Hyrje tek Psikologjia Evolutive

Debati se sa përqind e sjelljes njerëzore është e bashkëlindur dhe se sa mund t’i atribuohet ambientit ku njeriu jeton ekziston prej mijëra vjetësh. Aktualisht disa psikologë konjitivë argumentojë se ne, njerëzit, jo vetëm që trashëgojmë disa karakteristika dhe trakte psikologjike, por edhe se këto karakteristika psikologjike janë subjekt i seleksionit natyror dhe seksual sikundër janë karakteristikat tona fizike (çka është një fakt i gjithëpranuar). Këta shkencëtarë argumentojë se mendja është një produkt i trurit, dhe se truri është si çdo organ tjetër i formësuar prej gjenetikës (trashëgimisë).

Këta shkencëtarë dhe këto argumenta janë pjesë e një fushe relativisht të re kërkimi shkencor: fusha e psikologjisë evolutive.

Psikologjia evolutive është përqasje teorike dhe esperimentale që përpiqet të ekzaminojë strukturën psikologjike nga një perspektivë evolutive/evolucionare. Thënë me fjalë të tjera, psikologjia evolutive nuk është gjë tjetër veçse aplikimi i principeve evolucionare mbi çështje dhe pyetje të sjelljes dhe natyrës njerëzore.

Qëllimi final i psikologjisë evolutive, i nëndegëve të saj dhe i degëve të ndërlidhura me të, është që të paraqesi një kuadro të proceseve psikologjike, emocioneve dhe konstrukteve shoqërore ku baza të jetë apo të informohet prej seleksionit natyror, në të njëjtën mënyrë sikundër seleksioni natyror dhe teoria evolutive e formuluar së pari prej Darvinit qëndron sot si bazë që informon gjithë njohuritë në fushën e biologjisë, morfologjisë, antropologjisë etj. Pra, qëllimi është që teoria evolutive të funksionojë si një bazë ëdhe si kornizë metateorike që e integron të gjithë fushën e psikologjisë dhe të neuroshkencës në të njëjtën mënyrë sikundër evoluconi bëri për biologjinë dhe nëndegët e saj.

Kjo fushë e aktivitetit shkencor njerëzor kërkon që identifikojë se cilat trakte psikologjike njerëzore janë përshtatje (adaptime), pra që janë produkte funksionale të seleksionit natryor dhe seleksionit seksual në specien njerëzore.

Arsyetimi në biologji është i tipit: dhëmbët, mushkëritë, sistemi imunitar, zemra kanë evoluar në mënyrë modulare gjatë një kohe të gjatë për t’iu përshtatur funksioneve të ndryshme që e ndihmonin individin që i zotëronte këto (apo edhe pasardhësit e tij) në kalimin me sukses të sfidave që i dilnin përballë në ambientin ku qenia njeri ka kaluar pjesën më të madhe të kohës së vet (në terma evolutivë). Kështu duke aplikuar të njëjtën linjë mendimi në fushën e psikologjisë apo të mendjes, psikologjia evolutive argumenton dhe tregon se mendja (si epifenomen i trurit) ka, me shumë gjasa, një strukturë modulare – sikundër organet e tjera – ku çdonjëra prej këtyre pjesëve (moduleve) është formësuar, adaptuar për t’iu shërbyer funksioneve të ndryshme që ndihmonin në mbijetesën dhe riprodhimin e individit.

Pra, nën dritën e kësaj fushe relativisht të re të kërkimit shkencor, modelet e sjelljes së kafshëve, përfshirë njeriun, hetohen në terma të mënyrës se si këto sjellje mund të kenë kontribuar në mbijetesën dhe benefitet riprodhuese të paraardhësve tanë, të cilët në terma evolutivë e kanë kaluar pjesën më të madhe të kohës në ambiente, nëmos identike me savanën Afrikane, të ngjashme me të.

80966-71572Kështu, psikologjia evolutive për shembull, na informon se preferenca njerëzore për ushqime të ëmbla (me përmbajte të lartë sheqernash), për ushqime me përmbajtje të lartë yndyrash derivon nga një periudhë në rrugëtimin evolutiv species tonë kur uria dhe mungesa e ushqimit ishte norma, dhe të paturit e një preference për ushqime me përmbajtje të lartë energjie (sheqerna dhe yndyra) implikonte se ti si individ (brezat pasardhës) kishe një marsh më shumë krahasuar me individë të tjerë që këtë preferencë nuk e kishin. Arsyetimi më pas është i ngjashëm me atë që bëhet në fushën biologjike. Këta individë që për arsye të tjetërsimeve gjenetike kishin këtë preferencë të lindur për ushqime me përmbajtje të lartë energjie do të kishin më shumë shanse për të mbijetuar dhe për të lënë pasardhës; dhe këta pasardhës brezë pas brezi dalëngadalë do të shpërndanin këtë karakteristikë në të gjithë popullatën – dhe kjo është arsyeja pse njerëzit edhe sot, që gjetja e ushimit është shumë shumë më e thjeshtë, kanë akoma këtë preferencë të lindur psikologjike për ushqime me përmbajtje të lartë energjitike (dhe madje ndiejmë edhe kënaqesi kur hamë të tilla ushime). Por kjo preferencë e lindur për këto ushqime që është formësuar në mijëra breza të paraardhësve tanë që jetonin në ambiente ku ushiqmi ishte i vështirë për t’u gjetur, sot në njëfarë mënyre, për shkak edhe të papjekurisë sonë si specie, po na kthehet kundër në formën e një epidemie obeziteti.

