Reçesioni dhe shëndeti publik

Ekonomia, reçesioni  dhe shëndeti publik

Të gjithë do të kenë dëgjuar këto kohë mbi masat e ashtuquajtura të austeritetit (rreptësisë), të njohura gjerësisht si të imponuara nga Gjermania, në rolin e udhëheqëses ekonomike së Europës të bashkuar, ndaj vendeve të tjera si Greqia apo Spanja, të cilat nga ana e tyre nuk i kanë në rregull bilancet financiare.

Older. Wiser, Poorer (TheGuardian - Photograph: Peter Macdiarmid/Getty Images)

Older. Wiser, Poorer (TheGuardian – Photograph: Peter Macdiarmid/Getty Images)

Masat e rreptësisë në fjalë (të austeritetit), kërkojnë prerje të fondeve për shërbimet shoqërore, zvogëlim të fondeve për investimet për punët publike, reduktim të shpenzimeve për shëndetësinë duke nxitur, pse jo, edhe privatizimin e shërbimit shëndetësor, meqë shërbimi shëndetësor publik, atje ku ekziston, jo vetëm që është pre e abuzimeve dhe e rendimentit të pakët, por edhe zë një pjesë të mirë të tortës buxhetore. Të gjithë këta elementë të përmendur më sipër, siç mund të na tregojnë edhe ekonomistët, thonë se nevojiten për të siguruar të ardhura dhe për të rritur miqëqenien shoqërore; meqë nëse hidhen para në sferën publike, të paktën ata që janë të punësuar do të kenë më shumë në xhepat e vetë, e do të jenë më të prirur për të shpenzuar.
Kështu, masat e austeritetit të aplikuara rreth e rrotull, nëpër Europë, meqë presin si gërshërët mbi fondet publike, (pretendohet se) kanë efekte anësore edhe mbi shoqërinë.

Por kjo, marrë kështu, thatë, pak na intereson. Përkundrazi, na intereson më shumë efekti që këto masa kanë mbi shëndetin publik, pra mbi shëndetin e shoqërisë. I cili efekt, është shumë më i ndërlikuar nga sa mund të parashikojë ndonjë lexues i nxituar, që pa një pa dy e ka përgjigjen gati.

Faktet, që si gjithënjë janë kokëforta, tregojnë, ndryshe nga sa mund ta kishte parashikuar ndonjë, se në periudhat me rritje të lartë në ekonomitë e tregut janë të shoqëruara nga një rrezik më i lartë për të zhvlluar sëmundje të aparatit të frymëshkëmbimit, për rrezik më të lartë për të pësuar goditje në zemër e po ashtu për rrezik më të lartë për të pësuar incidente industriale.
Në të kundërt, gjatë periudhave me reçesion ekonomik rreziqet e përmendura më sipër zvogëlohen.

Kështu, ideja mjaftë e përhapur se ekonomia Keynesiane është si një shkop magjik i cili e gjallëron vetvetiu ekonominë dhe mëpastaj shëndetin, rezulton, le të themi, disi e gabuar. E gabuar ose më mirë të them, e rrejshme ngase nuk mbështetet nga të dhënat dhe faktet, që si gjithnjë janë kokëforta.🙂

Ekziston një përshtypje e gjithëpërhapur se të bërit ekonomi Keynesiane ndihmon ekonominë; sepse duke rritur shpenzimet publike pretendohet se  kështu “shërohen” edhe sëmundjet e ekonomisë e mëpastaj ato shëndetësore të një shoqërie apo popullsie të caktuar.
Për shembull, shtete si Suedia, Islanda apo Anglia e kohës së laburistëve mendohej se ishin, apo mendohet se janë, modele për zhvillimin e shëndetit të mirë dhe ekonomisë, parë shëndeti i mirë si pasojë pozitive e një ekonomie “vibrante”, të gjallë, e mbështetur dhe trumpetuar nga udhëheqës e personalitete si Franklin Delano Roosevelt apo Barack Obama, të cilët i ruajnë shpenzimet publike, pa kryer prerje mbi fondet përkatëse. Masa këto që priren nga populizmi, në rastin specifik të gjendjes ekonomike botërore.

