Akneja

Akneja

Akneja është një çrregullim i lëkurës i tipit kronik, pra që zgjat në kohë. Çrregullimi në fjalë shkaktohet nga një proces infiamator që prek gjëndrat dhjamore të gjendura në lëkurë. Me kalimin e kohës procesi i aknes përmirësohet ngadalë, deri sa në fund të adoleshencës (mund të) zhduket vetiu.

Ilustrim i procesit të aknes

Ilustrim i procesit të aknes

Pikëzat e aknes shkaktohen nga bllokimi i shakullit (folikulit) të qimes prej substancës lyrore e prodhuar nga gjëndrat dhjamore – procesi në fjalë ndodh kryesisht gjatë pubertetit. Të dhënat tregojnë se ky ndryshim në sekretimin e lyrave nga gjëndrat e dhjamit të lëkurës vjen si pasojë e rritjes së nivelit hematik të hormoneve androgjenikë (hormone seksualë mashkullorë).
Në folikulin e qimeve, për shkak të bllokimit të rrugëdaljes, rriten dhe zhvillohen baktere duke shkaktuar infiamacion, për shkak të sinjalizimit të qelizave të sistemit imunitar.

Meqë akneja është e bashkëlidhur me gjëndrat lyrore të lëkurës, është e kuptueshme se procesi do të jetë më i dukshëm në ato zona të lëkurës ku edhe përqëndrimi i gjëndrave është më i madh. Si në fytyrë, në qendër të kraharorit, në pjesën e sipërme të shpinës, në shpatulla, përreth qafës etj.

Nuk ka asnjë kurë të menjëhershme për aknen. Megjithatë larja të paktën dy herë në ditë e pjesës së prekur mund të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të procesit. Mund të realizohet në trajtim me farmakë si acidi retinoik, i cili zhbllokon poret dhe promovon shërimin e lëkurës. Nëse trajtimi i mësipërm dështon, atëhere kalohet në një trajtim të tipit oral, me antibiotikë dhe hormone.

-

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një "Like" tek faqja e blogut në Facebook.]

————————————————————————————

Ferhormonet tek njeriu

Ferhormonet tek njeriu

Jam i sigurt se pjesa më e madhe e lexuesve të blogut tim e di se çfarë kihet parasysh me termin hormon. Hormoni është një substancë (kimike), që, e leshuar nga një qelizë/ind/organ kalon në qarkullimin e gjakut e mëpastaj mbërrin në qelizën/indin/organin shenjestër, ku në terma probabilistikë lidhet me receptorin përkatës dhe shkakton një reagim të caktuar, molekular, biokimik dhe më të ndërlikuar… Ferhormonet ,për të cilat do shkruaj sot, janë konceptualisht të ngjashme me hormonet, vetëm me një ndryshim: që dalin nga trupi i individit dhe veprojnë mbi trupin, pra organizmin, e një individi tjetër. Termi ferhormon vjen sikundër shumë terma të tjerë të fushës së biologjisë nga greqishjta e vjetër; pherin (të transferosh) dhe hormon (të eksitosh/të stimulosh).

Ferhormoni...

Ferhormoni…

Ferhormonet njihen prej kohësh në shumë lloje gjallesash, kryesisht të rangut më të ulët se njeriu.

Për shembull, njihet ekzistenca e ferhormoneve në komunikimin e bletëve, që janë insekte. Në rastet kur një bletë acarohet nga një stimul i caktuar rrethues, ajo prodhon një ferhormon që lajmëron bletët e tjera në koshere dhe i inkurajon të dalin prej aty duke promovuar agresivitetin në sjelljen e tyre.
Prodhimi i ferhormoneve nga bletët e acaruara, është kuptuar dhe mësuar nga bletërritësii i cili përdor tymin duke qetësuar bletët e stimuluara nga ferhormoni (i cili stimulon sjelljen e tyre agresive). Tymi i shpërndarë nga bletërritësi luan rolin e një inhibitori duke vepruar mbi receptorët e ferhormonit të gjendur në antenat e bletëve. Kështu ferhormoni i lëshuar nga në bletë nuk mund ta lajmërojë bletën tjetër, meqë tymi luan rolin e një zhurmuesi.

Pra ferhormonet nxisin një sërë sjelljesh, në një shumëllojshmëri gjallesash. Ndër këto po përmend edhe një shembull tjetër: atë të vëzhguar në disa lloje gjitarësh të cilët komunikojnë me anë të prodhimit të ferhomrmoneve seksualë.

