Mallkimi i Ondinës: Hipoventilacioni alveolar primitiv

Hipoventilacioni alveolar primitiv, apo mallkimi i Ondinës, është një çrregullim i rrallë i veprimit automatik të frymëshkëmbimit. Individëve të prekur nga kjo sëmundje u mungon komponenti autonom vegjetativ i stimulimit të procesit të frymëshkëmbimit.

Një difekt i tillë, pra mungesa e kontrollit të pavetdijshëm të procesit stimulues të diafragmës dhe muskujve ndërbrinjorë të jashtëm, me qëllim krijimin e një presioni negativ në hapsirën pleurike dhe mëpastaj në hojëza për të thithur ajrin, shkakton ndalimin e frymëshkëmbimit gjatë gjumit.

Emërrtimi “mallkimi i Ondinës” vjen nga  mitologjia greko-romake dhe mëpastaj edhe nga folklori europian, kryesisht ai nordik.

Ondine – Lithograph by William Greve of the ‘Entrance of Ondine’ -London -1843 (Wikipedia)

Ondinat përshkruhen si nimfa, gjysmë-perëndesha pothuaj, shumë të bukura, të cilat popullonin ujëvarat apo lumenjtë dhe që ishin të pavdekshme.

Sipas historisë gjarmanike, të njohur si Gjumi i Ondinës, kjo e fundit ishte një nimfë ujore. Pra e bukur, dhe si gjithë nimfat e tjera të folklorit dhe mitologjisë, e pavdekshme. Gjithsesi, si ndëshkim, nëse nimfa dashurohej me një individ të vdekshëm dhe gjeneronte, me të, një fëmijë, fillonte të plakej, duke shpënë, detyrimisht, në vdekjen e saj.

Ondina e legjendës në fjalë, u dashurua me Laurencin, një kalorës i cili gjatë martesës i premtoi se do ta donte përgjithnjë. Pas martesës lindi djali dhe Ondina filloi t’i nështrohej procesit të plakjes. Kalorësi Laurenc filloi të humbiste interes ndaj Ondinës, kjo ngase ajo nuk kishte më bukurinë e mëparshme.

Një ditë, Ondina, e gjen bashkëshortin e vet duke gërrhitur në një stallë kuajsh, në krahët e një femre tjetër. E tërbuar, e mallkon duke deklaruar: “Ti më the se do të më doje në çdo frymëmarrje tënden, dhe unë pranova. Kështu qoftë! Derisa të jesh zgjuar, mund ta kesh frymën tënde, por kurrë nuk duhet të biesh në gjumë, sepse at’herë do të humbasësh frymëmarrjen dhe do të vdesësh!”

Pra, sëmundja e mallimit të Ondinës shkakton humbjen e kontrollit automatik të frymëmarrjes, që do me thënë se, çdo akt frymëmarrjeje duket të nxitet në mënyrë të ndërgjegjshme. Nëse pacientët në fjalë nuk diagnostikohen mund të vdesin, siç u ndodh shpesh disa fëmijëve të porsalindur, me qënë se sapo bien në gjumë, me humbjen e ndërgjegjes, nuk mund të kontrollojnë më aktet e frymëmarrjes (meqë frymënxjerrja është kryesisht pasive dhe nuk kërkon medoemos tkurrje aktive të muskujve, të paktën jo gjatë frymënshkëmbimit normal).

-

Rinstinkt 2013

————————————————————————————————

Sistemi i frymëshkëmbimit

Sistemi i frymëshkëmbimit

Të gjitha qeniet e gjalla janë të varura nga furnizmimi me oksigjen për të kryer aktivitetet e veta kimike. Mushkëritë punojnë si zona e shkëmbimit të gazeve. Oksigjeni kalon nga mushkëritë në gjak dhe në të njëjtën kohë dioksidi i karbonit kalon nga gjaku në mushkëri nga ku, mëpastaj, nxirret jashtë orgnizmit me anë të frymënxjerrjes. Frymëthithja dhe frymënxjerrja zakonisht kryhen me anë të hundës.

