Morali i nënshtrimit

Morali i nënshtrimit

nga Dashnor Kokonozi

Problemi i masës së fajësisë së administratës së lartë të një regjimi diktatorial nuk shtrohet vetëm për shoqërinë shqiptare. As nuk vërehet që shoqëria shqiptare të japë shenja të një natyre më pak tolerante se ajo e vendeve të tjerë, që kanë përjetuar një të kaluar të afërt po aq të mundimshme. Pa llogaritur procesin e denazistifikimit, në dhjetëvjeçarët e fundit një sërë vendesh të Evropës Lindore e Perëndimore (Spanjë, Portugali), Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine janë ndeshur me të njëjtin problem, edhe pse jo të gjithë kanë kaluar nëpër një diktaturë komuniste. Dhe në të gjitha këto vende është ngritur dhe vazhdon të ngrihet problemi i masës së përgjegjësisë së administratës së lartë të periudhave të errëta të historisë së tyre.

Nëse në Shqipëri funksionarë me një të kaluar më se të dyshimtë vazhdojnë të jenë publikisht dhe politikisht aktivë, edhe njëzet vjet pas shembjes së diktaturës, kjo nuk shpjegohet vetëm me vullnetin e keq të partive politike, që i propozojnë në funksione kyçe të shtetit. Arsyet janë më të thella. Së pari numri i njerëzve të implikuar në veprime kriminale gjatë regjimit komunist duhet të jetë shumë më madh se sa mendohet. Një mundësi tjetër është ajo që formuloi kohët e fundit presidenti i parë i Lituanisë pas komuniste, V. Landsbergis. Ai mendon se në ish vendet komuniste nuk u krijuan kushtet për një proces të ngjashëm me atë të Nurembergut sepse në ato vende komunizmi nuk u mund asnjëherë. Kjo ide nuk është e re, por kurrë nuk është shprehur kaq qartë nga një personalitet i një rangu të tillë.

Në realitetin shqiptar, pa kundërshtuar mundësitë e mësipërme, duket se luan rol edhe një lloj paqartësie dhe mëdyshjeje te një pjese e rëndësishme e shoqërisë për masën e fajësisë së administratës së lartë të aparatit shtypës të diktaturës komuniste, prirja për t’i cilësuar si zbatues të urdhrave të kastës më të lartë të regjimit, faktit që ajo e kishte vënë të gjithë vendit në shërbim të një ideologjie sa utopike aq edhe të aftë të pillte krim shtetëror.

Që ushtrimi i dhunës së skajshme buronte kryesisht prej vetë natyrës së regjimit, te shumë vetë lë të nënkuptohet se roli i individëve mbetet tejet i kufizuar në mundësitë që kishin për të shmangur më të keqen, se edhe po të ishin të ndërgjegjshëm për padrejtësinë e akteve që kryenin dhe pasojën e firmave që hidhnin, kërrkush nuk kishte detyrimin të bëhej hero duke bishtnuar ligjet, urdhrat e vendimet.

Por as vdekja e diktatorit Hoxha, që krijoi matricën brutale të atij regjimi, nuk e përligj gjendjen e krijuar, mosgjetjen e rrugëve për të na ndarë përfundimisht nga e keqja. Është njëlloj sikur të thuash se me vdekjen e S. Milosheviçit Gjykata e Hagës nuk ka më arsye të ekzistojë. Në këto kushte hedhja poshtë e Ligjit të lustracionit (Ligji nr. 10034, “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve) dhe miratimi i një ligji që kufizohet me ngritjen e një Instituti Kujtese, vetëm se përforcon idenë e mësipërme, pra paqartësinë e përgjithshme që kemi për implikimin në krim të shumë ish funksionarëve të aparatit të dhunës së regjimit komunist.

