Tjetërsimet e lëngut cefalo-rakidian në rast meningjiti

Tjetërsimet e lëngut cefalo-rakidian në rast meningjiti

Meningjiti është një proces infiamator e cipëzave (të holla) të trurit, që shkaktohet nga vendosja e drejtëpërdrejtë e një agjenti infektiv mbi to.

Një ndër testet apo më mirë të them procedurat kryesore që kryhen për të marrë të dhëna mbi procesin e dyshuar meningjitik është edhe rakicenteza -në mënyrë që të nxirret një sasi e caktuar lëngu cefalo-rakidian dhe të ekzaminohet.
Lëngu cefalo rakidian është i rëndësishëm, madje thelpësor, për të kryer një diagnozë korrekte të meningjitit, dhe akoma më tej, një diagnozë etiologjike korrekte, sepse duhet identifikuar edhe agjenti shkaktar për ta trajtuar me skemën e duhur kemioantibiotike.

I vetmi element që mund të na ndalojë së ekzekutuari këtë procedurë mjekësore është dyshimi që mund të lindi nga shenja dhe simptoma që flasin për një proces brendakafkor ekspansiv (zgjerues). Ekzekutimi i procedurës në një gjendje të tillë do të shkaktonte një herniacion të elementit nervor për shkak të presionit të rritur që ekziston në kavitetet ku qëndron dhe qarkullon lëngu cefalo-rakidian.

Kështu, për të larguar këto dyshime, në rast se ato ekzistojnë, ekzekutohet më parë një elektroencefalogram, një ekzaminim i fundit të syrit ose një TC trunore.

 

Lëngu cefalo rakidian LCR në gjendje normale

Lëngu cefalo-rakidian në gjendje normale paraqitet i kthjellët (si ujë shkëmbi, pra i qartë); ka një presion që shkon nga 8 deri në 14 cm H2O në rast se gjatë procedurës pacienti qëndron shtrirë në brinjë; përmban proteina, glukoz dhe kripëra, në sasi të tilla që vështirë se mund të përkufizohet një kufi ndryshueshmërie normale, meqë ndryshojnë nga pacienti në pacient dhe për më tepër janë në varësi të përqëndrimeve përkatëse hematike.

4 provëza me lëng cefalo rakidian normal

4 provëza me lëng cefalo rakidian normal

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për qelizat që mund të gjenden brenda lëngut cefalo-rakidian, të cilat nuk duhet të kalojnë 3-5 elementë/mm3.

Në rast meningjiti, që në momentin e rakicentezës mund të merret një konfirmim i parë mbi këtë dyshim diagnostik, pjesërisht për shkak të presionit likuoral të rritur, pjesërisht për shkak të pamjes së LCR-së që na mundëson të orientohemi drejt njërit prej dy grupeve kryesore: meningjit me LCR të kthjellët dhe meningjit me LCR të turbullt.

 

Meningjit me LCR të turbullt

Në këto raste meningjiti, lëngu cefalo rakidian është i turbullt ose i qelbëzuar. Numri i qelizave, që përbëhen kryesisht nga neutrofile, është tej mase i rritur – deri në 10.000/mm3 dhe më tepër. Përmbajtja proteinikie (proteinorrakia) është e rritur. Glokorrakia (përmbajtja e glukozit) është e zvogëluar, dhe ndonjëherë e papërcaktueshme. Një zvogëlim i tillë i përqëndrimit të glukozit nuk vjen vetëm për shkak të konsumit të i bëjnë bakteret por edhe për shkak të tjetërsimit të mekanizmave të transportit dhe të rritjes së konsumit nga ana e indit nervor.

Siç edhe mund të jetë kuptuar, ky kuadër i lëngut cefalo rakidian është karakteristik për meningjitet e provokuara nga bakteret, gram-pozitivë dhe gram-negativë, aerobë ose anaerobë. Përjashtim bëjnë meningjiti tuberkular, meningjiti nga brucela, leptospira dhe Tr. pallidum.
Po ashtu, janë meningjite me lëng cefalo-rakidian të turbullt edhe ato të shkaktuara nga kërpudha të llojeve Candida dhe Mucor dhe meningjitet e shkaktuara nga protozoarë si Naegleria dhe Acanthamoeba.

