Katastrofa e Talidomidit dhe eksperimentimi mbi kafshët

Skandali i Talidomidit  dhe eksperimentimi mbi kafshët

Talidomidi është një ilaç që u jepej grave shtatëzënë mes viteve 1957 dhe ‘61-’62. Talidomidi shërbente për të qetësuar të vjellat gjatë shtatëzanisë. Vetëm më pas u zbulua se, ilaçi talidomid, kishte disa efekte anësore të tmerrshme mbi fetusin, të cilit i bllokonte zhvillimin e gjymtyrëve.

Nga talidomidi mund edhe të vdisje; në vende të ndryshme të botës pati me qindra (deri mijëra) viktima, derisa ilaçi u hoq nga qarkullimi.

Vetëm pas 50 vitesh nga tragjedia, shtëpia farmeceutike gjermane, Gruenenthal – që prodhonte talidomidin –   kërkoi publikisht falje.

“Na vjen keq – tha administratori i deleguar i firmës – Kërkojmë falje që për 50 vite nuk gjetëm mënyrën për të komunikuar me ju si njeriu me njeriun”.

Por, kjo deklaratë, e të tjera, nuk do të mund kurrë të shpërblejnë mijëra nëna dhe fëmijët e tyre që ishin viktima të pafata të ilaçit në fjalë.

Nënat si kavie

Tamam, pas skandalit të Talidomidit, në vitet ’60, fillimisht në Gjermani e më pas në të gjithë botën u futën rregullat e para dhe farmakovigjilanca, për të parandaluar rreziqe të reja nga efektet anësore (kolaterale) të ilaçeve.

Në rastin e Talidomidit, ishin praktikisht nënat shtatëzanë që “shërbyen” si kavie… Sepse ilaçi i Talidomidit ishte testuar, po, mbi kafshët, por jo në mënyrën e duhur mbi kafshët shtatëzëna. Kështu nuk u pa praktikisht efekti teratogjenik i Talidomidit tek fetuset.

Nëse eksperimentimi do të ishte kryer në mënyrën e duhur – që në atë kohë nuk mund të konceptohej, sepse tek e fundit nuk kishim eksperiencë – do të ishin shmangur të gjitha vuajtjet e nënave dhe fëmijëve që lindën të gjymtuar për shkat të ekeftit herë teratogjenik e herë të tjera vrasës të Talidomidit.

Talidomidi dhe eksperimentimi mbi kafshët

Ky i Talidomidit, është një mësim që duhet mbajtur mend mirë, duhet të fiksohet mirë në ndërgjegjjen kolektive, sepse aktualisht, kryesisht në vendet e zhvilluara, janë shfaqur grupime që ndërmarrin fushata për të rrëzuar hapin e detyruar të eksperimentimit shkencor mbi kafshët përpara se ilaçi të tregtohet, apo t’i futet hapit tjetër të testimit.

Këto grupime, që kërkojnë rrëzimin e eksperimentimit me kafshët, kanë një pozicionim të tipit demagogjik, duke qenë se stimulojnë emocionet më të përcipta të njeriut mesatar, i cili “informohet” në mënyrë të gabuar, pra gjysmake, mbi realitetin e eksperimentimit me kafshët.

Nga ana tjetër, qëndrojnë ata që e mbështesin dhe e nxisin eksperimentimin me kafshët duke qenë se është një nga mënyrat për të rritur mirëqenien dhe progresin shkencor. Progres shkencor që mund të ketë qoftë edhe vetëm synime njohjeje teorike të gjërave.

Ata që kanë lexuar (nëpër rrjet) se, Talidomidi nuk mund të parandalohej sepse nuk jep të njëjtat rezultate tek kafshtë me ato te njeriu, duhet të kërkojnë gjithnjë referencat, që në këtë rast duhet të vijnë nga burime të sakta, shkencore e të konfirmuara. Pohimet si ato të mësipërme nuk kanë asnjë bazë shkencore. Shfrytëzohen vetëm nga grupimet e kafshistëve (animalistëve) duke shkëputur të dhënat nga konteksti e duke thënë gjysmë të vërteta. Tabloja për fatin e keq të kafshistëve, grupimeve e shoqatave kafshiste, është më e gjerë.

Talidomidi, me doza të duhura dhe në kohë të mjaftueshme gjatë shtatëzanisë, ka induktuar keqformime tek majmuni, tek lepuri, tek embrionet e pulës dhe tek miu. Por këto, janë rezultate të përftuara pas tragjedisë së Talidomidit, sepse asokohe nuk kërkohej që ilaçet e reja të studioheshin edhe mbi riprodhimin e kafshëve, ndërsa sot  një gjë e tillë është e detyrueshme.

Talidomidi u fut në tregtim në 1957, pasi në ’56 ishin kryer testime me rezultate të kënaqshme mbi kafshë jo shtatëzëna. Vetëm në vitin 1960 u kryen testet e para mbi kafshë shtatëzëna,  përsëri me efekte negative, por sipas vet autorit të eksperimentimit ishin përdorur sasi shumë të vogla të ilaçit – jo proporcionale. Në 1961 një studim i ri tregoi keqformimet e para tek fëmijët, të filluara më 1957, deri atëherë të panjohura, që sollën tërheqjen e ilaçit nga tregu. Në vitin 1962 u krye një eksperimentim (studim) i ri mbi kafshët shtatëzëna, këtë rast me sasi të Talidomidit të proporcionuara (përpjesëtuara?)… dhe u vunë re keqformimet mbi fetuset.

Bibliografi:

  • D’Amato RJ, Loughnan MS, Flynn E, Folkman J (1994) Thalidomide is an inhibitor of angiogenesis. Proceedings of the National Academy of Sciences of the United States of America 91:4082-4085.
  • Delahunt CS, Lassen LJ (1964) Thalidomide Syndrome in Monkeys. Science 146:1300-1305.
  • Dipaolo JA, Gatzek H, Pickren J (1964) Malformations Induced in the Mouse by Thalidomide. The Anatomical record 149:149-155.
  • Gatzek H, Dipaolo JA (1965) Radiographic Studies of Thalidomide-Induced Malformations in Mice. Acta radiologica: diagnosis 3:145-150.
  • Hendrickx AG, Axelrod LR, Clayborn LD (1966) ‘Thalidomide’ syndrome in baboons. Nature 210:958-959.
  • Etj.

© Rinstinkt, Shkurt 2013

——————————————————————————————————–

Rindërtimi i protogjuhëve (gjuhëve të lashta)

Rindërtimi i protogjuhëve (gjuhëve të lashta)

Sipas një studimi të publikuar së fundi në PNAS (Proceedings of the National Academy of Sciences), rindërtimi i gjuhëve të lashta është i mundur nëpërmjet një programi informatik.

Programi shfrytëzon fjalë moderne dhe nëpërmjet analizave statistikore probabilistike mund të rindërtojë protogjuhë, pra gjuhë të lashta nga të cilat kanë dalë familje gjuhësh.

Risia, në këtë rast, është koha e shkurtër që i nevojitet programit kompjuterik. Sepse këto llojë studimesh, që prej shekullit të tetëmbëdhjetë, kryhen në mënyrë “manuale” duke krahasuar tinguj dhe fjalë të gjuhëve që i përkasin të njëjtës familje gjuhësore. Një punë e tillë zgjat disa vite.

Sistemi i sofistikuar kompjuterik për rindërtimin e protogjuhëve është  ndërtuar nga një grup kërkuesish shkencorë të Universitetit të British Kolumbia në Vankuver dhe të Universitetit të Kalifornisë në Berkeley. Sistemi bazohet mbi teknika statistikore të përdorura në biologjinë kompjutacionale për të rindërtuar pemët filogjenetike të organizmave (të gjallë dhe jo të gjallë); dhe është testuar me sukses në/mbi gjuhët austroneziane.

Po cila është rëndësia e rindërtimit të gjuhëve të së kaluarës?
Studimi i gjuhëve të lashta hap dritare të reja në studimin e kulturës, të dijeve, të strukturës shoqërore etj. të popujve të lashtë.

Kulla e Babelit (1563) – Pieter Brueghel (Plaku)

Gjuhëtarët i rindërtojnë gjuhët e lashta (antike) nëpërmjet krahasimit të tingujve dhe fjalëve. Tingujt në veçanti, me kalimin e kohës ndryshojnë me njëfarë rregullsie. Kështu, duke studiuar tingujt e dy gjuhëve të ndryshme mund të kuptohet nëse kanë apo jo një prejardhje të përbashkët, nga një gjuhë mëmë.

