Katastrofa e Talidomidit dhe eksperimentimi mbi kafshët

Skandali i Talidomidit  dhe eksperimentimi mbi kafshët

Talidomidi është një ilaç që u jepej grave shtatëzënë mes viteve 1957 dhe ‘61-’62. Talidomidi shërbente për të qetësuar të vjellat gjatë shtatëzanisë. Vetëm më pas u zbulua se, ilaçi talidomid, kishte disa efekte anësore të tmerrshme mbi fetusin, të cilit i bllokonte zhvillimin e gjymtyrëve.

Nga talidomidi mund edhe të vdisje; në vende të ndryshme të botës pati me qindra (deri mijëra) viktima, derisa ilaçi u hoq nga qarkullimi.

Vetëm pas 50 vitesh nga tragjedia, shtëpia farmeceutike gjermane, Gruenenthal – që prodhonte talidomidin –   kërkoi publikisht falje.

“Na vjen keq – tha administratori i deleguar i firmës – Kërkojmë falje që për 50 vite nuk gjetëm mënyrën për të komunikuar me ju si njeriu me njeriun”.

Por, kjo deklaratë, e të tjera, nuk do të mund kurrë të shpërblejnë mijëra nëna dhe fëmijët e tyre që ishin viktima të pafata të ilaçit në fjalë.

Nënat si kavie

Tamam, pas skandalit të Talidomidit, në vitet ’60, fillimisht në Gjermani e më pas në të gjithë botën u futën rregullat e para dhe farmakovigjilanca, për të parandaluar rreziqe të reja nga efektet anësore (kolaterale) të ilaçeve.

Në rastin e Talidomidit, ishin praktikisht nënat shtatëzanë që “shërbyen” si kavie… Sepse ilaçi i Talidomidit ishte testuar, po, mbi kafshët, por jo në mënyrën e duhur mbi kafshët shtatëzëna. Kështu nuk u pa praktikisht efekti teratogjenik i Talidomidit tek fetuset.

Nëse eksperimentimi do të ishte kryer në mënyrën e duhur – që në atë kohë nuk mund të konceptohej, sepse tek e fundit nuk kishim eksperiencë – do të ishin shmangur të gjitha vuajtjet e nënave dhe fëmijëve që lindën të gjymtuar për shkat të ekeftit herë teratogjenik e herë të tjera vrasës të Talidomidit.

Talidomidi dhe eksperimentimi mbi kafshët

Ky i Talidomidit, është një mësim që duhet mbajtur mend mirë, duhet të fiksohet mirë në ndërgjegjjen kolektive, sepse aktualisht, kryesisht në vendet e zhvilluara, janë shfaqur grupime që ndërmarrin fushata për të rrëzuar hapin e detyruar të eksperimentimit shkencor mbi kafshët përpara se ilaçi të tregtohet, apo t’i futet hapit tjetër të testimit.

Këto grupime, që kërkojnë rrëzimin e eksperimentimit me kafshët, kanë një pozicionim të tipit demagogjik, duke qenë se stimulojnë emocionet më të përcipta të njeriut mesatar, i cili “informohet” në mënyrë të gabuar, pra gjysmake, mbi realitetin e eksperimentimit me kafshët.

Nga ana tjetër, qëndrojnë ata që e mbështesin dhe e nxisin eksperimentimin me kafshët duke qenë se është një nga mënyrat për të rritur mirëqenien dhe progresin shkencor. Progres shkencor që mund të ketë qoftë edhe vetëm synime njohjeje teorike të gjërave.

Ata që kanë lexuar (nëpër rrjet) se, Talidomidi nuk mund të parandalohej sepse nuk jep të njëjtat rezultate tek kafshtë me ato te njeriu, duhet të kërkojnë gjithnjë referencat, që në këtë rast duhet të vijnë nga burime të sakta, shkencore e të konfirmuara. Pohimet si ato të mësipërme nuk kanë asnjë bazë shkencore. Shfrytëzohen vetëm nga grupimet e kafshistëve (animalistëve) duke shkëputur të dhënat nga konteksti e duke thënë gjysmë të vërteta. Tabloja për fatin e keq të kafshistëve, grupimeve e shoqatave kafshiste, është më e gjerë.

