Ndërgjegjja (2) – Ndërgjegjja si aftësi për të integruar informacion

Ndërgjegjja (1)

Ndërgjegjja (2) – Ndërgjegjja si aftësi për të integruar informacion

Shkruajta, në shkrimin e mëparshëm, mbi veti, anatomike, fiziologjike e klinike që janë themelore për ekzistencën e eksperiencës së ndërgjegjshme. Bazuar në këto veti, dhe të tjera – të cilat unë i kam përmendur vetëm në mënyrë të kithët – është zhvilluar një teori që është në gjendje të jap një vizion sistematik të raportit mes trurit dhe nëdrgjegjjes(vetdijes).

Ndërgjegjja si aftësi për të integruar informacion

Sipas teorisë së sinformacionit të integruar, një sistem fizik është i ndërgjegjshëm (vetdijshëm) në masën me të cilën është i aftë të integrojë informacione. Ky përkufizim lind nga studimi i vetive të dy karakteristikave thelbësore të ndërgjegjjes, saqë ndonjëherë as që merren parasysh kur flitet për një gjë të tillë.

integrim informacioni1-Eksperienca e ndërgjegjshme është e pasur me informacion në kuptimin që është e difencuar, pra që repertori i mundshëm i gjendjeve të ndryshme të vetdijes është jashtëzakonisht i larmishëm. Për shembull, kur shikojmë qiellin blu, përjashtojmë një sërë gjendjesh të tjera alternative (si të kuq, të portokalltë, të errët, sikur jemi në një dhomë të mbyllur, në kinema, apo sikur po shohim një diapozitiv etj.).

2-Eksperienca e ndërgjegjshme është e integruar, në kuptimin që çdo gjendje e vetdijes përjetohet si një entitet i vetëm, unik. Për shembull, nuk do të mund kurrë të jemi të ndërgjegjshëm veças për fushën pamore të majtë dhe atë të djathtë. Jemi të ndërgjegjshëm për një fushë të vetme pamore.

Pasuria e  informacionit dhe integrimi i tij, janë dy karakteristika aq të nevojshme dhe aq të bashkëlidhura me rrjedhën e ndërgjegjjes së përditshme saqë shpesh kemi vështirësi për t’i dalluar.

Substrati i ndërgjegjjes duhet të jetë një sistem i përbërë nga shumë elementë funksionalisht të ndryshëm (nga lind/vjen informacioin) që gjithsesi janë ngushtësisht të ndërlidhur mes tyre për të formuar një të tërë të pandashme (integrimi i informacionit). Mund të duket banale, por nuk është aspak e tillë: bëhet fjalë për një ekuilibër të brishtë mes diversitetit dhe unitetit.

Kjo mënyre e të parit të problemit të ndërgjegjjes ndihmon në zgjidhjen e disa paradokseve që i përkasin raportit mes trurit dhe ndërgjegjjes.

Për shembull – problemin e shtrova edhe më lartë – shpjegon se përse një dëmtim i sistemit talamus-kore trunore mund të shkaktojë koma, ndërsa heqja in toto e trurit të vogël (një strukturë me akoma më shumë neurone) nuk ka asnjë efekt mbi ndërgjegjjen: ndërsa sistemi i parë është i përbërë nga elementë funksionalisht mjaft të ndryshëm por të integruar mes njëri-tjetrit me fibra nervore distancë-shkurtër dhe distancë-gjatë, i dyti (truri i vogël) ka një strukturë thjesht modulare, jo të integruar.

Në mënyrë analoge, teoria shpjegon se përse ndërgjegja reduktohet gjatë gjumit me valë të ngadalta, edhe pse truri qëndron mjaft aktiv: gjatë gjumit zonat e ndryshme të kores trunore qëndrojnë aktive dhe reaktive por humbasin aftësinë për të komunikuar me njëra-tjetrën, siç ndodh në rastin e trurit të vogël. Anasjelltas, teoria parashikon se gjatë një krize epileptike, ndërgjegjja zhduket, jo për shkak të ndonjë difekti në integrim (të gjithë neuronet aktivizohen në unison), por për shkak të humbjes së informcionit. Në këtë rast zonat e ndryshme të kores trunore e humbasin specificitetin e vet funksional, dhe kështu ngushtohet repertori i gjendjeve të mundshme: ose gjithçka është e ndezur, ose gjithçka është e fikur.