 

Meningjit me LCR të kthjellët.

Këto raste meningjiti dallohet nga ato që përshkruara më parë sepse lëngu cefalo rakidian nuk është i turbullt në asnjë fazë të sëmundjes.
Meningjitet me lëng të kthjellët (të kulluar, të qartë) janë si format virale ashtu edhe disa forma meningjiti bakterial. Përcaktim i glikorrakisë, që është i zvogëluar në format bakterore dhe normal ose i rritur në format virale, na mundëson që të dallojmë këto dy grupe etiologjike të meningjiteve me lëng cefalo rakidian të kthjellët.
Meningjit me LCR të kthjellët dhe glikorraki të zvogëluar: Prototipi është meningjiti tuberkular.
Meningjit me LCR të kthjellët dhe glikorraki normale ose të rritur: Karakteristike janë meningjitet me agjent eziologjik viral dhe meningjite të ralla nga rickettsia, clamidia dhe forma parazitare si toxoplasma apo tripanosoma.
Në raste tepër të jashtë zakonshme, edhe meningjitet bakterore pjesërisht të trajtuara, dhe infeksionet tuberkulare në fazë fillestare mund të shfaqin një kuadër lëngu cefalo rakidian të këtij tipi.

© Rinstinkt, 2015

 

Gërgërima e stomakut dhe zorrëve – Procesi peristaltik

Gërgërima e stomakut dhe zorrëve – Procesi peristaltik

Të gjithëve u ka ndodhur që të ndihen në siklet nga ndonjë zhurmë e shkaktuar gna stomaku i vet bosh… Ajo që duhet të them menjëherë është se nuk ka asgjë për t’u turpëruar; zhurmat e krijuara nga stomaku, apo tkurrjet e tij dhe të zorrëve, janë më se normale – janë pra, një proces fiziologjik, të paktën brenda njëfarë mase. Në të kundërt, kur gërgërima e stomakut dhe e zorrëve mungon, kjo është një shenjë se diçka nuk shkon me tubin tretës, duke shërbyer si shenjë për bllokimin e zorrëve apo për gjendje të tjera patologjike.

Stomaku është një nga organet, një nga pjesët, e tubit tretës, që fillon me gojën dhe përfundon me anusin. Tubi tretës është i gjatë rreth 9 metra. Njëri ekstremitet shërben për hyrjen e ushqimit, tjetri për daljen e mbetjeve; në mes një sërë organesh, gjëndrash ndihmëse dhe sekrecionesh, përpunojnë ushqimin duke e shëndërruar atë në mënyrë që të mund të thithet.

Skemë e procesit peristaltik

Skemë e procesit peristaltik

Gërgërima e stomakut dhe zorrëve shkaktohet nga tkurrja e muskujve të lëmuar që genden në muret e këtyre organeve. Ky proces merr emrin peristalsë, apo proces peristaltik dhe shërben pikërisht ër të transportuar ushimin nga një ekstremitet tek tjetri, dhe gjithashtu për ta përzierë atë me sekrecionet e prodhuara nga stomaku, mëlçia, pankreasi etj. Peristalsa në vetvete nuk është gjë tjetër veçse valë tkurrëse, të ngjashme me mënyrën se si lëviz kërmilli apo edhe krimbi.

Kur zorrët janë të mbushura me ushqim, gërgërima e tyre normale, nuk dëgjohet edhe aq shumë, aq sa është i nevojshëm stetoskopi për ta përforcuar zhurmën. Ndërsa kur zorrët dhe stomaku janë bosh, gërgërima e prodhuar nga procesi peristaltik është më “e dukshme” meqë ajri dhe lëngjet e gjendura aty në njëfarë mënyre përforcojnë tejçimin e tingujve.

