HIV – AIDS

Sindroma e imunidefiçencës së fituar – AIDS

Sindorma e imunodefiçencës së fituar është një sëmundje infektive që karakterizohet nga shfaqja e infeksioneve oportuniste dhe e disa neoplazive (tumoreve) të veçanta, me një defiçencë të imunitetit qelizor ttë shkaktuar nga infeksioni me virusin HIV.

Shpërhapja e virusit HIV realizohet nëpërmjet materialeve dhe lëngjeve biologjike si gjaku, plazma, sekrecionet vagjinale, sperma, palca kockore, lëngu cefalo-rakidian etj. Nëpërmjet rrugës seksuale, homo apo eteroseksuale: sikundër edhe në mënyrë vertikale nga nëna tek fëmija. Difuzioni i infeksionit nëpërjet toksikë-vartësve ndodh nëpërmjet ageve të përdorura më parë nga një tjetër person i infektuar.
Ekspozimi ndaj virusit mund të godasi edhe personelin mjekësor që merret me pacientët e prekur – apo në mënyrë të veçantë me pacientët që nuk e dinë se janë të infektuar -, nëpërmjet pikëzave të gjakut që mund të bienë mbi sipërfaqe mukoze të ekspozuara; apo edhe duke u shpuar aksidentalisht me age të infektuara, nga menaxhimi i keq i tyre.

 

Eziologjia

Ilustrim i HIV

Ilustrim i HIV

Virusi HIV është një retrovirus që i përket familjes së Lentivirusëve; ka një formë të rrumbullakët me një diametër prej rreth 100 nm. Ekzistojnë dy serotipe: HIV-1 që është më i përhapur në Amerikë, Europë dhe Azi; HIV-2 që është më i përhapur në Afrikë.
Gjenotipi i virusit HIV është i përbërë nga dy molekula ARN-je të bashkuara mes tyre nga 2 proteina, duke formuar së bashku një kompleks ribonukleoproteinik që ndodhet brenda një veshjeje proteinike në formë të zgjatur që është e formuar nga proteina e quajtur p24.
Gjenomi është i përbërë nga gjene si:
– GAG – që kodofikon për proteinat e veshjes proteinike p24.
– POL – që kodofikon për transkriptazën inverse, për proteazën dhe për endonukleazë-integrazën.
– ENV – kodofikon për proteinën e mantelit viral, gp160, e cila ndahet në gp41 (me aktivitet fuzogjen, shkrirës) dhe gp 120 (që funksionon si antireceptor i CD4)
Gjene të tjerë: gjene të tjerë rregullatorë që janë të rëndësishëm për fillimin e transkriptimit.
Sekuencat gjenike karakterizohen nga skema leximi të hapura dhe të mbivendosura, të ashtu quajturat Open Reading Frames – ORF. Kështu nga një fragment i caktuar materiali gjenetik, nëpërmjet leximesh të ndryshme, mund të pëftohen informacione për sintezën e proteinave të ndryshme.

Në brendësi të virusit gjenden materialet e nevojshme për replikimin e virusit: dy çifte ARN-je, t-ARN të ndryshme dhe disa produkte të gjenit POL që kodifikojnë për transkriptazën inverse, proteazën dhe integrazën. Kapsidi viral është i veshur nga një mantel për shkak të të cilit virusi ka një rezistencë të dobët ndaj temperaturave të larta dhe aciditetit të stomakut.

Virusi ka një ndryshueshmëri të lartë gjenetike për shkak se transkriptaza inverse nuk është shumë besnike në punën e vet; pra kryen mjaft gabime gjatë procesit të vet të transkriptimit. Kjo ndryshueshmëri e lartë gjenetike shkakton formimin dhe izolimin e tipave të ndryshëm të virusit jo vetëm nga një pacient tek tjetri por edhe në të njëjtin pacient.

 

Patogjeneza

Penetrimi i virusit në qelizat e trupit ndodh nëpërmjet endocitozës së ndërmjetësuar nga një receptor. Antireceptori gp120 lidhet me CD4 të pranishëm tek linfocitet T, makrofagët dhe qelizat dendritike. Kjo lidhje shkakton një ndryshim konformacional të glikoproteinës virale dhe si pasojë ekspozimin dhe aktivizimin e gp41 – aktivizohet mekanizmi i shkrirjes qelizore.
Nevojitet gjithashtu edhe veprimi e disa bashkë-receptorëve, si CXCR4 dhe CXCKR5.

Pas penetrimit virusi zhvishet nga envelop-i dhe fillon faza e replikimit të gjenomit brenda kapsidit.

