Pilivesat dhe amfibët gjigandë, dhe përqëndrimi i oksigjenit në atmosferë

Përmasat trupore të insekteve dhe amfibëve gjigandë dhe përqëndrimi i oksigjenit në atmosferën e Tokës.

Të gjithë i njohim pilivesat, që flturojnë shpesh rreth pellgjeve me ujëra të ëmbla në kërkim të ushqimit të tyre, mushkonjave, në kërkim të partnerëve për çiftëzim dhe në kërkim të ndonjë vendi të përshtatshëm për të pjellë vezët e veta.

Meganeuropsis-permiana

Meganeuropsis permiana, model i ndërtuar në përmasat reale të insektit nga Werner Kraus (University Museum of Clausthal-Zellerfeld. © Werner Kraus 2003).  Përveç përmasave trupore kjo pilivesë gjigande nga periudha e Permianit ishte e ngjashme me pilivesat moderne.

Pilivesat më të mëdha që jetojnë në kohët tona kanë një hapje krahësh që mund të mbulohet nga dora e njeriut. Por 300 milionë vite më parë, pilivesat si Meganeuropsis permiana kishin një hapje krahësh prej më shumë se 70 cm (72cm). Një hapje krahësh kjo që ia kaloh hapjes krahore të shumë zogjve grabitqarë të ditëve të sotme.

Këto pilivesa ‘gjigande’ (relativisht me ato të kohëve moderne) ishin grabitqarët më të mëdhenjë fluturues të ditëve të tyre. Asnjë insekt fluturues i ditëve të sotme nuk i afrohet madhësisë së pilivesës Meganeuropsis permiana. Por gjatë periudhave gjeologjike Karbonifere dhe Permiane, rreth 350-250 milion vite më parë, shumë grupe insektesh fluturues kishin specie\lloje insektesh gjigande.

Meganeuropsis-i me gjasa hante miza maji gjigande dhe insekte të tjera gjigande që jetonin në të njëjtat habitate në moçalet e periudhës së Permianit. Por nga ana tjetër edhe këto pilivesa gjigande haheshin nga amfibë gjigandë. Sot asnjë nga këto insekte gjigande apo amfibë gjigandë nuk do të mund të mbijetonte në Tokë. Në epokën Karbonifere dhe të Permianit përqëndrimet e oksigjenit në atmosferën e Tokës ishin rreth 50% për të larta se sa ato të sotmet. Ishin pikërisht këto përqëndrime të larta të oksigjenit në atmosferë që mendohet se ishin të nevojshme për të mbështetur jetesën e insekteve dhe amfibëve gjigandë.

Paleontologët kanë zbuluar fosile të pilivesës Meganeuropsis permiana në shkëmbinjë afër Kansasit (SHBA).
Si e dimë vjetërsinë e këtyre fosileve dhe si e dimë se sa oksigjen kishte në atë atmosferë, që sot nuk ekziston më? Përgjigjen këtyre pyetjeve ua jep shtresëzimi i shkëmbinjëve, që na mundëson të tregojmë vjetërsinë e tyre relative krahasuar njëri me tjetrin, por që gjithsesi nuk na lejon që t’i japim një moshë absolute një shtrese të caktuar.

Një nga arritjet më të mëdha shkencore të shekullit të 20të ishte zhvillimi i teknikave të sofistikuara që përdorin normën (shpejtësinë) e shkatërrimit të radioizotopëve të ndryshëm, raportet e disa molekulave në shkëmbinjë dhe fosile, si dhe ndryshimet në fushën magnetike Tokësore për të nxjerrë përfundime rreth kushteve dhe ngjarrjeve në të shkuarën e largët dhe për t’i datuar me saktësi. Pra këto metoda na lejojnë t’u japim një vjetërsi fosilit të Meganeuropsis-it dhe të llogarisim përqëndrimin e oksigjenit në atmosferën e Tokës gjatë asaj kohe të largët.

