Maskat (e thjeshta) kirurgjikale, maskat me filtër N95 dhe virusi SARS-CoV-2

Vini re! Ky shkrim nuk ka synim të zëvendësojë rolin, këshillat apo urdhëresat e autoriteteve përkatëse.

Maskat (e thjeshta) kirurgjikale, maskat me filtër N95 dhe virusi SARS-CoV-2

Ngjyra të ndryshme maskash të thjeshta kirugjikale

Maskat e thjeshta, pra të përbëra nga një copë e thjeshtë dhe që lidhen pas kokës apo kapen me llastikë pas veshëve (dhe që rëndom përdoren nga personeli mjekësor gjatë operacioneve kirurgjikale) janë dizenjuar jo për të mbrojtur atë që i vesh, por për të mbrotur pacientin dhe fushën operatore nga ndotja që mund të vijë prej personelit.
Kjo sepse maska shërben si një barrierë apo kufi që pengon kalimin e drejtëpërdrejtë të ajrit dhe të thërrmijave të pështymës së mjekëve dhe infermierëve ndërsa ata e kanë kokën mbi fushën operatore. Këto maska nuk kanë synim dhe nuk janë në gjendje që të realizojnë një izolim të plotë të frymës së nxjerrë nga mjekët dhe infermierët meqë këto maska nuk puthiten dot plotësisht. Të gjithë do ta keni vënë re se ato qëndrojnë të lira nga anët, nga sipër, nga poshtë. Pra ajri gjithsesi kalon.

Pra, dy pika kryesore. Së pari qëllimi dhe funksioni i tyre, përgjithësisht, nuk është që të mbrojnë atë që i vesh, dhe së dyti nuk janë hermetike, pra nuk puthiten plotësisht.

Një pikë tjetër e rëndësishme është se këto maska edhe pse janë një tip pengese nuk i filtrojnë dot thërrmijat si përshembull viruset apo edhe thërmija më të mëdha në formën e aerozolit. Në varësi të materialit (nuk është gjë tjetër veçse një llojë cope tekstili) aerozoli mund të penetrojë në masën nga 25-80%. * (Chen-C; Willeke-K. Aerosol penetration through surgical masks. Am J Infect Control 1992 Aug; 20(4):177-184 )

Që, duke guxuar të bëjmë një krahasim të thjeshtë, nëse dikush tështin apo flet në afërsi të një individi që vesh një maskë të tillë, ky i fundit sërisht do të vijë në kontakt me thërmijat e pështymës (dhe të virusit), nëmos nga penetrimi përmes maskës, nga kalimi i thërmijave nga anët jo të puthitura të maskës.

Ekzistojnë tipe të tjerë maskash si ato N95 që janë maska që gjatë testimeve arrijnë të bllokojnë apo filtrojnë të paktën 95% të thërrmijave shumë të vogla (në madhësinë 0.3 mikron). Këto lloj maskash rrallë përdoren, dhe kur përdoren, përdoren nga personeli mjekësor i trajnuar, meqë masa duhet trajtuar, veshur, mbajtur dhe hequr në një mënyrë specifike në mënyrë që të mos pengohet apo cënohet roli i saj. Çfarë do të thotë kjo? Para së gjithash maska duhet të vishet në mënyrë që të jetë totalisht hermetike dhe të mos lejojë kalim ajri nga periferia, kjo për të mos anashkaluar funksionin e maskës. Shpesh edhe mjekët dhe infermierët që nuk janë praktikë në përdorimin e këtyre maksave bëjnë gabime në veshjen e tyre, kjo edhe për shkak të ndryshueshmërisë së formës dhe madhësisë së fytyrave.

Megjithatë, këto maska kur përdoren nga profesionistë të trajnuar ndihmojnë atë që i vesh në parandalimin e infeksionit.

Të gjitha provat dhe faktet sugjerojnë se këto maska të thjeshta kirurgjikale parandalojnë të tjerët prej infektimit nga subjekti që vesh maskën (pra një individ që di apo nuk di se është i infektuar – periudhë inkubacioni – vesh maskën sepse do të shmangi çdo lloj mundësie për të përhapur virusin apo për të infektuar personat me të cilët ka kontakt në rrethana të pashmangshme.)

Në një botë ideale, kur oferta e maskave do të ishte e pafund (pavarësisht kërkesës së rritur të këtyre kohëve) të gjithë do vishnim nga këto maska të thjeshta për të penguar e ngadalësuar përhapjen e infeksionit. Viruset e kanë në natyrën e vet përhapjen përmes kontaktit njerëzor. Nëse do imagjinonim një botë ku natyra njerëzore nuk do të kishte këto lloj kontaktesh mund të supozojmë se edhe viruset nuk do ta kishin në natyrën e vet këtë formë përhapje dhe mbijetese. Fenomene të ndërlidhura.

Ka disa studime, jo perfekte, që duket se tregojnë se edhe maskat e theshta mund të kenë njëfarë benefiti, edhe për ata që i veshin (dhe jo vetëm për të tjetër). Por edhe blerja e veshja e maskave të thejshta kirurgjikale nuk i bën idnividët të paprekshëm. Aq më tepër që mund t’i induktojë ata që i veshin maskat që të kompensojnë riskun, pra duke menduar se kanë një maskë mund të ekspozohen më shumë ndaj situatave me rrezik infektimi.

Për më tepër blerja masive e maskave të thejshta kirurgjikale nga popullata e gjerë bën që të ketë mungesa në ambientet shëndetësore duke e bërë më të vështirë punën e mjekëve dhe infermierëve.

Këto janë këshillat e OBSH mbi maskat dhe kur sugjerohet/këshillohet të vishen. https://www.who.int/emergencies/diseases/novel-coronavirus-2019/advice-for-public/when-and-how-to-use-masks

 

© Rinstinkt Blog 2020

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s