Rezonanca Magnetike (RM)

Rezonanca Magnetike Nukleare (RMN) ose Rezonanca Magnetike (RM)

Çfarë është rezonanca magnetike?

Rezonanca magnetike është një teknikë ekzaminimi anatomik që mundëson përftimin e pamjeve jashtëzakonisht të sakta dhe të pasura me detaje pa qenë nevoja e përdorimit të mjeteve të kontrastit.

Gjatë rezonancës magnetike trupi i nënshtrohet një fushe magnetike që provokon emetimin e rrezatimeve me gjatësi vale shumë të shkurtër (frekuenca radio). Valët emetohen nga atomet që përbëjnë çdo organ, çdo ind, çdo qelizë. Senjalet e emetuara transferohen dhe kodifikohen nga një pajisje komplekse e kompjuterizuar që i ngjyros indet dhe zonat e ndryshme të trupit në varësi të rrezatimt të lëshuar.

Çfarë mund të shohim me anë të rezonancës magnetike?

Në këtë pamje shihen disa zona më të errëta që i përkasin një iktusi (zona qëndrore në të majtë) dhe zonave të dëmtuara (zona e gjerë në të djathtë).

Në këtë pamje shihen disa zona më të errëta që i përkasin një iktusi (zona qëndrore në të majtë) dhe zonave të dëmtuara (zona e gjerë në të djathtë).

Me anë të rezonancës magnetike mund të shohim indet dhe organet që janë shumë vështirë për t’u parë, ose që janë shumë të gjerë në kuptimin hapsinor, si për shembull aparati qarkullues i gjakut apo ai limfatik.

Rezonancë magnetike nukleare e kafkës

Me këtë teknikë mund të shihen dëmtime të trurit të cilat janë të padukshme gjatë një ekzaminimi radiografik. (Shiko figurën)

© Rinstinkt, Maj 2013

————————————————————————————————————

Enterovirusët, Poliovirusët, Poliomieliti dhe vaksinat e Poliomielitit

Enterovirusët, Pikornavirusët, Poliovirusi, sëmundja e Poliomielitit dhe vaksinat për sëmundjen e Poliomielitit

Poliovirusi bën pjesë tek Pikornaviridae-t (piko-rna-viridae: pra viruse të vegjël me material gjenetik ARNnë), nëngrupimi Enterovirus.

Kristale të një poliovirusi në brendësi të një qelize

Kristale të një poliovirusi në brendësi të një qelize

Enteroviruset janë një grup virusesh të klasifikuar në pesë specie/lloje: Poliovirus dhe enterovirus A, B, C, D. Enteroviruset janë në gjendje të rezistojnë ndaj ambientit të jashtëm, transmetohen nëpërmjet cirkuitit oro-fekal, hyjnë në organizëm nëpërmjet mukozave të oro-faringut apo traktit gastro intestinal. Janë rezistent ndaj lëngut gastrik dhe lëngut të fshikëzës të tamblit.

Virusi i poliomielitit

Infektimi me virusin e poliomielitit

Poliovirusët , ndër enterovirusët, janë ata më të famshmit. Janë shkaktarë të poliomielitit paralitik, një sëmundje paralizuese deformuese që prek kryesisht fëmijët deri në shtat vjeç.

Virusi i poliomielitit, duke hyrë nëpërmjet mukozës së traktit tretës, mbërrin në nevr-aks (palcën kurrizore) dhe dëmton neuronët motorë (neuronët që përbëjnë rrugën dalëse të impulseve motore, pra ata neurone të eksitojnë indin muskulor) duke shkaktuar paralizë të muskujve përkatës.

Sëmundja e poliomielitit në ditët e sotme dhe vaksinat kundër poliomielitit

Sot poliomieliti është një sëmundje e çrrënjosur falë vaksinimit të detyrueshëm të popullatës.

Vaksina  e parë e zhvilluar për sëmundjen e poliomielitit ishte vaksina e Koprowskit, një virolog. Vaksina konsistonte në një sierotpi të virusit të dobësuar.

Më pas doli vaksina e dytë për poliomielitin; vaksina e Salkut (viruse të inaktivizuar me anë të formalinës). Vaksian e Salk-ut është realizuar duke kultivuar poliovirusin në një kulturë indore të veshkës së majmunit, mëpastaj inaktivizuar me formalinë.