Shkencëtarët kanë bërë studime të ndryshme eksperimentale për të parë se si ndryshimi i përqëndrimit të oksigjenit në atmosferë mund të ketë ndikuar në evolucionin e madhësisë trupore të insekteve dhe amfibëve që jetonin në Tokë në epoka të vjetra gjeologjike. Rezultatet e studimeve të kryera në ambiente me përqëndim të lartë oksigjeni, pra hiperoksike, janë konsistente me evolucionin e insekteve fluturues me përmasa trupore dhe hapje krahësh tepër të mëdha, siç është rasti i pilivesës tonë gjigande Meganeuropsis permiana.

Eksperimente të tjera janë kryer edhe në ambiente ku përqëndrimi i oksigjenit ishte i reduktar, pra në një ambient hipoksik, të ngjashme me ambientin e periudhës së Permianit. Rezultatet e këtyre eksperimenteve të fundit sugjerojnë se evolucioni i madhësisë trupore kufizohet nën kushtet hhipoksike, pra kur përqëndrimi i oksigjenit është i ulët. Këto rezultate janë përputhen me zhdukjen e shumë llojeve insektesh fluturues në fundin e Permianit (për shkak të zvogëlimit të shpejtë të përqëndrimit të oksigjenit në atmosferë).

© Rinstinkt blog

Njerëzit dhe bimët e bananes kanë të përbashkët 50% të ADN-së së tyre.

Njerëzit dhe bimët e bananes kanë të përbashkët 50% të ADN-së së tyre. Duket e çuditshme? Po, nëse vihen në dukje vetëm ndryshimet që janë më se evidente. Duket sikur njerëzit dhe babanet nuk kanë asgjë të përbashkët…

Ndryshimet mund t’i shikojmë të gjithë. Bananet janë bimë që prodhojnë frutin e bananes, ndërsa njerëzit janë kafshë. Si bimët e tjera bananat e përftojnë energjinë e vetë nga fotosinteza ndërsa njerëzit sikundër gjithë kafshët e tjera e përftojnë energjinë duke ngrënë gjallesa të tjera.

Por cilat janë këto të përbashkëta?

Të përbashkëtat mes bananes dhe njeriut, janë po të njëjtat të përbashkëta që lidhin bananen, dhe njeriun, me pjesën tjetër të gjallesave shumë qelizore.

bananeTë gjitha gjallesa shumëqelizore kanë nevojë për energji për të furnizuar dhe bërë të mundur realizimin e proceseve të jetës. Që prej ndarjes qelizore, prodhimit të pjesëve pra organeleve qelizore, mbajtjes së qelizave të ngjitura njëra me tjetrën, kominikimit mes qelizave etj etj. Të gjitha këto, dhe shumë të tjera procese, kanë nevojë për energji. Pra ngjashmëria në metabolizmin qelizor është e para gjë që duhet përmendur.
Të gjitha gjallesat kanë mekanizma që bëjnë të mundur thyerjen e molekulave organike të glukozit në mënyrë që të lëshojnë/përftojnë energji për të qëndruar në jetë. Transferimi i energjisë prej molekulave organike tek proceset e organizmit kërkon procese si glikoliza, ciklin e acidit citrik (pra Ciklin e Krebsit), zinxhirin e transportit të elektroneve, dhe/apo fermentimin. Këto procese bazike të jetës, janë ruajtur shumë mirë në terma evolutivë në të gjitha gjallesat.

Një gjë e rëndësishme që duhet theksuar është se, nga e gjithë ADNja jonë, e njerëzve, dhe nga e gjithë ADNja e bimëve, vetëm një përqindje e vogël e materialit gjenetik është “funksionale”. Pjesa më e madhe e materialit gjenetik të gjallesave duket se nuk ka ndonjë funksion të dukshëm, ndaj me njohuritë që kemi sot është quajtur “jo funksionale” në kuptimin që nuk kodifikon për proteina.
Ndërsa vetëm rreth 1-2% e materialit gjenetik kodifikon për proteina. Pra kur themi se 50% e materialit tonë gjenetik është e ngjashme me të bananeve, apo të ndonjë bime tjetër, i referohemi kësaj pjese të vogël, funksionale, kodifikuese, që nevojitet për të marrë informacionin për prodhimin e proteinave.