Qelizë epiteliale me cilie (qerpikë) nga zgavra e hundës – © 2007 Dennis Kunkel

Zgavra e hundës është e veshur me qime dhe me cilie (qerpikë). Nga rrugët e hundës ajri kalon në faring dhe nga aty në laring. Nga laringu ajri lëviz drejt trakesë. Trakeja është një tub i gjatë membranoz  me unaza indi kërcor për të parandaluar kolapsin (rënien, prishjes e strukturës tubulare) gjatë frymëthithjes. Trakeja çon në bronke, të cilët ndahen në bronkiole(a).

Shkëmbimi i gazeve, për të qenë më të saktë, ndodh në trasta të vogla ajri – hojëzat. Hojëzat janë të grupuara në degë përreth skajeve (fundeve) të bronkiolave më të vogla. Çdo hojëz është rreth 1 ose 2 mm e gjerë dhe është e rrethuar nga kapilarë gjaku. Muret e kapilarëve të gjakut dhe të hojëzave përbëhen nga një shtresë e vetme qelizash epiteliale të sheshta të ndara vetëm nga një cipë (membranë) e hollë. Barriera mes ajrit në hojëza dhe gjakut në kapilarë është 0.3 mm.

Mikroskopi elektronike e nje bronkiole dhe hojëzave që i qëndrojnë përreth – © 2007 Dennis Kunkel

Mushkëritë janë të vendosura në zgavrën e kraharorit. Mushkëritë kanë një strukturë kon-ngjashme dhe shtrihen nga çifti i parë i brinjëve e deri mbi diafragmë. Diafragma është muskuli më i madh i frymëmarrjes dhe është i pozicionuar në fundin e zgavrës së (kafazit të) kraharorit.

Mushkëria e djathtë është e ndarë në një lob të sipërm, një lob të mesëm dhe një lob të poshtëm. Mushkëria e majtë është e ndarë në dy lobe, një të sipërm dhe një të poshtëm. Të gjithë lobet, e të dyja mushkërive janë  më tej të ndarë në lobtha.

Një çift mushkërish njerëzore ka rreth 300 milion hojëza, të cilat sigurojnë, apo japin, rreth 70m2 sipërfaqe frymëshkëmbyese. Gjatë frymëshkëmbimit normal një person mesatar përdor vetëm 12-14% të kapacitetit të përgjithshëm të mushkërive. Volumi rezervë i mushkërive është mjaftueshëm i madh sa për të lejuar jetën me vetëm një mushkëri. Volumi i ajrit që gjendet në mushkëri ndryshon gjatë frymëshkëmbimit. Këto ndryshime mund të dalohen me anë të një spirometri.

Mushkëritë janë të veshura nga një membranë (cipë) e hollë – pleura. Pleura është e përbërë nga dy shtresa – një shtresë e brendshme (visherale) dhe një e jashtme (parietale apo murore). Dy shtresat krijojnë një zgavër të quajtur zgavra pleurale e cila la një presion negativ. Presioni negativ parandalon kolapsin e mushkërive. Pleura sekreton (tahit) një lëng që lubrifikon muhskëritë dhe i lejon që të zgjerohen dhe tkurren duke rrëshkitur njëra mbi tjetrën dhe mbi pleurën.

© mbi tekstin, Rinstinkt

——————————————————————————————

Mushkëritë

Mushkëritë

Mushkëritë janë organet pergjegjëse për shkëmbimin e gazeve, nga gjaku në ajrin që thithim dhe anasjelltas.

Mushkëritë janë të vendosura në hapësirën e kraharorit mbi diafragmë dhe anash membranës së perikardit. Mushkëritë, në lartësi shkojnë deri në afërsi të klavikulës, ndërsa në pjesën e poshtme janë të kufizuara nga muskuli diafragma, që ndan hapësiren e kraharorit nga ajo abdominale.

Mushkëria e majte ka dy lobe, të sipërmin dhe të poshtmin duke qenë se i bën vend zemrës (zemra e ka majën të drejtuar nga ana e majtë); mushkëria e djathtë ka tre lobe, të sipërmin, të mesmin, dhe të poshtmin.

Procesi i frymëshkëmbimit kryhet falë muskujve të frymethithjes dhe frymënxjerrjes (muskujt ndërbrinjore, muskujt e gjerë të barkut, muskuli diafragma etj). Mushkëritë janë të veshura nga një membranë, cipë e hollë – pleura.

