Bozoni i Higgs-it
Çfarë është një bozon?
Thërrmijat themelore ndahen në dy kategori: bozonët dhe fermionët. Pa u futur shumë në detaje – që hera-herës janë të vështira edhe për fizikanët që nuk janë specialistë të thërrmijave – mund të thuhet se bozonët janë thërrmija që mund të qëndrojnë të grumbulluara të gjitha së bashku, ndërsa fermionët janë më mizantropë, duke kundërshtuar praninë e dy prej tyre në të njëjtën gjëndje kuantike (analogjia thërrmijore e “vendit”).
Të gjitha thërrmijat që shërbejnë si ndërmjetëse (“mediatore”) në ndërveprimet (forcat) themelore (elektromagnetike, bërthamore e fortë, bërthamore e dobët dhe gravitacionale) janë bozone.
Emri “bozon” është vënë në nder të fizikanit indian Satyendranath Bose, ndërsa emri “fermion” në nder të fizikanit italian Enrico Fermi.
Përse thuhet “i Higgs-it”?
Thërrmija në fjalë quhet “e Higgs-it” sepse u teorizua në 1964 nga fizikani britanik Peter Higgs.
Teoria e thërrmijave atëherë nuk (e) shpjegonte se përse vet thërrmijat kishin një masë, dhe Higgs-i propozoi një mekanizëm për ta shpjeguar (dhe ky mekanizëm parashikon ekzistencën e bozonit për të cilin po flasim).
Përse shumë njerëz e quajnë “thërrmija e Zotit”?
Një premisë: ky përcaktim – mjaft bezdisës për shkencëtarët – nuk ka fare të bëjë me besimin në Zot ose jo. Për më tepër që ky përcaktim nuk është i dëshiruar as nga Peter Higgsi vet dhe as nga Leon Lederman, që në mënyrë të pavullnetshme, është shkaktari i lindjes së tij.
Në vitin 1993 Lederman-i shkruajti një libër (për përhapjen e shkencës) së bashku me gazetarin shkencor Dick Teres-i, mbi historinë e fizikës së thërrmijave.
Duke parë rëndësinë e tij – në atë kohë teorike, duke qënë se nuk ishte vëzhguar akoma – bozoni i Higgs-it luante një rol qëndror në libër, dhe për shkakt të natyrës së vet “të shkathët”, pra, vështirësisë për ta “kapur”, Lederman-i e quajti në titullin origjinal “Thërrmija e mallkuar (e dënuar)”… por botuesi (“editori”) e ndryshoi në “Thërrmija e Zotit”.
—
———————————————————————————
Pingback: Bozoni i Higgsit (2) | rinstinkt