Si përfundim, ndërgjegjja implikon një aftësi të jashtëzakonshme për të integruar informacion. Sipas kësaj teorie, shfaqjet e shumta të ndërgjegjjes mund t’i atribuohen mënyrave të integrimit të informacionit: atje ku  ndryshon aftësia për të integruar informacione, ndryshon edhe niveli i ndërgjegjjes dhe anasjelltas. Siç ndodh edhe në mekanikën statistike, atje ku ndryshon energjia kinetike mesatare e molekulave, ndryshon edhe temperatura.

Ndërgjegjja (3)

© mbi tekstin, Rinstinkt, Shkurt 2013

———————————————————————

Reklama

Ndërgjegjja (1) – Problemi i ndërgjegjes

Çfarë është ndërgjegjja? Nga lind ndërgjegjja?

Si ta përkufizojmë ndërgjegjjen? Si pasqyrimin e realitetit të fakteve nëpërmjet impulseve që shkojnë në sistemin tonë nervor qëndror. Apo si dijeni për atë çka jemi e çka na rrethon? Apo si diçka më të hollë, si për shembull, të kuptuarit e rolit të vet në një rrjet më të lartë, si shoqëria? Mbase përkufizimi më i saktë do të lindte nga segmente të të gjitha këtyre të mësipërmeve?!  (Apo duhet të fusim në lojë metafiziken dhe hyjnoren? )

Ndërgjegjja mund edhe të përkufizohet, në mënyrën më të thjeshtë të mundshme (mbase!) si gjithçka zhduket kur biemë e flemë gjumë. Pra, si gjithçka për të cilën kemi eksperiencë, dhe që “humbet” përkohësisht kur po bëjmë një gjumë pa ëndrra. Po po, gjumë pa ëndrra, sepse ndërgjegjja është aty edhe kur jemi duke ëndërruar, sadoqë duket pak e çuditshme.

Ajo që zhduket kur ne jemi në gjumë, nuk është hapsira, koha, personat, materia, gjërat, format, tingujt, mendimet apo emocionet. Jo! Ajo që zhduket është perceptimi që ne kemi për to. Sepse ato janë po aty, kur ne zgjohemi, të nesërmen, pas një gjumi qetësues.

Faktikisht, çka zhduket është perceptimi ynë mbi to.Vetdija, ndërgjegjja jonë mbi to. Informacioni që na vjen; informacioni që truri ynë merr dhe mëpastaj përpunon mbi to. Pra në njëfarë mënyre ndërgjegjja është infromacion.

Po ashtu, përsa i përket ëndërrimit, të gjithë kemi eksperienca se ndonjëherë universi – pra sendet, materia, koha, emocionet, kafshët – mund të na shfaqet pak i çuditshëm, pak i tepruar, në disa aspekte të vetat, gjatë gjumit, kur jemi të ndërgjegjshëm edhe pa marrë senjale nga bota e jashtme.

Të gjitha këto tregojnë në një mënyrë apo në një tjetër se ndërgjegjja mbi botën e jashtme dhe mbi veten, qoftë reale qoftë imagjinare, lind nga aktiviteti i trurit.

Konfirmimi vjen edhe nga fakti se, trauma, infarkte dhe hemorragji trunore mund të shkaktojnë pavetdije dhe koma. Po ashtu produkte kimike dhe farmakologjike që veprojnë mbi tru mund të prodhojnë ndryshime (trashanike) të ndërgjegjjes, vetdijes.