Meshkujt e disa lloje të gjitarëve hetojnë dhe nuhasin me hundë në rajonin anogjenital të femrës. Hunda e meshkujve përmban një detektor special të ferhormoneve i quajtur organi vomero-hundor (vomeronasal organ). Me anë të nuhatjes dhe ekspozimit ndaj ferhormoneve mashkulli mund të jetë në gjendje të kuptojë nëse femra është duke ovuluar, çka do të ishte një gjë e mirë meqë energjitë e shpenzuara në aktin seksual nuk do të shkonin dëm.

Tani le të flasim pak për ferhormonet dhe njerëzit. Pavarësisht se ferhormonet janë identifikuar në shumë lloje gjallesash, roli dhe ndikimi i tyre në sjelljen dhe komunikimin (jo vetëm seksual) mes njerëzve është debatuar, made ashpër; shpesh edhe me qëndrime jo shumë shkencore. Një nga argumentet që përdoret për të arsyetuar dhe mbështetur tezën e një ndikimi aktual të pakët apo të paqenë të ferhormoneve në komunikimin mes njerëzve ka të bëjë me mungesën e provave për një organ vomero-hundor funksional. Të paktën flitet për mungesën funksionale aktuale, meqë në historinë tonë evolutive në organ të tillë të dekodifikimit të sinjaleve të ferhormoneve me shumë gjasa e kemi përdorur edhe ne, njerëzit.

Ferhormonet mendohet se qëndrojnë pas efektit të famshëm McClintock. Efekti McClintock ka të bëjë me sinkronizimin apo fllimin e njëkohshëm të ciklit menstrual të femrave që jetojnë në afërsi të njëra tjetrës, si për shembull anëtaret femra ne një familje. Efekti ka marrë emrin e psikologes Martha McClintock që hipotizoi e para se ferhormonet ishin përgjegjës për këtë sinkronizim.

Nga një numër jo i vogël studimesh kanë dalë dy steroide me funksion potencial si ferhormone: androstadienoni dhe estratetraenoli. I pari është një metabolit i testosteronit dhe gjendet në farën e mashkullit dhe në sekrecionet e zonës së sqetullës. Estratetraenoli nga ana tjetër është një estrogjen që gjendet në urinën femërore dhe që dihet se ndikon mbi sistemin nervor autonomik të mashkullit.

Sipas një studimi të muajit të fundit në Current Biology ferhormonet mund të kenë një rol në mënyrën se si ne perceptojmë dhe interpretojmë informacionet nën optikën e gjinisë. Kërkuesit që janë marrë me kërkimin hetuan mbi efektet e androstadienonid dhe të estratetraenolit në të atribuarit e gjinisë ndaj një PLW (point light walker). PLW është një bashkësi pikash të ndritshme që përfaqësojnë lëvzijen e një njeriu.

Autorët i ekspozuan subjektet e sekseve apo orientimeve të ndryshme seksuale ndaj androstadienonit, estratetraenolit apo një solucioni kontrolli ndërsa subjektet ishin duke parë lëvizen e pikave të shndritshme, që siç e thashë skematizonin lëvizjen e një njeriu. Subektet menjëherë më pas duhet të thonin nëse në figurën që shikonin, pra tek pikat e shndritshme, shikonin një mashkull apo një femër – sipas perceptimit të tyre.

Kërkuesit shkncorë vunë e se kur meshkujt heteroseksualë ekspozoheshin ndaj estratetraenolit shpeshtia e përgjigjeve “mashkull” binte. Në të kundër ekspozimi i femrave heteroseksuale ndaj të njëtit ferhormon nuk e modifikonte shpeshtinë e përgjigjeve të tyre në terma statistikorë.

Ekspozimi i femrave heteroseksuale ndaj androstadienonit rriste shpeshtinë e prëgjigjeve “mashkull”, por nuk ndikonte mbi shpeshtinë e përgjigjeve të meshkuve heteroseksualë.

Ndërsa rezultatet nga grupet e homoseksualëve dhe biseksualëve ishin disa ambige, jo të qarta. Estratetraenoli nuk kishte efekt mbi shpeshtinë e përgjigjeve, ndërsa androstadienoni rriti numrin e përgjigjeve “mashkull” tek meshkut homoseksualë, por edhe kjo rrite, raportonë shkencëtarët ishte shumë pak domethënëse në terma statistikorë.

Kështu, shkencëtarët hipotizojnë se estratetraenoli dhe androstadienoni qenë duke influencuar (biasing), respektivisht, burrat i pari dhe gratë i dyti, duke i bërë që në pikat e ndritshme të shikonin seksin e kundërt. (Pikat e ndritshme, ishin po të njëjtat, ajo që ndryshonte ishte perceptimi i subjektit pas ekspozimit ndaj ferhormonit të prodhuar nga seksi i kundërt.) Autorët thonë se këto substaca përçojnë informacione rreth maskulinitetit dhe femininitetit.