Kështu, gërgërima e stomakut apo e zorrëve mund të shërbejë si një indikator për faktin se individi ka nevojë për ushqim.

 

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

Akneja

Akneja

Akneja është një çrregullim i lëkurës i tipit kronik, pra që zgjat në kohë. Çrregullimi në fjalë shkaktohet nga një proces infiamator që prek gjëndrat dhjamore të gjendura në lëkurë. Me kalimin e kohës procesi i aknes përmirësohet ngadalë, deri sa në fund të adoleshencës (mund të) zhduket vetiu.

Ilustrim i procesit të aknes

Ilustrim i procesit të aknes

Pikëzat e aknes shkaktohen nga bllokimi i shakullit (folikulit) të qimes prej substancës lyrore e prodhuar nga gjëndrat dhjamore – procesi në fjalë ndodh kryesisht gjatë pubertetit. Të dhënat tregojnë se ky ndryshim në sekretimin e lyrave nga gjëndrat e dhjamit të lëkurës vjen si pasojë e rritjes së nivelit hematik të hormoneve androgjenikë (hormone seksualë mashkullorë).
Në folikulin e qimeve, për shkak të bllokimit të rrugëdaljes, rriten dhe zhvillohen baktere duke shkaktuar infiamacion, për shkak të sinjalizimit të qelizave të sistemit imunitar.

Meqë akneja është e bashkëlidhur me gjëndrat lyrore të lëkurës, është e kuptueshme se procesi do të jetë më i dukshëm në ato zona të lëkurës ku edhe përqëndrimi i gjëndrave është më i madh. Si në fytyrë, në qendër të kraharorit, në pjesën e sipërme të shpinës, në shpatulla, përreth qafës etj.

Nuk ka asnjë kurë të menjëhershme për aknen. Megjithatë larja të paktën dy herë në ditë e pjesës së prekur mund të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të procesit. Mund të realizohet në trajtim me farmakë si acidi retinoik, i cili zhbllokon poret dhe promovon shërimin e lëkurës. Nëse trajtimi i mësipërm dështon, atëhere kalohet në një trajtim të tipit oral, me antibiotikë dhe hormone.

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

————————————————————————————

Bronkoskopia / Llojet e bronkoskopëve

Bronkoskopia / Llojët e bronkoskopëve

Bronkoskopia është një nga metodat me anë të cilave mund të hetohen bronket. Bronket janë, pas trakesë, rrugët kryesore nëpër të cilat kalon ajri për të shkuar në hojëzat e mushkërive. Hetimi/ekzaminimi realizohet me ndihmën e një endoskopi të njohur si bronkoskop.

Bronkoskop i përthyeshëm

Bronkoskop i përthyeshëm

Në bazë të karakteristikave fizike ekzistojnë dy lloje bronkoskopësh: bronkoskopë të ngurtë, të papërthyeshëm dhe bronkoskopë të përthyeshëm, pra fleksibël.
Bronkoskopët e papërthyeshëm janë tuba të zbrazët të cilët futen në gojë dhe duke kaluar nëpër rrugët e ajrit mbërrijnë në bronkun që kërkohet të hetohet. Natyrisht, një hetim i tillë kërkon me patjetër anestezi.
Bronkoskopi i përthyeshëm ka në përbërje të vet fibra optike, të cilat transmetojnë dritën (e kështu edhe imazhin); është më i hollë krahasuar me llojin e parë të bronkoskopit. Bronkoskopi i llojit të përthyeshëm, duke qenë i tillë dhe duke qenë edhe më i hollë mund të futet në rrugët e ajrit duke kaluar nga goja ose nga hunda. Për më tepër, mund të hetojë edhe degëzime më të largëta, e detyrimisht më të holla, të enëve që çojnë ajrin në hojëzat e mushkërive. Kjo lloj bronkoskopie kërkon një anestezi të lehtë, lokale.