Talidomidi, me doza të duhura dhe në kohë të mjaftueshme gjatë shtatëzanisë, ka induktuar keqformime tek majmuni, tek lepuri, tek embrionet e pulës dhe tek miu. Por këto, janë rezultate të përftuara pas tragjedisë së Talidomidit, sepse asokohe nuk kërkohej që ilaçet e reja të studioheshin edhe mbi riprodhimin e kafshëve, ndërsa sot  një gjë e tillë është e detyrueshme.

Talidomidi u fut në tregtim në 1957, pasi në ’56 ishin kryer testime me rezultate të kënaqshme mbi kafshë jo shtatëzëna. Vetëm në vitin 1960 u kryen testet e para mbi kafshë shtatëzëna,  përsëri me efekte negative, por sipas vet autorit të eksperimentimit ishin përdorur sasi shumë të vogla të ilaçit – jo proporcionale. Në 1961 një studim i ri tregoi keqformimet e para tek fëmijët, të filluara më 1957, deri atëherë të panjohura, që sollën tërheqjen e ilaçit nga tregu. Në vitin 1962 u krye një eksperimentim (studim) i ri mbi kafshët shtatëzëna, këtë rast me sasi të Talidomidit të proporcionuara (përpjesëtuara?)… dhe u vunë re keqformimet mbi fetuset.

Bibliografi:

  • D’Amato RJ, Loughnan MS, Flynn E, Folkman J (1994) Thalidomide is an inhibitor of angiogenesis. Proceedings of the National Academy of Sciences of the United States of America 91:4082-4085.
  • Delahunt CS, Lassen LJ (1964) Thalidomide Syndrome in Monkeys. Science 146:1300-1305.
  • Dipaolo JA, Gatzek H, Pickren J (1964) Malformations Induced in the Mouse by Thalidomide. The Anatomical record 149:149-155.
  • Gatzek H, Dipaolo JA (1965) Radiographic Studies of Thalidomide-Induced Malformations in Mice. Acta radiologica: diagnosis 3:145-150.
  • Hendrickx AG, Axelrod LR, Clayborn LD (1966) ‘Thalidomide’ syndrome in baboons. Nature 210:958-959.

Rinstinkt, Shkurt 2013

—————————————————————————————-

Rindërtimi i protogjuhëve (gjuhëve të lashta)

Rindërtimi i protogjuhëve (gjuhëve të lashta)

Sipas një studimi të publikuar së fundi në PNAS (Proceedings of the National Academy of Sciences), rindërtimi i gjuhëve të lashta është i mundur nëpërmjet një programi informatik.

Programi shfrytëzon fjalë moderne dhe nëpërmjet analizave statistikore probabilistike mund të rindërtojë protogjuhë, pra gjuhë të lashta nga të cilat kanë dalë familje gjuhësh.

Risia, në këtë rast, është koha e shkurtër që i nevojitet programit kompjuterik. Sepse këto llojë studimesh, që prej shekullit të tetëmbëdhjetë, kryhen në mënyrë “manuale” duke krahasuar tinguj dhe fjalë të gjuhëve që i përkasin të njëjtës familje gjuhësore. Një punë e tillë zgjat disa vite.

Sistemi i sofistikuar kompjuterik për rindërtimin e protogjuhëve është  ndërtuar nga një grup kërkuesish shkencorë të Universitetit të British Kolumbia në Vankuver dhe të Universitetit të Kalifornisë në Berkeley. Sistemi bazohet mbi teknika statistikore të përdorura në biologjinë kompjutacionale për të rindërtuar pemët filogjenetike të organizmave (të gjallë dhe jo të gjallë); dhe është testuar me sukses në/mbi gjuhët austroneziane.

Po cila është rëndësia e rindërtimit të gjuhëve të së kaluarës?
Studimi i gjuhëve të lashta hap dritare të reja në studimin e kulturës, të dijeve, të strukturës shoqërore etj. të popujve të lashtë.

Kulla e Babelit (1563) – Pieter Brueghel (Plaku)

Gjuhëtarët i rindërtojnë gjuhët e lashta (antike) nëpërmjet krahasimit të tingujve dhe fjalëve. Tingujt në veçanti, me kalimin e kohës ndryshojnë me njëfarë rregullsie. Kështu, duke studiuar tingujt e dy gjuhëve të ndryshme mund të kuptohet nëse kanë apo jo një prejardhje të përbashkët, nga një gjuhë mëmë.