Autorët shtojnë se ka akoma shumë gjëra që mund të mësohen dhe se edhe pse ferhormonet në fjalë mund të përçojnë informacione specifike mbi gjininë e një subjekti, efekti i tyre në sjelljen e njeriut të sotëm mund të jetë i neglizhueshëm. Pra ferhormonet mund të jenë një mbete e historisë tonë evolutive të cilat mund të mos kenë ndonë ndikim domethënës. Ose në krahun e kundërt, mund të jenë pjesë e një sistemi të ndërlikuar komunikimi qëë vepron ende edhe sot, mes njerëzve, ndërsa jemi tërësisht të pandërgjegjshëm për to. Dhe ky sistem i rëndësishëm mund të ketë ndikime të forta në jetën tonë, siç mund të jetë zgjedhja e partnerit.

 

Bibliografia:
Zhou, W., Yang, X., Chen, K., Cai, P., He, S., & Jiang, Y. (2014). Chemosensory Communication of Gender through Two Human Steroids in a Sexually Dimorphic MannerCurrent Biology DOI: 10.1016/j.cub.2014.03.035

[Përshtatur nga: Neuroscientifically Challenged]

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një "Like" tek faqja e blogut në Facebook.]

————————————————————————————————-

Diabeti mellit

Diabeti mellit

Diabeti mellit

Diabeti mellit

Diabeti mellit është një çrregullim, me etiologji të llojllojshme, i karakterizuar nga prania e një patologjie hiperglic’hemike, që do të thotë: prani e një përqëndrimi të rritur të glukozit në qarkullimin hematik.
Diabeti mellit dhe hiperglicemia, si karakteristikë thelpësore e tij, janë pasojë e një defekti në prodhimin apo në mekanizmin e veprimit të hormonit të insulinës.
Çrregullimi i diabetit shpie në një seri ndërlikimesh sistemike – pra që prekin të gjithë trupin.
Diabeti, siç u tha, godet organe të ndryshme… ndër më të rëndësishmet, gjtihsesi, janë: sytë, veshkat, sistemi kardiovaskular dhe sistemi nervor.

Më parë u përmend insulina. Po, çfarë është insulina?, do të pyesë ndokush. Insulina është një hormon me aktivitet anabolik, pra që shkakon si korolar të veprimit të vet një rritje të qelizave (reaksioneve anabolike). Insulina prodhohet nga qeliza të veçanta të ishujve pankreatikë, dhe vepron nëpërmjet disa receptorëve specifikë me aktivitet tirozinë-kinazik. Efekti kryesor i insulinës tek qelizat e veta shenjestër, është rritja e shprehjes së receptorëve GLUT-4 në sipërfaqen qelizore.

  • Në mëlçi insulina shkakton një rritje të glikogjenosintezës, rritje të glikolizës dhe një rritje të aktivitetit liposintetik. Njëkohësisht shkakton edhe një zvogëlim të aktivitetit glikogjenolitik e gjithashtu inhibon edhe ketogjenezën.
  • Në indin adipoz (indin dhjamor) insulina rrit kapjen e glukozit nga ana e qelizave, inhibon lipolizën dhe rrit liposintezën.
  • Ndërsa tek muskuli insulina rrit kapjen e glukozit, rrit glikolizën, rrit sintezën e glikogjenit dhe po ashtu rrit edhe sintezën proteinike.

Indet adipoz dhe ai muskulor skeletik përkufizohen si inde insulino-vartës, meqënëse kanë nevojë për hormonin insulinë për të kapur molekulat e glukozit hematik (nëpërmejt GLUT-4). Ndërsa mëlçia, apo më saktë qelizat hepatike, përtej GLUT-4 shprehin edhe transportatorin GLUT-2 i cili ka një funksion që nuk faret nga hormoni insulinë.

Diabeti i tipit 1

Diabeti i tipit 1 është një sëmundje autoimune; megjithatë ekzistojnë edhe forma idiopatike. Mekanizmi kryesor që shkakton sëmundjen është mungesa e hormonit insulinë. Diabeti i tipit 1 prek kryesisht fëmijët dhe adoleshentët.

Diabeti i tipit 2

Diabeti i tipit 2 karakterizohet nga një nivel i rritur i glicemisë (hiperglicemi) e shoqëruar me insulino rezistencë. Për më tepër ekziston edhe një mungesë insuline relative dhe progresive. Prek kryesiht të rriturit dhe është forma e diabetit më e përhapur. Ekziston një asociacion mes diabetit obezitetit dhe të ashtuquajturës sindromë metabolike.