Programi në fjalë analizon një sasi të madhe të dhënash, nga një databazë fjalësh për të kuptuar se si tingujt kanë evoluar në brendësi të një familje gjuhësore.

Falë kalkulimeve probabilistike gjuhëtarët kanë arritur të rindërtojnë rreth 637 gjuhë proto-austroneziane me një shkallë saktësie (sigurie) prej 85% krahasuar me shkallën e saktësisë së të njëjtës punë të kryer në mënyrë manuale nga gjuhëtarët.

“Sistemi ynë nuk e zëvendëson punën e saktë e të rafinuar të gjuhëtarëve të kualifikuar, por mund të tregohet i çmuar dhe tu mundësojë atyre rritjen e numrit të gjuhëve moderne që përdorin si bazë për rindërtimin”, tha Bouchard-Côté – shkencëtari që drejtoi kërkimin. “Kemi shpresa se ky sistem do të revolucionarizoi linguistikën historike pak a shumë në të njëjtën mënyrë siç analiza statistike dhe fuqia e kupjuterit revolucionarizuan studimin e biologjisë evolutive.”

Hapi i radhës për kërkuesit që kanë realizuar studimin (dhe programin) është ndryshimi i zonës gjeografike, për të replikuar studimin mbi protogjuhët e Amerikës së Veriut.

Rinstinkt, shkurt 2013

Predispozita gjenetike ndaj miopisë

Miopia është një shqetësim i shëndetit (dhe i të parit) mjaft i përhapur në botë. Rreth 30% e popullatës perëndimore është e prekur nga miopia. Tek aziatikët miopia është edhe më e përhapur duke kapur shifra prej 70-80%.

miopia dhe korrigjimi i miopiseTek individët miopë projektimi i imazhit nuk ndodh atje ku duhet (pra në retinë) por ndodh përpara retinës, duke e bërë kësisoj imazhin të mjegullt, të paqartë.

Ky projektim i gabuar, përpara retinës, ndodh zakonisht për shkak të “zgjatjes” së syrit. Zgjatja bën që imazhi që duhej të projektohej mbi retinë, ku rrezet do të kishin konvergjencë të plotë, të projektohet përpara saj, duke e bërë atë të paqartë për shkak të divergjencës së rrezeve.

Lidhja e miopisë me gjenet ishte bërë prej kohësh, dhe për këtë mjaftonte të shihej se prindër miopë, kishin probabilitet të madh të sillnin në jetë fëmijë me të njëjtin problem të shikimit.

Në rastin e miopisë, bëhet fjalë sipas të gjitha gjasave për një predispozitë gjenetike, që nxitet apo përkeqësohet nga faktorë mjedisorë. Kështu, është gjetur një lidhje e fortë mes miopisë dhe leximit të zgjatur, frekuentimit të pakët të mjediseve të hapura dhe nivelit kulturor të individëve të prekur.

Aktualisht për miopinë nuk ka kurë. Gjithsesi ekzistojnë ndërhyrje të ndryshme (edhe kirurgjikale) që pakësojnë simptomat e miopisë. Miopia korrigjohet me anë të syzeve dhe lenteve me/në kontakt.

Në Nature Genetics gjendet një artikull që analizon të dhënat e studimeve të ndryshme (të pavarura) mbi miopinë.

Nga meta-analiza e 32 studimeve të mëparshme doli se janë 24 gjenet që kur paraqiten me një nga variantet e veta, janë përgjegjës për shqetësimet që kanë të bëjnë me miopinë.

Mes këtyre gjeneve ka nga ata që rregullojnë transmetimin e impulseve nervore (GRIA4); nga ata që rregullojnë metabolizmin e acidit retinoik (RDH5); nga ata që rregullojnë rimodelimin e matriksit ndërqelizor (BMP2); dhe gjene që rregullojnë zhvillimin e syrit (SIX6 dhe PRSS56).

© Rinstinkt 2013

—————————————————

Autizmi; legjenda e vaksinave që shkaktojnë autizmin

Autizmi; legjenda e vaksinave që shkaktojnë autizmin

Autizmi është një shqetësim i zhvillimit psikik që zakonisht lind gjatë fëmijërisë dhe sjell jo vetëm vështirësi të mëdha por edhe sakrifica të vërteta familjare, për shkak se nuk ekzistojnë struktura asistence të pregatitura.

Nuk dihet me saktësi se nga çfarë shkaktohet autizmi, gjithsesi, shumë studime na drejtojnë drejt një përbërjeje gjenetike të shqetësimit.

Zhvillimi i teknikave diagnostike dhe vëmendja e rritur mbi problemin e autizmit kanë rritur numrin e diagnozave, aq sa në vitet e fundit rastet e fëmijëve me autizëm duket sikur janë rritur me ritëm të shpejtë. Në realitet, shpeshtia (frekuenca) e autizmit është po e njëjta, gjë që tregon se nuk janë rritur rastet e autizmit po numri i diagnozave (pra, shpeshtia e autizmit në vite është e njëjta, por rritet numri i rasteve të diagnostikuara).

Si lindi mashtrimi se vaksinat shkaktojnë autizmin?

Gjithçka fillon në vitin 1998 kur Andrew Wakefield një ish mjek anglez, publikoi një studim në revistën me famë botërore, Lancet.[1]

Sipas studimit në disa fëmijë ishte gjetur një lidhje mes problemeve intestinale, shqetësimeve të zhvillimit dhe faktorëve mjedisorë. Studimi, që në fillim, ngjalli skepticizëm për shkak të mostrës (kampionit) shumë të reduktuar, testeve të diskutueshme dhe përfundimeve deri diku të përdhunëta.

Autori kryesor i studimit, pra Andrew Wakefield, filloi një seri konferencash ku deklaronte zbulimin e një lidhjeje mes vaksinës trevalente MMR (Measles, Mumps, Rubella – Fruthi, Shyta, Rubeola) dhe autizmit, duke këshilluar në vend të vaksinës trevalente një vaksinim të veçantë për çdo sëmundje. Formulimi tek, singular i vaksinava për sëmundjet në fjalë nuk ekzistonte në tregim.

Mënyra e sjelljes së Wakefield-it pati disa pasoja:
Së pari, në Angli ndodhi një rënie e veksinimeve dhe rezultati apo pasoja ishte një epidemi fruthi që shkaktoi mbi njëmijë raste dhe dy vdekje.
Së dyti, u zbulua se ish mjeku kishte patentuar një sistem vaksinimi[2] singular për çdonjërën e sëmundjeve të fruthit, shytave dhe rubeolës – vaksina trevalente e të cilave pretendohej se shkaktonte autizmin – dhe krejt rastësisht një kurë për problemet intestinale të subjekteve me autizëm. Pra, që përpara se të dilte studimi i vet, ai kishte patentuar shpikjen apo vaksinat teke, singulare të cilat edhe këshillonte.

Konflikti i interesit ishte më se evident. Për më tepër u zbulua edhe financimi prej 500,000 sterlinash nga një avokat që mbështeste çështje dëmshpërblimi kundër shtetit për fëmijët e prekur nga autizmi. Avokatit që kishte financuar Andrew Wakefield për të fituar çështjet gjyqësore i mungonte një studim shkencor ku të mbështetej, dhe Andrew Wakefield ia dha, duke mashtruar.

Këto zbulime sollën zhvillime të papritura. Shumë prej kërkuesëve bashkëautorë të studimit të Andrew Wakefield kërkuan heqjen e emrit të vet nga kërkimi shkencor. U zbuluan parregullsi të mëdha etike – fëmijë të paguar me pak stërlina për të marrë gjak, ekzaminime mjaftë invazive të kryera pa qenë nevoja -  dhe shkencore – të dhëna të falsifikuara, të manipuluara.

Studiues dhe shkencëtarë të tjerë në të gjithë botën u përpoqën që të replikonin studimin në fjalë, por pa sukses[3]. Një gazetar zbuloi se pothuajse të gjithë fëmijët e kishin zhvilluar autizmin përpara se të vaksinoheshin. Andrew Wakefield u përpoq që të mohonte gjithçka duke nxjerrë një studim[4] që përgënjeshtronte përfundimet e veta, të mëparshme, por ishte tepër vonë. Ishte fundi, dhe ai pranoi mashtrimin. Studimi u hoq nga revista Lancet, mjeku u largua nga urdhëri i mjekëve britanik. Wakefield-i u detyrua të shfaqej vetëm në programe mbi ufot dhe paranormalen.