Në të vërtetë askush nuk ka harruar se në rrjedhë të dhjetëvjeçarëve nën diktaturë ishte normale të shihnim të shndërrohen në kriminelë e vrasës të ligjshëm jo vetëm urdhërdhënësit, por edhe njerëz krejt të zakonshëm, nëpunës të përpiktë, etër të cilëve nuk u mungonte dhembshuria për të afërmit e tyre. Ajo që ndodhte në mbledhjet e hapura apo të mbyllura, në të cilat pjesëmarrësit kërkonin me histeri kryqëzimin e atyre që kishin rënë preh e mërisë së diktatorit (mbledhje, që thelb nuk ndryshojnë nga ritualet kabalistikë të Mesjetës), dikur tregohej gojë më gojë pa shkaktuar emocione të veçanta. Funksionarë të lartë apo anëtarë të thjeshtë forumesh, që sapo kishin votuar për shkatërrimin e dikujt, ndalonin në dyqanin më të afërt të blinin diçka për fëmijët e tyre pa u merakosur për ata fëmijë që kishin lënë jetime e që i priste edhe kalvari i tmerrshëm i internimeve. Shkurt, edhe në Shqipërinë komuniste ndodhi ajo që Hannah Arendt e ka cilësuar si të mësuarit (ambientimi) me të keqen, gjykimi i së keqes si diçka të zakonshme, rëndomtësia, (ordinariteti) dhe bashkëjetesa me krimin në jetën e përditshme.

Është fjala për një ide që bëri histori dhe që sundoi pothuaj për katër dhjetëvjeçarë shkencat sociale dhe politike. Dua të pandeh se thelbi i saj është pak a shumë i njohur për të gjithë. Vetë termi rëndomtësi e së keqes, është nëntitulli i librit që H. Arendt i kushtoi procesit të A. Eichmannit (funksionarit nazist i ngarkuar me transportin e çifutëve drejt kampeve të përqendrimit dhe shfarosjes gjatë L2B), i cili më 1960, në saje të një operacioni të shërbimeve të fshehta izraelite u suall për gjykim nga Argjentina në Izrael.

Arendt, që ndërkohë kishte marrë qytetarinë amerikane, e ndoqi gjykimin e Eichmann-it për hesap të gazetës New York Times. Gjatë procesit, funksionari i lartë nazist nuk reshti së përsërituri se ai “ishte një nëpunës që kishte zbatuar urdhrat”. Duke e vëzhguar tek fliste, filozofes Arendt iu duk se te ai ishte e huaj ndjenja e antisemitizmit dhe se ideologjia naziste nuk e kishte shndërruar atë në një individ të rrjedhur mendërisht, të paaftë të arsyetonte. Në këto kushte ajo shkroi se shtazëria e një regjimi, mund të mbështetet fare mirë edhe te puna e zakonshme e funksionarëve të zellshëm, që zbatojnë me përpikëri urdhrat.

Rëndësia e të kuptuarit të këtij procesi psikologjik duket se ka shtyrë mjaft mendimtarë të shquar të këtij shekulli që jo vetëm të reflektojnë po edhe të eksperimentojnë gjatë për të njohur sjelljen e njeriut nën diktaturë, marrëdhënieve që krijohen midis funksionarëve të një instance të caktuar dhe urdhërdhënësve që drejtojnë punën e tyre, midis vullnetit të diktatorëve a të aparatit totalitar dhe masës së implikimit të ekzekutuesve në zbatimin e vullnetit të tyre.

Siç është e njohur, ideja e funksionarit të nënshtruar u mbështet rreth dy vjet më vonë (1964) nga psikologu amerikan S. Milgram në një eksperiment që edhe sot cilësohet si më i famshmi në historinë e shkencave psikologjike (Nënshtrimi ndaj autoritetit). Është fjala për detyrën që ai u ngarkoi disa vullnetarëve, për të lëshuar sasi të caktuara rryme elektrike, mbi disa individëve të tjerë, të lidhur në karrige, në se këta të fundit nuk jepnin përgjigje të sakta për pyetjet që u bëheshin. Si të parëve ashtu edhe të dytëve u ishte shpjeguar se bëhej fjalë për një eksperiment shkencor. Megjithatë kjo nuk i pengoi të parët të lëshonin sasi vdekjeprurëse rryme elektrike (natyrisht pa dijeninë e tyre ishin marrë masa që aparatet të tregonin sasi të larta rryme në rritje, por kjo të mos ndodhte realisht) mbi të dytët, thjesht sepse një gjë të tillë ua kërkonin drejtuesit e eksperimentit. Ata ishin të bindur se po ndihmonin në zhvillimin e shkencës…