Ndërsa Milton Friedman, Angela Merkel, bankierët e madje edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), të cilët kërkojnë (të aplikojnë) nga (në) shtete si Greqia, Spanja apo Britania e Madhe nën Konservatorët njëfarë kursimi, janë parë si “çuna të kqinj”, të cilët sjellin veçse rrënim dhe sëmundje…

Natyrisht, siç na mëson edhe jeta, çdo gjë ka më shumë nuanca, e gjërat nuk janë siç propaganduesit e mediave duan që të mendohet. Gjërat pra janë më të ndërlikuara nga sa mund të na duken duke u bazuar mbi bashkëlidhje të shpejta, pse jo emotive. Në këto raste ajo që mund të ndihmojë për të parë një kuadër të qartë është njëfarë sensi kritik, dhe të bazuarit e argumenteve mbi faktet dhe minimizmi në maksimum i spekulimeve.

Argumentet e para të mirëbazaura, të cilat e rrëzojnë këtë mënyrë disi të shtrembëruar të të parit të qasjeve të mësipërme, e më tej rezultateve që këto japin mbi shëndetin publik na e kanë dhënë Dorothy Thomas dhe William Ogburn. Këta ishin të habitur kur zbuluan se në Britani vdekjet rriteshin gjatë periudhave të prosperitetit ndërsa zvogëloheshin gjatë periudhave të reçesiont ekonomik.

Kjo gjë është raportuar edhe më vonë, për shembull në ekonomitë e tregut, dhe rezultatet kanë qenë të njëjta. Një model paradoksal, sepse meqë reçesioni në ekonomitë e tregut është i lidhur me papunësinë dhe të ardhura më të ulëta, njerëzit presinë që vdekshmëria të rritet; por në të kundërt vëzhgohet një zvogëlim i vdekshmërisë. Këtë fenomen, e kanë quajtur edhe “paradoksi i reçesionit të shëndetshëm” (healthy recession paradox).

Disa fakte: Pritshmëria e Jetës në Lindje (LEB – Life Expectancy at Birth ) në Greqi nga 79.6 që ishte në vitin 2007 u rrit në 80.3 vite në vitin 2009, ndërsa për të njëjtën periudhë në Irlandë LEB u rrit nga 81.6 në 81.9 vite. Kjo tregon se në dy vitet që ndoqën fillimin e Recesionit të Madh shëndeti i popullatave është rritur si në Greqi ashtu edhe në Irlandë, por përmirësimi në Greqi është mbi dy herë më i lartë se ai në Irlandë, ku aplikohen politika të ndryshme ekonomike. [1] [2]

Pra, matja e Pritshmërisë së Jetës në Lindje (LEB) apo masa të tjera si vdekjet e ujdisura (statistikisht) sipas shtresave të ndryshme moshore tregojnë se shëndeti i popullatës gjatë recesioneve, në të vërtetë, përmirësohet. Apo të paktën mund të thuhet me siguri se recesioni nuk ka atë efekt katastrofik që pretendohet e trumbetohet barbarisht nëpër media.
Nëse ky përmirësim i lehtë i Pritshmërisë së Jetës në Lindje vjen ngase njerëzit  me më pak punë kanë më shumë kohë për të kaluar në shtëpi me familjen e vetë duke u kujdesur për njëri-tjetrin (pse jo!), apo nëse i detyrohet kujdesit më të madh ndaj shëndetit (vetvetes) kur jemi nën tension, këtë nuk dimë ta themi akoma…

Shënime:
[1]  Të dhënat nga OBSH/Europë: European Health for All database (HFA-DB): http://www.euro.who.int/en/data-and-evidence/databases/european-health-for-all-database-hfa-db
[2] European health for all database (HFA-DB)/OnlineVersion:  http://data.euro.who.int/hfadb/

– – –

Të pëlqeu postimi?
Vendos një “Like” tek Faqja e Blogut në Facebook

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s