Ilaçet antipsikotike konvencionale dhe jo konvencionale

Ilaçet antipsikotike

Ilaçet antipsikotike janë zbuluar rastësisht, dhe termi ‘antipsikotik’ është një term relativisht i ri.

Ganglioplegjikë (bllokues ganglionikë) ose neuroplegjikë – për aftësinë e tyre për të induktuar një gjendje indiference në drejtim të ndërhyrjes kirurgjikale.

Ilaçet antipsikotike janë të aftë që nga një anë të prodhojnë një gjendje qetësie (karakteristikë e dalluar e vetive të tyre qetësuese/sedative) dhe nga ana tjetër të provokojnë disa efekte motore, të ngjashme me ato të sëmundjes së Parkinsonit. Është pra e njëjta veti që është përgjegjëse si për efektet terapeutike ashtu edhe për përkeqësimin motor. Ndaj u fut në përdorim termi ‘neuroleptik’ për shkak të efekteve të tyre inhibitore mbi aktivitetin motor.

Atipik – është një term që përdoret për të treguar një nënklasë të antipsikotikëve. Aty futet Clozapina, e cila konjugon një efikasitet më të madh me një aftësi më të vogël ose nulle për të induktuar katalepsi tek kafsha apo efekte esktrapiramidale (jashtëpiramidale) tek pacientët.

Shënim: Do të ishte më me vend përdorimi i terminologjive si ‘konvencional’ dhe ‘jo konvencional’ për t’iu referuar kategorive të ndryshme të antipsikotikëve. Clozapina është prototipi i antipsikotikëve jo konvencional. Një tjetër përbërje antipsikotike jo konvencionale është Risperidoni.

 

Farmakodinamika e ilaçeve antipsikotike konvencionale

Hipoteza dopaminergjike, sipas të cilës antipsikotikët zbusin simptomat e psikozës duke reduktuar aktivitetin dopaminergjik. Kjo hipotezë lind prej vëzhgimit se Clorpromazina dhe Aloperidoli rrisnin përqëndrimin e metabolitëve të dopaminës (DA) në zonat trunore të pasura me atë neurotransmetitor.

Të tjera studime demonstrojnë se, fuqia antipsikotike e neuroleptikëve konvencionale bashkëlidhet në mënyrë të drejëtpërdrejtë me afinitetin/afrimitetin për receptorin e tipit 2 (D2) të dopaminës, duke e treguar këtë të fundit si vendin vendimtar për aktivitetin e këtyre përbërjeve.

Antipsikotikët e gjeneratës së parë shfaqin afinitet për një gamë të gjerë receptorësh (H1 histaminikë, muskarinikë, alfa-1, alfa-2 adrenergjikë, dhe serotoninergjikë). Sidosi nuk është mundur të dallohet me siguri një rol domethënës në aktivitetin antipsikotik. Besohet se ndërveprimi me këta receptorë mund të bashkëlidhet me efektet mbi arousal-in, me ato ekstrapiramidale, konjitive, kardiovaskulare, gastrointestinale dhe gjenito-urinare.

 

Farmakodinamika e ilaçeve antipsikotike jo konvencionale

Clozapina është modeli i referencës.
Në doza terapeutike, antipsikotikët jo konvencionalë, ushtrojnë një zaptim më të vogël të receptorit D2 të dopaminës; kjo kur krahasohen me përbërjet antipsikotike konvencionale.

Clozapina shfaq një afinitet më të madh për receptorin D1 krahasuar me D2, veti kjo që së bashku me ndërveprimin D1/D2 ka tërhequr vëmendjen për vendëndodhjen prevalente të këtij receptori në korteksin prefrontal. Po ashtu ka kontribuar në propozimin e D1 si një vend i mëtejshëm për aktivitetin e përbërjeve jo tipike/jo konvencionale.

 

Farmakokinetika e ilaçeve antipsikotike

Metabolizmi i tyre është gjerësisht hepatik, dhe ndodh nëpërmjet procesesh konjugimi me acidin glikuronik, hidroksilimi, oksidimi, demetilimi/çmetilimi dhe formimi sulfoksidesh.

Disa ndryshore që ndikojnë në farmakokinetikën e ilaçeve antipsikotike:

Mosha – pacientët e moshuar shfaqin një ndryshueshmëri më të madhe në eleminimin e ilaçit.

Gjenetika – ekziston një ndryshueshmëri e madhe individuale në citokromet përgjegjëse për metabolizimin. Kështu ekzistojnë edhe diferenca etnike në metabolizimin e ilaçit.

Duhanpirja – duhanpirësit shfaqin një aftësi metabolike të rritur.

Një fluks hematik i reduktuar në mëlçi dhe/apo në veshka mund të reduktojë metabolizmin dhe eleminimin e këtyre ilaçeve. Po ashtu, sëmundje hepatike si cirroza, hepatitet etj., mund të reduktojnë metabolizmin e tyre.