Përfundimi ishte mjaft domethënës: njerëzit mund të kryejnë akte të dhunshme edhe pa qenë të shtyrë nga urrejtja. Mjafton të kenë bindjen se po zbatojnë një urdhër. Disa vite më pas të njëjtat përfundime duket se u konfirmuan edhe nga eksperimenti i psikologut Ph. Zimbardo, i njohur me emrin Standford prison experiment. Ai u kërkoi një numri studentësh të mbylleshin në bodrumin e një ndërtese, duke u dhënë edhe detyra të veçanta; ndërkohë që disave u kërkoi të luanin rolin e të burgosurve të tjerët i veshi me uniformë dhe u kërkoi të bënin gardianin. Brenda javës “gardianët” me uniformë nisën të ushtrojnë një dhunë e terror të paimagjinueshëm ndaj “të burgosurve”, sa Zimbardo u shtrëngua të ndërpresë eksperimentin. Edhe me aq, provat ishin të gjitha aty: mjaftoi që të vishnin një uniformë e të ndodheshin në një mjedis të pazakonshëm, që edhe disa studentë simpatikë të shndërroheshin në torturues të pamëshirshëm.

Pra edhe një herë dukej se gjithçka shpinte ujë në tezën e filozofes H. Arendt. Por pavarësisht nga përfundimet e këtyre eksperimenteve, që kanë patur jehonë të madhe në fushën e shkencave sociale e politike, kërkimet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Kohët e fundit m’u duk me interes një studim përmbledhës i J.F. Dortier, i cili flet për një seri përfundimesh të reja, të cilat e vënë fort në dyshim tezën e mësipërme të H. Arendt-it. Ai përmend botimet e historianëve anglezë të tillë si D. Cesarini, i cili duke rishqyrtuar në mënyrë të imët biografinë e A. Eichmann-it (2006) arrin në përfundimin se pavarësisht nga ajo që thoshte, funksionari nazist ishte një antisemit i njohur, që kishte marrë iniciativa të cilat shkonin përtej zbatimit të thjeshtë të urdhrave. Imazhi i nëpunësit të rëndomtë që zbatonte urdhrat ishte vetëm një vijë strategjike mbrojtjeje në gjyq. Dhe H. Arendt kishte rënë në grackën e tij. Dortier thotë nga ana e tij se mbase ajo i nxori pak si shpejt përfundimet e veta sepse ato i lejonin të formulonte një tezë të rëndësishme: Sistemet diktatoriale jetojnë nga pasiviteti i njerëzve të zakonshëm, ide që ka plot të vërteta brenda, por një numër gjithnjë në rritje studiuesish janë të mendimit se që regjimet shtypëse dhe totalitare të qëndrojnë në këmbë kërkohet edhe diçka tjetër veç nënshtrimit pa kushte. Kërkohet që aradha e nëpunësve të ngarkuar për kryerjen e punëve të ndyra të ndjejë detyrim moral e politik për zbatimin e misionit në fjalë. Të bindurit nuk mjafton thotë historiania L. Rees, është ideologjia që kanë përqafuar dhe mbrojnë ajo që i bën aktivë këta njerëz, që motivon militantizmin e tyre për të mbajtur në këmbë diktaturat.