Programi në fjalë analizon një sasi të madhe të dhënash, nga një databazë fjalësh për të kuptuar se si tingujt kanë evoluar në brendësi të një familje gjuhësore.

Falë kalkulimeve probabilistike gjuhëtarët kanë arritur të rindërtojnë rreth 637 gjuhë proto-austroneziane me një shkallë saktësie (sigurie) prej 85% krahasuar me shkallën e saktësisë së të njëjtës punë të kryer në mënyrë manuale nga gjuhëtarët.

“Sistemi ynë nuk e zëvendëson punën e saktë e të rafinuar të gjuhëtarëve të kualifikuar, por mund të tregohet i çmuar dhe tu mundësojë atyre rritjen e numrit të gjuhëve moderne që përdorin si bazë për rindërtimin”, tha Bouchard-Côté – shkencëtari që drejtoi kërkimin. “Kemi shpresa se ky sistem do të revolucionarizoi linguistikën historike pak a shumë në të njëjtën mënyrë siç analiza statistike dhe fuqia e kupjuterit revolucionarizuan studimin e biologjisë evolutive.”

Hapi i radhës për kërkuesit që kanë realizuar studimin (dhe programin) është ndryshimi i zonës gjeografike, për të replikuar studimin mbi protogjuhët e Amerikës së Veriut.

Rinstinkt, shkurt 2013

Telefonat celularë shkaktojnë kancer?

Telefonat celularë shkaktojnë kancer?

Pyetje një milion dollarëshe kjo. Kushedi se sa firma shumëkombëshe telefonie celulare do të paguanin për të më mbyllur gojën e mos përhapur të tilla informcaione…😛

Fjalë mbi këtë pyetje ka shumë, por pak mund të quhen informacione apo fakte minimalisht të kënaqshme.

Ekskursus i nevojshëm, si gjithnjë xhanëm  ;)

Valët elektromagnetike janë një formë e përhapjes së energjisë në hapësirë. Çdo valë elektromagnetike përcaktohet nga një frekuencë, pra numri i lëkundjeve (oshilacioneve) të kryera në një sekondë; më e madhe është frekuenca e valës, më e madhe rezulton energjia e transportuar nga ajo.

Radiacionet e emetuara nga telefonat celularë janë të tipit “me frekuencë të lartë”, sepse gjende në fashën (rripin) e 900 MHz – 2.4 GHz, dhe janë të tipit jo-jonizuese.

Jo-jonizuese do të thotë që janë valë që nuk e ndryshojnë (modifikojnë) strukturën kimike të substancave dhe materies që takojnë në rrugën e vet. Dhe kjo ka një shpjegim, logjik. Për të ndërhyrë apo ndikuar mbi molekulat gjatësia e valës duhet të jetë nga ana e vetë e vogël, dhe si pasojë me frekuencë të lartë.

Pra, fakt është se valët e emetuara nga telefonat celularë nuk ndërveprojnë drejtëpërsëdrejti me molekulat e një substance apo në rastin që na intereson, me molekulat e trupit të njeriut.

Efekti termik i telefonit celular

efekti i celularit tek indet e trupit të njeriut

Nxehja e indeve nga përdorimi i telefonit celular

Por kjo nuk do të thotë se radiacionet e emetuara nga telefonat celularë nuk kanë asnjë efekt mbi trupin tonë, sepse nga pikëpamja termike valët transferojnë (gjenerojnë) nxehtësi në indet e trupit, që si pasojë ngrohen. Kjo vihet re lehtë, duke krahasuar temperaturën që ka krahu nga është mbajtu telefoni celular gjatë një telefonate 20 minutësh me temperaturën e krahut tjetër. Shiko pamjen me kamerën termografike.

Një studim ka treguar se, kur një person e përdor telefonin celular për 50 minuta pa ndërprerje, indet e trurit nga ana e celularit metabolizojnë më shumë glukoz krahasuar me krahun tjetër. Nuk është akoma e qartë nëse kjo gjendje e ndryshuar krijon rreziqe. Të paktën, studimi në fjalë konfirmon se  përdorimi i zgjatur i celularit ka një efekt mbi trupin e njeriut.

