Dy kulturat, dhe një paralele e sforcuar mes rastit italian dhe atij shqiptar

Dy kulturat, dhe një paralele e sforcuar mes rastit italian dhe atij shqiptar

[Shkrimi është botuar më parë, si koment, këtu: Bursa e Diplomave]

Të them të vërtetën po e ndiqja me shumë interes këtë shkrim, dmth komentet që do të  (po) ndiqnin shkrimin e Pishakut.

Për më tepër që, të paktën mua personalisht, nuk mund kurrsesi të më shpëtonte një shprehje si kjo “Për këtë mbetet e domosdoshme kultura e përgjithshme, por edhe gjuha si mjet shprehjeje.”. Unë e shoh të sforcuar një shprehje të tillë, ku termi kulturë uzurpohet nga kultura thjeshtë e vetëm humaniste, për të mos thënë vetëm letrare apo filozofike, (kjo e fundit aq më tepër e një lloji të caktuar)…
Pa dashur ta zgjas shumë, duket se vazhdohet kokëfortësisht të lihet jashtë kulturës së përgjithshme, kultura shkencore. Kjo ndodh jo aq me eksponentët e lartë, të moderuar sesa me disa qarqe të caktuara që ecin me inerci dhe pa sens kritik. Dua të them, dhe jam i bindur, sikundër shumë të tjerë, se ka ardhur koha që kultura e përgjithshme, edhe në konceptimin e profanit të ketë të brendatrupëzuar kulturën shkencore.

Nuk e kam me shkrimin e Pishakut, aspak, sepse ngre një shqetësim që duhet medoemos të ekzistojë, por e kam me frymën e përgjithshme, apo forma mentis-in që mbizotëron në masat e gjëra.

C. P. Snow – The two cultures (Dy kulturat)

Dua të përmend këtu, jo aq për mbështetje sesa për ilustrim, esenë apo sprovën e C.P.Snow (The two cultures) të shkruar këtu e një gjysmë shekulli më parë. Snow, padyshim një shtyllë e konsoliduar e kulturës së kohës dhe një mendimtar që ka hedhur, mendoj, i pari shikimin drejt një kricjeje, sipas tij, asokohe, të pashmengshme mes dy kulturave… nëse nuk ndërhyej në mënyrë të rrufeshme. Ai apelin e vet ai drejtonte vendit të tij, Anglisë, duke kritikuar sistemin mësimor anglez, gjatë krahasimit të këtij me atë amrikan dhe rus.

Snow, i cili nuk besoj se do të ketë mirësinë të akuzohet nga askush si i pakulturuar, meqë edhe ai vet shkruante libra, sadoqë ishte fizikant, apelonte për më shumë kulturë shkencore.  Kjo sepse zhvillimi i Anglisë kishte nevojë pikërisht për këtë…

Dhe shtronte pyetjen, bazuar në eksperiencën e vet: se sa nga humanistët do të dinin të përshkruanin ligjin e dytë të termodinamikës, që, thotë Snow, do të ishte ekuivalenti i të lexuarit të një vepre të Shekspirit.

Në fakt, Snow, duke parë turinjtë e shtrembëruar të shokëve të vetë humanistë, që ironikisht e quanin (quajnë) veten zotërues të kulturës, së përgjithshme, pra në mungesë të përgjigjes, e ul pak stekën, dhe pyet: Sa nga ju do të dinin të përkufizonin “masën” apo “përshpejtimin”? E kotë të them, thotë Snow, se përgjigjia ishte sërisht negative. Dhe kjo është ekuivalenti i alfabetizimit shkencor, të paktën në fushën e fizikës.

Jam totalisht dakord se shoqërisë i duhen individë me sens kritik; të tillë i janë dashur ngahera. Por nuk kuptoj se si letërsia apo lëndët humaniste mund të shërbejnë si humus dhe stimul për sensin kritik apo të përgjegjësisë. Këtë e them duke patur ndërmend, subjektivitetin e skajshëm të letërsisë, e aq më tepër të njëfarëlloj filozofie.

Dua të kujtoj këtu, frymën dhe interpretimin tendencioz që u bëhet rezultateve të zbulimeve shkencore. Dua ta lidh për një moment me temën tjetër që ka hapur xhaxhai (I DUAM, NA DUAN). Do të heq nja dy paralele mes kulturës italiane të shekullit të shkuar dhe asaj që mbizotëronte gjatë diktaturës komuniste shqiptare, dhe nxjerr ende sot kokën hera herës.

Italia ka vuajtur dhe vuan ende sot nga trashëgimia e hidhur e filozofëve si Kroçe. Gangrena e Shqipërisë ka qenë marksizmi, apo le të themi tentativat e të kuptuarit të tij, dhe iracioalizmi i kupolës komuniste.

Italinë madhështore dhe Shqipërinë diktatoriale  i lidh një traditë e fortë, pothuaj anti shkencore, që ushqehej me paradokse, keqkuptime, dhe salltro absurde pozicionesh.

Shqipëria diktatoriale pavarësisht implementimit të disa  teknikave të reja elementare, nuk kishte asgjë shkencore as në sistemin e vet arsimor e as në frymën e përgjithshme që mbizotëronte në vend.

Sadoqë trumpetohej si shtet ateist, aty nuk kishte asgjë prej shpirtit ateist të mirëfilltë. Ekzistonte një ateizëm fals, në disa raste ateizëm militant, shkatërrimtar, ku zoti ishte zëvendësuar nga Partia dhe një drejtues, do të thoja, me probbleme mendore padyshim.

Nga ana tjetër Kroçe, që modeloi gjithë rrugëtimin e kulturës italiane  të viteve ‘900. Aktiviteti i tij, interpretimi i tij gjysmak, luajti rolin e një guri varri për autonominë e kërkimit shkencor italian, që në kohën për të cilën flas, ishte pjesë e një vendi ende të ri dhe të papregatitur. Sipas Kroçes, pamja naturalistike- evolucionare jo vetëm që nuk e gjallëron intelektin, por edhe ngurtëson shpirtin e njeiut etj. duke shkuar e mistifikuar edhe mbi evolucionin dhe interpretimin  e tij, pa patur të qarta as konceptet më elementare.

Sikur të kishim patur më shumë kulturë shkencore, më shumë kulturë të korrektësisë, të empiricizmit, të objektivitetit, kritike, mendoj, madje jam  i bindur, se nuk do të kishim vuajtur aq gjatë nën gangrenën komuniste.

E vërtetë që nën diktaturë kemi patur pak Darvin, por nga ana tjetër si një forcë, një frymë asgësuese ekzistonte (sikundër në simotrën e kësaj paraleleje, Italinë) marksizën-(katolicizëm)-iracionalizmi post-fashist…

Sikur të kishim patur me të vërtetë empiricizëm dhe rreptësi objektive, shkencë të vërtetë dhe llogjikë shkencore, nuk do të ishim sot një popull supersticioz, antishkenccor, seksist, homofob, populist, anti-human që mohon edhe masakrat dhe gjëmat e komunizmit shqiptar.

Them pra, se bëhet shumë gabim, të ngatërrohet kultura e njohjes dhe e gjykimit të saktë, ajo e bazuara në fakte, në objektivizëm, me sharlatanizmin e diktaturës pseudo-ateiste që kërcente sa andej-këndej, në varësi të ëndrrave dhe psikikës së udhëheqësit dhe shpurës së tij.

Advertisements

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s