Ky fraksion i vogël i materialit gjenetik, pra fraksioni protein-kodifikues është, siç e përmenda më sipër, tejet i konservuar mes specieve, pra shumica e organizmave kanë qeliza që mbështeten mbi të njëjtat procese. Pra mes bimëve dhe njerëzve rreth 50% e sekuencave të ADN-së protein-kodifikuese janë të konservuara, sepse pavarësisht diferencave makroskopike, në nivelin qelizor ne kemi të ngjashme shumë reaksione biokimike dhe komponente qelizore.

Kuriozitet: Njerëzit dhe majmunët kanë të përbashkët 98% të sekuencës së materialit gjenetik protein-kodifikues. Kjo do të thotë se filogjenetikisht njerëzit janë shumë shumë më të afërt me majmunët sesa me bimët.

© Rinstinkt Blog 2018

Seleksioni seksual

Seleksioni seksual

Seleksioni seksual është një tip seleksioni natyror që vepron mbi suksesin për t’u riprodhuar. Aftësia e kafshëve për të konkurruar për partnerët është e ndryshueshme.

Individët e dhuntuar me ndonjë avantazh të trashëgueshëm, si për shembull meshkujt me përmasa më të mëdha, kanë më shumë mundësi për t’u çiftëzuar dhe për të transmetuar gjenet e veta në gjeneratat e mëpasshme; si pasojë, kjo karakteristikë avantazhuese me kalimin e kohës shndërrohet në një karakteristikë më të përhapur brenda popullatës.
Kështu selsksioni seksual rezulton në avantazhin riprodhues të disa individëve përkundrejt anëtarëve të tjerë të species/llojit të vetë dhe të seksit të vetë (në këtë rast mashkull).

një dyshe drerës të kuq duke konkurruar për zotërimin e një femre

Një dyshe (meshkujsh) drerësh të kuq duke konkurruar për zotërimin e një femre. (Credit: Encyclopedia Britannica)

Suksesi riprodhues i një mashkulli varet nga sa femra arrin të fekondojë.
Suksesi riprodhues i një femre varet nga sa vezë ajo mund të prodhojë gjatë jetës së vetë riprodhuese, nga cilësia e spermatozoidëve që e fekondojnë dhe nga mbijetesa e pasardhësve deri në moshën e tyre riprodhuese.

Duhet, si përfundim, të bëhet një dallim mes seleksionit intra-seksual (brenda-seksual) dhe seleksionit inter-seksual (ndër-seksual).

Diferencat në emocione mes sekseve

Diferencat në emocione mes sekseve

 

Nga një perspektivë evolucionare/evolutive ka shumë gjasa që të ekzistojnë diferenca ndër-seksuale (pra mes dy sekseve) në emocione. Gjasat që meshkujt dhe femrat të kenë evoluar të njëjtën psikologji emocionale janë në themel zero.
Që meshkujt dhe femrat të kenë evoluar pikërisht të njëjtin dezajn emocional do të ishte një mrekulli Darwiniane – në kuptimin, e pamundur – sepse forcat evolutive që kanë vepruar mbi speciet e planetit tonë, përfshirë njeriun, pra meshkujt dhe femrat, do të të duhej të eliminonin të gjitha diferencat e mëparshme emocionale që derivojnë nga trashëgimia jonë si gjitarë dhe primatë; për më tepër do të duhej që organizmat të ishin selektuar në kundërshti me disa apo të gjitha përshtatjet emocionale seks-specifike të cilat janë zhvilluar gjatë qindra-mijëra viteve kur njeriu jetonte si gjuetar-mbledhës. Për më tepër do të duhej që gjatë gjithë historisë evolutive të njeriut, të ruhej një psikologji njerëzore unike, e njëjtë, për mashkullin dhe femrën, pra një psikologjie hermafrodite, pra e përzierë (gjë që nuk është aspak e vërtetë). (Buss & Schmitt, 2011). i

*

Një meta-analizë e diferencave ndër seksuale në ndjenjat emocionet“morale”, femrat prireshin të përjetonin më shumë emocione negative, si për shembull më shumë faj, turp, dhe në një shkallë më të vogël edhe siklet. (Else-Quest et al., 2012). ii

