Efekti placebo

Efekti placebo

 

Placebo-ja është një substancë inerte (jo aktive, që nuk ka asnjë veprim terapeutik vetjak) që mund të përkufizohet si, me një ekfekt terapeutik baraz me zero. Por nga ana tjetër, është një fakt i konfirmuar se placebo-ja nuk ka një efekt “zero”, sepse me mekanizma të ndryshëm mund të arrihet një “efekt” i matshëm, afër zeros por asnjëherë i paqenë.

Për këtë arsye placebo-ja përdoret gjerësisht si metër (i njohur shkencërisht) krahasues për substanca që eksperimentohen në mjekësi ose për të krahasuar efektin e një ilaçi me vazhdimin natyror të sëmundjes, pra me sëmundjen pa ndërhyrje.

Praktikisht, nëse dua të marr vesh nëse një ilaç punon apo jo, e krahasoj me një placebo. Nëse ilaçi funksionon 10 dhe placebo-ja funksionon 2 (i dhënë në të njëjtat kushte), atëherë ai ilaç është i efektshëm. Nëse ilaçi funksionon 5 dhe placebo-ja 4 atëherë dalim në përfundimin se ilaçi në fjalë nuk ka ndonjë efekt të veçantë.

Placebos i jepet një formë “e nevojshme”, për të kryer këto lloj provash, apo krahasimesh, në mënyrë që subjekti mbi të cilin bëhet testimi të mos e di ndryshimin mes placebos dhe ilaçit. Placebo-ja mund të ketë formën e një pilule, një shurupi apo një solucioni që jepet me anë të gjilpërës dhe përgatitet pothuajse gjithnjë me sheqer, amidon apo laktoz, që janë substanca që nuk kanë efekte terapeutike të mirëfillta.

Por gjithsesi, nëse një pacienti me dhimbje koke i japin një pilulë me sheqer duke i thënë se po i japim një bar kunda dhimbjes, dhimbja e tij e kokës ka shumë mundësi që të zbehet, mbase për pak apo shumë pak, por do të zbehet.

Pse? …

Perceptimi ynë i dhimbjes, kufiri i durimit, reagimi i psikikës tonë për të bërë që ajo dhimbje të ndihet më pak, të gjitha këto ndihmohen dhe përforcohen nga pilula e sheqerit të cilës i japim “fuqi” që në të vërtetë nuk i ka; bindemi se marrim diçka efikase, kuruese (kurative).

Nëse pastaj e përforcojmë këtë “bindje” mirëbërëse të pilulës prej sheqeri me elementë të tjerë, si një ngjyra e ndezur, forma karakteristike e pilulës apo edhe fjalët e mira të mjekut,  efekti do të jetë edhe më i madh. Efekti pralcebo! 🙂

Efekti placebo, sipas pjesës më të madhe të shkencëtarëve ekziston dhe njihet në atë pikë saqë të përdoret edhe si metër për vlerësimin e trajtimeve mjekësore.

Efekti placebo është ai efekt (ajo dukuri) që shpjegon “efektet” e produkteve homeopatike në të cilët nuk ka asnjë gjurmë të substancës aktive. Me këtë mekanizëm (me placebon) duket se shpjegohen edhe të tjera efekte të lehta të mjekimeve alternative si agopunktura. Natyrisht një placebo nuk ka asnjë ekfekt anësor (efekt kolateral).

Mund të konsiderohen placebo edhe disa akte kirurgjikale apo egzaminime diagnostike; i vetmi kusht është që, në të vërtetë, në rastin e parë të mos kryhet asnjë operacion kirurgjik kurues dhe në të dytin të mos kryhet asnjë ekzaminim.

Nëse efekti placebo funksionon “kaq mirë”, pse nuk përdoret gjerësisht?

Ka dy arsye kryesore: i pari është se efekti i placebos i detyrohet njëgënjeshtre”. I dyti është etik. Është e drejtë t’i jepet pacientin “asgjë” edhe pse me një qëllim të mirë?

Në praktikën e përditshme mjekësore, janë të shumtë mjekët që japin placebo për të përmirësuar disa shqetësime të vogla. Në këto raste zakonisht jepen vitamina, integratorë dhe minerale.

Efekti placebo funksionon aq mirë saqë njihet edhe “verësia nga placebo-ja”. Persona që vuajnë nga një patologji, për shembull dhimbja e kokës, “kuroheshin” (trajtoheshin) me një pilulë sheqeri çdo ditë. Dhimbja e kokës përmirësohej,çuditërisht. Kur ndërpritej marrja e pilulës, problemi, dhimbja e kokës, rishfaqej edhe më i fortë.

Është gjithashtu e demonstruar se efekti placebo mund të kushtëzojë apo modifikojë parametra jetësorë si presioni arterioz, frekuenca kardiake apo glicemia (niveli i sheqerit në gjak).

Forca e mendjes! Ajo e vërtata jo ajo newage, apo alternativeshifsaimirjam. Efekti placebo nuk “funksionon” kur subjekti humbet ndjenjat (anestezi, koma) ose ka probleme të rënda cerebrale (trunore).

Dy duket se janë mekanizmat që rregullojnë efektin placebo:

I pari, ai psikologjik; bindemi se do të jemi më mirë dhe në fakt jemi.

I dyti, endokrin; organizmi ynë ndihet i kuruar dhe pret një përmirësim të gjendjes. Për këtë arsye prodhohen disa substanca të quajtura endorfina që kanë funksionin e relaksimit. Sjellin kënaqësi dhe lehtësojnë durimin e dhimbjes dhe vuajtjes.

Është kryer një eksperiment i lezetshëm, që qartëson edhe më mirë se si dhe në çfarë thellësie truri ynë “bindet” se trupi është më mirë. Bëhet fjalë për studimin e Kirsch-ut dhe Weixel-it, studim që analizoi efektin e placebos duke u dhënë subjekteve kafe me dhe pa kafeinë.

Tre grupe pacientësh të ndarë në A, B dhe C.

Grupi A mori kafe pa kafeinë, grupi B mori kafe normale me kafeinë, ndërsa grupit C i thanë se do të merrte kafe normale me kafeinë por në realitet iu dha vetën kafe e dekafeinizuar.

Studiuesit matën parametrat klinik të të gjithë pacientëve duke regjistruar frekuencën kardiake, vëmendjen, tensionin nervor dhe presionin arterioz.

Cilët “pacientë” (subjekte) pësuan më shumë ndryshime të këtyre parametrave?

Pritshmëritë ishin se vetëm pacientët që morën kafe normale (B) do të kishin një rritje të ndjeshme të parametrave, ndërsa të tjerët jo. Por ndodhi e kundërta: rritjet e ndjeshme të parametrave u regjistruan vetëm për subjektet e grupit C (ai që mori kafe të dekafeinizuar, por që po mendonte se po pinte kafe normale!), ndërsa në grupet A dhe B edhe pse në një shkallë të ndryshme, rritjet e parametrave nuk ishin domethënëse dhe mbi të gjitha jo më të larta se ato të grupit C.

Del nga ky studim se efekti ibindjes mendore”  se po merret kafeinë është më i fuqishëm se marrja reale e kafeinës.

Ka edhe studiues që e mohojnë ekzistencën e efektit placebo. Sipas tyre nuk ekziston asnjë efekt i induktuar nga substanca inerte, dhe rastet në të cilat ka përmirësim i detyrohen regresioneve të vetvetishme, luhatjeve të sëmundjes, trajtimeve të tjera apo kushtëzimeve psikologjike dhe të tjera.

© Rinstinkt, dhjetor 2012

Advertisements

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s