Karakteristikat klinike të diabetit mellit

Shenjat dhe simptomat që hasin pacientët janë të lidhura me gjendjen e hiperglic’hemisë dhe me reduktimin e përdorimit të glukozit nga ana e indeve të trupit.

  • Poliuri – rritje e akteve të urinimit. E shkaktuar nga glukozi i tepërt që kalon në nivel veshkor.
  • Polidipsi – rritje e etjes (dëshirës për ujë).
  • Humbje peshe – nga pamundësia e përdorimit të glukozit që qarkullon në gjak. Rritet përdorimi i lyrave.
  • Era e gojës karakteristike – që ngjan me atë të frutave të prishura, për shkak të rritjes së nivelit të trupave ketonikë në gjak, të prodhuar nga katabolizmi i acideve lyrorë.
  • Dobësi
  • Etj.

Ndërlikime të diabetit mellit

  • Ketoacidozë, deri në komë.
  • Sindromë hiperozmolare – diz-hidratim i shkaktuar nga hiperglic’hemia.
  • Infeksione të përsëritura (kryesisht në rrugët urinare)
  • Retinopati.
  • Nefropati.
  • Neuropati.
  • Mikro dhe makro vaskulopati.
  • Rritje e rriskut për IM dhe koronaropati.
  • Këmbë diabetike.
  • Etj.

 

[Lexo dhe: Rregullimi i nivelit të sheqerit në gjak]

-

© Rinstinkt 2014

 

[Nëse postimi të pëlqeu, për të qëndruar i/e azhurnuar, mos harro të vendoshësh një "Like" tek faqja e blogut në Facebook.]

—————————————————————————-

Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Hipofiza quhet ndryshe edhe gjëndra pituitare. Hipofiza është një gjëndër e vogël e vendosur në bazë të kafkës. Peshon rreth 0.5 g dhe është e vendosur në gropën pituitaresella turcica. Gjëndra e hipofizës lidhet me hipotalamusin me anë të infundibulumit. Gjëndra përbëhet nga tre pjesë: adenohipofiza, lobi i ndërmjetëm dhe neurohipofiza.

Pjesa e përparme e gjëndrës së hipofizës përmban qeliza histologjikisht të diferenciuara (përdalluara). Pjesa e ndërmjetme (pars intermedia) tek njeriu është rudimentale. Ndërsa pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës përmban ind lidhor neural – qeliza gliale, fibra nervore të pamjelinizuara dhe enë gjaku.

Pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës nuk ka qeliza sekretuese. Neurohipofiza pret hormonet e lëshuar nga bërthamat paraventrikulare dhe supraoptike të hipotalamusit. Këta hormone janë, hormoni antidiuretik dhe oksitocina. Pjesa e pasme e hipofizës është e përbëra nga pituicitë, fibra nervore dhe trupa hialinë. Trupat hialinë (qelqëngjashëm) shërbejnë si rezervuar për hormonet. Hormonet antidiuretik dhe oksitocinë lirohen në kapilarë dhe mbërrijnë në qarkullimin e përgjithshëm të gjakut.

Këto hormone kryejnë (kanë) tre funksione kryesore:

  • efekt antidiuretik – reduktojnë nxjerrjen e urinës
  • efekt vazopresor – tkurrin muskujt e lëmuar të enëve të gjakut, duke rritur presionin e gjakut
  • efekt oksitocik – tkurrje e muskulit të lëmuar, të mitrës pas lindjes, dhe të gjëndrave të qumështit

Një stimul i rëndësishëm për sekretimin e hormonit antidiuretik (ADH) është rritja e përqëndrimit të kripës në gjak.

Kjo mund të shkaktohet nga:

  • Mungesa e ujit (nga dieta)
  • Humbja e ujit të trupit
  • Tepria e kripës në dietë

Rritja e përqëndrimit të kripës në plasmën e gjakut, rezulton në rritjen e presionit ozmotik  të gjakut, që si pasojë stimulon ozmoreceptorët e bërthamës (grupit të neuroneve) supraoptike të hipotalamusit.

ADH-ja (hormoni antidiuretik – vazopresina) vepron drejtëpërsëdrejti edhe në nefron, në veshkë. Në saktësisht, vepron në qelizat që veshin tubujt e largët dhe tubat kolektorë (mbledhës) të nefronit. ADH-ja rrit përshkueshmërin e tyre nga uji. Rrit po ashtu edhe thithjen e ujit nga filtrati glomerular (lëmshëzor) në tubulin (tubthin) e përdredhur dytësor. ADH-ja redukton sasinë e urinës së nxjerrë duke rivendorus presionin e gjakut në parametra optimalë.

Sekrecioni i oksitocinës varet nga impulset nervore aferente nga mitra, vulva dhe thithat e sisëve. Impulset bëjnë që oksitocina të lëshohet në qarkullimin e gjakut.

