Dyzet vjet pas revoltës së Spaçit – Agim Musta

Dyzet vjet pas revoltës së Spaçit – Agim Musta*

Kampi i Spaçit u ndërtua nga të burgosurit ordinerë në fillim të vitit 1968. Kampi ishte ndërtuar në gropë, në një shpat mali të zhveshur, rrethuar nga të gjitha anët me male, ku shikohej vetëm një kupë qielli. Fillimisht, si kapanonë fjetjeje shërbenin disa baraka të vjetra të ndërmarrjes së gjeologjisë, ndërtuar në vitin 1953. Të burgosurit e parë politikë që u dërguan për të punuar në galeritë e Spaçit, në maj të vitit 1968, për të nxjerrë nga thellësia e tokës bakër dhe pirit, ishin nga kampi-burg i Elbasanit, që punuan dhe ndërtuan fabrikën e çimentos. Ata u pritën me thirrje në kor: “Ja u bëmë varrin! Ja u bëmë varrin!” nga të burgosurit ordinerë, që vazhdonin të rrethonin kampin e punës me tel me gjemba dhe truproja.
Sigurisht, atyre mjeranëve ua kishin mësuar parullën oficerët e Sigurimit, dikasteri i të cilëve e kishte projektuar Spaçin si “varri i armiqve të partisë dhe të popullit”. Të burgosurit, që në fillim ishin 600 veta, punonin me tri turne, me mjete primitive dhe pa asnjë masë të sigurimit teknik. Për 3 muaj të vitit atje zotëronte bora dhe akulli. Temperatura në dimër zbriste deri në 15 C. Në acarin e dimrit, të burgosurit që nuk realizonin normën, i lidhnin nëpër shtylla me kavo çeliku, duke i mbuluar me borë dhe akull gjersa humbisnin ndjenjat. Kushtet higjieno-sanitare në kampin e Spaçit ishin të vajtueshme. Të burgosurit që kundërshtonin urdhrat e gardianëve rriheshin barbarisht. Një torturë tjetër që ushtrohej mbi të burgosurit e Spaçit për çdo ditë ishte qëndrimi në këmbë me orë të tëra, me pretekst numërimi. Kështu orari ditor i punës arrinte nga 8 deri në 10-11 orë. Kur iu drejtoheshin të burgosurve, gardianët dhe oficerët e kampit e kishin në  majë të gjuhës thënien: “Nga Spaçi s’keni për të dalë as të gjallë, as të vdekur”. (Kufomat e të burgosurve që vdisnin pa mbaruar dënimin, nuk u jepeshin familjarëve). Birucat e kampit ishin gjithmonë plot me të dënuar për shkaqe nga më absurdet. Ata mbaheshin atje deri në një muaj me bukë thatë dhe vetëm një batanije. Para se të ndodhte revolta e 23 majit 1973, të burgosurit e Spaçit i ishin drejtuar shumë herë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe organeve të larta të Partisë-shtet, për ndalimin e dhunës pa shkak që ushtrohej mbi ta. Kërkesat e tyre binin në vesh të shurdhër dhe dhuna vazhdonte të ushtrohej si më parë.
Fillimi i revoltës së Spaçit nisi pikërisht me shpërthimin e birucave nga i burgosuri guximtar Hulësi Pashollari. Ai mundi të lironte 12 të burgosur që vuanin dënimin pas asnjë shkak ose motiv serioz, pikërisht më 21 maj 1973. Atje filloi dhe përleshja me rojet e brendshme të kampit, të cilët u zmbrapsën para turmës së revoltuar të të dënuarve dhe më pas revolta u zhvendos jashtë kampit. Ambientet e brendshme ranë në duart e të burgosurve. Revolta shpërtheu si një erupsion vullkanik. Ishte kulmi i protestës së të burgosurve për shkeljen më të rëndë të të drejtave njerëzore, marrjen nëpër këmbë në mënyrë çnjerëzore të dinjitetit njerëzor, ishte revoltë për torturat dhe skamjen në kufijtë e vdekjes. Puna e detyruar skllavëruese dhe dhuna e përditshme që ushtrohej mbi të dënuarit e kishin çuar në kockë thikën e diktaturës së proletariatit. Nuk durohej më. Edhe më të frikësuarit nga terrori u bënë trima dhe u hodhën në ballë të turmës së revoltuar. Më mirë një vdekje e menjëhershme, sesa një torturë pa fund, kampi gjëmonte nga thirrjet dhe krismat për liri: “Rroftë liria, poshtë komunizmi, poshtë diktatura”.
