Vaksina kundër gripit nuk është në gjendje që të shkaktojë gripin

Vaksina kundër gripit nuk është në gjendje që të shkaktojë gripin

Çdo vit periudha e gripit është e ndryshme, dhe virusi i gripit i prek njerëzit në mënyra të ndryshme.
Gripi në vetvete nuk është një sëmundje e rrezikshme; ajo që e bën gripin më të rëndë janë ndërlikimet që virusi mund të shkaktojë në disa tipa të caktuar subjektesh, si për shembull të miturit dhe të moshuarit.

Një nga ndërlikimet më të rënda të gripit është pneumonia. Kjo zakonisht ndodh tek të moshuarit, tek fëmijët e vegjël, dhe tek individët me sisteme imunitare që nuk punojnë mirë (imunodepresion), apo që kanë pësuar një transplant (duke qenë se edhe këta marrin ilaçe që reduktojnë mbrojtjet e tyre imunitare, meqë sist. i tyre imunitar ndër të tjera do të luftonte edhe transplantin.).

Një nga mitet më të përhapura për sa i përket vaksinave dhe vaksinimit (kundër gripit) është ai se vetë vaksinat mund të na shkaktojnë gripin. Ky besim në të vërtetë nuk ka asnjë bazë. Në vaksinën kundër gripit vërtet që gjendet një virus, por ky virus është jo aktiv, dhe një virus jo aktiv, apo i çaktivizuar nuk është në gjendje që të shkaktojë gripin.

Virusi i çaktivizuar i gripit gjithsesi një efekt e ka, përndryshe nuk do të përdorej në vaksinë; virusi jo aktiv është në gjendje që ta shtyjë trupin tonë për të ndërtuar një përgjigje imunitare ndaj tij, por kjo nuk do të thotë se virusi jo aktiv ka shkaktuar sëmundjen e gripit. Pasi marrim vaksinën kundër gripit mund të ndihemi ‘të dobët’ por kjo nuk duhet interpretuar si një shenjë negative; në të kundërt është pozitive. Ajo mund të jetë një shenjë që sistemi imunitar i trupit tonë po punon, pra është duke ndërtuar një përgjigje kundër virusit (jo aktiv). Përgjigje e cila do të jetë gati për të luftuar virusin aktiv, pra ‘të gjallë’, të gripit nëse do të infektohemi gjatë sezonit të gripit.

Kur marrim vaksinën, trupi është në gjendje që të njohi virusin e çaktivizuar si një entitet të huaj. Kjo është një gjë normale; trupit ynë, apo më saktë sistemi ynë imunitar është vazhdimisht në kërkim të mësymësve të huaj. Identifikimi i antigjenëve të huaj e lejon trupit që të zhvillojë kundërtrupa kundër këtyre antigjeneve.

Ky proces është i njëjtë me atë që do të ndodhte nëse ne do të infektoheshim nga një virus i gjallë, por me ndryshimin themelor dhe tepër të rëndësishëm se, vaksina përmban virus jo aktiv që nuk është në gjendje që shkaktojë dëme në organizëm, si për shembull nuk është në gjendje që të dëmtojë mukozat e rrugëve të ajrit.
(Kur infektohemi nga virusi i gripit, ky dëmton mukozat ku mëpastaj me shumë gjasa rriten baktere, edhe komensale, që shkaktojë infeksione edhe më të rënda se ai virali fillestar – Këto infeksione bakterore që i mbivendosen infeksionit viral fillestar janë arsyeja përse ndonjëherë mjekët japin antibiotikë ‘kundër gripit’. Antibiotikët jepen vetëm kur është verifikuar se ka një infeksion bakteror. Antibiotikët nuk janë në gjendje të veprojnë mbi viruset.)

Pra siç po thoshim, kjo përgjigje imunitare normale e shkaktuar nga virusi jo aktiv i vaksinës mund të shkaktojë një temperaturë të lehtë, dhimbje koke, dhe dhimbje të lehta e të përhapura muskulore. Këto efekte nuk duhen ngatërruar me sëmundjen e gripin. Këto janë përgjigje normale dhe fiziologjike të organizmit, për shembull në dekadat e fundit është zbuluar se rritja modeste e temperaturës së trupit është një përshtatje evolutive që ndihmon sitemin imunitar. Sistemi imunitar duket se funksiononë më mirë kur organizmi ka një temperaturë modeste.

Ndër të tjera shpesh njerëzit ngatërrojnë gripin me të ftohtin (virusi parainfluencal) ose me infeksione gastroenterale. Simptomat e të ftohtit, që shkaktohen nga viruset parainfuencale, mund të jenë të ngjashme me gripin por janë më të buta. Gastroenteriti, pra infeksione të aparatit tretës, mund të shkaktohen nga lloje të ndryshme bakteresh dhe virusesh. Ndër simptomat e gastroenteritit janë nausea (ndjesi vjellje), të vjella dhe diarre.

Në raste të veçanta ndodh që disa njerëz preken vërtetë nga gripi pasi ata kanë marrë vaksinën kundër gripit, por kjo nuk është faji i vaksinës, dhe mund të ndodhi për disa arsye të ndryshme.
Së pari këta individë mund të jenë ekspozuar më përpara ndaj virusit të gripit qarkullues, pra përpara se të merrnin vaksinën. Dhe duke qenë se trupit ka nevojë për 1-2 javë që që zhvillojë një përgjigje imunitare të plotë, nëse ju infektoheni nga gripi në këtë periudhë kohore me gjasa ishit infektuar që më përpara ose përpara se trupi të ndërtonte një përgjigje të plotë imunitare.
Një tjetër arsye ka të bëjëme varietetet e ndryshme virale në qarkullim. Vaksina e gripit përgatitet çdo vit duke u mbështetur sa më mirë të jetë e mundër mbi virusin qarkullues të gripit. Efektshmëria e vaksinës së gripit varet nga ngjashmëria midis virusit qarkullues në komunitet dhe viruseve të çaktivizuar pët të bërë vaksinën. Nëse ndodh që në komunitet qarkullon një varietet virusi që nuk ka ngjashmëri me virusin e çaktivizuar të vaksinës, atëherë kjo do të ketë një efektshmëri të reduktuar. Por këto janë raste shumë shumë të rralla.


© Rinstinkt Blog

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s