Aksioni kryesor i oksitocinës është mbi mitrën. Oksitocina fuqizon tkurrjen e muskulaturës së mitrës gjatë dhe pas lindjes. Kështu, bën që mitra që rimarrë formën që kishte para shtatëzanisë. Oksitocina vepron edhe mbi gjëndrat e qumështit (të gjoksit) duke shkaktuar tkurrjen e qelizave mioepiteliale të dukteve. Kështu, gjatë thithjes, ekskretohet qumështi. Funksionet e oksitocinës tek mashkulli janë ende të panjohura, edhe pse mendohet se mund të veprojë mbi gjëndrën e prostatës.

© mbi tekstin, Rinstinkt

———————————————————————-

Hipotalamusi, hipofiza dhe kontrolli hormonal

Hipotalamusi

Hipotalamusi së bashku me gjëndrën e hipofizës janë njësia kontrolluese përgjegjëse për rregullimin hormonal.

diencefaliHipotalamusi gjendet në trurin e mesëm, nën talamus. Tek hipotalamusi mund të identifikohen një pjesë e përparme, një pjesë e pasme, një anësore dhe një e mesme.

Gjëndra e hipotalamusit përmban disa bërthama (grupe neuronale).

Hipotalamusi i pasëm është jashtëzakonisht i pasur me fibra nervore të mielinizuara. Në të kundërt pjesa e përparme dhe ajo e mesme e hipotalamusit kanë pak.

Bërthama supraoptike dhe bërthama paraventrikulare gjenden në hipotalamusin e përparëm. Këto bërthama përmbajnë neurone neurosekretorë. Peptidet transportohem nëpërmjet aksonëve direkt e në hipofizën e pasme.

Bërthama e harkuar dhe bërthama infundibulare gjenden mes rajonit të poshtëm dhe atij të mesëm të hipotalamusit. Këto bërthama (grupe neuronesh) rregullojnë sekrecionet e hipofizës së përparme. Gjithashtu, këto grupe neuronesh sekretojnë RH (releasing hormones-hormone nxitës) dhe IH (inhibiting hormones-hormone frenues). Hormonet mbërrijnë në hipofizë nëpërmjet sistemit portal që lidh këto dy gjëndra.

Hipotalamusi i pasëm përfshin trupat mamilarë.

Hipotalamusi prodhon hormone oligopeptidikë.  Hormonet e lëshuara nga hipotalamusi mbërrijnë në hipofizë duke kaluar nëpër sistemin venoz portal hipotalamo-hipofizar. Në hipofizën e përparme, hormonet stimulojnë ose inhibojnë lëshimin e hormoneve të tjerë (proteinikë, të hipofizës).

GRH (GH-RH) stimulon lëshimin e somatotropinës apo hormonit të rritjes. Ndërsa, GIH (GH-IH) inhibon prodhimin (lëshimin) e somatotropinës apo hormonit të rritjes, nga hipofiza e përparme.

PRH stimulon prodhimin e prolaktinës. Ndërsa PIH inhibon prodhimin e prolaktinës.

TRH stimulon prodhimin e tirotropinës.

CRH stimulon prodhimin e kortikotropinës.

GRH stimulon prodhimin e gonadotropinave.

MIH (MSH-IH) inhibon prodhimin e melanotropinës.

Neuronet e bërthamave supraoptike dhe paraventrikulare të hipotalamusit, sekretojnë hormonin antidiuretik apo vazopresinë (ADH) dhe hormonin oksitocinë.

-

© Rinstinkt blog

—————————————————————-

Sistemi endokrin, gjëndrat endokrine, hormonet

Sistemi endokrin

Sistemi endokrin rregullon ambientin e brendshëm (milieu interieur). Është një sistem komunikimi ku përbërësit sintetizohen dhe sekretohen (tahiten) nga gjëndrat endokrine. Këta përbërës quhen hormone dhe çojnë informacione tek indet apo organet shenjestër. Organet shenjestër dekodifikojnë informacionin kimik dhe mund të përgjigjen në mënyrë specifike.

Hormonet sekretohen nga gjëndrat dhe lëshohen në qarkullimin e gjakut. Kështu, aksionet e hormoneve ndodhin edhe shumë larg vendit të sekretimit të tyre. Hormonet janë të përfshirë në rregullimin e përgjigjeve të shpejta e të ngadalta. Por ata veprojnë edhe në koordinimin e përgjigjeve qelizore në një numër të madh indesh të trupit.

