HPV – llojet e kancereve të shkaktuar nga Human Papilloma Virus

HPV

Llojet e kancereve të shkaktuar nga Human Papilloma Virus

Papilloma-virusi njerëzor – human papilloma virus, është një term që tregon për një kategori, apo më mirë të them një familje të tërë virusesh, mbi 120 të tillë, të cilët mund të infektojnë sipërfaqen e trupit tonë. Infektojnë kryesisht lëkurën, në raste abrazionesh (çjerrjesh) dhe membranat mukoze.

Pjesa më e madhe e viruseve që bien në kontakt me trupin kalojnë pa u vënë re, sepse sistemi ynë imunitar i shkatërron pa lenë asnjë shenjë të kalimit të tyre. Kështu që prekin dhe manifestohen zakonisht në subjekte me sistem imunitar të dobësuar (për arsye të ndryshme).

lythat e zakonshem

Lythat e zakonshëm, të shkaktuar nga HPV

Në raste të tjera këta viruse shkaktojnë lytha, lytha të sheshët dhe lytha (iriqa) gjenitalë. Çdo pjesë apo sipërfaqe e lëkurës që gërvishtet, sadopak,  mund të infektohet nga HPV.

Por nuk ka mbaruar me kaq. Janë edhe viruset (HPV) që shkaktojnë kancer (neoformacione), pra onkoviruse. Vlerësohet se janë rreth 20 “varietetet” virale që shkaktojnë kancer. Ndër ta HPV-16 dhe HPV-18 janë shkaktarë të rreth 70% të kancereve të qafës së mitrës, tek femra.

Gjithsesi, ekzistojnë edhe viruse të tjerë që mund të shkaktojnë kancer tek njeriu. Ndër ta janë viruset e hepatitit B dhe C që mund të shkaktojnë kancer të mëlçisë, dhe virusi Epstein-Barr që shkakton një sërë formash kanceroze përfshirë limfomën e Hodgkinit.

HPV dhe kanceri i qafës së mitrës

Siç thash më lartë, HPV-16 dhe HPV-18 janë të njohur prej kohësh si shkaktarë të kancerit tek njeriu (të kancerit të qafës së mitrës – tek femra); që prej fillim-viteve 1980.

Pap Testi - Dallohen qelizat jo-normale në qendër dhe dy qeliza normale në të djathtë.

Pap Testi – Dallohen qelizat jo-normale në qendër dhe dy qeliza normale në të djathtë.

Femrat mund të kryejnë rregullisht screening-un me anë të Pap testit (testit të Papanikolaut), në mënyrë që kur ndodhin (nëse!) ndryshime histologjike, anatomike të kapen menjëherë. Kjo është një mënyrë e mirë për të kapur hershëm kancerin e qafës së mitrës. Në 90% të rasteve, ndërhyrja e shpejtë, e menjëhershme pas Pap testit, me heqjen e indit “të çrregullt”, është mjaft e efektshme në parandalimin e zhvillimt të kancerit të qafës së mitrës.

HPV dhe kancri i grykës

Nga viti 2004 kanceri i kokës dhe qafës u lidh me infeksionin e HPV. Pra si qafa e mitrës, në majtë të vaginës ashtu edhe sipërfaqja e bajameve dhe pjesa e pasme e gjuhës janë një ambien t i shkëlqyer për rritjen e papilloma virusit njerëzor.

HPV-16 mendohet se është fajtori (pra përgjegjësi) kryesor për kancerin e grykës (gurmazit). Ndërsa kancerët e buzëve dhe pjesës së përparme të gjuhës përgjithësisht janë pasoja të duhanpirjes, përtypjes së duhanit apo pirjes së alkookit.

Më mirë parandalimi sesa kurimi.

Si gjithnjë, si me të gjithë kanceret është më mirë parandalimi dhe kapja e hershme e tyre sesa tentativat, shpesh të kota, për kurim.

Vaksina HPV mbron nga varietetet HPV-16 dhe HPV-18, si dhe nga dy varietete (tipe) që shkaktojnë lytha gjenitalë.

Që kur ka filluar programi i vaksinimit kundër HPV, mjekët klinikë kanë vënë re një rënie drastike të rasteve me lytha gjenitalë. Nga 9.6% në 2004, në më pak se 2% në 2010-2011.

Duhet kujtuar se HPV transmetohet siç transmetohen edhe agjentë të tjerë etiologjik të sëmundjeve infektive, si klamidia, gonorreja dhe HIVi. Pra me anë të kontaktit oral dhe gjenital. Pra kondomët (prezarvativët) japin njëfarë mbrojtjeje, por gjithsesi të prekurit, puthjet dhe çdo akt tjetër që transmetoh lëngje trupore nga një peron tek tjetri mund të transmetojë infeksionin e HPV.

