Korrupsioni, paria keqqeverisëse dhe marria kolektive – Grid Rroji

Një sondazh ndërkombëtar i organizatës amerikane Pju Risërç (Pew Research) tregon se 90 % të shqiptarëve ndjehen shumë apo mjaftueshmërisht të shqetësuar nga korrupsioni në vend. Shifra është alarmante dhe kjo duhet të ishte një nga temat më të nxehta të fushatës zgjedhore e cila ka hyrë në fazën e vet më intensive. Por klanet e parisë së Tiranës e kanë injoruar krejtësisht këtë sondazh dhe e kanë dënuar me heshtje. As qeveria e as opozita nuk e kanë përmendur sondazhin dhe gjasat janë që edhe po e përdorën në të ardhmen e afërt do t’a instrumentalizojnë për qëllime të ngushta përfitimi politik.

Sakaq, në një vend normal demokratik, të injorosh një problem që shqetëson fort shumicën dërrmuese të qytetarëve është e pakonceptueshme. Në një vend normal demokratik shqetësimet e qytetarëve kanë përparësi tërësore për politikën. Mirëpo në oligarkinë hajnore të Shqipërisë, paria nuk dëshiron qeverisjen e mirë për shkak se kërkon të shfrytëzojë me çdo kusht pushtetin për pasurim personal. Përplasja zgjedhore edhe në këtë fushatë i shërben luftës së tyre për zotërimin e të mirave publike që garanton kontrolli i shtetit, por nuk synon arritjen e së mirës publike. Ndaj, dhe palët do të vazhdojnë t’a injorojnë shqetësimin e qytetarëve të vet.

Qeveria ka kohë që e ka gjetur armën retorike kundër  sondazheve të perceptimit të korrupsionit. Propagandistët e saj përsërisin ad nauseam se “kjo është çështje perceptimi dhe nuk përfaqëson realitetin”. Mirëpo një perceptim i 90% të shqiptarëve është statistikisht i rëndësishëm sepse shpreh ndjesitë dhe eksperiencat e shumicës së stërmadhe të shqiptarëve. Gjithashtu,  Shqipëria është vend i vogël dhe në shumicën e rasteve populli e di se sa dhe si vjedhin qeveritarët. Askush nuk ka nevojë për sondazhe perceptimi për të parë se si dhe ku vjedhin qeveritarët e sotëm dhe familjarët e tyre, si dhe cilat klane kriminale i mbështesin apo sa vila kanë ndërtuar gjatë viteve në pushtet. Siç jam shprehur më parë, qeveria e “duarve të pastra” u shndërrua në “kopenë me putra të mëdha”. Pra qeveria nuk mundet t’a bëjë kauzë korrupsionin përveçse kur akuzon qeveritarët socialistë se ata vidhnin më shumë.

Nga ana tjetër, opozita nuk e ka bërë kauzë korrupsionin për dy arsye. E para sepse një pjesë e madhe e funksionarëve të lartë të saj janë të akuzuar për korrupsion si gjatë qeverisjes Nano ashtu edhe gjatë drejtimit të Bashkisë së Tiranës nga Rama. Ata e dinë se kundërshtarët e tyre politikë do t’jua përmendin bëmat dhe loja shndërrohet kush është më pak i pistë se tjetri. Sikurse, ithtarët e Ramës kanë pritur me durim pushtetin tetë vjet në opozitë. Tani ata nuk dëshirojnë që të kenë kalë beteje korrupsionin kur mezi po presin të zëvendësojnë të korruptuarit e PD-së në poste ku mund të sigurohet jeta e stërnipërve. Ndaj, në vend që opozita të merret seriozisht me fenomenin, lufta kundër korrupsionit reduktohet qëllimisht në luftë personale kundër Berishës dhe familjes së tij. Ndonëse ka shumë fakte mbi lidhjet e tyre  ekonomike dhe kriminale, fenomeni i korrupsionit përfshin shumë më tepër se sa fëmijët e Berishës. Po ashtu, shqiptarët e kanë të vështirë të besojnë se kryebashkiaku Rama “kursen” vetëm treqind dollarë në vit. Kësisoj, opozita bën sikur denoncon, sa për sy e faqe por në realitet kërkon rotacionin për të qenë ajo në krye të aferave.

[…]

Pasojat e sjelljes së parisë janë tepër të rënda për qytetarët. Për shkak të vullnetit të parisë për të sunduar e jo për t’i shërbyer qytetarit kemi sot një sistem politik oligarkik. Në këtë sistem vidhet dhe tjetërsohet vota, mbahet populli në një perde të trashë propagande, keqpërdorohen dhe vidhen burimet natyrore të vendit dhe ç’është më e rëndësishmja mohohen dhe shpërfillen vlerat morale. Më tej, kjo pari e kriminalizuar  kërkon t’ja imponojë të gjithë shqiptarëve kulturën kriminale si rruga e vetme drejt kapitalizmit. Pra, siç ka thënë Shinasi Rama, paria është gjarpri që po i kafshon një e nga një shqiptarët për t’i bërë si vetja. Mirëpo në fund të kësaj helmatisje sistematike përfundojmë në një botë gjarpërinjsh ku jo vetëm pjesëtarët e shoqërisë por edhe mjedisi është i helmatisur. E në këtë mjedis mund të jetojë vetëm një bashkësi e marrosur kolektivisht.

Fatmirësisht, sondazhi i perceptimit të korrupsionit tregon se puna sistematike e parisë për të na helmatisur nuk ja ka dalë të na deformojë si popull. Nëntëdhjetë përqind e shqiptarëve e kanë shprehur qartë neverinë e tyre për keqqeverisjen, korrupsionin, hajninë dhe mungesën e vlerave të parisë. Mirëpo të qenit i ndërgjegjshëm për situatën e rënduar nuk mjafton. Duhet vepruar për t’a ndalur sundimin e parisë e për të dalë nga qerthulli helmatisës ku po mundohen të na fusin. Siç ka thënë shkrimtari amerikan Dejvid Ignatius “historia është e pamëshirshme me popujt pasivë”. Sado fort të mundohemi t’a shmangim zvetënimin dhe deformimin që na ka taksur paria e Tiranës, mosveprimi i shërben asaj. Sa më në heshtje të rrimë aq më shumë ja rrisim shanset parisë që t’ja dalë në këtë ndërmarrje djallëzore.

Këtë herë duhet të mos sillemi sikur na ka kapluar marria kolektive. Në këto zgjedhje, ka ardhur koha që populli t’i verë kryqin parisë dhe veglave të saj e të gjithë bashkë të fillojmë ndërtimin e një të ardhmeje të re. E ardhmja e shqiptarëve duhet të mbështetet mbi baza të shëndetshme morale dhe demokratike dhe tek ndërtimi i shtetit komb. Askush nuk do na e ketë fajin nëse e lejojmë parinë e Tiranës të na shtyje përsëri drejt marrisë kolektive.  Zgjedhja është e jona.

[Shkrimi gjendet tek Rrethi i FerritKorrupsioni, paria keqqeverisëse dhe marria kolektive – Grid Rroji]

————————————————————————————————–

Advertisements

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s