sistemi tretës tek njeriu

Sistemi tretës

Sistemi tretës shtrihet nga kafazi i kraharorit e deri në zgavrën abdominale. Kufiri mes këtyre dy zgavrave përfaqësohet nga diafragma.

Sistemi tretës përfshin kanalin ushqyes, i cili merret me ujin dhe lëndët ushqyese, dhe gjëndrat e bashkëlidhura. Kanali ushqyes përbëhet nga goja, faringu, ezofagu, stomaku, zorrët dhe kanali anal.

Gjendrat e pështymës

Gjendrat e pështymës janë: gjendra parotide, nëngjuhore dhe nënmandibulare.

Mëlçia dhe fshikëza e tëmblit, sëbashku me pankreasin janë edhe ato pjese e sistemit tretës.

Thyerja mekanike  e ushqimit fillon në gojë; prerja apo copëtimi i parë i ushqimit kryhet nga dhëmbët. Fëmijët kanë 20 dhëmbë, të rriturit 32.

Gjuha

Gjuha lëviz dhe manipulon ushqimin dhe merr pjesë në artikulimin e tingujve në të folur. Gjendrat e pështymës prodhojnë një sekrecion – pështymën – që lubrifikon ushimin  në mënyrë që të gëlltitet më me thjeshtësi. Pështyma përmban bikarbonat natrumi dhe një enzimë që fillon thyerjen e amidonit. Ushqimi, nga goja kalon në faring dhe mëpastaj në ezofag.

Ezofagu

Ezofagu është një tub i gjatë që kalon ndërmjet dy mushkërive në zgavrën e kraharorit, nëpër diafragmë dhe mbërrin në stomak. Stomaku është i ndarë nga ezofagu nga sfinkteri kardiak. Sfinkteri kardiak lejon kalimin e ushqimit nga ezofagu në stomak, duke parandaluar kthimin pas.

Vetë stomaku është i pozicionuar në anën  e majtë, menjëherë nën diafragmë, dhe është pjesërisht i mbrojtur (mbuluar) nga brinjët. Stomaku ka pak a shumë formë fasuleje, me një lakesë të vogël dhe një lakesë të madhe. Ndahet në tre pjesë: fundi, trupi dhe pjesa pilorike.

Stomaku

Stomaku punon si rezervuar për ushqimin. Pjesa e jashtme e stomakut përbëhet nga tre shtresa muskuli të lëmuar: një shtresë gjatësore, një shtresë qarkore dhe një shtresë e pjerrët (oblikue). Këto tre shtresa muskujsh kanë funksionin e përzjerjes së ushqimit me lëngun gastrik dhe shpërndarjen e tij në duodenum. Veshja mukoze thith ujin dhe glukozin për në gjak. Gjendrat gastrike tahisin (sekretojnë) rreth 1-2 litra lëng gastrik në ditë. Lëngu gastrik përmban enzima si lipaza dhe pepsinogjeni, të cilat prodhohen nga qelizat peptike. Lipaza fillon thyerjen e lyrave; pepsinogjeni shndërrohet në pepsinë në prani të acidit klorhidrik. Pepsina fillon thyerjen kimike të proteinave në substanca më të thjeshta si peptonët. Acidi klorhidrik ka rolin e vrasësit të baktereve. Në mënyrë që të parandalojë vet-tretjen nga acidi klorhidrik, qelizat mukoze tahisin (sekretojnë) mucinë, që mbron sipërfaqen e stomakut.

Stomaku është nën kontroll hormonal dhe nervor. Kur ushqimi mbërrin në stomak, qelizat gastrike fillojnë tahitjen e gastrinës. Gastrina vepron mbi  mbi qelizat e stomakut  për të rritur tahitjen e lëngut gastrik. Pas lënies së kohës së duhur për tretje, fillon tkurrja e muskujve të stomakut duke krijuar lëvizjet peristaltike. Këto lëvizje valë-ngjashme e shtyjnë ushimin drejtë pjesës pilorike të stomakut. Sfinkteri pilorik hapet dhe ushqimi shtyhet drejt zorrën së hollë (duodenumit).

