Distrofia muskulore

Distrofia muskulore e Duschenne

Distrofia muskulore e Duschennit është një degjenerim apo nekrozë e fibrave muskulore skeletike që zëvendësohen nga ind adipoz dhe nga ind fibroz. Për pasojë të shkatërrimit dhe të zëvendësimit të fibrave muskulore skelektike subjekti i prekur ka dobësi, paralizë dhe vështirësi në frymëmarrje, meqë preket diagragma, muskuli kryesor që krijon presionin negativ gjatë procesit të frymëmarrjes.

Distrofia muskulore e Duschennit është një sëmundje gjenetike, ku gjeni që kodifikon për një proteinë specifike, që quhet distrofinë, pëson një tjetërsim, një mutacion. Rajoni që goditet është rajoni Xp21. Gjeni i distrofinës, që është një proteinë rolin e së cilës do ta përshkruaj pak më poshtë, është një gjen me përmasa të konsiderueshme; përbëhet nga 79 ekzonre dhe përbën rreth 2% të të gjithë kromozomit X.

Skemë ilustruese mbi Distrofinë muskulore të Duschenne

Skemë ilustruese mbi Distrofinë muskulore të Duschenne

Distrofina është një molekulë e gjatë proteinike që lidh fibrat e aktinës në korteksin e qelizës muskulore me shtresëzën bazale jashtëqelizore, pra mme indin lidhor jashtëqelizor. Nëpërmjet kësaj lidhjeje, të ndërmjetësuar nga proteina distrofinë, realizohet një uurë mes aktinës dhe një kompleksi glikoproteinik ndërmembranë (transmembranë), i quajtur Kompleksi i Sarkoglikanëve të Asociuar me Distrofinën dhe që gjendet në sarkolemë. Funksioni i distrofinës pra është që aksionin mekanik të tkurrjes së fibrave muskulore, pra të aktinës dhe miozinës, ta transmetojë fillimisht në membranën qelizore dhe njëkohësisht në ambientin jashtëqelizor nëpërmjet ankorimit tek indi lidhor i atyshëm. Në këtë mënyrë tkurrja e fibrës qelizore nuk është e shkëpuutur nga ambienti dhe është e efektshme. Përndryshe kur distrofina mungon, për arsye të ndryshme, tkurrja muskulore është jo e efektshme.

Dihet se gjeni i distrofinës pëson shumë mutacione, dhe mendohet se kjo frekuencë e lartë e mutacioneve i detyrohet gjatësisë së madhe të këtij gjeni, që siç e thashë më lartë është i përbërë nga 79 ekzone.

Kur mutacionet (delecionet) tjetërsojnë modulin e leximit të proteinës (distrofinës) rezulton sëmundja e distrofisë muskulore të Duschennit, që është ajo më e rënda, me grad më të lartë. Ndërsa kur moduli i leximit të proteinës distrofinike ruhet, kemi të bëjmë me një formë distrofie më të lehtë, pra distrofia e tipit të Beckerit.

 

Rinstinkt 2014

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

——————————————————————-

Advertisements

Përgjigjje për një pyetje – Lëvizja ameboidale e leukociteve dhe amebave

Përgjigjje për një pyetje – lëvizja ameboidale e leukociteve dhe amebave

Një anonim interneti, ka lënë kohë më parë në një blog  shqiptar komentin e mëposhtëm, i cili në thelb shpreh pamundësinë e komentuesit në fjalë për të rrokur mekanizmin që u mundëson qelizave lëvizjen nëpër indet e trupit tonë. 

Pyetja që kërkon përgjigjje...

Pyetja që kërkon përgjigjje…

Komentuesi tregon se kohë më parë po i shpjegohej

“sesi […] diktohen dhe azgjesohen trupat e huaj.[…][Ç]’e shtyn hiçin, qelizën e bardhë, psh, të veprojë ashtu si vepron?”.

Natyrisht, siç ndodh shpesh nëpër blogosferë pyetjet mbeten pa përgjigje. Shumë futen për të thënë të tyren, për pak muhabet, për shumë pak dëgjim, dhe shumë shumë llomotitje.

