Dhuna televizive shndërrohet në dhunë shoqërore

Dhuna televizive shndërrohet në dhunë shoqërore

Të gjithë lexuesit e mi do të kenë në shtëpitë e tyre nga një nga ato pajisjet në ekranin e të cilave shfaqen pamje. Flas për televizorin; edhe pse kur flitet për televizionin, rrallë herë flitet për pajisjen që emeton imazhe duke dekodifikuar një mesazh elektronik i cili vjen nga emetitori i zonës.

Kryesisht, me televizion kihet parasysh një lloj forme komunikimi e realizuar përmes pamjeve vizive, të organizuara sipas një programi të caktuar. Pra mund ta kuptojmë televizionin si një institucion të jetës moderne. Për më tepër disa e konsiderojnë edhe si një formë pushteti.

Sot do të jap disa informacione mbi disa efekte jo edhe aq të dëshirueshme që televizioni ka mbi njeriun. Po, po! Efekte negative. Sepse sot dihet, dhe është pra e vërtetuar, se televizioni ka një efekt të dëmshëm mbi fëmijët e vegjël dhe adoleshentët. Pra pyetjen, nëse dhe sa efekt negativ ka TV mbi të rinjtë mund ta kapërcejmë e të shkojmë drejtëpërdrejtë në thelpin e problemit.

Dhunë televizive në një debat në Greqi (TV grek)

Dhunë televizive në një debat në Greqi (TV grek)

Shqetësimet mbi efektet negative të shikimit të zgjatur të televizionit filluan “të dilnin mbi ujë” menjëherë pasi filluan transmetimet e para, diku nga viti 1946. ndërsa në vitin 1972 njerëzimi kishte mjaftueshëm prova dhe fakte sa për të thënë se “…dhuna televizive ka një efekt anësor të padëshirueshëm mbi disa anëtarë të shoqërisë sonë” [1].

Pavarësisht provave shkencore njerëzit e thjeshtë, profanët, nuk duket se e kuptojnë mesazhin. Mesazhi është i qartë, televizioni jep një kontribut të madh për ta kthyer shoqërinë në një shoqëri të dhunshme. (Ndonjë do të vë re se herë përdoret termi televizion e herë ai më specifik, dhunë televizive. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh, meqë statistikisht 60% e pamjeve televizive janë pamje të dhunshme [2].)

Po ndodh praktikisht e njëta gjë, i njëti fenomen pervers si edhe me cigaret dhe tymin e duhanit dhe kancerin e mushkërive; edhe pse ekzistojnë prova të pakundërshtueshme për lidhjen shkak pasojë kjo nuk raportohet siç duhet te popullata e gjerë, duke dhënë kështu si përfundim vetëm një mesazh kontroversal. E kjo së pari i detyrohet herë ligësisë e instrumentalizmit të mediave, jo vetëm televizive, dhe herë paaftësisë së njerëzve mirëfilli të medias për të përçuar mesazhe të tilla që nëse nuk përdoret një regjistër specifik i humbasin nuancat e veta, ato që duhet të godasin në veshët e prindërve.

Një nga studimet shkencore më të cituar, e pse jo të përgojuar, është ai i Johnson et al. i botuar në vitin 2002 [3].

Johnson et al. gjetën se shikimi për një kohë të zgjatur i televizionit gjatë adoleshencës dhe pjekurisë së hershme ishte i bashkëlidhur me sjellje agresive të mëpastajme (pra që ndjek shikimin e zgjatur të televizionit).

Të dhënat e studimit të Johnson & co. u mblodhën nga 707 familje që kishin nga një fëmijë mes moshës 1 dhe 10 vjeç, duke i intervistuar për një periudhë 17 vjeçare.

Rritja e agresionit u vëzhgua dhe dokumentua në djelmosha 14 vjeçarë të cilët kishin parë nga 1 në 3 orë televizion çdo ditë, krahasuar me ata që kishin parë më pak se 1 orë televizion në ditë.

Studimi i Johnson dhe co. është një studim i tipit gjatësor (longitudinal). Studimi është i pari i tipit gjatësor që studion(te) bashkëlidhjen mes ekspozimit ndaj TV gjatë adoleshencës dhe dhunës së mëpastajme. Kjo lidhje u tregua jo vetëm tek adoleshentët por edhe tek të pjekurt e rinj, pra individët në post-adoleshencë, duke hedhur poshtë mendimin se dhuna televizive ndikonte vetëm tek fëmijët.

Ndër të tjera studimi i Johnson et al. ka ushtruar kontrolle edhe ndaj disa ndryshoreve të tjera që mendohet se ndikojnë mbi shprehjen e veprimeve të dhunshme. Këto ndryshore ishin: neglixhenca në fëmijëri, dhuna në lagjen e banimit apo edukimi prindëror dhe të ardhurat familjare; studimi i njëkohshëm edhe i këtyre ndryshoreve përjashtoi menjëherë shumë shpjegime të tjera alternative.

Së fundi, studimi i Johnson et al. Është një studim shkencor mjaft i gjerë, që siç e përmenda në fillim përfshinte 707 familje të pyetura mbi zakonet e veta në një periudhë kohore 17 vjeçare, që është një fakt shumë domethënës.

[1] Surgeon General’s Scientific Advisory Committee on Television and Social Behavior, Television and Growing Up: The Impact of Televised Violence U.S. Government Printing Office, Washington, DC, (1972).
[2] National Television Violence Study Center for Communication and Social Policy, University of California, Santa Barbara, CA, (1998).
[3] J. G.Johnson et al.

Jeffrey G. Johnson, Patricia Cohen, Elizabeth M. Smailes, Stephanie Kasen, Judith S. Brook (2002). Television Viewing and Aggressive Behavior During Adolescence and Adulthood Science DOI: 10.1126/science.1062929

Advertisements

Një mendim mbi “Dhuna televizive shndërrohet në dhunë shoqërore

  1. Divulgimi i ketyre artikujve shkencore eshte mjafte i nevojshem per Shqiptaret kudo qe ndodhen. Kosove Shqiperi Maqedoni apo vende te tjera te botes te lire dhe demokratike.
    Femijet duhen mbrojtur nga TV djallezore, te ashtuquajtura progresiste qe na i intoksikojne femijet dhe adoleshentet qe jane berthama e shoqerise se neserme, me imazhe te dhunshme e perversitete nga me te ndryshmet… ne emer te progresizmit

    Ruajini femijet… Konservoni vlerat… Shpirti konservator duhet te veproje qe vlerat dhe personaliteti femijnore te mos tjetersohet!

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s