Zorra e hollë

Zorrët mund të ndahen në zorrën e hollë dhe zorrën e trashë. Zorra e hollë është një tub i gjatë muskulor. Zorra e hollë merr kimën nga stomaku, lëngun pankreatik nga pankreasi, dhe vrerin (lëngun e tëmblit) nga fshikëza e tëmblit.

Zorra e hollë përfshin duodenumin, jejunumin (zorrën e thatë) dhe ileumin.

Zorra e trashë

Zorra e trashë është e veshur nga një membranë (cipë) seroze – peritoneumi, në të cilën kalojnë enë gjaku, enë limfatike dhe nerva.

Zorra e trashë përbëhet nga zorra qorre, koloni, rektumi, kanali anal dhe apendiksi krimb-ngjashëm (zorra shtojcë).

 

Mëlçia dhe fshikëza e tëmblit

Mëlçia është një organ metabolik kompleks, dhe është po ashtu gjendra jashtëtahitëse më e madhe e trupit. Mëlçia gjendet në zgavrën abdominale, nën diafragmë në anën e djathtë. Është e rrethuar nga një kapsulë indi fibroz që e ndan në dy lobe kryesorë:; lobi i majtë dhe i djathtë, që më tej janë të ndarë në lobtha. Arteria hepatike shpie në mëlçi gjak arterioz. Ndërsa vena portë (portale) shpie në mëlçi gjakun venoz të organeve abdominale. Pasi gjaku kalon në kapilarët e mëlçisë – sinusoidët – ai kalon në venën heptike (e mëlçisë) dhe më në fund në venën zgavrore të poshtme. Nga mëlçia lindin dy dukte hepatike, që bashkohen për të formuar duktin e përbashkët hepatik. Dukti i përbashkët hepatik vazhdon në duktin e përbashkët të vrerit, që më pas derdhet në duodenum pasi takohet me duktin pankreatik.

Fshikëza e tëmblit (apo tëmthit?) është një trastë me funksionin e rezervimit të vrerit.

Pankreasi

Pankreasi është një gjendër e gjerë që shtrihet përmes zgavrës abdominale të pasme. Pankreasi ka një funksion jashtëtahitës (ekzokrin) apo tretës dhe një funksion brendatahitës apo hormonal.

Pankreasi përbëhet nga një kokë, një trup dhe një bisht. Koka e pankreasit është e rrethuar (përqafuar) nga duodenumi. Pankreasi përshkohet nga dukti pankreatik, i cili bashkohet me duktin e vrerit dhe më pas del në duodenum ku derdh lëngun pankreatik, nëpërmjet ampulës së Vater-it. Ampula e Vater-it përfundon me sfinkterin e Oddi-t.

© Rinstinkt 2012, mbi tekstin

Obeziteti

Obeziteti

Në vendet e zhvilluara po rritet me shpejtësi të madhe prevalenca e obezitetit – apo e ashtuquajtura “epidemia e obezitetit”. “Sindroma metabolike”,ka të bëjë me grumbullimin (akumulimin) e dhjamit, veçanërisht në zonën abdominale (të barkut). Sindroma metabolike lidhet me ndryshime të lipideve hematike (të gjakut), të hipertensionit (presionit të lartë të gjakut), rezistencë ndaj insulinës (pra humbje e efikasitetit të veprimit të insulinës) dhe një gjendje proinfiamatore-protrombike (pra që favorizon infiamacionin dhe ngjarjet koagulative).

Sindroma metabolike është shkaku kryesor i patologjive kardiovaskulare (bllokuese). Adipocitët (qelizat e dhjamit) jo vetëm që janë përgjegjës për depozitimin e lipideve, por kanë një rol të rëndësishëm edhe në metabolizmin e tij, falë sintetizimit të një varieteti citokinash* që veprojnë në nivel sistemik, pra të organizmit. Mendohet se faktorët që rrisin masën e adipocitëve kontribuojnë, edhe, në zhvillimin e sindromës metabolike.