Kjo është e gjithë legjenda mbi vaksinat që shkaktojnë autizmin. E gjithë legjenda e bazuar mbi një mashtrim patetik nga pak njerëz për arsye karriere e parash.

Nuk duhet harruar në gjithë këtë histori roli i gazetave e gazetarëve. Gazaterë, të cilët ndonjëherë besojnë e përhapin gjithçka pa kërkuar referenca të besueshme.

Duhet shtuar se shkenca nuk ndalet kurrë. U tregua joekzistenca, mosekzistenca  e lidhjes mes vaksinimit trevalent për fruthin, shytat, rubeolën  dhe autizmit[5].

Pavarësiht fundit të mashtrimit sot në botë ka ende njerëz  për të cilët Andrew Wakefield është një guru. Po këtë njerëz vazhdojnë të përhapin dhe mashtrojnë shumë prindër mbi alarme të pajustifikuara. Mashtrime, të bazuara mbi një mashtrim të shpërfytyruar. Njerëz që mashtrojnë njerëz duke shitur frikëra të paqenë dhe më pas zgjidhjen e frikës. Njerëz që mashtrojnë njerëz mbi lëkurën dhe jetën e fëmijëve. Lodhja dhe shkurajimi i shumë familjeve me fëmijë autistë është arsyeja që i bën të bienë në këto gracka. Gracka për para.

Rinstinkt 2013


[1] Ileal-lymphoid-nodular hyperplasia, non-specific colitis, and pervasive developmental disorder in children (link)
[2] UK patent application number 9711663.6
[3] MMR vaccine and autism: an update of the scientific evidence (link)
[4] Measles virus RNA is not detected in inflammatory bowel disease using hybrid capture and reverse transcription followed by the polymerase chain reaction (link)
[5] Measles-mumps-rubella vaccine and autistic spectrum disorder: report from the New Challenges in Childhood Immunizations Conference convened in Oak Brook, Illinois, June 12-13, 2000 (link)
————————————————————————————-

Ndërgjegjja (3) – Përmbledhje

Ndërgjegjja (1); Ndërgjegjja (2)

Ndërgjegjja (3) – Përmbledhje

Përmbledhje

  • Të dhëna klinike dhe eksperimentale tregojnë se substrati i ndërgjegjes qëndron në një rrjet të shpërndarë elementësh të ndërlidhur në kontekstin e sistemit talamus-kore trunore.
  • Të tjera struktura nervore, si truthi (truri i vogël) rrugët motore, rrugët ndijore dhe bërthamat e bazës, nuk duket se janë të nevojshme që të manifestohet ndërgjegjja.
  • Nga ana fenomenologjike, çdo eksperiencë (që kryhet apo perceptohet kur jemi të vetdijshëm) është jashtëzakonisht informative, në kuptimin që lind nga një repertor gjëndjesh jashtëzakonisht të mëdha, dhe në të njëjtën kohë është e integruar, në kuptimin që përjetohet si një dhe e pandarë.
  • Sipas teorisë së informacionit të integruar, një sistem fizik është i vetdijshëm (i ndërgjegjshëm) në masën në të cilën është në gjendje të integroj informacion (që kësisoj përbën një sistem njësor, të bashkuar, unitar, që ka në dispozicion një numër të madh gjendjesh të mundshme).
  • Arkitektura e lidhjeve në sistemin talamus–kore trunore, që karakterizohet nga bashkë-ekzistenca e specializimit dhe integrimit funksional, lejon integrimin e sasive të mëdha të informacionit.
  • Arkitektura e strukturave të tjera nervore, mes të cilave truthi (truri i vogël), rrugët ndijore, rrugët motore dhe bërthamat e bazës, nuk lejojnë (aspak) arritjen (apo krijimin) e niveleve të larta të informacionit të integruar.
  • Aftësia e sistemit talamus-kore trunore për të integruar sasi të mëdha informacioni varet, përveç arkitekturës së lidhjeve ndërneuronale, nga disa parametra neurofiziologjikë dhe mund të reduktohet fortësisht gjatë disa gjendjeve si gjumi apo epilepsia.
  • Koha e vetdijes (ndërgjegjjes), në mënyrë eksperimentale, përputhe me kohën që rezulton teorikisht e nevojshme për integrimin nervor të informacionit të thithur.

© mbi tekstin, Rinstinkt, Shkurt 2013

———————————————————–

Ndërgjegjja (2) – Ndërgjegjja si aftësi për të integruar informacion

Ndërgjegjja (1)

Ndërgjegjja (2) – Ndërgjegjja si aftësi për të integruar informacion

Shkruajta, në shkrimin e mëparshëm, mbi veti, anatomike, fiziologjike e klinike që janë themelore për ekzistencën e eksperiencës së ndërgjegjshme. Bazuar në këto veti, dhe të tjera – të cilat unë i kam përmendur vetëm në mënyrë të kithët – është zhvilluar një teori që është në gjendje të jap një vizion sistematik të raportit mes trurit dhe nëdrgjegjjes(vetdijes).

Ndërgjegjja si aftësi për të integruar informacion

Sipas teorisë së sinformacionit të integruar, një sistem fizik është i ndërgjegjshëm (vetdijshëm) në masën me të cilën është i aftë të integrojë informacione. Ky përkufizim lind nga studimi i vetive të dy karakteristikave thelbësore të ndërgjegjjes, saqë ndonjëherë as që merren parasysh kur flitet për një gjë të tillë.

integrim informacioni1-Eksperienca e ndërgjegjshme është e pasur me informacion në kuptimin që është e difencuar, pra që repertori i mundshëm i gjendjeve të ndryshme të vetdijes është jashtëzakonisht i larmishëm. Për shembull, kur shikojmë qiellin blu, përjashtojmë një sërë gjendjesh të tjera alternative (si të kuq, të portokalltë, të errët, sikur jemi në një dhomë të mbyllur, në kinema, apo sikur po shohim një diapozitiv etj.).

2-Eksperienca e ndërgjegjshme është e integruar, në kuptimin që çdo gjendje e vetdijes përjetohet si një entitet i vetëm, unik. Për shembull, nuk do të mund kurrë të jemi të ndërgjegjshëm veças për fushën pamore të majtë dhe atë të djathtë. Jemi të ndërgjegjshëm për një fushë të vetme pamore.

Pasuria e  informacionit dhe integrimi i tij, janë dy karakteristika aq të nevojshme dhe aq të bashkëlidhura me rrjedhën e ndërgjegjjes së përditshme saqë shpesh kemi vështirësi për t’i dalluar.

Substrati i ndërgjegjjes duhet të jetë një sistem i përbërë nga shumë elementë funksionalisht të ndryshëm (nga lind/vjen informacioin) që gjithsesi janë ngushtësisht të ndërlidhur mes tyre për të formuar një të tërë të pandashme (integrimi i informacionit). Mund të duket banale, por nuk është aspak e tillë: bëhet fjalë për një ekuilibër të brishtë mes diversitetit dhe unitetit.

Kjo mënyre e të parit të problemit të ndërgjegjjes ndihmon në zgjidhjen e disa paradokseve që i përkasin raportit mes trurit dhe ndërgjegjjes.

Për shembull – problemin e shtrova edhe më lartë – shpjegon se përse një dëmtim i sistemit talamus-kore trunore mund të shkaktojë koma, ndërsa heqja in toto e trurit të vogël (një strukturë me akoma më shumë neurone) nuk ka asnjë efekt mbi ndërgjegjjen: ndërsa sistemi i parë është i përbërë nga elementë funksionalisht mjaft të ndryshëm por të integruar mes njëri-tjetrit me fibra nervore distancë-shkurtër dhe distancë-gjatë, i dyti (truri i vogël) ka një strukturë thjesht modulare, jo të integruar.