Rezultate të ngjashme u gjetën edhe në një meta-analizë të kohëve të fundit mbi emocionet e fëmijëve. (Chaplin & Aldao, 2013). iii

Në një studim ndër-kulturor të zhvilluar në 37 kombe, femrat kishin një prirje për një emocionalitet më negativ. (Fischer et al., 2004). iv

Gjithashtu, edhe diferencat në ankthin shoqëror, në terma ndër-kulturorë (në 18 kombe të ndryshme), tregojnë se femrat e përjetojnë një të tillë ndjenjë në nivele më të larta se meshkujt.  (Caballo et al., 2014). v

Studime të tjera tregojnë se si femrat reagojnë në një mënyrë më negative (krahasuar me meshkujt) ndaj përvojave jo të këndshme (gjatë eksperimenteve psikologjike).

Për shembull, në një studim të diferencave mes sekseve në reagimet ndaj slideve/diapozitivave të këndshme dhe të pa këndshme, kërkuesit shkencorë gjetën se femrat reagonin më negativisht ndaj slideve/diapozitivave të pakëndshme që përmbanin trupa të gjymtuar, dhunë fizike apo kafshë të ngordhura. Kjo diferencë mes sekseve vazhdonte të shfaqej në të njëjtën shkallë apo madhësi në femrat nga mosha 20 deri në 81 vjeç. (Gomez, Gunten, & Danuser, 2013). vi

Tjetër; studiues të tjerë kanë gjetur se femrat reagojnë me më shumë trishtim (krahasuar me meshkujt) ndaj filmave të trishtë; kanë gjetur gjithashtu se femrat reagojnë me më shumë frikë dhe përshtirosje (krahasuar me meshkujt) ndaj filmave të frikshëm/të pështirë. (Kring and Gordon,1998). vii

Në kontrast, meshkujt (krahasuar me femrat) reagojnë me më shumë lumturi ndaj filmave të lumtur.

Ndër të tjera, meshkujt dhe femrat dallojnë nga njëri-tjetri edhe në rajonet trunore të përdorura për të rregulluar/ndrequr/përshtatur reagimet ndaj stimujve – në këtë rast eksperimentalë – të pakëndshëm. (Domes et al., 2010; McRae et al., 2008). viii ix

*

Një tjetër fakt që derivon prej këtyre diferencave mes sekseve është ajo se femrat janë më të afta se meshkujt, për të njohur dhe përpunuar emocionet negative të të tjerëve. Për të shpjeguar këtë gjë ekzistojnë disa hipoteza të ndryshme evolutive, dhe njëra prej tyre në veçanti, ajo e formuluar nga Hampson et al., (2006) thotë se femrat mund të jenë më sensitive ndaj emocioneve të shprehura nga individë të tjerë për shkak të nevojës që ato kanë (më shumë se meshkujt) për t’u lidhur me fëmijët e vetë – një përshtatje evolutive kjo. x

*

Tjetër gjë e rëndësishme është se femrat priren të kenë rezultate më të larta në traktet e personalitetit fortësisht të lidhura me emocionalitetin negativ – neuroticizmin.  (Feingold, 1994; Schmitt et al., 2008). xi

Feingold (1994) gjeti se femrat kanë rezultate më të larta në anthshmëri, krahasuar me meshkujt (këto rezultate u përftuan nga një meta-analizë e 25 studimeve të ndryshme). Për më tepër këto rezultate – të diferencave ndërmjet sekseve – janë kofirmuar në disa studime të ndryshme ndër-kulturore (të zhvilluara në kultura dhe kombe të ndryshme). (Costa et al., 2001; Lippa, 2010; Schmitt et al., 2008). xii xiii xiv

De Bolle (2015) gjeti se diferencat mes seksit femër dhe atij mashkull në nivelet e neuroticizmit mes adoleshentëve fillojnë të shfaqen universalisht në të gjitha kulturat pak a shumë në të njëjtën moshë, rreth 14 vjeç, duke implikuar një ndikim të hormoneve të pubertetit si një shkak të afërt. xv

Në studime të tjera të zhvilluara në 26 kombe, në 53 kombe, dhe në 56 kombe të ndryshme janë gjetur të njëjtat rezultate, pra se femrat kanë nivele më të larta neuroticizmi.