Sasia e energjisë që celulari emeton varet nga modeli i aparatit, nga teknologjia, por mbi të gjitha nga distanca mes telefonit dhe antenës, apo ripetitorit(përsëritësit) të sinjalit. Sa më larg të jetë nga antena aq më shumë duhet të rritet fuqia për të stabilizuar komunikimin, pra për të “patur rrjet”. Po ashtu, kur telefoni gjendet brenda një strukture metalike, kjo mund të shërbejë si izoluese, dhe energjia e emetuar të jetë më e madhe. Një rast konkret është ai i makinës, skeleti metalik i së cilës rrit energjinë e emetuar nga telefoni celular.

Në gjendjen aktuale të gjërave, nuk njihet një mekanizëm biologjik që të shpjegoj se si rrezatimet jo-jonizuese mund të provokojnë kancerin.

Pavarësisht kësaj, OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë) në 2011 i klasifikoi telefonat celularë si burim i mundshëm kancerogjen (Grupi 2B).

“The conclusion means that there could be some risk, and therefore we need to keep a close watch for a link between cell phones and cancer risk.”

Për të qenë të ndershëm, edhe kafja, ushqimet nënuthull dhe të tjera substanca me të cilat jemi në kontakt gjatë aktiviteti tonë përfshihen në këtë kategori.

Gjithsesi, në komunitetin shkencor ka shumë dyshime (dhe hetime) mbi efektet afatgjata të përdorimit të telefonit celular. Testet epidemiologjike që të japin “rezultat”, duan kohë dhe durim, sepse për shembull duhet pritur 10 vite për të parë efektet afatgjata mbi një grup të caktuar.

Studime të reja po kryhen mbi kafshë me jetëgjatësi të vogël, si për shembull minjtë. Në këtë rast, studimi kryhet duke i rritur minjtë në një dhomë të izoluar nga burime të tjera ndotjeje elektromagnetike, por në afërsi të madhe e të vazhdueshme me ndotësin që na interson. Pra në kontakt me një aparat telefonik apo një përsëritës sinjali.

Studime epidemiologjike tashmë të përfunduara e publikuara thonë:

We found that eight of the 10 studies reported increased prevalence of adverse neurobehavioral symptoms or cancer in populations living at distances < 500 meters from base stations. None of the studies reported exposure above accepted international guidelines, suggesting that current guidelines may be inadequate in protecting the health of human populations. We believe that comprehensive epidemiological studies of long-term mobile phone base station exposure are urgently required to more definitively understand its health impact.

Ndërkohë, në pritje të prononcimeve pa ekuivokë të komunitetit shkencor, disa masa personale mund të merren, për njëfarë parandalimi:

1-   Të përdoren kufjet, sepse edhe me disa centimetra distancë fusha elektromagnetike bie dukshëm në intensitet.

2-    Në çdo moment telefoni celular dërgon drejt antenës  mesazhe me energji të lartë, edhe kur nuk është në përdorim, për të patur një kontakt të vazhdueshëm. Kështu, më mirë të mos e mbajmë telefonin në xhepa. Për meshkujt të shmangen xhepat e përparmë duke qenë se janë afër organeve gjenitale. (shënim: organet gjenitale dhe nxehtësia)

3-   Për të njëjtën arsye, të mos mbahet telefoni celular afër, nën jastëk, gjatë gjumit.

Telefonatë të këndshme!

Bibliografia:

© Rinstink, Shkurt 2013

——————————————–

Dioksidi i karbonit, jonet bikarbonat

Dioksidi i karbonit transportohet kryesisht si jone bikarbonat

Gjaku e transporton dioksidin e karbonit ne tre menyra. Rreth 10% e dioksidit te karbonit tretet ne plazmën e gjakut. 30% futet brenda rruazave te kuqe te gjakut dhe kombinohet (lidhet) me hemoglobinën. Për shak se lidhja midis hemoglobines dhe dioksidit te karbonit është shumë e dobet, reaksioni është pothuajse i kthyeshëm. Shumica e dioksidit te karbonit (rreth 60%) leviz neper plazmë (ose me ane te plazmes) si jone bikarbonat (HCO3).
Ne plazmen e gjakut, dioksidi i karbonit lidhet (ngadalë) me ujin për te formuar acidin karbonik. Ky reaksion zhvillohet shumë me shpejte brenda rruazave te kuqe te gjakut sepse ndihmohet nga një enzimë (carbonic anhydrase). Acidi karbonik ndahet duke formuar jone hidrogjen dhe jone bikarbonat.
CO2+ H2O–> H2CO3  –> H+ + HCO3
Shumica e joneve hidrogjen qe çlirohen nga acidi karbonik, kombinohen (lidhen) me hemoglobinën, e cila është një ruajtes i mire i pehashit (pH-së). Një sasi jonesh bikarbonat shperhapen ne plazmë. Aksioni i enzimes “carbonic anhydrase” (anhidraza karbonike) brenda rruazave te kuqe te gjakut ruan një (shkallë) gradient shperhapjeje për dioksidin e karbonit, për levizjen e tij jashtë-brenda dhe brenda-jashtë eritrociteve.