Dhe ky ilustrim nga nxjerrë tek një pikë e rëndësishme të cilën duhet ta përmend medoemos: që seleksioni nayror (apo procesi evolutiv dhe mjetet me anë të të cilave ky proces është realizuar dhe realizohet) 1.) nuk ka një synim, pra nuk është një entitet me “intencion” dhe 2.) se, këto adaptime fizike dhe psikologjike që specia jonë ka fituar gjatë rrugëtimit evolutiv janë të tilla sepse ndihmonin individin që i zotëronte ato në një periudhë të ndryshme nga ajo moderne, pra në perudhën kur lloji njerëzor jetonte në shoqëri gjuetarësh-mbledhësish, pra në periudhën e Pleistocenit (1.8 milionë-10.000 vite më parë). Duke parafrazuar fjalët e David Buss, organizmat janë “ekzekutorë përshtatjesh/adaptimesh” dhe jo “maksimizues të fitnessit”. Kjo shpjegon pse organizmat, në rastin tonë njeriu, kanë adaptime/përshtatje emotive, motivacionale dhe konjitive që në përgjithësi rritnin fitnessin e tyre në ambientn e të shkuarës, pra në periudhën e Pleistocenit, por jo në ambientin e sotëm modern.

* * *

Më poshtë në mënyrë tepër sintetike janë disa pika bazë mbi të cilat bazohet Psikologjia Evolutive:
1. Mendja njerëzore konsiston në “qindra mijëra” module të evoluara.
2. Këto “qindra mijëra” module janë adaptime/përshtatje – që do të thotë, se ato janë formësuar nga seleksioni natyror për funksionet e veta specifike të procesimit të informacionit.
3. Këto adaptime/përshtatje janë dizenjuar për të zgjidhur probleme të mbijetesës dhe të riprodhimit me të cilat përballeshin popullatat gjuetare-mbledhëse të epokës së Pleistocenit.
4. Duke qenë se zakonisht seleksioni natyror i bën përshtatjet/adaptimet në një specie universale, psikologjia njerëzore e evoluar konsiston në një “dezajn të vetëm universal pan-njerëzor”, që është natyra njerëzore.
5. Si pasojë, diferencat mes indivdëve dhe mes kulturave nuk janë prodhuar nga adaptime/përshtatje psikologjike të ndryshme, por nga një psikologji universale që i përgjigjet rrethanave të ndryshme.

Qëllimi i Psikologjisë Evolutive është që të japi një llogari sa më të plotë të natyrës njerëzore – që do të thotë, një përshkrim të plotë të adaptimeve psikologjike modulare që përbëjnë mendjen njerëzore dhe se si këto module funksionojnë nën rrethana të ndryshueshme zhvillimore, kulturore dhe aktuale.

* * *

Disa evente të rëndësishme në historinë e psikologjisë evolutive.

  • 1859 – Biologu Charles Darwin shkruan se emocionet, perceptimet dhe konjicionii janë adaptime/përshtatje evolutive.
  • 1960 – Noam Chomsky argumenton se aftësia për gjuhë(komunikim gjuhësor) është një karakteristikë e lindur.
  • 1969 – John Bowlby argumenton se afrimiteti i bebeve të porsalindura tek nëna e vet është i programuar gjenetikisht.
  • 1976 – Në librin The Selfish Gene (Gjeni egoist), biologu i famshëm britanik Richard Dawkins pohon se tendencat tona të sjelljes evoluojnë nëpërmjet ndërveprimeve me të tjerët gjatë një periiudhe të gjatë kohore.

* * *

Fusha e psikologjisë evolutive që prej lindjes ka hasur në kritika konstruktive, por më shpesh në kritika jo konstruktive; këto të fundit shpesh të nxitura nga pikëpamje politike apo ideologjike radikale e shpesh utopike.

Psikologu i famshëm kanadez Steven Pinker identifikon katër frikëra kryesore që nxisin “kritikat” dhe frikën ndaj psikologjisë evolutive pavarësisht provave empirike.
Këto katër frikëra janë:
1. Frika e pabarazisë: nëse mendja është një “pllakë e bardhë”(blank slate) që prej lindjes, atëherë të gjithë njerëzit janë lindur të barabartë. Por nëse njerëzit i trashëgojnë karakteristikat mendore/psikologjike, disa njerëz doemos do të mund të kenë një avantazh natyror.
2. Frika e dytë ka të bëjë me cenet. Nëse disa cene janë të bashkëlindura ato nuk mund t’i nënshtrohen ndryshimit, e kështu reformat shoqërore për të ndihmuar të disavantazhuarit janë të kota, apo me gjasa do të dështojnë.
3. Nëse sjellja jonë përcaktohet nga gjenet, ekziston frika se ne mund të abdikojmë, pra heqim dorë, prej përgjegjësisë së veprimeve tona, dhe kështu t’ia hedhim fajin trashëgimisë tonë gjenetike.
4. Frika e katërt sipas S. Pinker është ajo më kryesorja… Frika është se nëse ne pranojmë se jemi formësuar prej psikologjisë evolutive, ndjenjat tona, perceptimet, arsyet dhe emocionet, do të katandisen në procese të thjeshta të evolucionit gjenetiik, dhe kështu biologjia do të “përgënjeshtrojë gjithçka të shenjtë që kemi”.

Advertisements

Një mendim mbi “Hyrje tek Psikologjia Evolutive

  1. Pingback: Diferencat në emocione mes sekseve | Rinstinkt Blog

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s