Sterilizimi dhe pseudombrojtësit e kafshëve

Ekziston një faqe në rrjetin social Facebook, me emrin PAPA (People for Animal Protection in Albania), që deklarohet nga administratorët e vet si në mbrojtje të të drejtave të kafshëve.

Citoj nga faqja e tyre, nëfaqja About apo Rreth Nesh (ekuivalenti shqip).

Qellimi i kesaj faqeje eshte te ndryshoje fatin e kafsheve ne Shqiperi. Ne e respektojme jeten dhe besojme qe njerezit, si qenie superiore, kane detyrimin te mbeshtesin dhe mbrojne jeten e kafsheve. Ne e denojme abuzimin me kafshet dhe torturen ndaj tyre dhe do te luftojme per te permiresuar dhe zbatuar ne menyre korrekte ligjet per mbrojtjen e kafsheve. Ky grup mirepret pervojen tuaj ne shpetimin e kafsheve, deshmite tuaja ne rastet e abuzimit ndaj kafsheve, idete tuaja per te prodhuar ndryshimin e nevojshem, propozimet tuaja per veprimtari dhe aktivitete ne mbrojtje te kafsheve, te cilat ju deshironi t’i ndani me te gjithe anetaret e ketij grupi. Ky nuk eshte thjesht nje grup per dashamiresit e kafsheve te shoqerimit: ne jemi te shqetesuar per te gjitha kafshet dhe vecanerisht ato qe vuajne nga braktisja dhe abuzimi i shkaktuar nga njeriu. P.A.P.A eshte ti dhe une, dhe ai dhe ajo, dhe ne besojme se se bashku ne mund te sjellim nje ndryshim ne jeten e kafsheve ne Shqiperi. 

Ndryshimi i fatit të kafshëve të Shqipërisë – fjalia e parë – është një mision i lavdërueshëm.

Le të merremi njëçik me fjalinë e dyte. PAPAt besojnë se, njerëzit si qenie superiore… Pra as që e vënë në dyshim superioritetin e njeriut. Po nejse kjo mund edhe të interpretohet jo si supersioritet hyjnor, por si superioritet kulturor dhe epërsi në manipulimin e ambientit që e rrethon sipas dëshirave të veta, ndaj nuk po ndalem (edhe sepse do të më duhej të shkruaja mjaft për t’u shqaruar).

Por ajo që të lë shije të keqe është besimi se njeriu ka detyrimin të mbrojë dhe mbështesi jetën e kafshëve. Edhe këtu mund t’i bihet shkurt e të thuhet se është besimi i tyre personal. Por ky besim nuk mund të lihet pa u kritikuar kur kthehet në besim për të “shpëtuar” kafshët, më saktë kaviet, që janë paracaktuar dhe rritur apostafat për t’iu nënshktuar kërkimeve shkencore.

Lëvizjet simotra të PAPAs në Europë e SHBA, fatkeqësisht kanë kaluar me kohë nga llogoret e internetit në llogoret e jetës publike, edhe duke ndërmarrë aksione (kriminale) për të ndalur kërkimin shkencor. Veprimet e tyre janë përqëndruar kryesisht në sulme ndaj qëndrave të rritjes së kavieve e kafshëve për kërkimin shkencor – kjo sepse kaviet rriten në kushte specifike, standard dhe me norma të mirë përcaktuara, pra nuk janë të “ndotura” nga ambienti i jashtëm.

Problemi i vetëm që kam unë, si person privat, por edhe si anëtar i një kategorie të caktuar që është e shqetësuar nga lëvizje apo grupime të tilla shoqërore që rrezikojnë të kthehen në një fe të re, është ai që ka të bëjë së pari me keqinforminim, me shtrembërimin, me hipokrizinë dhe jokoherencën e deklaratave, pa harruar nxitjen e dhunës ndaj grupimeve të caktuara shoqërore.

Nxitja për këtë shkrim? Një postim i ditëve të kaluara të PAPAs. Postimi kishte si objekt një karikaturë (pamje) ku tregohej se përse duhet të sterilizohen kafshët shtëpiake – qeni, macja etj.