Në mënyrë analoge, teoria shpjegon se përse ndërgjegja reduktohet gjatë gjumit me valë të ngadalta, edhe pse truri qëndron mjaft aktiv: gjatë gjumit zonat e ndryshme të kores trunore qëndrojnë aktive dhe reaktive por humbasin aftësinë për të komunikuar me njëra-tjetrën, siç ndodh në rastin e trurit të vogël. Anasjelltas, teoria parashikon se gjatë një krize epileptike, ndërgjegjja zhduket, jo për shkak të ndonjë difekti në integrim (të gjithë neuronet aktivizohen në unison), por për shkak të humbjes së informcionit. Në këtë rast zonat e ndryshme të kores trunore e humbasin specificitetin e vet funksional, dhe kështu ngushtohet repertori i gjendjeve të mundshme: ose gjithçka është e ndezur, ose gjithçka është e fikur.

Si përfundim, ndërgjegjja implikon një aftësi të jashtëzakonshme për të integruar informacion. Sipas kësaj teorie, shfaqjet e shumta të ndërgjegjjes mund t’i atribuohen mënyrave të integrimit të informacionit: atje ku  ndryshon aftësia për të integruar informacione, ndryshon edhe niveli i ndërgjegjjes dhe anasjelltas. Siç ndodh edhe në mekanikën statistike, atje ku ndryshon energjia kinetike mesatare e molekulave, ndryshon edhe temperatura.

Ndërgjegjja (3)

© mbi tekstin, Rinstinkt, Shkurt 2013

———————————————————————

Ndërgjegjja (1) – Problemi i ndërgjegjes

Çfarë është ndërgjegjja? Nga lind ndërgjegjja?

Si ta përkufizojmë ndërgjegjjen? Si pasqyrimin e realitetit të fakteve nëpërmjet impulseve që shkojnë në sistemin tonë nervor qëndror. Apo si dijeni për atë çka jemi e çka na rrethon? Apo si diçka më të hollë, si për shembull, të kuptuarit e rolit të vet në një rrjet më të lartë, si shoqëria? Mbase përkufizimi më i saktë do të lindte nga segmente të të gjitha këtyre të mësipërmeve?!  (Apo duhet të fusim në lojë metafiziken dhe hyjnoren? )

Ndërgjegjja mund edhe të përkufizohet, në mënyrën më të thjeshtë të mundshme (mbase!) si gjithçka zhduket kur biemë e flemë gjumë. Pra, si gjithçka për të cilën kemi eksperiencë, dhe që “humbet” përkohësisht kur po bëjmë një gjumë pa ëndrra. Po po, gjumë pa ëndrra, sepse ndërgjegjja është aty edhe kur jemi duke ëndërruar, sadoqë duket pak e çuditshme.

Ajo që zhduket kur ne jemi në gjumë, nuk është hapsira, koha, personat, materia, gjërat, format, tingujt, mendimet apo emocionet. Jo! Ajo që zhduket është perceptimi që ne kemi për to. Sepse ato janë po aty, kur ne zgjohemi, të nesërmen, pas një gjumi qetësues.

Faktikisht, çka zhduket është perceptimi ynë mbi to.Vetdija, ndërgjegjja jonë mbi to. Informacioni që na vjen; informacioni që truri ynë merr dhe mëpastaj përpunon mbi to. Pra në njëfarë mënyre ndërgjegjja është infromacion.

Po ashtu, përsa i përket ëndërrimit, të gjithë kemi eksperienca se ndonjëherë universi – pra sendet, materia, koha, emocionet, kafshët – mund të na shfaqet pak i çuditshëm, pak i tepruar, në disa aspekte të vetat, gjatë gjumit, kur jemi të ndërgjegjshëm edhe pa marrë senjale nga bota e jashtme.

Të gjitha këto tregojnë në një mënyrë apo në një tjetër se ndërgjegjja mbi botën e jashtme dhe mbi veten, qoftë reale qoftë imagjinare, lind nga aktiviteti i trurit.

Konfirmimi vjen edhe nga fakti se, trauma, infarkte dhe hemorragji trunore mund të shkaktojnë pavetdije dhe koma. Po ashtu produkte kimike dhe farmakologjike që veprojnë mbi tru mund të prodhojnë ndryshime (trashanike) të ndërgjegjjes, vetdijes.

Mund të themi, se ndërgjegjja prodhohet nga disa pjesë të trurit dhe jo nga të tjera. Strukturat që padyshim janë të nevojshme për ekzistencën apo prodhimin e ndërgjegjjes gjenden në sistemin talamus-kore trunore. Zona të ndryshme të sistemit talamus-kore trunore kontribuojnë në përmasa të ndryshme në eksperiencën e ndërgjegjshme, por asnjë nga këto zona nuk është në vetvete e mjaftueshme për të gjeneruar ndërgjegjjen (vetdijen). Struktura të tjera të sistemit nervor qëndror si truthi (truri i vogël) nuk janë aspak thelbësore për ndërgjegjjen. Kjo, edhe pse truthi përmban, krahasuar me sistemin talamus-kore cerebrale, po aq neurone, sinapse apo neurotransmetues.

Shkarkesa nervore e fibrave prurëse (aferente, hyrëse) në sistemin talamus-kore cerebrale, përcakton atë çka perceptojmë në një moment të caktuar.

Zakonisht themi se, një njeri është i ndërgjegjshëm, kur u përgjigjet stimujve që ne i dërgojmë apo që merr nga ambienti rrethues, me modifikimin e sjelljes së vet. Kështu për të patur këtë ndryshim janë të nevojshëm disa efektorë, që të mund ta realizojnë. Efektorët janë sistemet dalëse (eferente, zbritëse) motore. Gjithsesi aktiviteti i këtyre sistemeve nuk kontribuon aspak në prodhimin e ndërgjegjjes, sado që shpesh shërbejnë si indikatorë të ekzistencës së vetdijes (ndërgjegjjes), apo aktivitetit trunor.

Dikush mbase ka dëgjuar për pacientët e prekur nga dëmtime të pjesës barkore (të përparme, referuar barkut dhe kurrizit të strukturs në fjalë) të trurit të mesëm (sindroma locked-in), të cilët janë komplet të paralizuar me përjashtim të lëvizjeve okulare vertikale. Por këta individë janë plotësisht të ndërgjegjshëm… vetëm se nuk mund të jashtë-paraqesin vetdijen e tyre me anë të sistemeve efektore motore (të cilët janë të dëmtuar).

Në mënyre analoge, kur ëndërrojmë jemi të ndërgjegjshëm dhe në të njëjtën kohë të paralizuar, për shkak të inhibimit të sistemeve nervore motore të palcës kurrizore nga ana e disa strukturave të trungut encefalik. Po ashtu, dihet se, edhe dëmtime të zonave motore të kores së trurit nuk shkaktojnë mungesë apo humbje të ndërgjegjjes.

Në struktura voluminoze të nënkores (bërthamat e bazës, bazale) ndodhin procese të rëndësishme nervore për prodhimin e gjuhës, të mendimit dhe të njëpasnjëshmërive motore. Gjithsesi, proceset nervore që ndodhin këtu nuk duket se kalojnë në sferën e ndërgjegjshme. Një fakt interesant, në lidhje me funksionimin e këtyre strukturave, është ai që, ekzekutimi i një sekuence motore kërkon vëmendje dhe vetdije mbi mënyrën e kryerjes kur ajo është duke u mësuar, por që kthehet në një veprim të pandërgjegjshëm njëherë që e kemi mësuar. Si njëfarë automatizimi i veprimit.

Gjatë gjumit me valë të ngadalta, neuronet e kores (së trurit) shfaqin frekuenca shkarkimi mesatar jo më të vogla se ajo e regjistrueshme gjatë  qëndrimit zgjuar. Por gjithsesi, gjatë gjumit me valë të ngadalta ndërgjegjja është fortësisht e reduktuar.

Të gjitha këto sa shkrova më sipër janë prova anatomike, fiziologjike, psikologjike dhe klinike mjaft të rëndësishme që përbëjnë një bazë të mirë dhe të vyer nga ku mund të fillohet së kuptuari baza biologjike e ndërgjegjjes (vetëdijes).