Dhe një proces i tillë ngjan të ketë ndodhur si pikat e ujit në të gjitha regjimet diktatoriale. André Glucksman është një nga filozofët më të njohur të ditëve tona që i ka kushtuar studime të gjata pikave të përbashkëta të ideologjisë fashist e dhe asaj komuniste dhe që në fund të fundit nuk gjen shumë ndryshime midis tyre. Te libri Kuzhinierja dhe njeringrënësi, refleksione mbi shtetin, marksizmin dhe kampet e përqendrimit (1975), libër që pati një jehonë të jashtëzakonshme, ai përpunon tezën se edhe diktaturat e modelit marksist në kuadrin e luftës së klasave, pillnin klasën e tyre sunduese që ishte Nomenklatura. Si i tillë (për interesat e saj) marksizmi nuk prodhonte vetëm paradokse shkencore, por edhe kampe përqendrimi, sikundër nazizmi.
Krimet e komunizmit në Shqipëri, që të nesërmen e përfundimit të L2B në asnjë rast nuk del që të jenë kryer nga individë të sëmurë mendërisht, nga hordhi njerëzish të egjër. E veçanta kryesore e autorëve të tyre ka qenë motivimi politik. Por, këtu do të shtonim se për t’i kryer më me lehtësi krimet ata kishin nevojë të ndiheshin të ndryshëm nga viktimat e tyre.

Ndërkohë për të gjithë është e njohur se ndërsa nazistët kishin urrejtje raciale për çifutët, i cilësonin ata “të ndryshëm”, dhe kjo e legjitimonte dhunën ndaj tyre, në një vend komunist si Shqipëria në sytë e përfaqësuesve të regjimit “çifutët” ishin armiqtë e klasës. Ata shiheshin si një shtrese e huaj, kontaminuese, e rrezikshme. Kjo mënyrë stigmatizmi ndihmonte në shndërrimin e një pjese të mirë të funksionarëve partiakë dhe të aparatit të dhunës në një koloni tepër virulente. Aktet që ata kryenin duhen parë edhe si shenja besnikërie e nënshtrimi nga klanit politik në fuqi. Për pasojë mizoritë mbi ata “që ishin kundër nesh” mbi “të ndryshmit” kryheshin gati me ekstazën e një riti fetar, që e afronte kriminelin me instancën sipërore me diktatorin dhe moralin e tij.

Dhe më e keqja ishte se në një regjim të tillë askush nuk gëzonte imunitet të veçantë që ta mbronte nga damkosja si “armik”. Nëse një gjermani të dyshuar a dikujt tjetër nën okupacionin nazist i mjaftonte të gjente një certifikatë për të provuar origjinën jo çifute, në Shqipërinë komuniste nuk njihet as edhe një rast që një individ i cilësuar si armik klase t’i ketë shpëtuar ndëshkimit. Megjithëse E. Hoxha akuzoi midis të tjerësh K. Xoxen se “fshehurazi Partisë” kishte dënuar njerëz të pafajshëm, nuk njihet ende emri i ndonjërit prej këtyre të fundit që të jetë rehabilituar pas pushkatimit të Xoxes.

Që në çastin kur një grup njerëzish nuk cilësohet më se bën pjesë te “ne”, thotë psikologu H. Ëelzer (Ekzekutuesit, 2007), gjithçka (çdo mizori) bëhet e mundur.

Këtë e dëshmon më së miri edhe historia e re e Shqipërisë ku u shqiptua një numër tejet i jashtëzakonshëm ndëshkimesh, internimesh, ku u shkatërruan mijëra vatra familjare dhe u kryen një numër i madh ndëshkimesh dhe vrasjesh arbitrare. Dhe të gjitha këto në shpërpjesëtim të plotë me “fajet”. Prej këtu vjen përfundimi se militantizmi i ekzekutuesve kishte përparësi edhe ndaj vetë ligjeve të epokës. Ligjet në sirtar dhe veprat e shokut Enver mbi tavolinë, citohet të ketë thënë një nga krerët e Gjykatës së Lartë. Më tej, paradoksalisht, shumë gjëra kuptohen edhe nga ai fenomen që shpesh herë cilësohet si luftë brenda llojit; shkurt ndëshkimi i elementëve të nomenklaturës së larë.