Mund të themi, se ndërgjegjja prodhohet nga disa pjesë të trurit dhe jo nga të tjera. Strukturat që padyshim janë të nevojshme për ekzistencën apo prodhimin e ndërgjegjjes gjenden në sistemin talamus-kore trunore. Zona të ndryshme të sistemit talamus-kore trunore kontribuojnë në përmasa të ndryshme në eksperiencën e ndërgjegjshme, por asnjë nga këto zona nuk është në vetvete e mjaftueshme për të gjeneruar ndërgjegjjen (vetdijen). Struktura të tjera të sistemit nervor qëndror si truthi (truri i vogël) nuk janë aspak thelbësore për ndërgjegjjen. Kjo, edhe pse truthi përmban, krahasuar me sistemin talamus-kore cerebrale, po aq neurone, sinapse apo neurotransmetues.

Shkarkesa nervore e fibrave prurëse (aferente, hyrëse) në sistemin talamus-kore cerebrale, përcakton atë çka perceptojmë në një moment të caktuar.

Zakonisht themi se, një njeri është i ndërgjegjshëm, kur u përgjigjet stimujve që ne i dërgojmë apo që merr nga ambienti rrethues, me modifikimin e sjelljes së vet. Kështu për të patur këtë ndryshim janë të nevojshëm disa efektorë, që të mund ta realizojnë. Efektorët janë sistemet dalëse (eferente, zbritëse) motore. Gjithsesi aktiviteti i këtyre sistemeve nuk kontribuon aspak në prodhimin e ndërgjegjjes, sado që shpesh shërbejnë si indikatorë të ekzistencës së vetdijes (ndërgjegjjes), apo aktivitetit trunor.

Dikush mbase ka dëgjuar për pacientët e prekur nga dëmtime të pjesës barkore (të përparme, referuar barkut dhe kurrizit të strukturs në fjalë) të trurit të mesëm (sindroma locked-in), të cilët janë komplet të paralizuar me përjashtim të lëvizjeve okulare vertikale. Por këta individë janë plotësisht të ndërgjegjshëm… vetëm se nuk mund të jashtë-paraqesin vetdijen e tyre me anë të sistemeve efektore motore (të cilët janë të dëmtuar).

Në mënyre analoge, kur ëndërrojmë jemi të ndërgjegjshëm dhe në të njëjtën kohë të paralizuar, për shkak të inhibimit të sistemeve nervore motore të palcës kurrizore nga ana e disa strukturave të trungut encefalik. Po ashtu, dihet se, edhe dëmtime të zonave motore të kores së trurit nuk shkaktojnë mungesë apo humbje të ndërgjegjjes.

Në struktura voluminoze të nënkores (bërthamat e bazës, bazale) ndodhin procese të rëndësishme nervore për prodhimin e gjuhës, të mendimit dhe të njëpasnjëshmërive motore. Gjithsesi, proceset nervore që ndodhin këtu nuk duket se kalojnë në sferën e ndërgjegjshme. Një fakt interesant, në lidhje me funksionimin e këtyre strukturave, është ai që, ekzekutimi i një sekuence motore kërkon vëmendje dhe vetdije mbi mënyrën e kryerjes kur ajo është duke u mësuar, por që kthehet në një veprim të pandërgjegjshëm njëherë që e kemi mësuar. Si njëfarë automatizimi i veprimit.

Gjatë gjumit me valë të ngadalta, neuronet e kores (së trurit) shfaqin frekuenca shkarkimi mesatar jo më të vogla se ajo e regjistrueshme gjatë  qëndrimit zgjuar. Por gjithsesi, gjatë gjumit me valë të ngadalta ndërgjegjja është fortësisht e reduktuar.

Të gjitha këto sa shkrova më sipër janë prova anatomike, fiziologjike, psikologjike dhe klinike mjaft të rëndësishme që përbëjnë një bazë të mirë dhe të vyer nga ku mund të fillohet së kuptuari baza biologjike e ndërgjegjjes (vetëdijes).

