Semeiotika abdominale

Semeiotika abdominale

Si fillim lipsen disa koncepte anatomie topografike me anë të cilave të orientohemi në kuptimin e simptomave dhe shenjave.
Në pamjen ballore rajoni abdominal përket me zonën që qëndron apo shtrihet nën diafragmë. Duke përdorur disa linja, jo edhe aq imagjinare, rajoni abdominal mund të ndahet në disa kuadrante.

Kuadrantët abdominalë

Këtu, do të përshkruaj vetëm ndarjen në nëntë (9) kuadrante e cila përftohet nda ndërprerja e katër linjave.
Për këtë nevojitet linja paraqëndrore e cila shtrihet midis linjës së mesme dhe asaj që kalon nga gjëmbi* iliak antero-superior. Në gjysmë-abdomenin e djathtë ndërprerja e kësaj linje me harkun brinjor ndodh në nivelin e kërcit të brinjës së IX dhe identifikon pikën paraqëndrore, që përket me fundin apo bazën e fshikëzës së vrerit.
Nevojiten linjat horizontale transpilorike (ndërpilorike) e cila shtrihet ekzaktësisht midis gropës jugulare (zgjedhore të qafës) dhe pubisit. Në pikën e vetë mesatare identifikon trupin e vertebrës së parë lumbare. Linja transgungëzore, e cila kalon mbi dy gungëzat iliake e në pikën e vetë më të mesme identifikon trupin e vertebrës së pestë lumbare.

Emërtimi i nëntë rajoneve të kuandrantëve abdominalë

Fasha e sipërme përbëhet nga hipokondri i djathtë, epigastri, dhe hipokondri i majtë.
Fasha e mesme përbëhet nga ija e djathtë, mezogastri apo zona rreth-ombelikale dhe ija e majtë.
Fasha e poshtëme përbëhet nga gropa ilake e djathtë, hipogastri dhe gropa iliake e majtë.

Dy ndarje alternative të sipërfaqes abdominale në kuadrante.

Dy ndarje alternative të sipërfaqes abdominale në kuadrante.

Ekzaminimi objektiv i abdomenit

Si për cdo aparat apo organ tjetër, edhe për aparatin tretës apo më mirë të them, abdomenin në përgjithësi (meqë në zgavrën abdominale ndohen edhe organe të tjerë si pankreasi, shpretka, organet gjinore etj), ndiqet sekuenca e inspektimit (hetimit), palpimit (prekjes), perkusionit (goditjes) dhe auskultimit (dëgjimit).

Inspektimi i abdomenit

Gjatë inspektimit të rajonit abdominal duhet të vlerësohen gjendja e lëkurës; për shembull të shihet nëse ekzistojnë vraja apo shenja të lëna nga ndërhyrje të mëparshme kirurgjike, ndryshime të nuancës natyrore të lëkurës etj.
Duhet të shihet nëse ekzistojnë fryrje apo mbufatje jo simetrike apo qoftë edhe simetrike.
Duhet të shihet nëse abdomeni është i fryrë, jashtë normalitetit të subjektit që kemi përballë apo nëse fryrja është pjesë normale e konstitucionit të tij. Të shihet nëse kjo fryrje mund t’i detyrohet meteorizmit apo ndonjë derdhjeje apo akumulimi lëngu në kavitetin peritoneal. Abdomeni që i ngjan barkut të një bretkose (batrakos) me kërthizën të sheshuar apo të nxjerrë jashtë (pra, jo normale) apo prania e qarkullimit hematik kolateral të tipit “caput medusae” janë shenja të një akumulimi lëngjesh në këtë kavitet.
Siç edhe e përmenda më sipër, abdomeni “i fryrë” mund t’i detyrohet edhe shëndetit të subjekt-pacientit, i cili manifestohet kryesisht në rajonin abdominal; në këtë rast kërthiza do të jetë normale, pra e brenda-futur.
Po ashtu një fryrje e abdomenti mund të jetë shenjë e një bllokimi intestinal, pra e bllokimit të zorrëve.

