Autizmi; legjenda e vaksinave që shkaktojnë autizmin

Autizmi; legjenda e vaksinave që shkaktojnë autizmin

Autizmi është një shqetësim i zhvillimit psikik që zakonisht lind gjatë fëmijërisë dhe sjell jo vetëm vështirësi të mëdha por edhe sakrifica të vërteta familjare, për shkak se nuk ekzistojnë struktura asistence të pregatitura.

Nuk dihet me saktësi se nga çfarë shkaktohet autizmi, gjithsesi, shumë studime na drejtojnë drejt një përbërjeje gjenetike të shqetësimit.

Zhvillimi i teknikave diagnostike dhe vëmendja e rritur mbi problemin e autizmit kanë rritur numrin e diagnozave, aq sa në vitet e fundit rastet e fëmijëve me autizëm duket sikur janë rritur me ritëm të shpejtë. Në realitet, shpeshtia (frekuenca) e autizmit është po e njëjta, gjë që tregon se nuk janë rritur rastet e autizmit po numri i diagnozave (pra, shpeshtia e autizmit në vite është e njëjta, por rritet numri i rasteve të diagnostikuara).

Si lindi mashtrimi se vaksinat shkaktojnë autizmin?

Gjithçka fillon në vitin 1998 kur Andrew Wakefield një ish mjek anglez, publikoi një studim në revistën me famë botërore, Lancet.[1]

Sipas studimit në disa fëmijë ishte gjetur një lidhje mes problemeve intestinale, shqetësimeve të zhvillimit dhe faktorëve mjedisorë. Studimi, që në fillim, ngjalli skepticizëm për shkak të mostrës (kampionit) shumë të reduktuar, testeve të diskutueshme dhe përfundimeve deri diku të përdhunëta.

Autori kryesor i studimit, pra Andrew Wakefield, filloi një seri konferencash ku deklaronte zbulimin e një lidhjeje mes vaksinës trevalente MMR (Measles, Mumps, Rubella – Fruthi, Shyta, Rubeola) dhe autizmit, duke këshilluar në vend të vaksinës trevalente një vaksinim të veçantë për çdo sëmundje. Formulimi tek, singular i vaksinava për sëmundjet në fjalë nuk ekzistonte në tregim.

Mënyra e sjelljes së Wakefield-it pati disa pasoja:
Së pari, në Angli ndodhi një rënie e veksinimeve dhe rezultati apo pasoja ishte një epidemi fruthi që shkaktoi mbi njëmijë raste dhe dy vdekje.
Së dyti, u zbulua se ish mjeku kishte patentuar një sistem vaksinimi[2] singular për çdonjërën e sëmundjeve të fruthit, shytave dhe rubeolës – vaksina trevalente e të cilave pretendohej se shkaktonte autizmin – dhe krejt rastësisht një kurë për problemet intestinale të subjekteve me autizëm. Pra, që përpara se të dilte studimi i vet, ai kishte patentuar shpikjen apo vaksinat teke, singulare të cilat edhe këshillonte.

Konflikti i interesit ishte më se evident. Për më tepër u zbulua edhe financimi prej 500,000 sterlinash nga një avokat që mbështeste çështje dëmshpërblimi kundër shtetit për fëmijët e prekur nga autizmi. Avokatit që kishte financuar Andrew Wakefield për të fituar çështjet gjyqësore i mungonte një studim shkencor ku të mbështetej, dhe Andrew Wakefield ia dha, duke mashtruar.

Këto zbulime sollën zhvillime të papritura. Shumë prej kërkuesëve bashkëautorë të studimit të Andrew Wakefield kërkuan heqjen e emrit të vet nga kërkimi shkencor. U zbuluan parregullsi të mëdha etike – fëmijë të paguar me pak stërlina për të marrë gjak, ekzaminime mjaftë invazive të kryera pa qenë nevoja –  dhe shkencore – të dhëna të falsifikuara, të manipuluara.

Studiues dhe shkencëtarë të tjerë në të gjithë botën u përpoqën që të replikonin studimin në fjalë, por pa sukses[3]. Një gazetar zbuloi se pothuajse të gjithë fëmijët e kishin zhvilluar autizmin përpara se të vaksinoheshin. Andrew Wakefield u përpoq që të mohonte gjithçka duke nxjerrë një studim[4] që përgënjeshtronte përfundimet e veta, të mëparshme, por ishte tepër vonë. Ishte fundi, dhe ai pranoi mashtrimin. Studimi u hoq nga revista Lancet, mjeku u largua nga urdhëri i mjekëve britanik. Wakefield-i u detyrua të shfaqej vetëm në programe mbi ufot dhe paranormalen.

Kjo është e gjithë legjenda mbi vaksinat që shkaktojnë autizmin. E gjithë legjenda e bazuar mbi një mashtrim patetik nga pak njerëz për arsye karriere e parash.

Nuk duhet harruar në gjithë këtë histori roli i gazetave e gazetarëve. Gazaterë, të cilët ndonjëherë besojnë e përhapin gjithçka pa kërkuar referenca të besueshme.

Duhet shtuar se shkenca nuk ndalet kurrë. U tregua joekzistenca, mosekzistenca  e lidhjes mes vaksinimit trevalent për fruthin, shytat, rubeolën  dhe autizmit[5].

Pavarësiht fundit të mashtrimit sot në botë ka ende njerëz  për të cilët Andrew Wakefield është një guru. Po këtë njerëz vazhdojnë të përhapin dhe mashtrojnë shumë prindër mbi alarme të pajustifikuara. Mashtrime, të bazuara mbi një mashtrim të shpërfytyruar. Njerëz që mashtrojnë njerëz duke shitur frikëra të paqenë dhe më pas zgjidhjen e frikës. Njerëz që mashtrojnë njerëz mbi lëkurën dhe jetën e fëmijëve. Lodhja dhe shkurajimi i shumë familjeve me fëmijë autistë është arsyeja që i bën të bienë në këto gracka. Gracka për para.

Rinstinkt 2013


[1] Ileal-lymphoid-nodular hyperplasia, non-specific colitis, and pervasive developmental disorder in children (link)
[2] UK patent application number 9711663.6
[3] MMR vaccine and autism: an update of the scientific evidence (link)
[4] Measles virus RNA is not detected in inflammatory bowel disease using hybrid capture and reverse transcription followed by the polymerase chain reaction (link)
[5] Measles-mumps-rubella vaccine and autistic spectrum disorder: report from the New Challenges in Childhood Immunizations Conference convened in Oak Brook, Illinois, June 12-13, 2000 (link)
————————————————————————————-
Advertisements

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s