Do të përpiqem t’i jap një përgjigje kësaj pyetje, që tek e fundit është mjaft elementare, dhe gjithkush që ka kaluar prej gjimnazit duhej të dinte t’i vetpërgjigjej. Kjo sepse gjimnazi ofron një substrat, një tërësi njohurish bazë, pa të cilin do të ishte  e pamundur të kuptoheshin mekanizmat e tjerë, më të ndërlikuar.

Qeliza në lëvizje

Shumë tipe qelizash janë të afta për lëvizje, në një mënyrë ose në një tjetër. Më karakteristiket janë ato të gjakut. Ndër qelizat e gjakut, leukocitet apo qelizat e bardha të gjakut janë më të veçantat sepse mund të lëvizin me shpejtësi jashtë rrymës hematike për t’u drejtuar nga një plagë apo infeksion.

Qelizat e bardha të gjakut kanë shumë funksione, por më kryesori është ai i mbrojtjes së trupit nga infeksionet. Kështu, leukociteve u duhet të spostohen, për të lëvizur dhe mbërritur në vendin e infeksionit, i cili luftohet në mënyra dhe me mjete të ndryshme: duke prodhuar kundërtrupa, duke gëlltitur baktere apo duke lëshuar lëndë kimike mbi mikrobet.
Për kuriozitet, dhembja nga inflamacioni, sikundër ajo e shkaktuar nga djegia e diellit, është një pasojë e lëvizjes së leukociteve drejt vendit të dëmtimit/ infeksionit.

Por si arrijnë qelizat e bardha të lëvizin vrullshëm drejtë plagës? Ndokujt mund t’i duket e çuditshme, por leukocitet përdorin për të lëvizur, të njëjtin proces sikundër organizmat primitiv, si amebat.

Lëvizje ameboidale – një mikrografi me mikroskopi optike e Amoeba proteus, një protozoar që lëviz me anët ë zgjatjes së pseudopodeve.

Lëvizje ameboidale – një mikrografi me mikroskopi optike e Amoeba proteus, një protozoar që lëviz me anët ë zgjatjes së pseudopodeve.

Organizmat njëqelizorë, si amebat, lëvizin drejtë burimit të ushqimit falë një procesi të quajtur kemiotaksi. Amebat janë organizma-model të shkëlqyer për të studiuar lëvizjen qelizore ngase lindin, hanë, jetojnë dhe vdesin shumë shpejtë.

Biologët kanë mësuar se qelizat e bardha të gjakut lëvizin duke zgjatur fillimisht një pjesë të vetën, si këmbë. Ky pseudopod shërben si një shqisë kimike për ambientin rrethues, duke diskriminuar drejtimin me përqëndrimin më të lartë të molekulave tërheqëse. Molekulat tërheqëse, për amebat janë ato ushqyese, ndërsa për qelizat e bardha të gjakut (leukocitet) është “aroma” e mikrobeve pushtues. Pseudopodi i ndjekur nga e gjithë qeliza, lëviz drejt molekulave shënjestër, duke alternuar ngjitjen dhe shqitjen mbi sipërfaqen në të cilën lëviz.

Lëvizja realizohet nga zëvendësimi apo shtimi i disa lloje të caktuara lyrash në fragmentin e membranës që i përket pseudopodit në zgjatje e sipër. Njëkohsësisht, qartësisht për shkaqet kimike, endoskeleti qelizor pëson ndryshime, me tubtha që diku ndërtohen e diku tjetër prishen, për të mundësuar shiftimin e formës së qelizës. Formimi i mikrotubthave, mikrofilamenteve dhe agregatëve të aktinës ndodh në afërsi të këmbës në zgjatje e sipër, e cila quhet lamelipod apo filopod (prodhimi i polarizuar i mikrotubthave, mikrofilementeve dhe aktinës).

E gjithë kjo ndodh sepse qeliza në normalitetin e vet funksional është, përveç të tjerash, edhe një tërësi reaksionesh kimike dhe stukturash brendaqelizore, natyrisht të ndërlidhura me ambientin e jashtëm.