PAPA sterilizon

Arsyet për sterilizim mund t’i jap edhe unë, mjaft thjeshtë: pamundësia për të kontrolluar aktivitetin seksual të kafshës që mund të shpie në riprodhimin e tyre të pakontrolluar që eventualisht do t’i detyronte pronarët që shtazët e reja t’i dhuronin apo më keq siç ndodh mjaft shpesh në Shqipëri t’i braktisnin në trotuar, t’i hidhnin në ndonjë ferrë apo edhe t’i sakatonin në tentativë për t’i vrarë. Nga këtu lind natyrshën nevoja për t’i sterilizuar kafshët shtëpiake…për t’u ardhur në ndihmë nevojave të njerëzve. Që janë ato të shfrytëzimit të kafshëve për qejfin e vet dhe të mos lejimit të riprodhimit të tyre.

Mesazhi i PAPAs është i qartë. Mbani kafshë për nevojat tuaja, për shoqëri, për ledhatim, për argëtim por për të mos patur kokëçarje sterilizojini.

Aktiviteti seksual i kafshës nëse kjo nuk do të ishte nën kontrollin e njeriut do të ishte tërësisht i lirë dhe i pakontrolluar. Njeriu pra, ndërhyn, për të marrë nga kafsha përkëdheljet dhe ngrohtësinë e pellushit duke i hequr asaj një të drejtë themelore, nëse mund ta quaj kështu, atë të lënies së pasadhësve, të trashëgimisë së gjeneve.

Pra, shkurt, edhe PAPAt shqiptarë si ata të huajë – që venë e ngrihen nëpër protesta gjoja për mbrojtjen e kafshëve (edhe të atyre që janë të destinuara për kërkimin shkencor, që njerëzimit, por edhe vetë kafshëve, u sjell veç të mira) – kanë në mendjen e tyre (në mënyrë ë paraprogramuar, mbase!) dy standarde gjykimi. Nga njëra anë thonë e deklarojnë se janë për mbrojtjen e kafshëve nga ana tjetër për qejfin dhe rehatinë e vet janë gati edhe t’i sterilizojnë për të mos patur kokëçarje të mëtejshme.
Të paktën të mos pretendojnë se janë për mbrojtjen e kafshëve dhe të të drejtave të tyre të pretenduara (Për thellim, shiko:Reflektime etike mbi “të drejtat e kafshëve”). PAPAt shqiptarë janë thjesht një grup njerëzish që mbrojnë kafshët dhe “të drejtat” e kafshëve deri në atë pikë sa u intereson. Si të gjithë xhanëm.

[Lexo dhe: Shfarosje po, eksperimentim jo - irracionaliteti animalist]

P.S. Kjo që kam shkruar nuk duhet të merret si një kritikë vetëm për PAPAn. Unë u nisa nga ai postim, për të marrë spunto. Kërkoj ndjesë nëse ndonjë përgjithësim imi fyen ndokën. Korrigjime mund të bëhen.

© Rinstinkt

—————————————————————————————————–

Kontrolli mikrobik – agjentët fizikë në kontrollin mikrobik

Kontrolli mikrobik – agjentët fizikë

Metodat fizike të kontrollit mikrobik përfshijnë nxehtësinë, ftohjen, radiacionet, tharjen dhe filtrimin.

Nxehtësia është metoda më e përdorur për kontrollin mikrobik. Përdoret në kombinim me ujin ose si nxehtësi e thatë.

Thermal death time (TDT), koha e vdekjes termike, është koha më e shkurtër që kërkohet për të vrarë të gjitha mikrobet në një temperaturë specifike. TDT-ja është më e gjatë për trajtimin e baktereve spore-formues dhe për disa viruse.

Pika e vdekjes termike, thermal death point (TDP), është temperatura më e ulët në të cilën të gjitha mikrobet vdesin në një interval të caktuar kohor (10 minuta).

Autoklava apo sterilizimi me anë të avujve, është procesi sipas të cilit avulli nxehet nën presion për të sterilizuar në sërë materialesh në një interval kohor relativisht të shkurtër. Është një metodë e efektshme për shumicën e materialeve, përjashtuar substancat që rezistojnë ndaj ujit si vajrat apo rrëshirat.

Zjerja e ujit dhe pastorizimi i pijeve  dizinfektojnë por nuk i sterilizojnë materialet.

Djegia është mikrobicide. Përdoret për shkatërrimin total të mikrobeve dhe materialeve.

Ngrirja dhe tharja janë metoda mikrobistatike por jo mikrobicide. Nuk konsiderohen si metoda dizinfektimi duke qenë se nuk janë konsistente në efektshmërinë e tyre.

Metodat e kontrollit mikrobik

Metodat e kontrollit mikrobik konsistojnë në agjentë kimikë dhe agjentë fizikë që përdoren për të eliminuar apo zvogëluar numrin e mikroorganizmave në një ambient të caktuar. Këto masa parandalojnë përhapjen e mikroorganizmave (agjentëve infektues) dhe i mbajnë produktet komerciale të sigurta.