Palpimi (prekja) e abdomenit

Palpimi i rajonit abdominal mund të jetë sipërfaqësor apo i thellë. Palpimi kryhet me pëllëmbën e dorës, e kryesisht me sipërfaqen e brendshme të gishtrinjëve, por duke treguar kujdes për të aplikuar presion në mënyrë uniforme me të gjithë pëllëmbën e jo me majat e gishtave.
Gjatë palpimit eksplorohen sektorët e ndryshëm (kuadrantët abdominalë). Palpimi ka dy qëllime kryesore: së pari lokalizimin e dhimbjeve sponten apo të provokuara dhe lokalizimin e organeve abdominal të eksplorueshëm dhe gjykimin mbi ndonjë zmadhim eventual të këtyre apo praninë e masave brenda-abdominale.
Ndonjëherë palpimi, prekja e abdomenit (barkut) nuk mund të kryhet me lehtësi meqënëse disa subjekte janë veçanërisht të ndjeshëm dhe mund të ushtrojnë rezistencë nëpërmjet tkurrjes së muskujve abdominalë. Ndjeshmëria e subjektit mund t’i detyrohet edhe dhimbjes së shkaktuar nga prekja e ekzaminatorit. Në këto raste thuhet se abdomeni është jo i prekshëm; ky fakt paraqitet edhe në kartelën apo dokumentin e shtrimit të pacientit.

Palpimi i mëlçisë – prekja e mëlçisë

Kur pacienti nuk ka probleme nga mëlçia, pra kur mëlçia është me përmasa fiziologjike, ajo mund të preket vetëm duke e ftuar pacientin të kryejë një frymëmarrje të thellë. Frymëmarrja e thellë me tkurrjen e diafragmës bën që kjo e fundit të zbresë poshtë duke ushtruar presion mbi oranet nën-diafragmatike, e kështu edhe mbi mëlçinë që gjendet në krahun e djathtë, menjëherë nën diafragmë. Si pasojë mëlçia zbret poshtë dhe mund të preeket nga mjeku ekzaminator.
Manovra e përshkruar më sipër mundëson që gjatë prekjes së mëlçisë të perceptohet konsistenca dhe parregullsi eventuale të saj.
Mëlçia, kur ka një konsistencë normale, që përkufzohet si parenkimatoze, i shpëton prekjes; ndërsa rritja e konsistencës hepatike, që është ndër të tjera edhe parametër klinik i një rëndësie të veçantë, bën që mëlçia të perceptohet lehtësisht.
Gjatë palpimit të mëlçisë, skaji i poshtëm ndiqet në të gjithë gjatësinë e tij, deri në kufirin e majtë. Kur jemi përballë një rasti zmadhimi që mëlçisë, pra hepatomegali, për të treguar gradën e zmadhimit përdoret vendosja e gishtave në mënyrë trasversale me harkun brinjor. Për shembull, hepatopatitë kronike të cilat shpesh evoluojnë në cirozë japin hepatomegali.

Palpimi i shpretkës – prekja e shpretkës

Në kushte normale shpretka nuk mund të preket meqënëse është e mbuluar, nga brinjët. Palpimi (bimanual) mund të kryhet vetëm në rast zmadhimi të shpretkës, splenomegali, e ka një rëndësi të madhe semeiologjike meqënëse jep të dhëna mbi konsistencën dhe madhësinë e organit në fjalë.

Perkusioni i abdomenit

Gjatë perkusionit të abdomentit, në përgjithësi dëgjohet një tingull timpanik për shkak të një sasie të vogël ajri të ndodhur në tubin tretës. Timpanizmi është shumë më evident në zonën që përket me projektimin e stomakut në sipërfaqen abdominale – e ashtuquajtura zona gjysmëhënore e Traubes.
Perkusioni i abdomenit kryhet me pacientin që qëndron i shtrirë me shpinë. Goditjet jepen në mënyrë rrezore përgjithësisht duke filluar nga kërthiza e duke vazhduar më pastaj drejt periferisë.

Auskultimi i abdomenit

Ekzaminimi i rajonit abdominal

Ekzaminimi i rajonit abdominal

Gjatë auskultimit të abdomenti mund të dëgjohen zhurmat që i detyrohen aktivitetit peristaltik, të cilat zhduken në rast ileumi paralitik. Po ashtu mund të dëgjohen zhurma vaskulare, fishkëllima që i detyrohen stenozave, për shembull të arteris veshkore apo mezenterike, apo aneurizmave të aortës abdominale.

Rinstinkt Rat, 2014

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————————-

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s