Unë u vetëvrava – Azis Nesin

Unë u vetëvrava
nga Azis Nesin

Ca kohë më parë më ishte ngjitur një sëmundje shumë e rrezikshme. Sëmundja ishte verem, ishte aq e shpifur sa ma mërziti jetën. Shi në ato momente kryqëzoi për herë të parë mendtë e mia plani për të vrarë veten.
Dhe ja se si filloi aventura ime e parë drejt vetëvrasjes: Pyeta veten “O shpirtvrerosur romantik! Në ç’mënyrë do të të pëlqente të vdisje? Me një kobure, siç i shkon temperamentit tënd, apo me një thikë? Në thellësitë e detit, apo në rrotat e trenit? Helm apo …?”
Një zë i brendshëm foli e mu përgjigj: “Zotni! Fundi i fundit vetëm një herë në jetë vdes njeriu. Pra pse të mos përdorim metodat e verifikuara nga aristokratët për të thirrur në takim vdekjen?”
Bash ashtu, vendosa t’i jam fund jetës me farmak, duke ndjekur rrugë të njëjtë me ca personazhe të famshëm historikë, që e pritën vdekjen të shtrirë në krevatet luksozë e të rehatshëm, në pallatet e tyre mbretërore. Pak rëndësi kish që unë nuk zotëroj as krevat luksoz dhe as pallat mbretëror; shtëpia ime e thjeshtë dhe dyshemeja e shtruar me tulla mund ta kryenin po aq mirë detyrën.
Pasi e ndava mendjen u nisa drejt e për te dyqani i barnave, bleva një dozë nga helmi më vdekjeprurës dhe u ktheva në shtëpi. U futa në dhomë, e kyça derën nga brenda dhe u ula për të shkruar një letër të gjatë e romantike, që pak a shumë konsistonte në fjalët: “Adieu o botë vdekatare!”
Më pas rrokëlleva një gllënjkë helm e u shtriva përtokë, në dysheme. Prisja që të gjithë damarët të më ngushtoheshin nga çasti në çast, që ta ndalonin qarkullimin e gjakut në trup, që të paralizonin funksionin e gjendrave dhe organeve, por asgjë s’ndodhi. Pasi prita goxha gjatë u çova, piva dhe një gllënjkë farmak dhe u shtriva përdhe përsëri. Koha kaloi shpejt, po ne trup s’mu shfaqën as shenjat më të vogla të helmimit. Vetëm më vonë arrita të marr vesh që në vendin tonë shumë të dashur, ku qumështin e përziejnë me ujë, ku gjalpin e shtojnë me pluhur patatesh dhe me dhjamë kafshësh, piperin e kuq e shtojnë me pluhur tulle, këtu s’e kanë për gjë që dhe helmin të ta shesin të holluar! Do të thotë që një xhentëllmen si unë, një shërbenjës i qeverisë, një jakëbardhë si unë, s’ka as edhe një dreq shprese që të vetëvritet me sukses duke gëlltitur helm.
Shërbenjësi juaj i përvuajtur ka qëlluar kokëmushkë si natyrë. Nëse më mbushet mendja për diçka, dhe ndonjë ide më hedh rrënjë në kokë, herët a vonë unë arrij ta vë në jetë. Vendosa që t’i hedh trutë në erë me një plumb të vetëm pisqolle, që do të garantonte një vetëvrasje të sigurt. E mbusha revolen, e mbështeta tytën në ballë, mbylla sytë dhe me dhëmbët shtrënguar shkela këmbëzën. Mirëdita! Ç’dreqin ka? Fisheku s’doli. E shkela dhe një herë këmbëzën, po nuk pati asnjë ndryshim nga hera e parë. Më vonë ekspertët më shpjeguan se pistoleta ime qe importuar nga Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet programit të ndihmës dhe asistencës ushtarake.