Në qendër të kampit u valëvit flamuri kuq e zi me përkrenaren e Skënderbeut, pa yllin komunist, e para herë në Shqipëri pas instalimit të diktaturës. Byroja Politike u zu në befasi nga kjo revoltë e padëgjuar dhe e pamenduar se mund të trondiste themelet e terrorit komunist. Dy net e tri ditë të burgosurit bënë një rezistencë heroike, luftuan me krenari e dinjitet për të rrëzuar telat e gjembave dhe hekurat e burgut. Byroja Politike dha urdhër që revolta të shtypej sa më parë dhe me çdo mjet. Më 23 maj të vitit 1973 qindra forca speciale dhe efektivë të policisë u vërsulën si kafshë të tërbuara brenda kampit duke rrahur e goditur çnjerëzisht të burgosurit e rraskapitur nga beteja për liri. Ata ishin të pangrënë e të rrënuar nga goditjet fizike. Rezistenca u shtyp egërsisht me bilanc tronditës, u dënuan me vdekje katër të burgosur: Hajri Pasha, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja. Ata u ekzekutuan brenda pak ditëve, ndërsa 111 të burgosur të tjerë u dërguan në hetuesinë qendrore në Tiranë, ku iu bënë tortura dhe hetuesi me mjete nga më të dhunshmet. Terrori kishte rilindur edhe më i ashpër se para revoltës. Ata u nxorën në një gjyq të inskenuar në Rrëshen dhe u ridënuan me 1700 vjet burg.
Ky ishte fundi fatal i revoltës së Spaçit, por jo i shpirtit të saj. Ideali dhe fryma e shenjtë e luftës për liri mbajti gjallë me mijëra mendje e zemra të të burgosurve politike në Spaç, Burrel, Qafë-Bar, Tiranë e në të gjithë Shqipërinë. Revolta ka hyrë në analet e historisë sonë kombëtare si revolta më e madhe në historinë e burgjeve dhe kampeve me punë të detyruar në Shqipëri gjatë regjimit komunist. Por hulumtimet dhe studimet e kryera në këtë disiplinë e shënojnë revoltën e Spaçit si revoltën më historike në ish-vendet komuniste të Europës Lindore që i dha jehonë jo vetëm Burgut të Spaçit, por gjithë Shqipërisë si vend me vetëdije të lartë kombëtare, me besim të thellë te vlerat e lirisë dhe parimeve njerëzore. Por fatkeqësisht diktatura komuniste në Shqipëri ishte më dramatikja dhe ndër më jetëgjatat, që solli pasoja të paimagjinueshme për rrënimin dhe humbjet e mijëra viteve jetë të pafajshme nga kalvaret e pafundme të burgjeve dhe internimeve.
Pas revoltës dhuna dhe terrori në Burgun e Spaçit u thelluan edhe më tepër. Gjashtë vite pas revoltës, në Spaç u inskenua një tjetër gjyq makabër, u dënuan me vdekje intelektualët Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Xhelal Koprencka. Burgu-minierë i Spaçit vazhdoi të mbahej në këmbë nga komunistët dhe për afro çerek shekulli. Ai ka hyrë në histori si burgu më rrëqethës për të burgosurit politikë dhe familjarët e të afërmit e tyre. Por jehona bëmëkeqe e burgut mbante pezull dhe zemrat e shqiptarëve, të cilët edhe pse jashtë kangjellave, e vuanin privimin e lirisë pak më egër se vetë të burgosurit politikë.
Bilanci i Burgut të Spaçit, me dhjetëra të burgosur të ekzekutuar, të vrarë në minierë, të torturuar çnjerëzisht dhe të mbajtur vazhdimisht në gjendje urie, është një thirrje shtesë për meaculpan e vonuar të byroistëve që jetojnë dhe pasardhësve të tyre që duan ta mbajnë gjallë frymën e diktaturës. Sot Shqipëria e lirë, demokratike, anëtare në NATO, është amaneti i çuar në vend për luftëtarët e lirisë në Burgun e Spaçit dhe në dhjetëra burgje e kampe pune e internimi shqiptare.
Nga ana tjetër, një homazh i përjetshëm nderimi, i merituar për ta dhe të gjithë të burgosurit e të persekutuarit politikë, do të ishte ndërtimi i Burgut muze në Spaç dhe Burrel. Kurrë nuk është vonë për të vënë tullat e ndërtesës simbol të kujtesës historike.

*Historian, i burgosur politik, bashkëvuajtës në Spaç

(Burimi: Gazeta Panorama)

————————————————————————

Advertisements

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s