Çelësi për të dhënë një shpjegim shkencor të ndërgjegjjes qëndron në gjetjen e ligjit apo ligjeve që fshihen pas këtyre vëzhgimeve. Vetëm duke zotëruar një shpjegim shkencor mund të shpresohet në gjetjen e përgjigjeve, qoftë edhe vetëm teorike, për pyetje si:

A është i ndërgjegjshëm një pacient i prekur nga memecëri (heshtje) akinetike, që qëndron i heshtur dhe i palëvizur, nuk i përgjigjet asnjë stimuli, por i mban sytë hapur sikur të fiksonte diçka? Të porsalindurit janë të ndërgjegjshëm apo jo, dhe në çfarë mase? Po kafshët? Nëse janë, disa kafshë janë më shumë se të tjera? Mund të ndjejnë dhimbje? Apo më tej akoma, a është e mundur që një kompjuter i pajisur me sisteme ndijore dhe motore, të zotërojë eksperiencë subjektive, pra a mund të lind ndërgjegjia (vetdija) nga përbërës jo biologjikë?  Pyetje nga më të ndryshmet, nga më kuriozet, që sjellin edhe dilema etike e morale.

Ndërgjegjja (2); Ndërgjegjja (3)

© mbi tekstin, Rinstinkt, Shkurt 2013

————————————————-

Neurotrofinat, sinaptogjeneza dhe formimi i sistemit nervor

Neurotrofinat, sinaptogjeneza, formimi i sistemit nervor

Truri i njeriut është i përbërë nga 85 bilion neurone të ndërlidhur. Çdo neuron, individualisht, merr sinjale nga fqinjët e shumtë, dhe bazuar në këto sinjale vendos nëse duhet t’i dërgoj një sinjal qelizave të tjera nervore apo jo.

Së bashku, aksioni i kombinuar i të gjithë neuroneve na lejon neve të mendojmë, të perceptojmë botën që na rrethon, të mendojmë për atë çka shohim dhe të marrim vendime.

Interesant është fakti që kjo strukturë e ndërlikuar formohet (ndërtohet) në nëntë muajtë e shtatëzanisë, aq të shkurtër, ndërsa embrioni rritet në mitrën e nënës së vet.

Qelizat nervore e nisin jetën e vet sikundër të gjitha qelizat e tjera, si qeliza kompakte, me formë të rrumbullakosur… por pastaj nxjerrin aksonin e gjatë dhe dendritet – me anë të të cilëve lidhen me qelizat e tjera në tru apo edhe në pjesë të tjera të trupit.

Në trurin në rritje e sipër, neuronet testojnë vazhdimisht lidhjet e veta me qelizat fqinje, duke kërkuar gjithnjë rrugën më të mirë të transmetimit të sinjalit nervor. Gjatë këtij procesi, në zona të cilat mbipopullohen, shumë neurone skartohen (shkatërrohen) sepse lidhja që ata krijojnë është e tepërt. Gjysma që mbetet formon sistemin nervor. Gjatë pjesës së mbetur të jetës, këta neurone zakonisht nuk riprodhohen; gjithsesi ata dërgojnë dendrite të tjerë, drejt qelizave të afërta ndërsa sistemi nervor rritet apo riparon dëmtimet.

Jetë a vdekje…

Gjatë procesit të zhvillimit të nervave, neurotrofinat ndihmojnë qelizat nervore që të vendosin nëse do të vazhdojnë të jetojnë apo do të vdesin. Neurotrofinat janë molekula të vogla, më saktë proteina të vogla, që sekretohen në sistemin nervor. Një nivel, i vogël, i qëndrueshëm, neurotrofinash është i nevojshëm për të mbajtur qelizat nervore në jetë. Gjithsesi, në disa kontekste të caktuara, prania e neurotrofinave mund të ketë efektin e kundërt duke i nxitur qelizat drejt vdekjes së programuar, apoptozës. Gjatë zhvillimit të sistemit nervor, nivelet zonale (lokale) të neurotrofinave kontrollojnë krasitjen e qelizave nerovore të panevojshme. Më vonë, gjatë jetës (dmth pas përfundimit të zhvillimit embrional), neurotrofinat përdoren (kanë funksion) për të stimuluar rritjen e dendriteve të rinj në zona ku nevojiten dhe për të shkaktuar vdekjen e dendriteve që shtrihen në zona të mbipopulluara.