Induktorë enzimatikë janë: Carbamazepina, Fenitoina, Etambutoli, Barbiturikët.
Inhibitorë enzimatikë janë: Inhibitorët selektivë të rithithjes së serotoninës, Antidepresivët triciklikë, Cimetidina, Beta-bllokuesit.

 

Indikacionet dhe modalitetet e përdorimit të ilaçeve antipsikotike

Antipsikotikët konvencionalë (kanë aftësi të përmirësojë pjesën më të madhe të çrregullimeve pozitive gjatë episodeve akute.) Indikacionet e tyre kryesore janë në sëmundjen e skizofrenisë, sindromat skizoafektive, faza maniakale e çrregullimeve afektive bipolare dhe psikozat senile.

Në trajtimin e psikozave rezultatet më të mira në terma të balancës mes efikasitetit dhe reaksioneve anësore përftohen me dozat më të vogla (aftësi për të zvogëluar çrregullimet pozitive pa induktuar reaksiona anësore domethënëse).
Gjithsesi, duhen konsideruar edhe faktorë të tjerë si; përmirësimi i simptomave negative, depresioni, ideacioni vetëvrasës dhe mbi të gjitha funksionet konjitive.

Neuroleptikët konvencionalë nuk i përmirësojnë në mënyrë domethënëse simptomat negative me përjashtim të atyre dytësore ndaj çrregullimeve pozitive dhe nuk sjellin benefite për çrregullimet konjitive që prekin të paktën 85% të pacientëve skizofrenikë.

Shënim: nuk ekzitojnë prova të qarta për të thënë se në fushën e neuroleptikëve konvencionalë një përbërje është apo mund të jetë me efikase se një tjetër në trajtimin e psikozave.

Shënim 2: femrat priren të kenë një përgjigje më të mirë dhe kërkojnë dozazhe më të vogla.

Antipsikotikët konvencionalë mund të administrohen nëpërmjet rrugës orale apo injektive, në formulime me veprim të shkurtër ose të gjatë.

 

Antipsikotikët jo konvencionalë – Clozapina për shkak të reaksioneve anësore të mundshme kërkon kontrolle hematologjike të afërta njëra me tjetrën. Clozapina për shkak të reaksioneve të veta anësore nuk përdoret si zgjedhje e parë.

Përjashtuar Clozapinën, antipsikotikët e tjerë jo konvencionalë përdoren në trajtimin e skizofrenisë, të depresionit me trakte psikotike dhe të çrregullimeve skizoafektive, si dhe të maniakalitetit.

Risperidoni –

Olanzapina – është një antipsikotik jo tipik; konsiderohet zgjedhja e parë për trajtimin e të gjitha formave klinike të psikozave. Është efikas si për sa i përket çrregullimeve pozitive ashtu edhe për ato negative. Është gjithashtu efikas në terapitë mirëmbajtëse (terapi të vazhdueshme që tentojnë të ruajnë gjendjen e ekuilibrit të arritur) duke reduktuar kështu numrin e rasteve me rikthim të sëmundjes. Olanzapina administrohet një herë të vetme gjatë ditës.

 

Terapia me antipsikotikë gjatë shtatëzanisë

Ngurrim në parashkrimin dhe në marrjen e antipsikotikëve gjatë shtatëzanisë për shkak të fetotoksicitetit të dyshuar të këtyre ilaçeve.

Studime të ndryshme dhe meta-analiza, tregojnë se përdorimi i fenotiazinave dhe butirrofenonëve nuk duket se sjellë rreziqe të shtuara ndaj dëmeve keqforumese apo funksionale të pasardhësve të cilët janë ndjekur deri në moshën shkollore.

Clozapina nuk mund të këshillohet gjatë shtatëzanisë për shkak të rrezikut të rritur që ka për të induktuar ‘floppy infant syndrome’, konvulsione dhe agranulocitozë të porsalindur.

Gjatë ushqyerjes me gji, dihet se për sa i përket antipsikotikëve konvencionalë, më pak se 10% e përqëndrimit të ilaçit që qarkullon në gjakun mëmësor është në gjendje të mbërrijë tek fëmija nëpërmjet qumështit.
Ndërsa për sa i përket antipsikotikëve jo konvencionalë, studime të realizuara me Olanzapinën dhe Risperidonin kanë treguar përqëndrimie aq të ulëta sa të mos jenë të matshme. (Clozapina nuk rekomandohet.)