Më pas u pasua nga vaksina e Sabin-it (virus i dobësuar që replikohet por nuk arrin të kalojë përtej mukozës intestinale, dhe që provokon një përgjigje të fortë antikorpale, me pasojë krijimin e imunitetit intestinal).

(Lidhja me eksperimentimin shkencor-me kafshët është e qartë…)

Rinstinkt 2013

———————————————————————————————

Personat me IQ më të lartë, dinë të filtrojnë…

Zbulohet një lidhje mes kuocientint të inteligjencës dhe perceptimit të lëvizjes

Personat me IQ më të lartë, dinë të përqëndrohen – dinë të filtrojnë informacionin e panevojshëm

Pamja e shufrave/vijave

Pamja e shufrave/vijave – University of Rochester

Kërkuesit e Universitetit të Rochester-it kanë zbuluar se një detyrë e thjeshtë pamore mund të parashikojë kuocientin e inteligjencës – IQ. Në studim, personat që iu nënshtruan punës kërkimore, shikonin një video që tregon shufra/vija të bardha dhe të zeza në lëvizje e sipër. Detyra ishte që personat të dallonin drejtimin e lëvizjes; në të majtë apo në të djathtë?

Imazhet, pamjet u paraqitën në përmasa të ndryshme dhe kërkuesit matën se sa ishte koha e nevojshme derisa subjekti të dallonte qartësisht drejtimin e lëvizjes së shufrave.

Duke qenë se truri priret të filtrojë lëvizjen në sfond, për pjesën më të madhe të personave ishte e vështirë identifikimi i drejtimit të lëvizjes së pamjeve “të vogla”.

Studimi tregoi se personat me IQ (kuocient inteligjence) më të lartë kishin prestacione më të kqija në identifikimin e drejtimit të lëvizjes së pamjeve me përmasa të mëdha; ma fjalë të tjera, filtronin më mirë informacionin apo stimujt pamorë që vinin nga sfondi, pikërisht kjo ua bënte detyrën më të vështirë.

[Modifikuar]

Le të thellohemi pak në mënyrën se si është realizuar studimi në fjalë

Kërkuesit kanë ndërtuar një teks pamor rezultatet e të cilit tegojnë se në perceptimine objekteve në lëvizje truri i personave me kuocient inteligjence të lartë është më selektiv, duke arritur të shtyp, hesht automatikisht lëvizje pak domethënëse që eventualisht mund të gjenden përreth – në atë që është sfondi i qëndrës së vëmendjes.

Gjatë eksperimentit, grupit të subjekteve u është kërkuar të shikojnë disa video në të cilat shfaqeshin disa shufra, vija në lëvizje, drejtë të majtës apo drejtë të djathtës.

Duke analizuar kohën e nevojshme për çdo subjekt që të reagonte duke treguar se kishte arritur të perceptonte lëvizjen e vijave të bardha e të zeza, kërkuesit vunë re se kur objektet ishin në përmasa të vogla personat (subjektet) me IQ më të lartë arrinin rezultate më të mira.

Duke vazhduar studimin e rezultateve të testeve, vunë re, jo me pak surprizë, edhe se, kur vijat në lëvizje ishin të mëdha dhe zinin një pjesë domethënëse të fushëpamjes, ndodhte ekzaktësisht e kundërta: personat, subjektet me IQ më të ulët arrinin rezultate më të mira.

Pritej që të gjithë personat të dilnin më pak të aftë në përcaktimin e lëvizjes së pamjeve me përmasa të mëdha, por personat me IQ të lartë patën rezultate shumë, por shumë më të kqija – statistikisht shumë të kqija. 🙂

Në trurin e individëve me kuocient inteligjence të lartë, ka diçka që i pengon të “shohin” me shpejtësi pamje me përmasa të mëdha.

Vështirësia e personave me IQ të lartë për të perceptuar lëvizjen e pamjeve me të mëdha, shpjegojnë autorët e studimit në fjalë, duket se është e bashkëlidhur me tendencën për të heshtur lëvizjet që ndodhin në sfond, që në pjesën më të madhe të rasteve, gjendjeve, situatave janë më pak të rëndësishme se lëvizjet e objekteve më të vogla të ndodhur në plan të parë.