Lloje të ndryshme neurotrofinash

NGF - faktori i rrites nervoreJanë zbuluar (deri më tash) katër lloje neurotrofinash: nerve growth factor NGF (faktori i rritjes nervore – zbuluar nga R.L.Montalçini), i treguar në figurë; faktori i rritjes i derivuar nga truri; neurotrofina 3 dhe neurotrofina 4.

Çdonjë prej tyre ka veti lehtësisht të ndryshme, duke vepruar në nivele të ndryshëm në qelizat nervore. Të gjithë kanë një strukturë të ngjashme, e përbërë nga dy vargje identikë.

Neurotrofinat, Sëmundja dhe Mjekësia

Sëmundje të ndryshme shkalitëse, si sëmundja e Alzheimer-it, infarkti dhe kanceri, mund të shkaktojnë dëmtime neurale pjesërisht falë mosfunksionimit të neurotrofinave. Një strategji terapeutike e përdorur  për të luftuar këto probleme është ajo e të dhënit të neurotrofinave për të shmangurdëmtime apo humbje të funksionit të nervave. Fatkeqësisht, neurotrofinat kur përdoren si drogëra nuk kanë një jetëgjatësi të madhe në trup, dhe shkaktojnë efekte anësore të rëndësishme.

Receptorët e neurotofinave

Dy janë receptorët në sipërfaqen e qelizave nervore të cilët bëjnë të mundur marrjen e sinjalit nga neurotrofinat, mbi vazhdimin e jetës apo vdekjen qelizore.

Receptorët TRK (TirozinëKinaza) lidhen me neurotrofinat dhe zakonisht i dërgojnë qelizës sinjale pozitive, duke promovuar mbijetesën dhe rritjen.

Lloji tjetër i receptorit të neurotrofinave quhet p75, dhe zakonisht ka një efekt të kundërt nga receptori TRK. Kur lidhet me neurotrofinat, ai promovon vdekjen e qelizës.

Në nder të Profesores!

 

Rinstinkt, 2012

————————————————————————————————————

Iluzioni optik

Iluzionet optike

Truri juaj i krahason sinjalet që merr nga sytë me gjëra që ka “parë” në të shkuarën, në mënyrë që të mund të kuptojse se çfarë po shihni. Nëse truri juaj merr shumë pak informacion, ose nëse informacioni është konfuz, i pa sistemuar, ai duhet të gjejë se çfarë ju po shihni, dhe mund të mbërrijë në një përfundim të gabuar. Ky quhet iluzion optik.

Iluzion optik

Iluzion optik 2

Sistemi nervor

Korja cerebrale (e trurit) perfaqeson qendren me te rëndësishme për procesimin (perpunimin)  e informacionit motor dhe shqisor (te ndjeshmërise).
Në përgjithësi lobi frontal ose ballor merret me anet e veprimtarise dhe funksionet: motore, te te foluri dhe te personalitetit. Lobi parietal merret me perpunimin e informacionit sensorial (shqisor); lobi temporal me te degjuarin dhe memorjen; dhe lobi oksipital me te parin.

Truri dhe zonat (lobet) e ndryshme të kores trunore

Truri i vogel (cerebellum) koordinon aktivietin motor te lemuar (ne imtesi) dhe kontrollon, modelon pozicionin e muskujve. Truri i mesem, ura dhe palca e zgjatur, percjellin informacion motor dhe shqisor dhe ndermjetesojne funksione te rëndësishme autonomike (si kontrolli i frymemarrjes, i rrahjeve te zemres etj).

Palca kurrozire merr informacione shqisore (ne hyrje) nga trupi dhe percjell informacione somatike dhe motore autonomike (në dalje) drejt shenjestrave periferike (si muskujt dhe organet e brendshme). 

Rinstinkt 2012

——————————————————————————————————-