Çelësi për të dhënë një shpjegim shkencor të ndërgjegjjes qëndron në gjetjen e ligjit apo ligjeve që fshihen pas këtyre vëzhgimeve. Vetëm duke zotëruar një shpjegim shkencor mund të shpresohet në gjetjen e përgjigjeve, qoftë edhe vetëm teorike, për pyetje si:

A është i ndërgjegjshëm një pacient i prekur nga memecëri (heshtje) akinetike, që qëndron i heshtur dhe i palëvizur, nuk i përgjigjet asnjë stimuli, por i mban sytë hapur sikur të fiksonte diçka? Të porsalindurit janë të ndërgjegjshëm apo jo, dhe në çfarë mase? Po kafshët? Nëse janë, disa kafshë janë më shumë se të tjera? Mund të ndjejnë dhimbje? Apo më tej akoma, a është e mundur që një kompjuter i pajisur me sisteme ndijore dhe motore, të zotërojë eksperiencë subjektive, pra a mund të lind ndërgjegjia (vetdija) nga përbërës jo biologjikë?  Pyetje nga më të ndryshmet, nga më kuriozet, që sjellin edhe dilema etike e morale.

Ndërgjegjja (2); Ndërgjegjja (3)

© mbi tekstin, Rinstinkt, Shkurt 2013

————————————————-

Gjenomi u sekuencua – çfarë vjen pastaj?

Në fillimet e vitit 2001, u mbajt një konferencë për të lajmëruar se gjenomi njerëzor ishte sekuencuar. Ishte identifikuar e gjithë njëpasnjëshmëria e 3.1 bilion çifteve të bazave të azotuara që gjendet në ADN-në e (pothuajse) çdo qelize të trupit të njeriut.

Por çfarë vjen pas sekuencimit të gjenomit njerëzor?

Disa pyetje-përgjigje.

Kush e sekuencoi gjenomin?

Gjenomi u sekuencua nga Francis Collins dhe ekipi i tij në Human Genome Project (HGP), dhe nga Craig Venter dhe kompania e tij Celera Genomics. Venter-i zhvilloi një metodë të re më të fuqishme për sekuencimin e ADN-së, që konkurronte me HGP-në. U gjet një kompromis dhe dy kompanitë u akredituan për sekuencimin e gjenomit.

Sa i madh ishte ky projekt?

Mbi Human Genome Project u diskutuat fillimisht në mesin e viteve 1980 dhe filloi punimet në vitin 1990. Edhe pse parashikohej një punë 15 vjeçare, punimet përfunduan për 10 vite falë avancimeve teknologjike. 3.1 bilion çiftet e bazave të azotuara të ADN-së kodifikojnë vetëm për 25,000 gjene, dhe jo për 100,000 siç mendohej përpara se të fillonin punimet.

A do të ketë, për individët e thjeshtë, të mira (benefite) nga ky projekt?

Absolutisht. Sekuencimi i gjenomit ishte vetëm hapi i parë. Të njohurit e proteinave të prodhuara në trup, çfarë ato bëjnë dhe se si ndërveprojnë me njëra-tjetrën është thelbësore për të kuptuar proceset e trupit të njeriut.

Duke njohur shenjat gjenetike të sëmundjeve të ndryshme, ne jemi në gjendje të dizenjojmë teste diagnostikë jashtëzakonisht specifikë që detektojnë  mijëra sëmundjet gjenetike dhe format e tyre të ndryshme.

Për shembull, drogërat për kancerin, Iressa dhe Erbitux, janë aq specifike në aksionin e tyre saqë jepen vetëm pas një testi gjenetik të qelizave kanceroze që tregon se janë shënjestra të mira për drogërat në fjalë. Në këtë mënyre po krijohen teste diagnostike edhe më të efektshëm që mënjanojnë në maksimum efektet anësore.

“We finished the genome map, now we can’t figure out how to fold it!”

“We finished the genome map, now we can’t figure out how to fold it!”

Po pastaj?

Ndëra shumë njerëz ishin akoma duke “tretur”  gjenomin njerëzor (ekuivalenti i një libri me miliona faqe), kishte përfunduar sekuencimi i  gjenomit të mbi 5,000 organizmave dhe viruseve.  Nga krahasimi del se njerëzit kanë të përbashkët me shimpanzetë rreth 99% të gjenomit, me minjtë 80%, dhe 60% ngjashmëri me bimën e orizit.

Studimi i gjenomeve të mikrobeve ka hedhur dritë mbi origjinat evolutive dhe marrëdhëniet e (apo mes) patogjenëve që infektojnë njeriun si HIV-i apo agjenti që shkakton sifilizin.

Kërkuesit shkencorë kanë ekzaminuar mostra të gjenomeve njerëzore nga i gjithë bota dhe kanë gjetur se gjenomi njerëzor ndryshon vetëm me 0.1%, mes individëve të ndryshëm. Por edhe ky 0.1% i vogël i përket minimumi një milioni të ndyshëm haplotipesh (blloqe ADN-je të trashëguar si një njësi). Studimi i hartave të haplotipeve premton zhvillime interesante në fushën e sëmundjeve gjenetike dhe në studimin e evolucionit.

-

Rinstinkt 2013

——————————————————————-

Lamtumirë Profesore!

Vdiq sot, në moshën 103 vjeçare, Rita Levi Montalcini (Rita Levi Montalçini), shkencëtare italiane, dhe e botës – zonjë shkencëtare.

Merita kryesore  e saj është ajo e zbulimit të N.G.F. (Nerve Growth Factor – Faktori i Rritjes Nervore), një faktor neurotrofik. Për këtë zbulim, në vitin 1986, merr edhe çmimin Nobel për Mjekësinë.

Lamtumirë Profesore!

————————————————————————————–

Klerokineza – një lloj i ri ndarje qelizore

Klerokineza

klerokinezaNë laboratorët e Universitetit të Wisconsin-it është bërë një zbulim i rëndësishëm në fushën e biologjisë. Mark Burkard & kollegë, vëzhguan një lloj ndarjeje qelizore (ose më mirë të them, një stad të ndarjes qelizore) të paparë më përpara; i pahasur më parë.

Zbulimi u bë publik më 17 dhjetor (2012) me rastin e kongresit vjetor të American Society of Cell Biology (Shoqata Amerikane e Biologjisë Qelizore).

Zbulimi u bë nga një grup onkologësh që ishin në kërkim të metodave për luftimin e një tipi kanceri që indukton ndarjen jonormale të qelizave të veta, një gjendje e njohur si poliploidi. Kjo gjëndje haset në rreth 14% të tumoreve (kancereve) të gjoksit dhe në rreth 35% të tumorevepankreasit.

Zbulimi ishte i rastësishëm. Ndodhi në tentativë për të përftuar eksperimentalisht qeliza njerëzore me kromozome të mbinumërt (me më shumë se një komplet kromozomik). Qëllimi ishte ai i riprodhimit të një “kanceri” artificial, mbi të cilin të kryheshin eksperimente të tjera për të kërkuar terapi të reja.

Disa qeliza epiteliale të retinës (rrjetëzës), u detyruan të ndërmerrnin rrugëtimin e ndarjes mitotike (ndarja qelizore më banale, e zakonshme), por duke inhibuar procesin e kariokinezës, që normalisht mundëson ndarjen e dy qelizave bija; pra ndarjen e citoplazmave të tyre.

Kështu qelizat e përftuara përmbanin secila nga dy bërthama, pra me dyfishim të numrit të të gjithë kromozomeve (set të dyfishtë të kromozomeve).

Tani vjen pjesa interesante, sepse Burkard & kolegë mendonin se kishin përftuar qeliza jonormale, me pjesën më të madhe të funksioneve biologjike të korruptuara dhe paaftësi për të vazhduar drejt një ndarjeje normale qelizore: pra njëfarë grupi qelizash tumorale. Pra, sikundër parashikon(te) teoria e Theodor Boveri-së.

Por, papritmas, disa qeliza filluan të sillen ndryshe nga sa pritej, duke i lënë shkencëtarët me gisht në gojë. Një e treta e qelizave filloi të ndahej në qeliza bija, pa nevojën (pa praninë) e proteinave që normalisht janë të nevojshme për ndarjen e membranës plazmatike së qelizës mëmë, gjatë citokinezës.

U desh pak kohë për t’u bindur për atë ç’ka po shihnim, sepse nuk ishte përshkruar në asnjë tekst – deklaroi Burkard – dhe në fund konkluduam se po vëzhgonim një tip të ti ndarjeje qelizore”.

Hipoteza është se, qelizat e përdorin këtë mekanizëm si strategji natyrore “back-up-i” që parandalon formimin e tumoreve në rast të keqfunksionimit mitotik. Kërkuesit i dhanë këtij procesi emrin “klerokinezë” (klerokineza).

Klerokineza është një mekanizëm primitiv ndarjeje qelizore që duket se është ruajtur (konservuar) edhe tek njeriu, duke qenë se të tilla ndarje qelizore ishin vëzhguar, deri më sot, vetëm tek disa organizma primitivë.