Funksioni rregullator i hormoneve, pra ai i të ruajturit të “ambientit” të brendshëm, kërkon ndreqje të vazhdueshme. Kjo sepse trupi duhet t’i përgjigjet një sërë kushtesh që ndryshojnë embientin e brendshëm të orgnizmit. Në fjalë të tjera, sintetizimi, sekretimi, dhe shkalla e çaktivizimit të hormoneve duhet të  jetë nën rregullim (kontroll) të vazhdueshëm.

Sinteza e hormoneve mund të ndodh në  gjëndra, në grupe qelizash speciale apo edhe në një qelizë të vetme.

Organet apo indet që sintetizojnë hormone janë:

  • Hipotalamusi
  • Gjëndra pituitare (hipofiza)
  • Gjëndra tiroide
  • Gjëndrat paratiroide
  • Gjëndrat mbiveshkore
  • Timusi
  • Ishujt e Langerhansit në pankreas
  • Qelizat intersticiale të Leydigut në testikuj
  • Folikuli dhe trupi i verdhë (corpus luteum) në vezore
  • Placenta

Gjithashtu, është demonstruar se, edhe veshkat dhe atriumi (veshorja) i zemrës  prodhojnë hormone.

Bazuar në strukturën e tyre kimike, hormonet mund të klasifikohen në:

  • hormone peptid-ikë apo protein-ikë
  • hormone steroid-ikë
  • hormone derivate të aminoacidit Tirozinë

Sintetizimi i hormoneve peptidikë dhe proteinikë kryhet nëpërmjet transkriptimit dhe translatimit. Zakonisht, në fillim, sintetizohet një molekulë prekursore – prehormoni. Pastaj prehormoni i nënshtrohet hidrolizës për të formuar hormonin. Në vendin e sintetizimit hormonet ruhen në disa fshikëza dhe sekretohen nëpërmjet ekzocitozës.

Disa hormone sekretohen në mënyrë konstante, si për shembull hormonet e gjëndrës tiroide. Të tjerë sekretohen vetëm nën kërkesë, si për shembull insulina (nga pankreasi). Një tjetër grup hormonesh lëshohet në qarkullim ne një ritëm 24-orësh. Së fundmi, disa hormone sekretohen në cikle mujorë, si hormonet seksuale femërore.

Në gjak, hormonet udhëtojnë të lidhur me proteina transporti specifike.

Hipotalamusi është, zakonisht, organi qëndror që rregullon aktivitetin hormonal. Ai sekreton RH-të (releasing hormones) që stimulojnë një hormon të dytë në gjëndrën hipofizare. Hormonet e sekretuara nga gjëndra e hipofizës quhen edhe hormone tropikë, duke qenë se ata stimulojnë gjëndrat endokrine periferike. Gjëndrat shenjestër, të stimuluara, sekretojnë hormonet në qarkullimin e gjakut. Kështu, hormonet mund të arrijnë në organet apo indet shenjestër dhe të prodhojnë efektin e tyre.

Kemoreceptorët, në hipotalamus, monitorojnë  përqëndrimin hematik (në gjak) të hormoneve. Si pasojë, sekretimi i hormoneve është nën rregullim të vazhdueshëm. Në fakt, kur përqëndrimi hormonal në gjak është i lartë, hipotalamusi redukton lëshimin e RH-ve (releasin hormones). Ndërsa, kur përqëndrimi hormonal në gjak është ii ulët, hipotalamusi rrit lëshimin e RH-ve. Ky mekanizëm quhet mekanizëm me feedback (mekanizëm me prapaveprim).

Gjithsesi, disa hormone nuk e përdorin mekanizmin me feedback hipotalamo-hipofizar.

© Rinstinkt blog

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një "Like" tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————

Neurotransmetuesit dhe neuromodulatorët: Katekolaminat

Katekolaminat

Termi “katekolamina” përfshin neurotransmetuesit dopaminë dhe norepinefrinë. Dopamina dhe norepinefrina janë gjerësisht të pranishme në në tru dhe në sistemin nervor periferik.

Dopamina është e pranishme në tre cirkuitë themelorë të trurit. Cirkuiti i dopaminës që rregullon lëvizjen është i lidhur drejtpërsëdrejti me sëmundjen. Për shkak të defiçitit të dopaminës në tru, njerëzit me sëmundjen e Parkinsonit shfaqin shenja dridhjeje, ngurtësie dhe vështirësie në  lëvizje. Administrimi i levodopa-s, një substancë nga e cila sintetizohet dopaminë, është një trajtim efikas për sëmundjen e Parkinsonit, duke i lejuar pacientët të ecin dhe të kryejnë disa lëvizje me sukses.