Lidhja mes IQ-së dhe kohës së nevojshme për të perceptuar lëvizjen e "objekteve" të vogla dhe të mëdha. (© University of Rochester)

Lidhja mes IQ-së dhe kohës së nevojshme për të perceptuar lëvizjen e “objekteve” të vogla dhe të mëdha. (© University of Rochester)

Rezultatet, edhe pse u përsëritën me një grup më të gjerë personash, ishin statistikisht të paekuivok.

Shkencëtarët shtojë se, truri bie në kontakt me një sasi të jashtëzakonshme informacionesh ndijore, dhe efiçenca e tij përcaktohet jo vetëm nga shpejtësia me të cilën rrjetet tona neurale i përpunojnë këto informacione, por edhe nga sa të aftë janë të heshtin, supromojnë informacionet më pak relevante, më pak domethënëse. Përpunimi i shpejtë i informacionit është i kotë nëse nuk kufizohet tek informaciont me domethënëse.

  • Michael D. Melnick, Bryan R. Harrison, Sohee Park, Loisa Bennetto, Duje Tadin – A Strong Interactive Link between Sensory Discriminations and Intelligence (Current Biology) http://dx.doi.org/10.1016/j.cub.2013.04.053

Rinstinkt 2013

———————————————————————-

Dyzet vjet pas revoltës së Spaçit – Agim Musta

Dyzet vjet pas revoltës së Spaçit – Agim Musta*

Kampi i Spaçit u ndërtua nga të burgosurit ordinerë në fillim të vitit 1968. Kampi ishte ndërtuar në gropë, në një shpat mali të zhveshur, rrethuar nga të gjitha anët me male, ku shikohej vetëm një kupë qielli. Fillimisht, si kapanonë fjetjeje shërbenin disa baraka të vjetra të ndërmarrjes së gjeologjisë, ndërtuar në vitin 1953. Të burgosurit e parë politikë që u dërguan për të punuar në galeritë e Spaçit, në maj të vitit 1968, për të nxjerrë nga thellësia e tokës bakër dhe pirit, ishin nga kampi-burg i Elbasanit, që punuan dhe ndërtuan fabrikën e çimentos. Ata u pritën me thirrje në kor: “Ja u bëmë varrin! Ja u bëmë varrin!” nga të burgosurit ordinerë, që vazhdonin të rrethonin kampin e punës me tel me gjemba dhe truproja.
Sigurisht, atyre mjeranëve ua kishin mësuar parullën oficerët e Sigurimit, dikasteri i të cilëve e kishte projektuar Spaçin si “varri i armiqve të partisë dhe të popullit”. Të burgosurit, që në fillim ishin 600 veta, punonin me tri turne, me mjete primitive dhe pa asnjë masë të sigurimit teknik. Për 3 muaj të vitit atje zotëronte bora dhe akulli. Temperatura në dimër zbriste deri në 15 C. Në acarin e dimrit, të burgosurit që nuk realizonin normën, i lidhnin nëpër shtylla me kavo çeliku, duke i mbuluar me borë dhe akull gjersa humbisnin ndjenjat. Kushtet higjieno-sanitare në kampin e Spaçit ishin të vajtueshme. Të burgosurit që kundërshtonin urdhrat e gardianëve rriheshin barbarisht. Një torturë tjetër që ushtrohej mbi të burgosurit e Spaçit për çdo ditë ishte qëndrimi në këmbë me orë të tëra, me pretekst numërimi. Kështu orari ditor i punës arrinte nga 8 deri në 10-11 orë. Kur iu drejtoheshin të burgosurve, gardianët dhe oficerët e kampit e kishin në  majë të gjuhës thënien: “Nga Spaçi s’keni për të dalë as të gjallë, as të vdekur”. (Kufomat e të burgosurve që vdisnin pa mbaruar dënimin, nuk u jepeshin familjarëve). Birucat e kampit ishin gjithmonë plot me të dënuar për shkaqe nga më absurdet. Ata mbaheshin atje deri në një muaj me bukë thatë dhe vetëm një batanije. Para se të ndodhte revolta e 23 majit 1973, të burgosurit e Spaçit i ishin drejtuar shumë herë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe organeve të larta të Partisë-shtet, për ndalimin e dhunës pa shkak që ushtrohej mbi ta. Kërkesat e tyre binin në vesh të shurdhër dhe dhuna vazhdonte të ushtrohej si më parë.
Fillimi i revoltës së Spaçit nisi pikërisht me shpërthimin e birucave nga i burgosuri guximtar Hulësi Pashollari. Ai mundi të lironte 12 të burgosur që vuanin dënimin pas asnjë shkak ose motiv serioz, pikërisht më 21 maj 1973. Atje filloi dhe përleshja me rojet e brendshme të kampit, të cilët u zmbrapsën para turmës së revoltuar të të dënuarve dhe më pas revolta u zhvendos jashtë kampit. Ambientet e brendshme ranë në duart e të burgosurve. Revolta shpërtheu si një erupsion vullkanik. Ishte kulmi i protestës së të burgosurve për shkeljen më të rëndë të të drejtave njerëzore, marrjen nëpër këmbë në mënyrë çnjerëzore të dinjitetit njerëzor, ishte revoltë për torturat dhe skamjen në kufijtë e vdekjes. Puna e detyruar skllavëruese dhe dhuna e përditshme që ushtrohej mbi të dënuarit e kishin çuar në kockë thikën e diktaturës së proletariatit. Nuk durohej më. Edhe më të frikësuarit nga terrori u bënë trima dhe u hodhën në ballë të turmës së revoltuar. Më mirë një vdekje e menjëhershme, sesa një torturë pa fund, kampi gjëmonte nga thirrjet dhe krismat për liri: “Rroftë liria, poshtë komunizmi, poshtë diktatura”.