 

Efektet anësore – Antipsikotikët konvencionalë

Sindroma ekstrapiramidale akute. Format më domethënëse nga ana klinike janë të përfaqësuara nga akatisia, distonitë dhe parkinsonizmi.
Akatisia – është një efekt anësor i antipsikotikëve, me një freqkuencë prej 9-35%, që shfaqet si siklet/parehati e brendshme apo shqetësim/nervozizëm që shtyn drejt lëvizjes së gjymtyrëve të poshtëme dhe drejt nevojës për të ndryshuar pozicion, apo për t’u ngritur nga karrigia, apo për të hedhur hapa nëse individi gjendet në këmbë. Akatisia mendohet se është e lidhur me tjetërsime të transmisionit dopaminergjik në nyjet nervore/ganglionet e bazës së trurit.
Distonitë akute – paraqiten në 10% të rasteve në orët e para të trajtimit, dhe në 90% të rasteve në tre ditët e para. Distonitë akute nuk janë gjë tjetër veçse tkurrje, të herëpasëherëshme apo të zgjatura të muskujve të trungut, të qafës, mandibulës, gjuhës, së bashku me kriza okulogjire (deviacion i pavullnetshëm i sipërm i syve.).
Parkinsonizmi – është një efekt anësor që zhvillohet mesatarisht në 9-36% të rasteve. Ka të bëjë mbi të gjitha me shfaqjen e ngurtësisë dhe bradikinezisë (dhe dridhje). Mekanizmi përgjegjës është bllokimi i transmetimit dopaminergjik nigrostriatal.

Sindroma malinje nga neuroleptikët. Përfaqëson një reaksion anësor të rëndë dhe shpeshherë fatal ndaj kësaj klase ilaçesh (1% ). Kjo sindromë karakterizohet nga hipertermi, nga shenja estrapiramidale, gjendje e tjetërsuar e ndërgjegjies, acidozë metabolike, hiperpotasihemi, rritje të numërit të rruazave të bardha, luhatje të presionit, aritmi, dispne, diaforezë dhe inkontinencë. Zakonisht shfaqet në fillim të terapisë.

Reaksionet kardiake. Neuroleptikët me fuqi të ulët janë shfaqur më shumë përgjegjës për reaksionet kardiotoksike në krahasim me ata me fuqi të lartë.
Kardiotoksiciteti i antipsikotikëve ndërmjetësohet nga një efekt inotropik negativ, nga tjetërsime enzimatike të qelizave kardiake, nga një zgjatje e kohëve të tejçimit atrial dhe ventrikular si dhe e periudhave refraktare.
Tioridazina shkakton aritmi të rënda dhe torsade de pointes.

Reaksionet endokrine dhe seksuale. Tahitja/sekretimi i prolaktinës rregullohet nga një ton inhibitor i ushtruar nga Dopamina (DA) nëpërmjet receptorit D2, kështu që bllokimi i këtij receptori provokon një rritje të niveleve qarkulluese të hormonit prolaktinë.
Tek femrat hiperprolaktinhemia shpie në një mbufatje të gjirit, galaktorrhe, çrregullsi menstruale dhe cikle jo-ovulatorë.
Tek meshkujt rritja e niveleve të prolaktinës provokonë gjinekomasti, humbje të libidos dhe pafuqi seksuale/impotencë për shkak të zvogëlimit të prodhimit të testosteronit.

 

Efektet anësore – Antipsikotikët jo konvencionalë

Reaksione ekstrapiramidale. Neuroleptikët jo konvencionalë u zhvilluan me qëllimin që të kishim ilaçe të pajisura me një efikasitet dhe manovrueshmëri më të madhe në krahasim me përbërjet antipsikotike konvencionale. Kështu, Clozapina, provokon reaksione ekstrapiramidale domethënëse tepër rrallë ose asnjëherë.
Risperidoni dhe Olanzapina, mund të induktojnë reaksione ekstrapiramidale në varësi të dozës, që gjithsesi rezultojnë më pak të shpeshta dhe të rënda krahasuar me ato të induktuara nga përbërjet antipsikotike tipike/konvencionale.
Pra, antipsikotikët jo konvencionalë shfaqin një prirje më të vogël për të shkaktuar reaksione ekstrapiramidale.

Reaksione hematologjike. Clozapina është shkaktare agranulocitoze (8.000/milionë). Gjatë trajtimit me këtë ilaç është i nevojshëm një monitorim i ngushtë i krasisit hematik. Rreziku i këtij efekti anësor është më i madh në 3 muajtë e parë, por pa u zhdukur asnjëherë gjatë terapisë. Rreziku është më i madh në seksin femëror.

Reaksionet metabolike, endokrine dhe kardioqarkullatore. Antipsikotikët jo konvencionalë shkaktojnë një rritje domethënëse të peshës trupore. Clozapina dhe Olanzapina janë agjentët më tepër të implikuar me këtë aksion.
Nëpërmjet rritjes të peshës trupore mund të shkaktojnë rezistencë ndaj insulinës, me hiperinsulinhemi dytësore dhe hiperlipid’hemi, që mund të shkaktojnë diabet dhe patologji kardioqarkullatore.
Antipsikotikët më të rinjë mund të shkaktojnë çekuilibëra metabolikë për sa i përket homeostazës glicidike dhe lipidike, me shfaqje të diabetit të mirëfilltë.

Të tjera efekte anësore. Clozapina, Olanzapina, Quetiapina kanë edhe veti qetësuese/sedative.

 

© Rinstinkt blog

Reklama

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s