Nuk do të kishte aspak vlerë të kërkosh ndëshkimin e udhëheqësve të kohës për instalimin e regjimit komunist në vend. Duhet pranuar se një pjesë e madhe të shqiptarëve, fatkeqësisht ishin për një zgjidhje të tillë, por fakti që një numër funksionarësh të lartë të nomenklaturës, me kohë, u ndëshkuan politikisht është një material që vjen së brendshmi dhe që në mënyrën e vet delegjitimon vetë regjimin. Në thelb, për të mos patur shumë iluzione, duhet thënë se kemi të bëjmë me një grup jo të vogël individësh, që ishin për sistemin por që në rrethana të caktuara nuk miratonin mjetet që përdorte ai, është fjala për individë (natyrisht jo të gjithë mund të klasifikohen si të tillë), që nuk i kishte zënë hipnoza, që nuk ishin prekur thellë nga virusi i histerisë politike, ose që në rrethana të caktuara kishin mundur të dilnin prej saj pa modifikime të pakthyeshme të personalitetit.

Kjo përforcon mendimin se ekzekutori tip i regjimit nuk është thjesht ai nëpunësi te i cili vepronte sindroma e nënshtrimit, por një “i nënshtruar” i vullnetshëm që rregullonte hesapet e veta nëpërmjet krimeve që kryente, një funksionar të cilit i përvëlonte nën lëkurë pasioni për të interpretuar gjithçka në funksion të mbijetesës së kastës së regjimit, me të cilin ishte lidhur kordoni tij ombilikal. Është fjala për ata funksionarë që organizonin futjen fshehurazi të armëve në kisha, të funksionarëve që u dukej krejt normale të urdhëronin arrestimin e një grupi të rinjsh në afërsi të Kombinatit të Tekstileve në Tiranë dhe i akuzonin për tentativë arratisjeje, të atij partiakut që vendoste për dënimin me vdekje të dikujt ende pa filluar gjykimi, të atij që merrte iniciativa të pushkatonte pa gjyq, i sigurt se ky ishte vullneti i eprorëve të tij, i gjykatësit të lartë, logjika e të cilit dhunon vetë arsyen njerëzore me përligjjen që i bën edhe sot pushkatimit e varjes së intelektualëve krejtësisht të pafajshëm.

Ky tip funksionari, nëpërmjet zellit të tepruar, overdozës së urrejtjes dhe epshmërisë për të interpretuar ligjin tej kufijve juridikë, kërkonte të tregohej i ndryshëm edhe nga vetë kolegët e tij. Ai kishte nevojë të ndihej pjesë e një komuniteti tjetër, e një komuniteti më pranë majës së piramidës, për pasojë më i mbrojtur, me mundësi më të mëdha për të trashëguar tiparet e gjeneve të tij. Psikologë të ndryshëm (A. Haslam, S. Reicher) vënë në dukje gjendjen e vazhdueshme të kërcënimit që ndjejnë këta individë në çastin e ushtrimit të dhunës. Të tjerë flasin edhe për natyra sadomazokiste, pra për njerëz që kanë nevojë të ndjejnë dhunën e autoritetit që kanë mbi vete, por në të njëjtën kohë, ekstazohen kur ushtrojnë dhunë mbi atë që kanë nën vete. Kjo tregon se nuk jemi fort larg idesë se kjo kategori njerëzish përfaqëson njerëzit më të thyeshëm, individët me moral më të dyshimtë edhe të Shqipërisë së asaj kohe.
Por nëse kjo e fundit mbetet çështje e tyre e brendshme, realiteti shqiptar ngjan si i devijuar e i dale krejt shinash tek nuk gjen vullnetin e duhur politik të hedhë tej moralin e tyre. Para një gjendjeje të tillë nuk mund të mos i japësh të drejtë Ardian Vehbiut kur thotë se një shoqëri që e mban krimin e djeshëm të ndrydhur në pavetëdije është shoqëri e sëmurë, shoqëri neurotike, shoqëri që vazhdon të vuajë pasojat e krimit të djeshëm e që nuk gjen dot në vetvete energji për t’ia kushtuar së sotmes.

[Burimi: Revista MAPO]

Advertisements

Një mendim mbi “Morali i nënshtrimit

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s