 

Nivelet e neuroticizmit tek femrat janë më të larta (krahasuar me meshkujt) në kulturat/shoqëritë ku ka më shumë barazi gjinore, dhe më të vogla në shoqëritë/kulturat ku barazia mes dy gjinive është më e pakët. (Burimi: David Schmitt, riprodhuar këtu pa leje.)

 

Gjëja interesante është se në të gjitha këto studime, diferencat ndër seksualt në nivelet e neuroticizmit janë më të larta në kulturat apo shoqëritë njerëzore ku ka më shumë barazi sociopolitike mes sekseve. Pra në shoqëri më egalitare, diferencat ndër seksluale mashkull-femër janë më të mëdha, dhe jo më të vogla siç pritej nga ata që gjënjeheshin se këto diferenca vijnë vetëm nga rolet që dy gjinitë e species sonë marrin në shoqëri, apo për shkak të partiarlakizmit. (Schmitt, 2015). xvi

*

Rezultate të ngjashme janë gjetur edhe për depresionin. Meshkujt dhe femrat dallojnë mes tyre edhe në nivelet mesatare të depresionit (Hyde et al., 2008), një diferencë seksuale që është e dukshme në shumë kultura. (Hopcroft & McLaughlin, 2012; Van de Velde, Bracke, & Levecque, 2010) .

Diferenca ndër seksuale në depresion është më e gjerë në shoqëritë që priren të kenë nivele më të larta barazie gjinore, krahasuar me shoqëri që kanë një barazi gjinore më të ulët.

*

Ajo që është e qartë është se, supozimi dhe teoria feministe se diferencat mes sekseve vijnë prej roleve të ndryshme që dy gjinitë marrin në shoqëri, bie totalisht në kundërshti me faktin se diferencat më të mëdha midis sekseve gjenden në kulturat Skandinave, dhe diferencat më të vogla mes sekseve gjenden në kulturat më patriarkale. (Schmitt, 2015) .

 

 

***

 

Studimet shkencore të cituara

i Buss, D.M. & Schmitt, D.P. (2011). Evolutionary psychology and feminism. Sex Roles, 64,768-787.

ii Else-Quest, N. M., Higgins, A., Allison, C., & Morton, L. C. (2012). Gender differences in self-conscious emotional experience: A meta-analysis. Psychological Bulletin, 138, 947-982.

iii Chaplin, T. M., & Aldao, A. (2013). Gender differences in emotion expression in children: A meta-analytic review. Psychological Bulletin, 139, 735-765.

iv Fischer, A. H., Rodriguez Mosquera, P. M., Van Vianen, A. E., & Manstead, A. S. (2004). Gender and culture differences in emotion. Emotion, 4, 87-94.

v Caballo, V. E., Salazar, I. C., Irurtia, M. J., Arias, B., Hofmann, S. G., & CISO-A ResearchTeam. (2014). Differences in social anxiety between men and women across 18 countries. Personality and Individual Differences, 64, 35-40.

vi Gomez, P., Gunten, A., & Danuser, B. (2013). Content‐specific gender differences in emotion ratings from early to late adulthood. Scandinavian Journal of Psychology, 54, 451-458.

vii Kring, A. M., & Gordon, A. H. (1998). Sex differences in emotion: expression, experience, and physiology. Journal of Personality and Social Psychology, 74, 686-703.

viii Domes, G., Schulze, L., Böttger, M., Grossmann, A., Hauenstein, K., Wirtz, P. H., … & Herpertz, S. C. (2010). The neural correlates of sex differences in emotional reactivity and emotion regulation. Human Brain Mapping, 31, 758-769.

ix McRae, K., Ochsner, K. N., Mauss, I. B., Gabrieli, J. J., & Gross, J. J. (2008). Gender differences in emotion regulation: An fMRI study of cognitive reappraisal. Group Processes & Intergroup Relations, 11, 143-162.

x Hampson, E., van Anders, S. M., & Mullin, L. I. (2006). A female advantage in the recognition of emotional facial expressions: Test of an evolutionary hypothesis. Evolution and Human Behavior, 27, 401-416.