Këtu gjendet një video e procesit - SPOONFUL OF MEDICINE.

Shpresa është që zbulimi të mos shërbejë vetëm për rishkrimin e teksteve të biologjisë por të ndihmojë edhe në të kuptuarit se si mund të parandalohen tumoret në të ardhmen.

 

Rinstinkt 2012

———————————————————————————-

Ajnshtajni i cituar

Ajnshtajni i cituar

Do të merrem përsëri, për pak, me PAPAt e Facebook-ut. Sot këto pak rreshta që do të shkruaj do të jenë mbi citimet e ndryshme që PAPA sjell, në formën e kartolinave për fansat, në faqen e vet të Facebook-ut.

Unë do të merrem me një në veçanti, një që ka të bëjë me Ajnshtajnin.

Këtu mund të shihet citimi në fjalë ( Notable Quotes).

Nothing will benefit human health and increase chances for survival of life on Earth as much as the evolution to a vegetarian diet.

ALBERT EINSTEIN, quoted in Sinfully Vegan

Albert Einstein

Përkthimi i PAPAs është ky:

Asgje nuk do ta permiresoje shendetin dhe te rrise shanset per mbijetese te njeriut ne toke, sa kalimi ne nje diete vegjetariane.

Përtej faktit se përkthimi lë shumë për të dëshiruar (edhe një nxënën i shkollës 9-vjeçare që studion anglisht, do të kishte ditur ta përkthente më mirë), citimi është sjellë pa kontekstin (ambientin) në të cilin është formuluar dhe për të cilin është formuluar.

PAPA ajnshtajnKy përkthim është i keq jo nga padija, mendoj, por nga dashakeqësia. Nga natyra manipuluese e individit që e ka përkthyer, duke dashur ta shfrytëzojë atë në favor të ideologjisë së vet. Ata që merren me këto punë e dinë mirë se “animalistët” (kafshistët – apo ata që pretendojnë se i duan kafshët më shumë se të tjerët) pothuajse në totalitetin e tyre janë edhe vegjetarianë. Përkthimi është bërë keq nga ligësia sepse duhet që një racionalist si Ajnshtajni të dalë, për interesin e PAPAve, në mbrojtje të kafshëve. Por kafshët nuk mbrohen duke manipuluar citimet (edhe sikur këto të mbartnin ndonjë vlerë përtej opinionit të thjeshtë).

Citimi i Ajnshtajnit vlen, për aq sa vlen. Që do të thotë se është një opinion sikundër është një opinion ai i një kalamaku shkolle. Dhe opinionet nuk është se vlejnë më shumë edhe sikur tërë bota të ketë të njëjtin opinion (për më tepër të gabuar). Opinionet që të jenë të mirë pritura nga një mendje racionale duhet të faktohen. Dhe faktimi – të dashur kafshistë manipulatorë – kalon nga metodologjia shkencore. Ta harroni, sot e përherë, vegjetarianizmin. Sepse nuk ka asnjë studim shkencor serioz që tregon vlefshmërinë e një diete vetëm vegjetariane. Në të kundërt, një dietë vetëm vegjetariane (apo vegane) është e dëmshme, sa nuk mund të imagjinohet. Sikundër është e dëmshme një dietë hiperproteinike.

Kështu, sipas gjykimit tim, PAPAt shkojnë përtej një manipulimi të thjeshtë për qëllime të ideologjisë së vetë (i dënueshëm); duke kaluar në keqinformim që mund të dëmtojë ndonjë individ që e merr seriozisht. Në këtë rast burimi e keqinformimit është një sharlatan.

Duke u rikthyer tek fjalët e Ajnshtajnit; ato fjalë, siç thashë, kanë vlerën e një opinioni dhe vetëm kaq. Nuk ka asnjë llogjikë që të kërkohet apo të merren si të mirëqena (të vërteta) ato fjalë. Anshtajni vlerësohet dhe do të vlerësohet gjithnjë, jo për kontributim e tij në dietologji. As për kontributin e tij në studimin e evolucionit, dhe aq më tepër nuk vlerësohet për asnjë kontribut në studimet që bëhen mbi rolin e dietës në evolucionin e jetës në Tokë.

Biologët evolutivë e dinë mirë dhe e vlerësojnë rolin qëndror që ka patur dieta e njeriut në evolucionin e vet. Kapërcimi nga një dietë vetëm barngrënëse në një dietë të larmishme, ku futej dhe mishi, i dha një zhvillim të jashtë zakonshëm evolucionit të species/llojit tonë. Mishi pra, mishi, me proteinat e veta ndikoi në super-zhvillimin e trurit të njeriut të hershëm.

Po ashtu, ata që kanë lexuar nja dy faqe biologjie qoftë edhe të klasës të 7-8 9-vjeçare e dinë shumë mirë se çfarë roli të jashtë zakonshëm ka patur zjarri, dhe mësimi se i administrimit të tij, në evoluimin e Homo sapiensit. Por jo zjarri në vetvete, por derivatet e këtij “mësimi”. Zjarri lejoi gjuajtjen më me thjeshtësi të kafshëve. Lejoi ngrohjen, dhe duke u rikthyer tek ushqimimi, bëri të mundur gatimin e mishit. Gatimi lejoi kësisoj një tretje më të mirë,  më efiçiente, në më pak kohë të ushqimit të ngrënë. Pasojat dihen mirë.

Tani, nuk po dua të shkruaj se nga lind dëshira për bar e disa grupeve të caktuara njerëzish. Por është e qartë se një ndikim të veçantë, të rolit të parë, ka edhe koha hiperenergjitike në të cilën jetojmë; ku shfrytëzimi i lëndëve fosile është faktori kryesor për daljen në pah të këtyre njerëzve takanjozë.

© Rinstinkt, 2012

—————————————

Anestezia në eksperimentimin me/mbi kafshët

Anestezia në eksperimentimin me/mbi kafshët

Kamë vënë re se shumë herë bëhet konfuzion mes realiteti të fakteve dhe legjendave urbane sipas të cilave laboratorët kërkimorë janë dhoma torture.

Gënjeshtra më e akredituar është ajo sipas të cilës brenda laboratorëve nuk përdoret anestezia sepse është tepër e shtrenjtë. Gënjeshtra qëndron tek togfjalëshi “tepër e shtrenjtë”.

Anestetikët blihen me vështirësi; kërkojnë në fakt, disa formalizma dhe rrugëtime me dredha në relacion me faktin se i gjithë rrugëtimi i blerjes duhet të jetë i gjurmueshëm duke qenë se bëhet fjalë për substanca narkotike (drogëra). Gjithsesi, kostot e anestetikëve nuk janë edhe aq të larta; fillohet nga 1,50 euro për qetësuesit e thjeshtë për të shkuar në çmime relativisht më të larta për opioidët. Them relativisht sepse në të gjithë eksperimentimin/studimin kanë një peshë (monetare) minimale; kështu do të ishte budallallëk që për pak “qindarka” të rezikoheshin sanksione të kripura, për respektimin e munguar të një ligji që i ka themelet në një normativë europiane mbi eksperimentim. Pastaj, anestetikët ndihmojnë në lehtësimin e punës së eksperimentuesit. Po ashtu, sepse një njeri që punon në këto ambiente, nuk ka aspak dëshirë të shikojë një qenie të gjallë të vuajë për shkak të punës së vet.

Atëherë përse disa herë anestetikët nuk përdoren?

Përgjigjia është e thjeshtë: sepse mund të ndërhyjnë në vlefshmërinë e eksperimentin.

Në çfarë mënyre?

Duke mos lejuar një vlerësim të reaksioneve të kafshës (të reksioneve që ka kafsha për shkak të substancës të testuar) sepse e droguar, apo sepse anestetikët ndërhyjnë me rrugën që substanca e përdorur në test do të kryente në mungesë të anestetikut (për shembull: mund të shkaktojë një ndryshim të dozës së substancës që është realisht e nevojshme, mund të shkaktojë rritjen e shpejtësisë së eliminimit, mund të ndërhyjë me thithjen e substancëa po me receptorët me të cilet ajo lidhet etj.).