Në qendër të kampit u valëvit flamuri kuq e zi me përkrenaren e Skënderbeut, pa yllin komunist, e para herë në Shqipëri pas instalimit të diktaturës. Byroja Politike u zu në befasi nga kjo revoltë e padëgjuar dhe e pamenduar se mund të trondiste themelet e terrorit komunist. Dy net e tri ditë të burgosurit bënë një rezistencë heroike, luftuan me krenari e dinjitet për të rrëzuar telat e gjembave dhe hekurat e burgut. Byroja Politike dha urdhër që revolta të shtypej sa më parë dhe me çdo mjet. Më 23 maj të vitit 1973 qindra forca speciale dhe efektivë të policisë u vërsulën si kafshë të tërbuara brenda kampit duke rrahur e goditur çnjerëzisht të burgosurit e rraskapitur nga beteja për liri. Ata ishin të pangrënë e të rrënuar nga goditjet fizike. Rezistenca u shtyp egërsisht me bilanc tronditës, u dënuan me vdekje katër të burgosur: Hajri Pasha, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja. Ata u ekzekutuan brenda pak ditëve, ndërsa 111 të burgosur të tjerë u dërguan në hetuesinë qendrore në Tiranë, ku iu bënë tortura dhe hetuesi me mjete nga më të dhunshmet. Terrori kishte rilindur edhe më i ashpër se para revoltës. Ata u nxorën në një gjyq të inskenuar në Rrëshen dhe u ridënuan me 1700 vjet burg.
Ky ishte fundi fatal i revoltës së Spaçit, por jo i shpirtit të saj. Ideali dhe fryma e shenjtë e luftës për liri mbajti gjallë me mijëra mendje e zemra të të burgosurve politike në Spaç, Burrel, Qafë-Bar, Tiranë e në të gjithë Shqipërinë. Revolta ka hyrë në analet e historisë sonë kombëtare si revolta më e madhe në historinë e burgjeve dhe kampeve me punë të detyruar në Shqipëri gjatë regjimit komunist. Por hulumtimet dhe studimet e kryera në këtë disiplinë e shënojnë revoltën e Spaçit si revoltën më historike në ish-vendet komuniste të Europës Lindore që i dha jehonë jo vetëm Burgut të Spaçit, por gjithë Shqipërisë si vend me vetëdije të lartë kombëtare, me besim të thellë te vlerat e lirisë dhe parimeve njerëzore. Por fatkeqësisht diktatura komuniste në Shqipëri ishte më dramatikja dhe ndër më jetëgjatat, që solli pasoja të paimagjinueshme për rrënimin dhe humbjet e mijëra viteve jetë të pafajshme nga kalvaret e pafundme të burgjeve dhe internimeve.
Pas revoltës dhuna dhe terrori në Burgun e Spaçit u thelluan edhe më tepër. Gjashtë vite pas revoltës, në Spaç u inskenua një tjetër gjyq makabër, u dënuan me vdekje intelektualët Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Xhelal Koprencka. Burgu-minierë i Spaçit vazhdoi të mbahej në këmbë nga komunistët dhe për afro çerek shekulli. Ai ka hyrë në histori si burgu më rrëqethës për të burgosurit politikë dhe familjarët e të afërmit e tyre. Por jehona bëmëkeqe e burgut mbante pezull dhe zemrat e shqiptarëve, të cilët edhe pse jashtë kangjellave, e vuanin privimin e lirisë pak më egër se vetë të burgosurit politikë.
Bilanci i Burgut të Spaçit, me dhjetëra të burgosur të ekzekutuar, të vrarë në minierë, të torturuar çnjerëzisht dhe të mbajtur vazhdimisht në gjendje urie, është një thirrje shtesë për meaculpan e vonuar të byroistëve që jetojnë dhe pasardhësve të tyre që duan ta mbajnë gjallë frymën e diktaturës. Sot Shqipëria e lirë, demokratike, anëtare në NATO, është amaneti i çuar në vend për luftëtarët e lirisë në Burgun e Spaçit dhe në dhjetëra burgje e kampe pune e internimi shqiptare.
Nga ana tjetër, një homazh i përjetshëm nderimi, i merituar për ta dhe të gjithë të burgosurit e të persekutuarit politikë, do të ishte ndërtimi i Burgut muze në Spaç dhe Burrel. Kurrë nuk është vonë për të vënë tullat e ndërtesës simbol të kujtesës historike.