xi Schmitt, D. P., Realo, A., Voracek, M., & Allik, J. (2008). Why can’t a man be more like a woman? Sex differences in Big Five personality traits across 55 cultures. Journal of Personality and Social Psychology, 94, 168–182

xii Costa, P. T., Terracciano, A., & McCrae, R. R. (2001). Gender differences in personality across cultures: Robust and surprising results. Journal of Personality and Social Psychology, 81, 322–331.

xiii Lippa, R. A. (2010). Sex differences in personality traits and gender-related occupational preferences across 53 nations: Testing evolutionary and social-environmental theories.Archives of Sexual Behavior, 39, 619–636.

xiv Schmitt, D. P., Realo, A., Voracek, M., & Allik, J. (2008). Why can’t a man be more like a woman? Sex differences in Big Five personality traits across 55 cultures. Journal of Personality and Social Psychology, 94, 168–182.

xv De Bolle, M., De Fruyt, F., McCrae, R. R., Löckenhoff, C. E., Costa Jr, P. T., Aguilar-Vafaie, M. E., … & Avdeyeva, T. V. (2015). The emergence of sex differences in personality traits in early adolescence: A cross-sectional, cross-cultural study. Journal of Personality and Social Psychology, 108, 171-185.

xvi Schmitt, D.P. (2015). The evolution of culturally-variable sex differences: Men and women are not always different, but when they are…it appears not to result from patriarchy or sex role socialization. In Weekes-Shackelford, V.A., & Shackelford, T.K. (Eds.), The evolution of sexuality (pp. 221-256). New York: Springer.

Hyrje tek Psikologjia Evolutive

Debati se sa përqind e sjelljes njerëzore është e bashkëlindur dhe se sa mund t’i atribuohet ambientit ku njeriu jeton ekziston prej mijëra vjetësh. Aktualisht disa psikologë konjitivë argumentojë se ne, njerëzit, jo vetëm që trashëgojmë disa karakteristika dhe trakte psikologjike, por edhe se këto karakteristika psikologjike janë subjekt i seleksionit natyror dhe seksual sikundër janë karakteristikat tona fizike (çka është një fakt i gjithëpranuar). Këta shkencëtarë argumentojë se mendja është një produkt i trurit, dhe se truri është si çdo organ tjetër i formësuar prej gjenetikës (trashëgimisë).

Këta shkencëtarë dhe këto argumenta janë pjesë e një fushe relativisht të re kërkimi shkencor: fusha e psikologjisë evolutive.

Psikologjia evolutive është përqasje teorike dhe esperimentale që përpiqet të ekzaminojë strukturën psikologjike nga një perspektivë evolutive/evolucionare. Thënë me fjalë të tjera, psikologjia evolutive nuk është gjë tjetër veçse aplikimi i principeve evolucionare mbi çështje dhe pyetje të sjelljes dhe natyrës njerëzore.

Qëllimi final i psikologjisë evolutive, i nëndegëve të saj dhe i degëve të ndërlidhura me të, është që të paraqesi një kuadro të proceseve psikologjike, emocioneve dhe konstrukteve shoqërore ku baza të jetë apo të informohet prej seleksionit natyror, në të njëjtën mënyrë sikundër seleksioni natyror dhe teoria evolutive e formuluar së pari prej Darvinit qëndron sot si bazë që informon gjithë njohuritë në fushën e biologjisë, morfologjisë, antropologjisë etj. Pra, qëllimi është që teoria evolutive të funksionojë si një bazë ëdhe si kornizë metateorike që e integron të gjithë fushën e psikologjisë dhe të neuroshkencës në të njëjtën mënyrë sikundër evoluconi bëri për biologjinë dhe nëndegët e saj.

Kjo fushë e aktivitetit shkencor njerëzor kërkon që identifikojë se cilat trakte psikologjike njerëzore janë përshtatje (adaptime), pra që janë produkte funksionale të seleksionit natryor dhe seleksionit seksual në specien njerëzore.