 

Përse kryhet ekzaminim bronkoskopik?

Për të vëzhguar anomali të mundshme të bronkeve, ngushtime të lumenit të rrrugëve të ajrit, si për shembull në rastin e një tumori të mushkërive që ka infiltruar bronket apo në rastin e sëmundjes së tuberkulozit. Bronkoskopia mund të realizohet për të mbledhur mostra mukusi, si në rastin e infeksioneve që i rezistojnë terapisë antibiotike standard. Edhe më: mund të realizohet për të marrë një monstër bioptike e cila mëpastaj analizohet nën mikroskop.
Një përdorim tjetër interesant i bronkoskopisë është ai që ka të bëjë me nxjerrjen e trupave të huaj, apo edhe ai që ka të bëjë me ndalimin e gjakderdhjes nga një enë gjaku.

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

————————————————————————————

Vreri / Sekretimi i vrerit

Vreri

Skemë ilustruese e fshikëzës së tëmblit (prerje tërthore) dhe e duodenumit.

Skemë ilustruese e fshikëzës së tëmblit (prerje tërthore) dhe e duodenumit.

Vreri është një lëng me natyrë alkaline, me ngjyrë jeshile në të kaftë, që prodhohet nga qeliza te mëlçisë, pra nga mëlçia. Vreri së pari ka funksionin e largimit të papastërtive të prodhuara gjatë proceseve metabolike në organin e mëlçisë. Mëlçia anatomikisht gjendet nën diafragmë, pra në zgavrën abdominale, dhe projetktohet në sipërfaqe kryesisht në hipokondriumin e djathtë.

Një funksion tjetër i rëndësishëm i vrerit është ai i ndihmesës në thyerjen e acideve lyrorë në zorrën e hollë duke mundësuar tretjen dhe thithjen e tyre.

Ndër produktet e mbetjes së proceseve metabolike, në vrer, gjenden edhe bilirubina dhe biliverdina, që janë pigmentet që i japin ngjyrën karakteristike lëngut të vrerit. Ndërsa kripërat e vrerit/”kripërat biliare”, janë ato që ndihmojnë në thyerjen dhe thithjen e mëpasshme të lyrave. në vrer gjendet edhe një sasi e caktuar kolesteroli – që duke kaluar një masë të caktuar mund të shkaktojë probleme, si gurët në fshikëzën e tëmthit.

Fshikëza e tëmthit është në fakt organi ku rezervohet vreri pasi është sekretuar nga hepatocitët. Fillimisht kalon në duktet e vrerit, mëpastaj në dukte me diametër gjithnjë e më të madh deri sa kalonë në duktin hepatik të përbashkët i cili më tej duke u bashkaur me duktin cistik formon duktin vreror të përbashkët. Dukti cistik është dukti (tubthi) në të cilin kalon vreri për t’u futur dhe për të dalë nga fshikëza e tëmblit.
Pra funksioni i fshikëzës së tëmblit është ai i rezervimit dhe i përqëndrimit të vrerit, meqë nga ky largohet vazhdimisht ujë.

Pas një vakti tkurrja e fshikëzës së tëmblit bën që vreri të dali prej saj dhe nëpërmjet dukteve të derdhet në duodenum, ku edhe kalon ushqimi. Duodenumi është fragmenti i parë i zorrës së hollë.

Pjesa më e madhe e kripërave të gjendura në vrer rithithen nga zorrët dhe nëpërmjet qarkullimit të gjakut kalojnë sërisht në mëlçi e mëpastaj sërisht në fshikëzën e tëmblit. Nga ana tjetër pigmetet biliare pjesërisht shkojnë dhe ekskretohen nëpërmjet urinës dhe pjesërisht qëndrojnë në lumenin e zorrëve duke u jashtëqitur së fashku me mbetjet fekale. Në të dyja rastet pigmentet biliare janë ato që u japin edhe ngjyrë këtyre materialeve të ekskretuara.

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

 ————————————————————————————