Bibliografia:

  • Parkin, D. M. (2006), The global health burden of infection-associated cancers in the year 2002. Int. J. Cancer, 118: 3030–3044. doi: 10.1002/ijc.21731
  • Maura L. Gillison – Human papillomavirus-associated head and neck cancer is a distinct epidemiologic, clinical, and molecular entity -http://dx.doi.org/10.1053/j.seminoncol.2004.09.011
  • Tim R H Read, Jane S Hocking, Marcus Y Chen, Basil Donovan, Catriona S Bradshaw, Christopher K Fairley – The near disappearance of genital warts in young women 4 years after commencing a national human papillomavirus (HPV) vaccination programme – Sex Transm Infect 2011;87:544-547 doi:10.1136/sextrans-2011-050234

Rinstinkt 2013

—————————————————————————————-

Duhanpirja dhe shëndeti i njeriut

Efektet e pirjes së duhanit mbi trupin e njeriut

Të pirit e duhanit (duhanpirja) ka efekte mbi çdo organ të trupit tonë. Duhani shkakton shumë sëmundje dhe, në përgjithësi, zvogëlon shëndetin e atyre që e pinë.

Të pirit e duhanit dhe vdekja

Nga pirja e duhanit llogaritet të ketë rreth 443,000 vdekje në vit, ose afërsisht një nga çdo pesë vdekje që ndodhin çdo vit në SHBA i detyrohen duhanpirjes.

Çdo vit, shumica e vdekjeve shkaktohen nga pirja e duhanit, sesa nga virusi i imunodefiçencës së fituar (HIV), përdorimi i jashtëligjshëm i drogërave, alkoli, aksidentet rrugore dhe vrasjet të tëra të marra së bashku.

Të pirit e duhanit shkakton rreth 90% të të gjitha vdekjeve nga kanceri i mushkërive tek meshkujt dhe 80% të vdekjeve nga kanceri i mushkërive tek femrat.

Të pirit e duhanit dhe rritja e rreziqeve mbi Shëndetin.

Krahasuar me jo-duhanpirjen,  duhanpirja vlerësohet se rit riskun e:

  • Sëmundjeve koronare të zemrës, nga 2 deri në 4 herë.
  • Infarktit, nga 2 deri në 4 herë.
  • Zhvillimit të kancerit të mushkërive, me 23 herë.
  • Vdekjes nga sëmundjet kronike bllokuese të mushkërive (si bronkiti dhe emfizema), nga 12 deri 13 herë.

Të pirit e duhanit dhe sëmundjet kardio-vaskulare.

  • Të pirit e duhanit shkakton sëmundjet koronare të zemrës, shkakun parësor të vdekjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
  • Pirja e cigareve (duhanpirja) shkakton zvogëlimin e qarkullimit të gjakut duke ngushtuar enët e gjakut (arteriet) dhe i vendos duhanpirësit në risk për të zhvilluar sëmundje vaskulare periferike (si bllokimi i arterieve në krahë apo këmbë duke rezultuar në dhimbje të indit të prekur apo gangrenë).
  • Të pirit e duhanit shkakton aneurizmën (që është një zgjerim për shkak të dobësimit të murit së arteries) e aortës abdominale.

Të pirit e duhanit dhe sëmundjet Respiratore (të sistemit të frymëmarrjes).

  • Duhanpirja shkakton kancerin e mushkërive.
  • Duhanpirja shkakton sëmundje të mushkërive si, emfizema, bronkiti etj. duke dëmtuar rrugët e ajrit dhe hojëzat (trastat e ajrit) e mushkërive.

Duhanpirja dhe Kanceri

Duhanpirja shkakton kanceret e mëposhtëme:

Kancerin e fshikëzës, Kancerin e qafës së mitrës, Kancerin e ezofagut, Kancerin e veshkave, Kancerin e laringut (kordave zanore), Kancerin e mushkërive, Kancerin e zgavrës së gojës, Kancerin e pankreasit, Kancerin e faringut (gurmazit), Kancerin e stomakut

Duhanpirja dhe efekte të tjera mbi Shëndetin

Duhanpirja ka disa efekte të kqija apo të pa volitshme mbi riprodhimin dhe rreziqe të rritura për: jo-pjellorinë, peshën e vogël në lindje dhe SIDS (sudden infant death syndrome).

Gratë në postmenopauzë të cilat pijnë duhan kanë një dendësi kockore më të ulët se gratë të cilat nuk kanë pirë duhan (asnjëherë).

Gratë të cilat pijnë duhan kanë një risk më të lartë për të pësuar një frakturë (thyerje) të kockave të legenit nga ato gra që nuk kanë pirë kurrë duhan.

-

Bibliografia:

  1. 2004 Surgeon General’s Report—The Health Consequences of Smoking
  2. Smoking-Attributable Mortality, Years of Potential Life Lost, and Productivity Losses — United States, 2000–2004
  3. Cigarette Smoking, Cardiovascular Disease, and Stroke – A Statement for Healthcare Professionals From the American Heart Association
  4. 2001 Surgeon General’s Report—Women and Smoking

-

Rinstinkt 2012

—————————————————————————————