Reflektime etike mbi “të drejtat e kafshëve”

Reflektime Etike mbi “të drejtat e kafshëve”

Njerëzit vuajnë, në trajtimin e diskursit etik, nga trashëgimia e rëndë e krishtërimit. Që do të thotë se, çdo gjest, që të mund të konsiderohet etik duhet t’i përkasi një ligji të sipërm, duhet të jetë konform idesë etike.

Njeriu, dhe në sensin më të gjerë, njerëzimi (humaniteti), duhet të respektojë idenë etike, sot, sikundër njëherë e një kohë duhej të respektonte idenë e Zotit.

Demonstrimi i ekzistencës të një ideje (të tillë) të sipërme të etikës ka qenë objek i punës së filozofëve që donin të mbushnin (apo zëvendësonin) boshllëkun e lënë nga rënia e etikës fetare; sepse nuk ishim të mësuar të qëndronim pa një pronar (padron) që të na thoshte se si duhet të sillemi.

Zoti kishte vdekur, tani duhej ta zëvendësonim me një tjetër, sikundër nga mëson Niçja.

Për pasojë njeriu nuk mund të bëjë asgjë pa qenë i autorizuar nga një ent jomaterial dhe shpirtëror, nga Etika. Dostojevskij thoshte se, pa Zot gjithça është e lejuar…, tani të gjithë tremben nga ideja se pa Etikë gjithçka bëhet e mundur. Por kjo nuk është aspak e vërtetë.

Etika ka patur një origjinë historiko-biologjike. Për një periudhë  të gjatë kohe, përpara shfaqjes së  njeriut në Tokë, etika nuk ekzistonte. Nëse etika ekziston është sepse është krijuar, ose ka lindur në mënyrë të vetvetishme (spontane) nga mendimi i njeriut; është një produkt i njeriut.

Etika duhet pra të jetë konform njeriut, që e ka krijuar, jo e kundërta; njeriu nuk ka nevojë për autorizime për të “shfrytëzuar” gjithë universin si t’i vijë përshtat. Limitet e tij nuk janë në ide por në realitetin e gjërave… Njeriu ka disa limite natyrore, për më tepër, si qenie shoqërore, ka disa limite shoqërore. Që do të thotë se, unë duhet të jap llogari për atë që bëj ndaj njerëzve të tjerë, sepse duhet të rregulloj raportet e mia me ta (përjashtuar rastin e eremitëve ;) ).

Por njerëzimi në vetvete, pra gjithësia e njerëzve, nuk duhet t’i jap llogari askujt. (Vetëm Zotit, nëse besohet në fe… por edhe këtu ka vend për diskutim.)

Ajo e etikës është një ide komode, e nevojshme për të dhënë (apo patur) disa norma bashkëjetese në shoqëri, por në momentin që pretendon të anashkalojë normat dhe të imponohet, atëherë bëhet fantazi, bestytëni e pastër.

Në realitet mbrojtësit e “të drejtave” të kafshëve (kafshistët) nuk mund të mbështeten në asnjë ide sipërore të etikës, sepse tradita nuk ka mjaftueshëm (të tilla) për të mbështetur një kauzë të tillë, dhe etika si ent shiprtëtor ekziston vetëm në traditë.

Por çfarë mund të bëjnë ata që pretendojnë se mbrojnë “të drejtat” e kafshëve? Mund natyrisht t’i kryejnë betejat  e tyre në terma shoqërorë, dhe jo etikë; pra , në vend që të kërkojnë respektim të të drejtave të kafshëve, që janë me të gjitha efektet një krijim i tyre (ekzaktësisht sikundër janë “të drejtat e njeriut”, që janë receta të rëndësishme praktikash shoqërore, por që në të vërtetë nuk kanë asnjë origjinë “natyrore” apo transhendentale nga humaniteti), mund të kërkojnë respektim të vetes së vet si njerëz “të dashur” me kafshët.

Një përqasje e tillë mund të ketë shumë më shumë sukses nga ajo aktualja, që është mjaft e ngjashme me atë të integralistëve fetarë: “përqafoni etikën tonë përndryshe do të shkoni në ferr!”.

Pretendimi i superioritetit moral të aktivistëve për të drejtat e kafshëve është kryekëput (krejt) i pa justifikuar.

In difesa della sperimentazione animale [OI]

© Rinstinkt, tetor 2012, për përkthimin shqip