Pas takimit zhgënjyes me pisqollën menjëherë më shkoi mendja tek gazi. Ky po, mund të ishte vrasës i sigurt. Dhe vdekjes nga gazi nuk i mungon lavdia. Me të thënë e me të bërë mbylla çdo derë e dritare, u sigurova që kisha vulosur çdo vrimë e çdo vërë, dhe i çela deri në fund rubinetat e gazit. U rrasa në karrike dhe fillova të provoj poza të ndryshme. Në fund zgjodha një qëndrim gjithë dinjitet, që njerëzit ta kuptonin që kishin patur të bënin me një person serioz, anipse pas vdekjes. Mëngjesi u shndërrua në mesditë, pasdite e më pas muzg. Asnjë gjurmë e Asrailit vërdallë!
Aty nga mbrëmja më vizitoi një mik.
I bërtita: “Mos hyr brenda! Dil menjëherë.”
“Si është puna mor zotni?” më pyeti.
“Unë jam duke vdekur” i thashë
“Nuk je duke vdekur, maksimumi mund të jesh duke u çmendur”
Pasi i rrëfeva planin tim ai u shkri duke qeshur dhe më tha: “Më lejo të të them që je budalla i klasit të parë. Si ore nuk e ditke që tubat e gazit sot shpërndajnë vetëm ajër të pastër? Nëse e ke seriozisht këtë punën e vetëvrasjes, dëgjo këshillën time e bëj ç’të të them. Sepse kështu ndoshta do të ta shlyej gjithë miqësinë që më ke dhuruar.”
Ai më këshilloi të blej një thikë cilësore e ta rrasja në stomak, siç bëjnë trimat japonezë, e më pas, me zorrët në dorë të largohesha nga kjo botë e vdekshme prej gjaku e mishi.
E falënderova për këshillën e vyer, u nisa drejt e për në pazar ku bleva një thikë. Teksa ecja me thikën në dorë u drodha. Paj, t’ju rrëfej të vërtetën, ideja e këllitjes së zorrëve të dikujt jashtë barkut, me thikë, sidomos kur zorrët janë të tuat, nuk është shumë e këndshme. Një tjetër mendim që më shqetësonte ishte turpi fatkeq që do të mbetej pas me siguri, se kur të më bënin ekzaminimin post-mortem doktorët nuk do të gjenin dot në zorrët a në stomakun tim sendin e përkufizuar si ushqim, dhe as ndonjë gjë të ngjashme. Gjithsesi e futa thikën në mëngë dhe u nisa për në shtëpi, kur dy polica më ndalën.
Me seriozitet u përpoqa të shpjegohem: “Zotërinj, ju lutem bëni durim e më dëgjoni. Unë ia paguaj të gjitha taksat qeverisë, me përkujdesjen më të përpiktë. Nuk kam pëshpëritur as edhe një fjalë kundër qeverisjes sonë të dashur. Është zor të të dalë përballë ndonjë qytetar më i ndershëm se…”
Ma ndërprenë fjalimin e gjatë sapo vunë re dorezën e thikës që dilte nga mënga, dhe më bërtitën: “O zoti qytetar i respektuar! Ç’kërkon kjo lodër në mëngën tënde?”. Vetëm në atë moment e kuptova që sapo kisha hasur atë skuadrën speciale të policisë që kontrollon herë pas here qytetarët e respektuar, duke u përpjekur që të zvogëlojë numrin e incidenteve si zhvatjet, hajnitë apo krime të tjera kësisoji në qytet.
I thashë vetes: “O zot, kurrë nuk ka qenë e lehtë të jetosh në këtë atdheun tim, por sot po më duket po aq e vështirë edhe vdekja këtu. Edhe për sa kohë e paskemi të shkruar që ta durojmë këtë arrogancë?”
Kush dëshiron t’i çojë gjërat deri në fund, duhet të mësojë nga unë. Pasi e vendosa që t’i jap fund jetës, kush vallë mbi kët’dhe do të më ndalonte? Policia më konfiskoi thikën, e çfarë pastaj? Që ditën tjetër shkova te bakalli dhe bleva një litar të trashë e të bëshëm, të cilin e fërkova mirë e mirë me sapun. Njërin skaj e lidha tek një çengel i hekurt që varet prej tavani, tjetrin e lakova dhe duke qëndruar në këmbë mbi një karrike, futa qafën time të dobët tejetej lakut. Më pas i futa një shkelm karrikes mbi të cilën rrija. Por sa largova karrigen u përplasa në dysheme. Litari qe tepër i dobët për peshën time. Shkova të ankohesha te bakalli.