Disa shembuj të tjerë, që ndihmojnë në sqarimin e çështjes. Le të mendojmë për një eksperimentues që po studion një anestetik të ri. Nëse kafsha do të drogohej (me një anestetik) si do të arrijë studiuesi të kuptojë nëse substanca që po testohet vepron apo jo, pra nëse ka apo jo efekte qetësuese, anestetizuese? Apo si mundet të testohet një substancë kundra dhimbjes, nëse refleksi i dhimbjes është shuar, nga anestetiku?

Po kur kryhen studime mbi epilepsinë, që bazohen mbi analizën e sjelljes së miut (komportamentale), nëse miu është i anestetizuar (droguar), si mund ta marr vesh eksperimentuesi sjelljen e modifikuar të miut?

Si ia bëhet në këto raste?

Mbi të gjithave, para se të fillojë një eksperimentim duhet që dokumentacioni dhe protokolli që mendohet të ndiqet t’i prezantohet një komiteti etik. Komiteti etik, edhe mbi bazën e motivimeve që i shtyjnë eksperimentuesit të ndërrmarin një kërkim të tillë, nëse i konsideron të panevojshme disa eksperimente mund të sugjerojë (disa) ndryshime ndaj protokollit ose edhe të mohojë dhënien e lejes për fillimin e studimit. Për më tepër në rastet kur është ngushtësisht e nevojshme eksperimentimi pa ndihmën e anestezisë atëherë duhet të merren masat që vuajtjet të jenë sa më të pakta.

Ligji imponon, ndër të tjera, që eksperimenti mbi një individ të kryhet vetëm një herë të vetme. Pra, për shembull, nëse protokolli kërkon shkaktimin e një krize epileptike, të gjitha kafshët do t’i nënshtrohen këtij eksprimenti vetëm një herë të vetme gjatë jetës së tyre.

Të gjitha këto me shpresën se do të kuptohet që, laboratorët kërkimorë nuk janë dhoma torture në të cilat veprojnë sadistë, por janë vendi ku punohet për të mirën e të gjithëve (edhe të kafshëve) dhe është ky ndërgjegjësim që e lejon shkencëtarin që të kapërcej vuajtjen e shkaktuar nga fakti se shpesh duhet të sakrifikojë kafshë.

-

Rinstinkt 2012

———————————————————————————

Sterilizimi dhe pseudombrojtësit e kafshëve

Ekziston një faqe në rrjetin social Facebook, me emrin PAPA (People for Animal Protection in Albania), që deklarohet nga administratorët e vet si në mbrojtje të të drejtave të kafshëve.

Citoj nga faqja e tyre, nëfaqja About apo Rreth Nesh (ekuivalenti shqip).

Qellimi i kesaj faqeje eshte te ndryshoje fatin e kafsheve ne Shqiperi. Ne e respektojme jeten dhe besojme qe njerezit, si qenie superiore, kane detyrimin te mbeshtesin dhe mbrojne jeten e kafsheve. Ne e denojme abuzimin me kafshet dhe torturen ndaj tyre dhe do te luftojme per te permiresuar dhe zbatuar ne menyre korrekte ligjet per mbrojtjen e kafsheve. Ky grup mirepret pervojen tuaj ne shpetimin e kafsheve, deshmite tuaja ne rastet e abuzimit ndaj kafsheve, idete tuaja per te prodhuar ndryshimin e nevojshem, propozimet tuaja per veprimtari dhe aktivitete ne mbrojtje te kafsheve, te cilat ju deshironi t’i ndani me te gjithe anetaret e ketij grupi. Ky nuk eshte thjesht nje grup per dashamiresit e kafsheve te shoqerimit: ne jemi te shqetesuar per te gjitha kafshet dhe vecanerisht ato qe vuajne nga braktisja dhe abuzimi i shkaktuar nga njeriu. P.A.P.A eshte ti dhe une, dhe ai dhe ajo, dhe ne besojme se se bashku ne mund te sjellim nje ndryshim ne jeten e kafsheve ne Shqiperi. 

Ndryshimi i fatit të kafshëve të Shqipërisë – fjalia e parë – është një mision i lavdërueshëm.

Le të merremi njëçik me fjalinë e dyte. PAPAt besojnë se, njerëzit si qenie superiore… Pra as që e vënë në dyshim superioritetin e njeriut. Po nejse kjo mund edhe të interpretohet jo si supersioritet hyjnor, por si superioritet kulturor dhe epërsi në manipulimin e ambientit që e rrethon sipas dëshirave të veta, ndaj nuk po ndalem (edhe sepse do të më duhej të shkruaja mjaft për t’u shqaruar).

Por ajo që të lë shije të keqe është besimi se njeriu ka detyrimin të mbrojë dhe mbështesi jetën e kafshëve. Edhe këtu mund t’i bihet shkurt e të thuhet se është besimi i tyre personal. Por ky besim nuk mund të lihet pa u kritikuar kur kthehet në besim për të “shpëtuar” kafshët, më saktë kaviet, që janë paracaktuar dhe rritur apostafat për t’iu nënshktuar kërkimeve shkencore.

Lëvizjet simotra të PAPAs në Europë e SHBA, fatkeqësisht kanë kaluar me kohë nga llogoret e internetit në llogoret e jetës publike, edhe duke ndërmarrë aksione (kriminale) për të ndalur kërkimin shkencor. Veprimet e tyre janë përqëndruar kryesisht në sulme ndaj qëndrave të rritjes së kavieve e kafshëve për kërkimin shkencor – kjo sepse kaviet rriten në kushte specifike, standard dhe me norma të mirë përcaktuara, pra nuk janë të “ndotura” nga ambienti i jashtëm.

Problemi i vetëm që kam unë, si person privat, por edhe si anëtar i një kategorie të caktuar që është e shqetësuar nga lëvizje apo grupime të tilla shoqërore që rrezikojnë të kthehen në një fe të re, është ai që ka të bëjë së pari me keqinforminim, me shtrembërimin, me hipokrizinë dhe jokoherencën e deklaratave, pa harruar nxitjen e dhunës ndaj grupimeve të caktuara shoqërore.

Nxitja për këtë shkrim? Një postim i ditëve të kaluara të PAPAs. Postimi kishte si objekt një karikaturë (pamje) ku tregohej se përse duhet të sterilizohen kafshët shtëpiake – qeni, macja etj.

PAPA sterilizon

Arsyet për sterilizim mund t’i jap edhe unë, mjaft thjeshtë: pamundësia për të kontrolluar aktivitetin seksual të kafshës që mund të shpie në riprodhimin e tyre të pakontrolluar që eventualisht do t’i detyronte pronarët që shtazët e reja t’i dhuronin apo më keq siç ndodh mjaft shpesh në Shqipëri t’i braktisnin në trotuar, t’i hidhnin në ndonjë ferrë apo edhe t’i sakatonin në tentativë për t’i vrarë. Nga këtu lind natyrshën nevoja për t’i sterilizuar kafshët shtëpiake…për t’u ardhur në ndihmë nevojave të njerëzve. Që janë ato të shfrytëzimit të kafshëve për qejfin e vet dhe të mos lejimit të riprodhimit të tyre.

Mesazhi i PAPAs është i qartë. Mbani kafshë për nevojat tuaja, për shoqëri, për ledhatim, për argëtim por për të mos patur kokëçarje sterilizojini.

Aktiviteti seksual i kafshës nëse kjo nuk do të ishte nën kontrollin e njeriut do të ishte tërësisht i lirë dhe i pakontrolluar. Njeriu pra, ndërhyn, për të marrë nga kafsha përkëdheljet dhe ngrohtësinë e pellushit duke i hequr asaj një të drejtë themelore, nëse mund ta quaj kështu, atë të lënies së pasadhësve, të trashëgimisë së gjeneve.

Pra, shkurt, edhe PAPAt shqiptarë si ata të huajë – që venë e ngrihen nëpër protesta gjoja për mbrojtjen e kafshëve (edhe të atyre që janë të destinuara për kërkimin shkencor, që njerëzimit, por edhe vetë kafshëve, u sjell veç të mira) – kanë në mendjen e tyre (në mënyrë ë paraprogramuar, mbase!) dy standarde gjykimi. Nga njëra anë thonë e deklarojnë se janë për mbrojtjen e kafshëve nga ana tjetër për qejfin dhe rehatinë e vet janë gati edhe t’i sterilizojnë për të mos patur kokëçarje të mëtejshme.
Të paktën të mos pretendojnë se janë për mbrojtjen e kafshëve dhe të të drejtave të tyre të pretenduara (Për thellim, shiko:Reflektime etike mbi “të drejtat e kafshëve”). PAPAt shqiptarë janë thjesht një grup njerëzish që mbrojnë kafshët dhe “të drejtat” e kafshëve deri në atë pikë sa u intereson. Si të gjithë xhanëm.