Popullata mikrobike që shkakton prishjen apo infeksionin ndryshon në varësi të përbërjes së species, rezistencës, dhe rrezikshmërisë, kështu që metodat e kontrollit mikrobik duhet të rregullohen për tu përshtatur me situatat e veçanta që paraqiten.

Për të treguar qëllimet dhe shenjestrat e metodave të kontrollit mikrobik përdoren terma të ndryshëm. Agjentët sterilizues shkatërrojnë të gjithë organizmat e gjallë, përfshirë viruset. Agjentët antiseptikë, agjentët dizinfektantë dhe agjentët higjenizues reduktojnë (zvogëlojnë) numrin e mikrobeve deri në një nivel specifik.

Agjentët antimikrobikë përshkruhen në varësi të aftësisë së tyre për të inhibuar rritjen mikrobike. Agjentët mikrobicidë shkaktojnë vdekjen e mikrobeve. Ata përshkruhen nga, se për çfarë janë –icidë: sporicidë, baktericidë, fungicidë, apo virusicidë.

Kontrolli mikrobik në kohët e lashta

Kontrolli mikrobik në kohët e lashta

Asnjë nuk e di me siguri se kur filluan njerëzit që të aplikonin metoda për kontrollin e mikroorganizmave, por ndoshta zbulimi dhe përdorimi i zjarrit në kohët prehistorike ishte pika e fillimit.

Tani, jemi në dijeni të të dhënave që përshkruajnë metoda të thjeshta të kontrollit të sëmundjeve të ushtruara nga qytetërime (civilizime) që kanë jetuar disa mijëra vite më parë. Dimë gjithashtu se njerëzit e lashtë nuk kishin as idenë më minimale rreth mikrobeve që shkaktonin sëmundje, por kishin një sërë besimesh; kishin aftësi në vëzhgimin e fenomeneve natyrore dhe ndonjëherë edhe pak fat. Ky kombinim bëri që njerëzit e lashtë të krijonin metoda të thjeshta dhe shpesh të rrezikshme që dhanë ndihmesën e tyre në kontrollin e mikroorganizmave.

Ilustrim i veshjes mbrojtëse të përdorur nga doktorët e 1700-ës për të shmangur ekspozimin ndaj viktimave të murtajës. Pjesa sqep-ngjashme e kapuçit përmbante parfume për të dhënë njëfarë mbrojtjeje nga erërat e kqija dhe nga thithja e “ajrit të keq”.

Kriposja, tymosja, regjia në uthull, tharja e ushqimeve dhe ekspozimi i tyre dhe i veshjeve ndaj dritës së diellt ishin praktika mjaft të përhapura në kohët e lashta.

Egjiptianët tregojnë një sofistikim të veçantë dhe të kuptuar të dekompozimit (prishjes), saqë arritën të krijonin metoda si balsamimi apo mumifikimi i trupave. Egjiptianët kryenin edhe filtrimin e veës dhe ujit.

Grekët e lashtë dhe Romakët, digjnin veshjet dhe trupat gjatë epidemive, dhe ujin e mbanin në enë bakri apo argjendi.

Ushtria e Aleksandrit të Madh zjente ujin që pinte dhe digjnin mbetjet. Djegia e squfurit për të tymosur shtëpitë dhe lyerja e trupit me squfur datojnë, edhe këto, në këtë periudhë.

Gjatë epidemisë së madhe të Murtajës në Mesjetë, ishte e zakonshme djegia e trupave në gropa masive, djegia e veshjeve të viktimave të murtajës dhe ndezja e drurëve aromatikë në shtëpitë e të sëmurëve me besimin se  tymrat do të luftonin sëmundjen.

Në kërkimin e dëshpëruar për njëfarësoj mbrojtjeje, të mbijetuarit vishnin roba të veçanta dhe i lyenin trupat e tyre me barëra, parfume dhe uthull.

Këto përpjekje duken arkaike (të lashtuara), por sot duket se ndonjë efekt e kanë patur. Djegia e drurëve lëshon formaldeid i cili mund të ketë vepruar si disinfektant; barërat, parfumet dhe uthulla përmbajnë substanca antimikrobike. Pra çdonjëra nga këto metoda të hershme, edhe pse të papërpunuara, shpuri në ndërtimin e themeleve të kontrollit mikrobik që ekziston (edhe) sot.

© Rinstinkt, 2012

—————————————————————————————-