*Historian, i burgosur politik, bashkëvuajtës në Spaç

(Burimi: Gazeta Panorama)

————————————————————————

Një lloj i ri pacemaker-i; pacemaker biologjik

Një lloj i ri pacemaker-i; pacemakeri biologjik

Në 17 dhjetor të viti të kaluar, në Nature Biotechnology është botuar një studim që përshkruan punën e disa kërkuesve shkencorë të cilët kanë arritur që të krijojnë një pacemaker biologjik.

Shkencëtarët kanë shndërruar apo transformuar qelizat normale të zemrës, pra ato që kanë funksion tkurrës, në qeliza pacemaker, pra në qeliza të afta për t’u veteksituar.

Skemë që tregon rrugët përçuese të impulsit kardiak, nga nyja senoatriale e deri në miokardin ventrikular

Skemë që tregon rrugët përçuese të impulsit kardiak, nga nyja senoatriale e deri në miokardin ventrikular

Qelizat pacemaker janë ato qeliza të muskulit kardiak që kanë pak fibra proteinike me funksion tkurrës, ndërsa kanë aftësinë të gjenerojnë ritmin kardiak. Grupimi kryesor i qelizave pacemaker të zemrës është ai i njyes sinoatriale, i cili edhe imponon ritmin e vet grupimeve të tjera me frekuencë veteksitimi më të vogël.

Risia është se, shkencëtarët kanë krijuar një lloj të ri pacemakeri. Ndryshe nga ai artificiali, pacemakeri biologjik është krijuar duke futur në disa qeliza të zemrës së një derri indie (kavieje) gjenin e quajtur Tbx18, i cili nxit qelizat embrionale kardiake të diferencohen në qeliza pacemaker.

Pas disa ditësh, qelizat në të cilat ishte futur gjeni në fjalë, gjeneruan impulset e para elektrike në mënyrë të vetvetishme dhe ishin të padallueshme nga qelizat pacemaker origjinale, native.

Ky është një zbulim që ka potenciale të mëdha sepse mund të hapi rrugën drejtë një terpaie të re për të kuruar disa shqetësime të zemrës.
Përqasja në fjalë mund të testohet tek njerëzit dhe terapia mund të realizohet duke injektuar gjenin që kryen përdallimin në një grup qelizash të zemrës së pacientit ose duke transplantuar qeliza pacemaket të krijuara në laborator.

 

  • Nidhi Kapoor, Wenbin Liang, Eduardo Marbán, and Hee Cheol Cho. (2012). Direct conversion of quiescent cardiomyocytes to pacemaker cells by expression of Tbx18. Nature Biotechnology. doi:10.1038/nbt.2465

Rinstinkt, Maj 2013

—————————————————————————-