Arsyetimi në biologji është i tipit: dhëmbët, mushkëritë, sistemi imunitar, zemra kanë evoluar në mënyrë modulare gjatë një kohe të gjatë për t’iu përshtatur funksioneve të ndryshme që e ndihmonin individin që i zotëronte këto (apo edhe pasardhësit e tij) në kalimin me sukses të sfidave që i dilnin përballë në ambientin ku qenia njeri ka kaluar pjesën më të madhe të kohës së vet (në terma evolutivë). Kështu duke aplikuar të njëjtën linjë mendimi në fushën e psikologjisë apo të mendjes, psikologjia evolutive argumenton dhe tregon se mendja (si epifenomen i trurit) ka, me shumë gjasa, një strukturë modulare – sikundër organet e tjera – ku çdonjëra prej këtyre pjesëve (moduleve) është formësuar, adaptuar për t’iu shërbyer funksioneve të ndryshme që ndihmonin në mbijetesën dhe riprodhimin e individit.

Pra, nën dritën e kësaj fushe relativisht të re të kërkimit shkencor, modelet e sjelljes së kafshëve, përfshirë njeriun, hetohen në terma të mënyrës se si këto sjellje mund të kenë kontribuar në mbijetesën dhe benefitet riprodhuese të paraardhësve tanë, të cilët në terma evolutivë e kanë kaluar pjesën më të madhe të kohës në ambiente, nëmos identike me savanën Afrikane, të ngjashme me të.

80966-71572Kështu, psikologjia evolutive për shembull, na informon se preferenca njerëzore për ushqime të ëmbla (me përmbajte të lartë sheqernash), për ushqime me përmbajtje të lartë yndyrash derivon nga një periudhë në rrugëtimin evolutiv species tonë kur uria dhe mungesa e ushqimit ishte norma, dhe të paturit e një preference për ushqime me përmbajtje të lartë energjie (sheqerna dhe yndyra) implikonte se ti si individ (brezat pasardhës) kishe një marsh më shumë krahasuar me individë të tjerë që këtë preferencë nuk e kishin. Arsyetimi më pas është i ngjashëm me atë që bëhet në fushën biologjike. Këta individë që për arsye të tjetërsimeve gjenetike kishin këtë preferencë të lindur për ushqime me përmbajtje të lartë energjie do të kishin më shumë shanse për të mbijetuar dhe për të lënë pasardhës; dhe këta pasardhës brezë pas brezi dalëngadalë do të shpërndanin këtë karakteristikë në të gjithë popullatën – dhe kjo është arsyeja pse njerëzit edhe sot, që gjetja e ushimit është shumë shumë më e thjeshtë, kanë akoma këtë preferencë të lindur psikologjike për ushqime me përmbajtje të lartë energjitike (dhe madje ndiejmë edhe kënaqesi kur hamë të tilla ushime). Por kjo preferencë e lindur për këto ushqime që është formësuar në mijëra breza të paraardhësve tanë që jetonin në ambiente ku ushiqmi ishte i vështirë për t’u gjetur, sot në njëfarë mënyre, për shkak edhe të papjekurisë sonë si specie, po na kthehet kundër në formën e një epidemie obeziteti.

Dhe ky ilustrim nga nxjerrë tek një pikë e rëndësishme të cilën duhet ta përmend medoemos: që seleksioni nayror (apo procesi evolutiv dhe mjetet me anë të të cilave ky proces është realizuar dhe realizohet) 1.) nuk ka një synim, pra nuk është një entitet me “intencion” dhe 2.) se, këto adaptime fizike dhe psikologjike që specia jonë ka fituar gjatë rrugëtimit evolutiv janë të tilla sepse ndihmonin individin që i zotëronte ato në një periudhë të ndryshme nga ajo moderne, pra në perudhën kur lloji njerëzor jetonte në shoqëri gjuetarësh-mbledhësish, pra në periudhën e Pleistocenit (1.8 milionë-10.000 vite më parë). Duke parafrazuar fjalët e David Buss, organizmat janë “ekzekutorë përshtatjesh/adaptimesh” dhe jo “maksimizues të fitnessit”. Kjo shpjegon pse organizmat, në rastin tonë njeriu, kanë adaptime/përshtatje emotive, motivacionale dhe konjitive që në përgjithësi rritnin fitnessin e tyre në ambientn e të shkuarës, pra në periudhën e Pleistocenit, por jo në ambientin e sotëm modern.