Ndersa jonet (e ngarkuara elektrikisht) bikarbonat dalin jashtë eritrociteve, jonet klorur (Cl) qe gjenden ne plazmen e gjakut futen brenda rruazave te kuqe te gjakut, për te zevendesuar jonet bikarbonat – “chloride shift”. 

Ne kapilaret qe rrethojne hojëzat, CO2 -shi shperhapet nga plazma drejt hojezave (nga zona me perqendrim me te larte tek zona me perqendrim me te vogel).

Çdo gjendje (siç është enfizema) qe nderhyn me procesin e eliminimit te dioksidot te karbonit nga mushkëritë mund te çoje drejt acidozës respiratore. Ne kete gjandje, dioksidi i karbonit prodhohet me një ritem me te larte se ai me te cilin ekskretohet nga mushkëritë. Si pasoje, perqendrimi idioksidit te karbonit ne gjak rritet. Kur pH (pehashi) i gjakut bie nen 7, sistemi nervor qendror “bie ne depresion” dhe individi çorientohet. Acidoza respiratore e patrajtuar mund te shkaktoje komën dhe vdekjen.

© Rinstinkt, shkurt 2013

———————————————-

Predispozita gjenetike ndaj miopisë

Miopia është një shqetësim i shëndetit (dhe i të parit) mjaft i përhapur në botë. Rreth 30% e popullatës perëndimore është e prekur nga miopia. Tek aziatikët miopia është edhe më e përhapur duke kapur shifra prej 70-80%.

miopia dhe korrigjimi i miopiseTek individët miopë projektimi i imazhit nuk ndodh atje ku duhet (pra në retinë) por ndodh përpara retinës, duke e bërë kësisoj imazhin të mjegullt, të paqartë.

Ky projektim i gabuar, përpara retinës, ndodh zakonisht për shkak të “zgjatjes” së syrit. Zgjatja bën që imazhi që duhej të projektohej mbi retinë, ku rrezet do të kishin konvergjencë të plotë, të projektohet përpara saj, duke e bërë atë të paqartë për shkak të divergjencës së rrezeve.

Lidhja e miopisë me gjenet ishte bërë prej kohësh, dhe për këtë mjaftonte të shihej se prindër miopë, kishin probabilitet të madh të sillnin në jetë fëmijë me të njëjtin problem të shikimit.

Në rastin e miopisë, bëhet fjalë sipas të gjitha gjasave për një predispozitë gjenetike, që nxitet apo përkeqësohet nga faktorë mjedisorë. Kështu, është gjetur një lidhje e fortë mes miopisë dhe leximit të zgjatur, frekuentimit të pakët të mjediseve të hapura dhe nivelit kulturor të individëve të prekur.

Aktualisht për miopinë nuk ka kurë. Gjithsesi ekzistojnë ndërhyrje të ndryshme (edhe kirurgjikale) që pakësojnë simptomat e miopisë. Miopia korrigjohet me anë të syzeve dhe lenteve me/në kontakt.

Në Nature Genetics gjendet një artikull që analizon të dhënat e studimeve të ndryshme (të pavarura) mbi miopinë.

Nga meta-analiza e 32 studimeve të mëparshme doli se janë 24 gjenet që kur paraqiten me një nga variantet e veta, janë përgjegjës për shqetësimet që kanë të bëjnë me miopinë.

Mes këtyre gjeneve ka nga ata që rregullojnë transmetimin e impulseve nervore (GRIA4); nga ata që rregullojnë metabolizmin e acidit retinoik (RDH5); nga ata që rregullojnë rimodelimin e matriksit ndërqelizor (BMP2); dhe gjene që rregullojnë zhvillimin e syrit (SIX6 dhe PRSS56).

© Rinstinkt 2013

—————————————————