Elementi kimik, sikundër një molekulë e lëshuar nga mikrobi i një infeksioni, futet detyrimisht në qelizë dhe modifikon/influencon mekanizmat e formësuar evolutivisht. Mekanizmat janë së pari kimikë; substanca influencon një rrugë kimike. Kjo e fundit mund, nga ana e saj, të influencojë një tjetër rrugë kimike brendaqelizore,e cila në përfundim influencon metabolizmin e proteinave të citoskeletit. Citoskeleti i modifikuar flet për një modifikim të formës së qelizës, dhe modifikimi i formës është gjithçka i duhet një entiteti për të lëvizur, ngase përmban në mënyrë intrinseke një ndërveprim me ambientin rrethues.

Thelbi në procesin e migrimit të qelizave në trup qëndon në migrimin e drejtuar. Siç u tha më sipër një nga mënyrat për të realizuar migrimin e drejtuar është ajo e zgjatimit (protruzionit) kryesisht në një kah të qelizës.

Molekulat e shpërhapura në ambient mund të shërbejnë si shenja të rëndësishme për të orentuar mirgimin e drejtuar. Kur një qelizë migruese lëviz drejt një gradienti më të madh apo më të vogël të përqëndrimit të një kimikati, thuhet se i nënshtrohet procesit të kemiotaksis.

Molekulat që shkaktojnë përgjigjen e qelizës ameboidale quhen: kemiotërheqës, kur qeliza lëviz drejt përqëndrimit më të madh të molekulave; kemiorepelentë, kur qeliza lëviz larg përqëndrimit më të madh të molekulave.

Më lartë u përmendën amebat, si shembull i shkëlqyer studimor. Ameba në të cilën më së shumti është studiuar fenomeni të cilin po tentohet t’i jepet shpejgim është Dictyostelium. Në rast ndyshimi të përqëndrimit të molekulave kemiotërheqëse, ndodhin (pasojnë) ndryshime dramatike në citoskeletin prej aktine, duke përfshirë ndryshimet biokimike tek proteinat aktin-lidhëse dhe migrimin e qelizës drejt burimit të molekulave kemiotërheqëse. Ndryshimet në përqëndrimin e kemiotërheqësit jashtë qelizor përçohen në brendësi që qelizës nëprmjet receptorëve të pozicionuar në sipërfaqen e membranës qelizore. Janë receptorë të lidhur me proteina G. Aktivizimi i receptorëve në fjalë shpie në akumulimin lokal të fosfoinozitideve , që mendohet se është shkaku i rekrutimit të polarizuar të makinerisë citoskeletike, duke rezultuar kështu në një migrim të drejtuar qelizor.

Bibliografi minimale:

  • Taylor, D. L., and J. S. Condeelis. Cytoplasmic structure and contractility in amoeboid cells. Int. Rev. Cytol. 56 (1979): 57.

© Rinstinkt, mbi tekstin

[Postim shkruar fillimisht në Shtator, 2012]

———————————————————————————————————

Mikroskopi me fluoreshencë e boshtit mitotik

Pamje me mikroskopi (me dritë) me fluoreshencë e një qelize kafshe në stadin e anafazës. Pamja tregon boshtin mitotik. (kromozomet në portokalli; mikrotubthat në jeshile)

Pamje me mikroskopi (me dritë) me fluoreshencë e një qelize kafshe në stadin e anafazës. Pamja tregon boshtin mitotik. (kromozomet në portokalli; mikrotubthat në jeshile)

Pamje me mikroskopi (me dritë) me fluoreshencë e një qelize kafshe në stadin e anafazës. Pamja tregon boshtin mitotik. (kromozomet në portokalli; mikrotubthat në jeshile)

Mikrobiologjia: Salmonella

Salmonella

Salmonelat përbëjnë rreth 500 serumotipe bacilesh (serumotipet e ndryshme quhen serovar dhe katalogohen në bazë të lipopolisakaridit, të antigjeneve O, Vi dhe H, ky i fundit shfaqet në dy faza). Janë të gjithëgjendur dhe shkaktojnë dy tablo patologjike: Gastroenteritet (me tendencë drejt shërimit të vetvetishëm dhe pa tendecë përhapjeje, që shkaktohen nga serovar të kudondodhur) dhe infeksionet sistemike, tifo dhe paratifo (të shkaktuara ekskluzivisht nga serovarë të përshtatur për njeriun, që mund të jenë edhe vdekjeprurëse). Të dyja tipologjitë einfeksionit transmetohen me rrugë oro-fekale (marrje e ushqimit të ndotur).