* * *

Më poshtë në mënyrë tepër sintetike janë disa pika bazë mbi të cilat bazohet Psikologjia Evolutive:
1. Mendja njerëzore konsiston në “qindra mijëra” module të evoluara.
2. Këto “qindra mijëra” module janë adaptime/përshtatje – që do të thotë, se ato janë formësuar nga seleksioni natyror për funksionet e veta specifike të procesimit të informacionit.
3. Këto adaptime/përshtatje janë dizenjuar për të zgjidhur probleme të mbijetesës dhe të riprodhimit me të cilat përballeshin popullatat gjuetare-mbledhëse të epokës së Pleistocenit.
4. Duke qenë se zakonisht seleksioni natyror i bën përshtatjet/adaptimet në një specie universale, psikologjia njerëzore e evoluar konsiston në një “dezajn të vetëm universal pan-njerëzor”, që është natyra njerëzore.
5. Si pasojë, diferencat mes indivdëve dhe mes kulturave nuk janë prodhuar nga adaptime/përshtatje psikologjike të ndryshme, por nga një psikologji universale që i përgjigjet rrethanave të ndryshme.

Qëllimi i Psikologjisë Evolutive është që të japi një llogari sa më të plotë të natyrës njerëzore – që do të thotë, një përshkrim të plotë të adaptimeve psikologjike modulare që përbëjnë mendjen njerëzore dhe se si këto module funksionojnë nën rrethana të ndryshueshme zhvillimore, kulturore dhe aktuale.

* * *

Disa evente të rëndësishme në historinë e psikologjisë evolutive.

  • 1859 – Biologu Charles Darwin shkruan se emocionet, perceptimet dhe konjicionii janë adaptime/përshtatje evolutive.
  • 1960 – Noam Chomsky argumenton se aftësia për gjuhë(komunikim gjuhësor) është një karakteristikë e lindur.
  • 1969 – John Bowlby argumenton se afrimiteti i bebeve të porsalindura tek nëna e vet është i programuar gjenetikisht.
  • 1976 – Në librin The Selfish Gene (Gjeni egoist), biologu i famshëm britanik Richard Dawkins pohon se tendencat tona të sjelljes evoluojnë nëpërmjet ndërveprimeve me të tjerët gjatë një periiudhe të gjatë kohore.

* * *

Fusha e psikologjisë evolutive që prej lindjes ka hasur në kritika konstruktive, por më shpesh në kritika jo konstruktive; këto të fundit shpesh të nxitura nga pikëpamje politike apo ideologjike radikale e shpesh utopike.

Psikologu i famshëm kanadez Steven Pinker identifikon katër frikëra kryesore që nxisin “kritikat” dhe frikën ndaj psikologjisë evolutive pavarësisht provave empirike.
Këto katër frikëra janë:
1. Frika e pabarazisë: nëse mendja është një “pllakë e bardhë”(blank slate) që prej lindjes, atëherë të gjithë njerëzit janë lindur të barabartë. Por nëse njerëzit i trashëgojnë karakteristikat mendore/psikologjike, disa njerëz doemos do të mund të kenë një avantazh natyror.
2. Frika e dytë ka të bëjë me cenet. Nëse disa cene janë të bashkëlindura ato nuk mund t’i nënshtrohen ndryshimit, e kështu reformat shoqërore për të ndihmuar të disavantazhuarit janë të kota, apo me gjasa do të dështojnë.
3. Nëse sjellja jonë përcaktohet nga gjenet, ekziston frika se ne mund të abdikojmë, pra heqim dorë, prej përgjegjësisë së veprimeve tona, dhe kështu t’ia hedhim fajin trashëgimisë tonë gjenetike.
4. Frika e katërt sipas S. Pinker është ajo më kryesorja… Frika është se nëse ne pranojmë se jemi formësuar prej psikologjisë evolutive, ndjenjat tona, perceptimet, arsyet dhe emocionet, do të katandisen në procese të thjeshta të evolucionit gjenetiik, dhe kështu biologjia do të “përgënjeshtrojë gjithçka të shenjtë që kemi”.