Transkriptaza inverse sintetizon një kopje të parë ADN-je përplotësuese me njërën nga dy zinxhirët e ARN-së së pranishme. Më pas duke përdorur si model vargun e ADN-së së saposintetizuar, sintetizohet një varg tjetër ADN-je, duke u formuar kështu një varg i dyfishtë ADN-je, i cili mund të integrohet në gjenomin e qelizës nëpërmjet funksionit të endonukleazë-integrazës.
Mbas disa ciklesh replikativë provirusi qëndron i heshtur duke provokuar një infeksion latent. Me raste, provirusi mund të aktivizohet duke e detyruar qelizën të prodhojë thërrmija të shumta virale, çka do të shkaktojë edhe vdekjen e linfocitit të infektuar.

 

Historia natyrore e sëmundjes

Sëmundja e AIDS-it është e lidhur me shkatërrimin e vazhdueshëm dhe progresiv të qelizave Th1 (CD4+), që janë organizatorët e përgjigjee imunitare. Kjo ndodh për shkak të një efekti citopatik të drejtëpërdrejtë të virusit.

Faza 1 – mononukleozë-ngjashëm (Flu-like)

HIV-i, kur futet në trup, transportohet nga qelizat folikolare dendritike në zonat parakortikale të linfonyjeve, ku replikohet në mënyrë të palodhur deri sa arrin një nivel kritik, që përket me fazën e virhemisë, tipike e javëve të para të infeksionit nga virusi në fjalë. Virhemia shkakton një shpërndarje hematike të virusit në inde dhe organe të ndryshme të trupit përfshirë sistemin nervor qëndror – kjo ndodh përpara se trupi të ndrëtojë një përgjigje imunitare të efektshme.
Kjo fazë përket me infeksionin parësor, pra me një simptomatologji mononukleozë ngjashëm.
Në javët në vazhdim përgjigjia imunitare humorale dhe ajo qelizore skaktojnë një rënie të përqëndrimit të virusit qarkullues dhe atij brendaqelizor. Njëkohësisht rivendoset edhe një numër normal i linfociteve CD4+, dhe shpërndarja hematike e infeksionit kufizohet. Megjithatë përgjigja imunitare nuk është e aftë që të çrrënjosi infeksionin duke eliminuar virusin totalisht; ky mbijeton, në një formë infeksioni latent, në organe si linfonyjet dhe sistemi nervor qëndror.

Klinika e Fazës 1

Kjo fazë mund të kalojnë në mënyrë jo simptomatike. Gjithsesi nga 50-70% e pacientëve kanë disa shfaqje akute në muajin e parë pas infeksionit me HIV, që janë të tipit monomukleozë-ngjashëm: temperaturë, faringjit, linfangjit, dhimbje koke, anoreksi, shqetësime të tretjes dhe letargji. Gjatë kësaj faze është i nveojshëm kërkimi shenjave të hershme të infeksionit si p24 apo HIV-ARN nëpërmjet teknikës së PCR-së.

 

Faza 2 – Infeksioni latent dhe kronicizimi i tij.

Periudha jo-simptomatologjike nuk shoqërohet nga një periudhë biologjike latente, meqënëse replikimi viral vazhdon gjithesesi – infeksion kronik. Llogaritet se, gjatë kësaj faze, largohen nga trupi duke u shkatërruar rreth 108-9 thërrmija virale – në një gjendje ekuilibri të vazhdueshëm dinamik.
Ndër të tjera, shfaqen edhe ndryshime funksionale të linfocitëve CD4 dhe CD8, të linfocitëve B dhe të qelizave monocito-makrofagjike. Numri i thërrmijave virale është i ulët në gjak dhe i lartë në linfonyje.
Linfocitet CD4 që shkatërrohen çdo ditë zëvendësohen falë aftësisë rigjenerative të palcës së kockave. Por ky ekuilibër mund të prishet, duke qenë se në pjesën më të madhe të pacientëve të infektuar nga HIV është i përkohshëm. Kështu që niveli i linfocitëve CD4+ bie në mënyrë të vazhdueshme dhe të pashmangshme.

Klinika e Fazës 2

faza në fjalë është jo-simptomatike. Fillohet të vihet re një linfocitozë, kryesisht me linfocite CD8+.

 

Faza 3 – LAS dhe riaktivizimi i infeksionit

Qelizat e infektuara zëvendësoshen vazhdimisht nga qeliza të tjera që janë të ndotura; ky proces pëson një rritje veçanërisht në situata kur qelizat e infektuara nga virusi HIV aktivizohen, si në raste infeksionesh, alergjishë apo në raste stresi. Kjo provokon prodhimin e citokinave aktivizuese dhe shumimin e linfociteve T duke shkaktuar riaktivizimin e infeksionit viral.
Aktivizimi i qelizave imunitare, pra linfociteve T, shkakton aktivizimin e faktorit të transkriptimit qelizor të quajtur NF-kB, që nis transkriptimin e IL-2 (interleukina 2) në qelizat normale. Ndërsa në qelizat e infektuara, fillon transkriptimi i sekuencave gjenike LTR, që funksionojnë si promoter dhe enhancer për transkriptimin e provirusit. Kjo shpjegon faktin se përse infeksioni nga HIV përkeqësohet shumë pas infeksionesh të vogla, që, në subjektin normal imunokompetent, nuk provokojnë dëme.
Shënim: të gjithë pacientët me HIV kanë një hiperplazi folikulare të dukshme, që përfaqëson përgjigjen e sistemit imunitar ndaj qelizave të infektuara.

