Zgjedhje alternative: Përse duhet të jemi kundër ‘mjekësisë’ jo konvencionale

Zgjedhje alternative: Përse duhet të jesh kundër terapive mjekësore jo konvencionale…

Shpesh dëgjojmë të flitet për mjekësinë alternative apo praktika të tjera, sikur këto të ishin në të njëjtin plan efikasiteti, cilësie, sigurie me atë çka ofron mjekësia ‘zyrtare’, ajo shkencore e bazuar në fakte.
Këto praktika alternative është gabim të quhen ‘mjekësi alternative’ sepse ky emërtim veçse u jep legjitimitet që përndryshe nuk do ta kishin. Ato njihen me terma të ndryshëm, si komplementare apo përplotësuese, jo-ortodokse, integrative, mjekësi popullore etj. Por të gjitha këto i referohen praktikave që nuk konsiderohen si mjekësi konvencionale (mjekësia konvencionale është ajo e praktikuar dhe pranuar nga komuniteti mjeko-shkencor).

Aty futen praktikat që kanë të bëjnë me marrjen e barnave bimore, me trajtimin nga një kiropraktikues, agopunktura, aromaterapia, shërimet popullore, homeopatia etj. Janë pra praktika që përfshijnë qindra filozofi apo më saktë qasje dhe procedura të ndryshme, dhe që në pjesën e stërmadhe të rasteve janë të bazuara në ndonjë ideologji të vjetër, të ngurtë dhe dogmatike.

Black-and-white sketch by Cedric Hohnstadt of a Snake Oil Salesman, inspired by the Pose Drawing Sparkbook

Pjesa më e madhe e këtyre ‘terapive’ nuk janë të bazura në asnjë fakt shencor, dhe shpesh nuk i qëndrojnë dot as një hetimi të thjeshtë logjik për mënyrën e supozuar të funksionimit apo efektshmërisë. Për më tepër një pjesë e këtyre praktikave alternative nuk plotësojnë as kushtet më minimale të sigurisë dhe ndonjëherë japin efekte anësore të rrezikshme.

Një shqetësim tjetër është se, shpesh, njerëzit që drejtohen për nga përdorimi i këtyre terapive alternative ndaj mjekësisë konvencionale, anashkalojnë rrugëtimin normal, optimal, pra të këshilluar të trajtimit të gjendjes së tyre. Pra nuk shkojnë të vizitohen herët duke përfituar nga benefitet e një trajtimi të bazuar në faktet dhe kërkimin shkencor, por i drejtohen këtyre trajtimeve alternative, dhe kështu vetëm sa vonojnë kurimin apo shërimin e gjendjes së tyre. Rasti më emblematik që ndoshta e kanë dëgjuar të gjithë ishte ai i një prej themeluesve të kompanisë Apple, S. Jobs, i cili sado që vuante nga kanceri pankreatik – një sëmundje kjo me vdekshmëri relativisht të lartë – refuzoi trajtimin mjekësor ‘zyrtar’ dhe bëri një zgjedhje alternative. Natyrisht që S Jobs vdiq, dhe për të qenë intelektualisht të ndershëm me gjasa do vdiste edhe nëse do zgjidhte trajtimin mjekësor konvencional, por ndoshta do të kishte jetuar më gjatë, më mirë, e ndoshta edhe do të ishte shëruar plotësisht.

Sidosi, asnjë nuk mund t’i ndalojë njerëzit nëse duan të përdorin këto praktika alternative. Mendoj se është një fenomen që duhet të kufizohet sa më shumë të jetë e mundur, dhe i ftojë lexuesit që t’i bëjnë vetes këto pyetje kur i qasen një trajtimi alternativ, për çfarëdolloj problemi që të jetë…

  1. Siguria dhe efektshmëria. Mos përdorni asnjëherë produkte apo praktika që mund t’ju shkaktojnë dëme, dhe që nuk ju garantojnë benefite apo të mira kur ju i përdorni. Për shembull, shesh thuhet se disa ilaçe vijnë nga bimët, kështu që nuk ka gjë të keqe të konsumosh preparate bimore. Kjo është e gabuar për dy arsye themelore: së pari preparatet bimore nuk përmbajnë vetëm principin aktiv të veçuar që do të përmbante një ilaç i nxjerrë nga e njëta bimë, por do të ketë edhe produkte të tjera, që ndoshta janë të dëmshme kur konsumohen. Dhe së dyti, sepse ndonjëherë këto preparate bimore nuk përgatiten mirë apo nuk ruhen mirë, shpesh duke zhvilluar myk apo kërpudha (mikroskopike) që lëshojnë toksina të cilat janë të dëmshme.

  2. Cilësia e shërbimit dhe ekspertiza e praktikuesit të metodës alternative. Shpesh këto praktika apo trajtime alternative jepen nga individë që edhe pse nukkanë ndonjë kualifikim të veçantë, i lejojnë vetes të bëjnë pohime të ekzagjeruara mbi efikasitetin, sigurinë dhe benefitet e produkteve apo shërbimeve që shesin. Ndaj është një gjë e mirë nëse gjykoni me vëmendje ndaj trajnimit, kualifikimit dhe kompetencës së atij/asaj që po ju shet këto produkte/shërbime.

  3. Diskutoni me mjekun tuaj. Mjekët dhe mjekësia konvencionale natyrisht që nuk bën dot mrekullira. Por është mirë që qasja e parë të jetë gjithnjë ndaj mjekut, qoftë edhe për të marrë informacion të përgjithshëm rreth problemit që keni.


© Rinstinkt blog 2020

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s