Obeziteti është bashkëlidhur kryesisht me faktorë ambientalë si ushqyerja e tepërt dhe jo-aktiviteti fizik. Obeziteti gjithsesi lidhet edhe me faktorë gjenetikë, të trashëgueshëm. Në raste të rralla familjare, obeziteti shkaktohet nga mutacione të leptinës, të receptorit të leptinës, të prohormon-konvetrazës, të pro-opiomelanokortinës dhe të receptorit të melanokortinës 4. Obeziteti sporadik tek njeriu është bashkëlidhur me lokuse gjenetike (gjenike) që mund të favorizojnë lindjen e tij.

*Citokinat janë elementë sinjalizues të sistemit imunitar, e jo vetëm të këtij. Kimikisht janë glikoproteina të tretshme që veprojnë në përqëndrime nanomolare.

————————————————————————-

Energjia dhe metabolizmi

Energjia dhe metabolizmi

Një qelizë është e aftë të kryejë të gjitha aktivitetet e nevojshme për rritjen e vet, dyfishimin dhe mbijetesën. Këto aktivitete bazohen në një varietet të madh transformimesh kimike që përbëjnë metabolizmin. Tek metabolizmi mund të dallohen dy llojë reaksionesh: reaksione sinteze dhe thyerjeje. Reaksionet që kanë të bëjnë me sintezën, përfshijnë dy ose më shumë substanca të thjeshta që bashkohen për të formuar produkte molekulare më komplekse, dhe që të gjitha përbëjnë anabolizmin. Reaksionet e thyerjes shpien në  degradimin e përbërjeve kimike komplekse në përbërje apo molekula më të thjeshta, dhe që të gjitha reaksionet e këtij lloji përbëjnë në totalitetin e tyre katabolizmin.

Të gjitha aktivitetet qelizore përfshijnë një nga këto lloje punësh:

  • Punë mekanike, e cila përfshin lëvizjen e organeleve qelizore dhe tkurrjen (e fibrave muskulore, për shembull).
  • Punë transporti, e cila konsiston në hyrjen apo nxjerrjen e substancave brenda-jashtë qelizës.
  • Punë kimike, që ka të bëjë me transformimet kimike të substancave si sinteza e molekulave më të mëdha duke filluar nga ato më të voglat.

Reaksionet kimike të një qelize mund të jenë ekzogonike ose endogonike. Të parat janë reaksione anabolike ndërsa të dytat janë zakonisht reaksione të katabolizmit.

Një qelizë mund të kryejë një reaksion endogonik duke përdorur energjinë e prodhuar nga një reaksion ekzogonik. Ky mekanizëm quhet reaksione të çiftëzuara. Për të transferuar energjinë nga një reaksion në tjetrin përdoret adenozinë trefosfati apo ATP-ja. ATP-ja është një nukleotid i përbërë nga adenozina – adeninë dhe ribozë, dhe nga tre grupe fosfat. Energjia ruhet në lidhjet kimike mes grupeve fosfat. Më e shumta e energjisë (pjesa më e madhe) çlirohet kur ATP-ja shndërrohet në ADP – adenozinë difosfat dhe fosfat inorganik. Energjia përdoret për reaksionet endoergonike, ndërsa fosfati inorganik i bashkëngjitet molekulave të tjera. Ky reaksion i fundit quhet fosforilim. Qelizat e përdorin energjinë e transportuar nga ATP-ja për të sintetizuar makromolekula si proteinat, lipidet, karbohidratet apo acidet nukleike, dhe për të larguar substancat e mbetjes së katabolizmit. Energjia përdoret për të kryer të gjitha punët mekanike të qelizës.

Rinstinkt, 2012