Një tjetër circuit i dopaminës mendohet të jetë i rëndësishëm për njohjen (cognition) dhe emocionin; anormalitetet (çrregullimet) e këtij sistemi janë të implikuar me skicofreninë. Duke qenë se disa drogëra që bllokojnë disa receptorë të caktuat të dopaminës në tru janë të nevojshëm në zvogëlimin e simptomave psikotike, mësimi rreth dopaminës është, pra, i rëndësishëm në kuptimin e sëmundjeve mendore.

Në një cirkuit të tretë, dopamina rregullon sistemin endokrin. Dopamina drejton hipotalamusin drejt ndërtimit të hormoneve dhe mbajtjes së tyre në gjëndrën pituitare (hipofizë) për lëshimin e mëvonshëm në gjak.

Difiçenca e norepinefrinës takohet në pacientët e prekur nga sëmundja e Alzaimerit dhe nga sindroma e Korsakofit, një çrregullin i njohjes i asociuar me alkoolizmin kronik. Të gjitha këto kushte çojnë në humbje të memories dhe në zbehjen e funksioneve njohëse. Gjithsesi, shkencëtarët mendojnë se norepinefrina mund të ketë një rol në mësimin dhe memorjen e një individi.

Norepinefrian sekretohet gjithashtu nga sistemi nervor simpatik nëpër trup për të rregulluar rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut. Stresi akut rrit lëshimin e norepinefrinës nga nervat simpatik dhe nga palca e gjëndrës mbiveshkore.

© Rinstinkt 2013

——————————————————————————————————————————-

Neurotransmetuesit dhe neuromodulatorët: Aminoacidët

Aminoacidet si neurotransmetues

Aminoacidet, gjerësisht të shpërndara në tru dhe trup, shërbejnë si blloqe ndërtuese të proteinave. Por aminoacide të caktuara shërbejnë edhe si neurotransmetues në tru.

Neurotransmetuesit glicinë dhe acidi gamma-aminobutirik (GABA) inhibojnë  irritimin (stimulimin) e neuroneve. Aktiviteti i acidit gamma-aminobutirik rritet nga benzodiazepinat (p.sh valiumi) dhe nga drogat antikonvultive (antispazmatike).

Tek sëmundja e Hungtintonit, një çrregullim i trashëgueshëm që fillon përgjatë moshës së mesme, neuronet prodhues të GABA-s në qendrat e trurit që koordinojnë lëvizjet degjenerojnë, duke shkaktuar lëvizje të pakontrollueshme.

Glutamati dhe aspartati veprojnë si sinjale nxitës, duke aktivizuar receptorët e NMDA-së (n-metil-d-aspartatit) të cilët, tek kafshët në zhvillim, kanë qenë të përfshirë në aktivitete si: të mësuarit apo kujtesa deri tek zhvillimi dhe specializimi i lidhjeve nervore. Nxitja e receptorëve të NMDA-së mund të sjellë ndryshime të mira në tru, ndërsa mbinxitja mund të shkaktojë dëmtime te qelizës nervore ose vdekje të saj. Kjo ndodh gjatë traumave ose goditjeve. Drogërat qe bllokojnë ose nxitsin aktivitetin e receptorëve të NMDA-së janë përgjegjëse për përmirësimin e funksioneve të trurit dhe trajtimin e çrregullimeve neurologjike dhe psikiatrike.

© Rinstinkt 2013

——————————————————————————————————————–

Akromegalia

Akromegalia

Kuadri klinik i akromegalisë është dytësor ndaj një rritje të niveleve plazmatike të hormonit të rritjes (GH – growth hormone) dhe të faktorit të rritjes insulino-ngjashëm 1 (IGF1). Akromegalia karakterizohet nga  modifikime fizike të lidhura me hormonet, nga ndryshime metabolike dytësore ndaj veprimit të GH-së mbi metabolizmin e glucideve, lipideve e proteinave, dhe nga simptoma lokale të lidhura me zgjerimin e tumorit GH-sekretues.

Nëse hipersekretim i GH-së realizohet para shkrirjes së epifizave, pacienti paraqet shtat të lartë (gjigantizëm hipofizar); ndërsa nëse realizohet më pas pacienti paraqet rritje endokondrale dhe periostale të kockës, deformim të kockave të kokës (rritje të zgavrave (sinuseve, gjinjve) paranazalë, të harqeve sipërorbitalë, zmadhim të nofullës së poshtme), deformim të kockave të trungut, që rritet në përmasa dhe të shtyllës kurrizore. Në ekstremitete pacientët paraqesin rritje të përmasave të duarve dhe këmbëve. Karakteristike janë edhe hipertrofia muskulore, trashja e lëkurës e kordave zanore (vokale). Ndodh një rritje e volumit mushkëror (polmonar), hiperplazi e gjëndrave endokrine, hipertrofi veshkore, zgjatje e zorrëve dhe kardiomegali.