Salmonella typhi

Sëmundja paraprihet nga një inkubacion i gjatë (7-14 ditë), me dhimbje muskulore, pagjumësi; pason temperatura (karakteristike – lakorja e Wunderlich-ut) me ndërlikim të aparatit tretës, SNQ (sistemit nervor qëndror), aparatit të frymëshkëmbimit, aparatit hemolinfopërftues dhe aparatit urinor.

Mekanizmi patogjen

Salmonella typhi është enteroinvazive, mbërrin në nënmukozë me anë të qelizave M. Makrofagët e nënmukozës e gëlltisin me anë të fagocitozës, por Salmonella typhi është në gjendje të shumëfishohet në brendësi të fagozomit duke penguar shkrirjen e tij me lizozomin. Makrofagu kthehet në qarkullimin e gjakut duke u bërë transportues i bakterit. Në javën e parë, Salmonellat nuk kërkohen në zorrë por në gjak. Bakterihemia ka një efekt pirogjen.

Qarku i transmetimit të Salmonella typhi-t

Ushqim à zorrë à mukozë à linfonyje mezenterikeà dukti (linfatik) i kraharorit à qarkullimi i gjakut (bakterihemi) à shpretkë, mëlçi (ku shumëfishohet) – përfundon inkubaconi – à gjak (bakterihemi ngulmuese, e zgjatur) à ethe à fshikëza e tëmthit à mukoza e zorrëve të holla (kolonizimi i dytë i zorrës) à pllakat e Peyer-it.

Nga pllakat e Peyer-it: (bakteret) mund të shkaktojnë aktivizimin e imunitetit qelizor; mund të shkaktojë ulçeracione që janë shkaktarë të hemorragjive, çpimeve dhe peritoniteve; dhe mund të eliminohet me anë të fekaleve (burim infeksioni).

Ndërsa në periudhën e parë të infeksionit Salmonellat arrijnë të shumëfishohen tek monocitët, shërimi shoqërohet me shfaqjen e një fuqie të lartë baktericide (që vret bakteret) në drejtim të Salmonellave të fagocituara, për shkak të ndërhyrjes së fenomeneve të imunitetit qelizor. Pas shërimit, tek disa subjekte bakteri qëndron ende në fshikëzën e tëmthit duke i shndërruar këta individë në mbajtës të shëndetshëm të bakterit dhe në përhapës të infeksionit.

© mbi tekstin, Rinstinkt 2012

——————————————————-

Fagocitoza dhe agjentët infektues

Fagocitoza është një proces themelor në përgjigjen imunitare të lindur. Fagocitoza e baktereve shpie në pjesën më të madhe të rasteve në shkatërrimin e tyre (lizimi i baktereve). Gjithsesi, disa mikroorganizma patogjenë kanë mësuar (apo kanë evoluar) që ta përdorin këtë mekanizëm në avantazh të vet për t’u futur në qelizë dhe për t’u rritur kështu në një ambient të mbrojtur nga elementët e tjerë të sistemit imunitar (mbrojtës).

Për shembull, Mycobacetrium tuberculosis, agjenti patologjik përgjegjës për tuberkulozën, është i aftë të rritet dhe të ndahet në brendësi të makrofagëve. Disa patogjenë kanë zhvilluar mekanizma “të zgjuar” për të shmangur vdekjen dhe shkatërrimin në fagolizozome.

Listeria monocytogenes-i, një bakter patogjen, është e aftë që të shkrijë membranën e fagozomit dhe të penetrojë në citoplazmën e makrofagut.

Mycobacterium tuberculosis-i mund të parandalojë shkrirjen e fagozomit dhe lizozomit  dhe të jetojë dhe rritet në rehat në brendësi të fagozomit, fshikëzës ku makrofagu e ka gëlltitur.

Shumë viruse shfrytëzojnë mekanizmin e endocitozës me anë të receptorëve për të infektuar qelizat. Janë një shembull i mirë Poliovirusët dhe Adenovirusët; sapo hyjnë me endocitozë dhe mbërrijnë në ndarjen endozomale, këta viruse përdorin proteinat e veshjes së tyre (kapsidit) për të shpuar endozomin dhe futur në citoplazmë materialin e tyre gjenetik.

 

© Rinstinkt 2012