Ajri tejcohet deri në mushkëri, fillimisht me anë të trakesë, pastaj me anë të dy bronkeve (te majtit dhe te djathtit). Bronket janë organe gypore, qe percjellin ajrin e sjelle nga trakea deri ne degezimet e veta me te vogla qe janë bronkiolat.

Bronkiolat degezohen edhe me tej dhe perfundojne ne hojëzat (alveolet). Shkëmbimi i gazeve ndodh ne hojëza.

-

Rinstinkt 2012

—————————————————————————————————–

Astma

Astma është bllokimi i rrugëve të ajrit, i shkaktuar nga ngacmues të ndryshëm dhe karakterizohet nga ënjtje në mukozë, sekrecion i lartë dhe ngushtim të muskulit të butë bronkial. Astma mund të prapësohet vetë ose me ndihmën e bronkozgjeruesve.

Ekzistojnë dy lloje astme: e jashtme dhe e brendshme. Tek fëmijët mbizotëron e para, përmes së cilës faktorë të caktuar rrisin ndjeshmërinë e qelizave mastocite të muskulit të butë bronkial. Kjo rezulton në çlirimin e ndërmjetësve kimikë që veprojnë drejtpërsëdrejti në bronk, në mënyrë që ai të tkurret.

Anatomia normale e sistemit të frymëshkëmbimit

Nëse për shkak të një çrregullimi bronkial apo bronkiolar shkatërrohe qeste alveolare, zona për shkëmbimin e gazeve do të bëhet më e vogël dhe si rezultat do të zhvillohet dispnea (vështirësi në frymëmarrje). E njëjta pasojë do të paraqitej nëse do të kishte një pengsë ne hyrjen e ajrit.

Shkallë të ndryshme të dispnesë, takipnesë, gulcimit dhe shenjave vijnë si rezultat i crregullimeve në frymëmarrje (hundë e skuqur , tërheqje e brinjëve). Në rastin e bebeve me gji dhe foshnjave, bllokimi karakterizohet nga kollë kronike, që shpreh aktivitetin e tepërt bronkial.

Shkëmbimi i gazit në hojëza

Pacientët me krizë astmatike e kanë më të vështirë të nxjerrin ajrin se sa ta thithin. Forca e muskujve që veprojnë në frymëmarrje është më e madhe se ajo e muskujve që veprojnë në frymënxjerrje, prandaj ajri mbahet në alveolat e mushkërive.

Mund të zhvillohet nga një numër ngacmuesish si; Alergjenë: pjalm bari, morra, dermatofagoide, kërpudha, pluhur, qime kafshësh etj.
Ilaçe: acid acetilsalicilik (aspirina), përbërje squfuri.
Infeksione: këto janë ngacmuesit që e përkeqësojnë më shpesh astmën. Mund të theksohet virusi Sincitial i frymëmarrjes, virusi i gripit, virusi i rrufës. Irritues: tymi i duhanit, tymi i oxhaqeve, gazet e demshme.
Të tjerë: ushtrimet fizike në mot të ftohtë, ventilimi dhe elementë psiko-socialë si tensioni emocional.

Reagimi i qelizave imunitare

Reagimi i menjëhershëm jepet nga imunoglobulina E që lidh receptorët e saj në mastocitet e rrugëve të rymëmarrjes. Qeliza të tilla çlirojnë ndërmjetësit që hapin lidhjet mes qelizave epiteliale, gjë që aftëson antigjenin të futet në mukozë dhe të aktivizojë mastocitet dhe eozinofilet në mukozë, e cila nga ana e saj çliron ndërmjetës shtesë. Mbërritja e eozinofilit, bazofilit dhe leukociteve neutrofile si dhe limfociteve dhe monociteve nxisin reagimin e vonshëm së bashku me një clirim të ri ndërmjetësish.

Faktorë të ndryshëm të cliruar spcifikisht nga eozinofolet mund ta dëmtojnë epitelin. Ky reagim i vonshëm ndodh 4 deri 8 orë pas reagimit të menjëhershëm dhe mund të zgjasë për 12 deri 24 orë më vonë.

Rinstinkt 2012

—————————————————————————————–