Klinika e Fazës 3

Në disa pacientë një aktivitet i tillë – i përshkruar më sipër – përkthehet në një linfoadenopati të përgjithshme që përket me të ashtuquajturën sindromë linfoadenopatike (linfoadenopathic syndrome – LAS). Kjo sindromë karakterizohet nga linfonyje të mbufatura, jo të dhimbshme, të lëvizëshme dhe me konsistencë parenkimatoze.
Prania e virusit shërben, ndër të tjera, si një stimul i mëtejshëm për aktivizimin e imunitetit qelizor. Në këtë mënyrë vendose një qarkull vicioz me zvogëlim të numrit të linfociteve CD4+ funksionalë…

 

Faza 4 – AIDS

Në fazat reminale të “heshtjes” klinike dhe gjatë sëmundjes së konsoliduar, qëndra gjerminative e linfonyjeve është plotësisht e shkatërruar dhe linfonyja humbet aftësinë e sekuestrimit. Në këtë mënyrë viruset dhe agjentë të tjerë patogjen, janë të lirë të derdhen në gjak, duke mos u penguar nga “filtri” i linfonyjeve, ku normalisht veprojnë qelizat imunitare. Në këtë mëynrë, gjatë kësaj faze të infeksionit, në gjak dhe në linfonyje gjenden sasi ekuivalente të ARN-së virale (indikator i përqëndrimit të virusit). Pra, ndodh shkatërrimi i indit linfatik, çka edhe shënjon fillimin e infeksioneve oportuniste dhe mëpastaj vdekjen e pacientit.

Klinika e Fazës 4

ARC – AIDS Related Complex, infeksione të thjehsta si Candidiozë, Herpes Simplex dhe VZV, infeksione dhe neoformacione të shkaktuara nga HPV, etj.
AIDS – infeksione oportuniste si TBC (tuberkulozë) apo Pneumocistozë, neoplazi të veçanta si Sarkoma i Kaposit.

 

Patogjeneza e manifestimeve neurologjike

Efektet tipike të AIDS-it trunor janë të lidhura me heshtjen imunitare, pra supresimin e imunitetit dhe me shfaqjen e neoplazive. Në rastin e parë mekanizmat e dëmit janë të shumtë. Qelizat e infektuara të linjës monocito-makrofagjike, që hyjnë në tru falë molekulave të adezionit si ICAM1 dhe VCAM1, kanë një tropizëm të spikatur për indin trunor për shkak të pranisë së gp120 në citozol. Dëmet që virusi provokon në tru, duket se kanë një mekanizëm jo të drejtëpërdrejtë, të ndërmjetësuar nga: efektet toksike të gp120, neurotoksina të sekretuara nga makrofagët dhe nga neuroglia e infektuar, citokina të prodhuara nga qelizat e infektuara (IFN, TNF) etj.
Manifestimet neurologjike përmirësohen në mëynrë të ndjeshme me terapinë anti-retrovirale, veçanërisht tek fëmijët.

 

Diagnoza

Diagnoza indirekte: Ig, ELISA, Western-Blotting, RIBA.
Diagnoza direkte: PCR.

Terapia

Obiektivi parësor i terapisë kundër virusit HIV është shtypja maksimale e replikimit/shumimit viral. Terapia bazohet mbi përdorimin e ilaçeve prej tre kategorive të ndryshme: NRTI, inhibitorë nukleotidikë të transkriptazës inverse (abacavir, disanosina, lamivudina, stavudina); NNRTI, inhibitorë jo nukleotidikë të transkriptazës inverse (efavirenz, nevirapina); PI, inhibitorë të proteazës.
Në praktikën klinike, kombinimet më të mira janë të pakta; kombinimet më të përdorura janë këto tre:
1 PI + 2NRTI
1 NNRTI + 2 NRTI
3 NRTI

Është treguar se niveli më i ulët i HIV-ARN-së pas terapisë antivirale, përkufizuar si nadir, është tregues për zgjatjen e efektit virologjik.
Tarapia quhet e dështuar kur shfaqet një nga dukuritë e mëposhtëme:
– mungesa e kontrollit adeguat të replikimit viral: mungesë e zvogëlimit të ngarkesës virale në 3 muajtë që pasojnë fillimn e terapisë (> 400 kopje HIV-ARN/ml).
– riaftësim imunologjik i pamjaftueshëm
-progresion klinik i sëmundjes.

 

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

——————————————————————————————————–

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s