[Lexo dhe: Shfarosje po, eksperimentim jo - irracionaliteti animalist]

P.S. Kjo që kam shkruar nuk duhet të merret si një kritikë vetëm për PAPAn. Unë u nisa nga ai postim, për të marrë spunto. Kërkoj ndjesë nëse ndonjë përgjithësim imi fyen ndokën. Korrigjime mund të bëhen.

© Rinstinkt

—————————————————————————————————–

Sistemi Diellor pa shpërthim

Një sistem diellor pa shpërthim

DokËshtë formuluar një “teori” e re dhe mbase më e mistershme (se ajo që mbizotëron aktualisht) mbi formimin e Sistemit tonë Diellor. “Teoria” e re u formulua pas analizës së të dhënave “kozmokimike” të kryera nga kërkuesit e Universitetit të Chicago-s.

Sipas të dhënave të përftuara nga Haolan Tang dhe Nicola Dauphas, Sistemi ynë Diellor nuk na qenkësh formuar pas shpërthimit të një supernove siç thotë teoria mbizorëtuese aktuale, por në të kundërt nuk paska patuar asnjë shpërthim. Një fillim i qetë, i heshtur ai i Sistemit tonë Diellor, me sa duket.

Një ekskursus i nevojshëm

Por si mbërritën shkencëtarët në këtë përfundim, pra që të “kundërshtojnë” idenë se Sistemi Diellor (yni) është formuar pas shpërthimit të një spuernove? Sekreti qëndron në analizat mbi hekurin-60 (Fe-60), një izotop radiaktiv, që siç shpjegon Dauphas, është “gryka e nxehtë e kobures” së ngjarjes së shkuar. Pra njëfarë shenje mbi këtë shpërthim gjigand. Ky izotop e rëndë formohet vetëm në brendësi të një supernove.

Është pikërisht prania e hekurit-60, analizuar në dhjetëvjeçarët e fundit,  në materialet e lindura në fillesat e sistemit diellor (meteoritë etj) që shpuri shumë shkencëtarë të imagjinonin një orgjinë “shpërthyese” të sistemit tonë planetar.

Ekipi i Dauphas, ka rianalizuar të njëjtat mostra (kampione) me një teknikë më të ndjeshme dhe preçize, duuke gjetur nivele shumë të ulëta dhe homogjene të kësaj substance (Fe-60). Shkencëtarët monitoruan edhe mënyrën e sjelljes së Fe-58, një tjetër izotop që sillet si binjak i atij tjetrit, duke konfirmuar të dhënën e parë.

Kjo shpërndarje e ulët dhe homogjene e dy izotopeve, shpjegojnë shkencëtarët,  përputhet  (më së shumti!) me  një akumulim (grumbullim) për një kohë të gjatë (detyruar yjeve të largët).

We derive from these measurements a much lower initial 60Fe/56Fe ratio of (11.5±2.6)×10−9 and conclude that 60Fe was homogeneously distributed among planetary bodies. This low ratio is consistent with derivation of 60Fe from galactic background (60Fe/56Fe≈2.8×10−7 in the interstellar medium from γ-ray observations) and can be reconciled with high 26Al/27Al∼5×10−5 in chondrites if solar material was contaminated through winds by outer layers of one or several massive stars (e.g., a Wolf–Rayet star) rich in26Al and poor in 60Fe. (këtu)

Studimi shkencor është publikuar në revistën Earth and Planetary Science Letters.

© mbi tekstin, Rinstinkt

———————————

Cigare elektronike, po apo jo?

Cigaret elektronike

A janë cigaret elektronike vërtetë një alternativë e mirë jo e dëmshme ndaj tymit të zakonshëm të cigareve?

Sipas një artikulli të publikuar së fundmi në Indoor Air Journal, jo, aspak.

Cigaret elektronike duket se emetojnë nanothërrmija fluturuese që mund të shkaktpojnë dëme nga tymosja aktive dhe pasive, duke acaruar rrugët e ajrit.

Të paktën këto janë rezultatet e studimit të bërë nga Dipartimenti i Kimisë dhe Analizës së Materialeve në Fraunhofer Wilhelm-Klauditz-Institut, Braunschweig, Gjermani. Në studim janë krahasuar substancat e lëshuara nga cigaret konvencionale dhe elektronike që konsumuara nga një grup vullnetarësh brenda një dhome eksperimentale me madhësi 8 metro kub.

Po, si janë të ndërtuara këto cigare?

Skemë e ndërtimi të një cigareje elektronike

Skemë e ndërtimi të një cigareje elektronike

Cigaret elektronike janë të përbëra nga një bateri e rikarikueshme, nga një filtër dhe nga i ashtuquajturi atomizues, një pajisje që vaporizon tretësirën e lëngshme që gjendet në kapsulë. Lëngu ngrohet me rezistencë në temperatura mes 65 dhe 120 °C dhe kjo bën që të emetohet një “gaz” që imiton (simulon) tymin e cigares tradicionale. Për këtë arsye cigarja tradicionale shpesh reklamohet si një alternativë më pak e dëmshme nga duhani duke qenë se mungesa e djegies zvogëlon efektet kancerogjene.

Vitet e fundit ka patur debat të madh mbi rrezikshmërinë efektive të cigareve elektronike: janë publikuar dhjetra studime, nganjëherë kontradiktore, dhe edhe sot mungon një vlerësim toksikologjik përfundimtar.

Gjithsesi, përtej kësaj, është treguar se në procesin e vaporizimit të tretësirës së cigares elektronike emetohen substanca si gliceroli, diacetina, përveç aromave dhe ghurmëve të nikotinës.

Tobias Schripp, autori i parë i artikullit, deklaron se e-cigaret lëshojnë më pak substanca të dëmshme krahasuar me cigaret tradicionale, por kurrsesi “nuk mund të konsiderohen të përjashtuara nga emetimi”.

Për pasojë, konsumi pa kriter i cigareve elektronike në ambientet e mbyllura si zyre, trena autobuza, mund të (ri)merret së shpejti nën shqyrtim.

© mbi tekstin, Rinstinkt

—————-

Përsiatje mbi historinë e Mikrobiologjisë

Përsiatje mbi historinë e Mikrobiologjisë

Të kuptuarit e sotëm të mikrobiologjisë vjen falë punës kumulative të mijëra mikrobiologëve kontributi i të cilëve shtrihet në mbi 300 vite. Kontributi i  tyre ka ndihmuar në avancimin e shkencës dhe mjekësisë.

Ndërtimi i mikroskopit bëri të mundur parjen e mikroorganizmave dhe identifikimin e pranisë së tyre pothuajse kudo, veçanërisht si agjentë të sëmundjeve.

Antonie van Leeuwenhoek konsiderohet babai i bakteriologjisë dhe protozoologjiës sepse ishte i pari njeri që prodhoi përshkrime korrekte të baktereve dheprotozoarëve.

Teoria e gjenerimit të vetvetishëm të organizmave të gjallë nga “forca jetësore” në ajër u zhvlerësua njëherë e përfundimisht nga Lui Pastëri.

Metoda shkencore është një proces me anë të cilit shkencëtarët kërkojnë të shpjegojnë fenomenet natyrore. Metoda shkencore karakterizohet nga procedura që ose e mbështesin ose e diskreditojnë hipotezën fillestare.

Njohuritë e përftuara nëpërmjet metodës shkencore testohen rreptësisht në eksperimente të përsëritur nga shumë shkencëtarë për të verifikuar vlefshmërinë e tyre. Koleksioni i një sërë hipotezash të vlefshme quhet teori. Teoria e mbështetur nga shumë të dhëna të përftuara në kohë (me kalimin e kohës) quhet ligj.

Mikrobiologët zhvilluan teorinë mikrobike të sëmundjeve dhe futën konceptin e rëndësishëm të teknikës aseptike për të kontrolluar përhapjen e agjentëve infektivë (të sëmundjeve).

Lui Pastëri dhe Robert Kohu ishin mikrobiologët kryesues gjatë periudhës së artë të mikrobiologjisë (nga mes-1800ës deri në fillimet e 1900ës).