Përgjigjja e tij qe e pafajshme: “Zotni, neve nuk na vjen më ai furnizimi i parë, ai cilësori. Po s’na erdhi mall i mirë nga jashtë me çfarë do t’i kënaqim klientët tanë?”
Më në fund u binda tërësisht që për mua vdekja qe e pamundur. Meqenëse përpjekja për vetëvrasje rezultoi kaq e kotë mendova, e përse mos të rregulloj ca gjëra që i duhen jetës? Meqenëse jeta ka nevojë për stomak të mbushur u drejtova tek restoranti i parë. Aty porosita qebap viçi të fërguar me vezë dhe i hëngra, disi më i lehtësuar shpirtërisht. Pjata tjetër konsistonte në përmbajtjen e një kutie metalike me perime konservë, të skuqura në gjalpë. E mbylla të gjithën me një pilaf me kos. Ndihesha plotësisht i ngopur. Siç dola nga restoranti, mu joshën sytë nga një ëmbëltore matanë rrugës. Shkova dhe aty, dhe gëlltita një nga një pesë pasta me krem.
Një gazetashitës që po ecte në trotuar thërriste: “Gjashtëmbëdhjetë faqe për 20 qindarka! Bash gjashtëmbëdhjetë faqe! Nëse nuk keni qejf të lexoni mund ta përdorni për të bërë kaushë letre. Shisni kaushët, dhe keni për të dalë të fituar. Blini gazetën ditore…”
Në përgjithësi unë i evitoj gazetat. Por meqë u bënë kaq ditë pa shfletuar një, nuk i rezistova kureshtjes dhe ia mora një gazetashitësit. Kur mbërrita në shtëpi fillova ta shfletoj gjersa gjumi më mposhti. Ndërsa flija ndjeva një si thikë që më ngulej në stomak. Ishte një dhimbje e tmerrshme, therëse, që s’ka fjalë ta përshkruajë. Kur dhimbja u bë e padurueshme nisa të ulërija. Një rob zoti se ku kullandrisi një ambulancë, dhe më çuan në spital. Kur mbërrita në spital më kishte rënë të fikët nga dhimbjet. Me të ardhur në vete, sapo hapa sytë, pashë një doktor ndanë shtratit ku isha shtrirë.
Ai më tha: “Do kesh ngrënë ndonjë gjë të keqe. Diagnoza ishte helmim nga ushqimi. A më thua ç’ke ngrënë këtë mëngjes?”
“Hëngra ca pasta me krem dhe…”
“Çfarë…?” Thirri doktori. “Pasta me krem the? Je çmendur? Me sa duket nuk i paske lexuar gazetat këto ditë. Po t’i kishe lexuar s’do të kishe guxuar t’i aviteshe ëmbëltoreve. S’e paske marrë vesh ti që ka disa ditë që faqet e gazetave janë mbushur me lajmërime vdekjesh nga kolera që po përhapet nga pastat! Nejse, po tjetër ç’ke ngrënë sot?”
“Hëngra drekë në një restorant.”
“Drekë? Në një restorant? E çfarë hëngre?”
“Qebap viçi, perime konservë, pilaf, kos,…”
“Po çuditem që qenke ende gjallë pas gjithë këtyre! Po tjetër?”
“Për zotin asgjë tjetër s’kam ngrënë doktor. Por lexova editorialin e një gazete pro-qeverisë. Aty më filluan dhimbjet…”
“Ia paske hedhur paq. Falëndero yjet që merr ende frymë.”
Tek kthehesha për në shtëpi mendja ime më pyeste vazhdimisht: “Nëse nuk qenka e shkruar për njerëzit e varfër si unë që të jetojnë një jetë të rehatshme, atëherë pse na e mohojnë një vdekje të lehtë?”
Tani, sa herë që kam dëshirë të vetëvritem preferoj drekën në restorant ndaj çdo mjeti tjetër: helm, thikë, litar, gaz, etj.

Advertisements

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s