Në aspektim metabolik, rritja e niveleve plazmatike të hormonit të rritjes, GH, indukton rezistencë ndaj insulinës, reduktim të glikolizës, rritje të glikoneogjenezës dhe glikogjenolizës dhe si pasojë hiperglicemi (rritje e nivelit të sheqerit në gjak). Hormoni i rritjes favorizon lipolizën, me rritje të idrolizës së triglicerideve dhe të acideve lyrorë të lirë. Për sa u përket proteinave, rritet sinteza proteinike në nivle muskulor dhe hepatik (në mëlçi). Për shkak të rritjes së sekretimit të kalciumit (K) në veshka, ka një rritje të probabilitetit për gurë në veshka.

© Rinstinkt 2013
——————————————————————

Cikli menstrual

Cikli menstrual

Procesi me anë të të cilit një oocit shndërrohet në një vezë të maturuar quhet oogjenezë. Në lindje, dy vezoret përmbajnë miliona oocitëoocitet parësorë që kanë arritur në profazën e ndarjes së parë mejotike.

Zhvillimi i një oociti parësor fillon që nga epiteli burimor (germinativ) i vezores. Grupe qelizash migrojnë drejt stromës. Oogoni qëndror zgjerohet në folikulin primordial dhe kthehet në një oocit primar (parësor). Oociti parësor është i rrethuar nga qeliza folikulare. Këta oocitë parësor (primar) qëndrojnë në profazë derisa femra maturohet seksualisht. Në pubertet dhe nën influencën e hormoneve, ndarja e parë mejotike vazhdon dhe përfundon. Qelizat folikulare shumëfishohen dhe kthehen në grumbullin vezëmbajtës (cumulus oophorus) dhe  në membranën thërrmijore (membrana granulosa), të cilat së bashku me qeliza të këllëfit të brendshëm (theca interna) sekretojnë estrogjen. Estrogjeni rezervohet pjesërisht në  lëngun folikular (liquor folliculi) që gjendet në zgavrën e folikulit Graafian. Formohet një oocit dytësor dhe dy trupa polarë. Rreth ditës së 14-të të një cikli normal 28-të ditor, një folikul Graafian i maturuar shpërthen dhe nxjerr vezën e pjekur. Ky proces nihet si ovulim (ovulimi). Ndërkohë zgavra e folikulit mbushet me gjak dhe formohet trupi i verdhë (corpus luteum). Nëse pllenimi nuk ndodh trupi i verdhë ndalon së prodhuari progesteron dhe tkurret rreth ditës së 28-të të ciklit. Nëse ndodh pllenimi, atëherë trupi i verdhë vazhdon të rritet dhe në të gjithë vëllimin e vezores. Trupi i verdhë është thelbësor për ruajtjen e shtatëzanisë nëpërmjet prodhimit të progesteronit derisa formohet placenta rreth muajit të 4-të të shtatëzanisë.

Më specifikisht, ovulimi është procesi i prodhimit të oocitëve dytësorë, të cilët dalin nga folikuli dhe merren nga tubat e Falopit drejtë mitrës. Oociti udhëton në tubat e Falopit – për rreth tre ditë – falë lëvizjeve peristaltike të mundësuara nga muskujt e lëmuar të oviduktit. Në oocit i papllenuar jeton rreth 24 orë pasi del nga folikuli. Kështu, pllenimi ndodh në tubat e Falopit. Nëse veza pllenohet, ajo i nënshtrohet ndarjes së dytë mejotike dhe më pas pasi shkrihet me qelizën spermë, i nënshtrohet në sërë ndarjesh mitotike. Pastaj, falë lëvizjeve të muskulaturës së ovidukteve dhe lëvizjeve të cilieve (qerpikëve) që i veshin, veza lëviz drejt mitrës (6 apo 7 ditë pasi qeliza vezë është pllenuar). Tashmë embrioni i ri fiksohet në endometër (3 apo 4 ditë pasi mbërrin në mitër).

Nëse qeliza vezë nuk pllenohet. Ajo vdes, dhe shtresa (veshja) endometriale e mitrës largohet me menstruacionet. Pak pas menstruacioneve, fillon dhe rritet një oocit tjetër dhe pas rreth 28 ditësh cikli përsërit veteveten. Ky cikël njihet si cikli menstrual. Cikli i parë menstrual quhet menarke, dhe shenjon ardhjen e pubertetit tek femra. Cikli i fundit menstrual, në të kundërt shenjon ardhjen e menopauzës, e cila përfaqëson fundin e jetës pjellore tek femra.

Cikli menstrual (apo i të përmuajshmëve) përsëritet , rreth çdo 28 ditë duke filluar nga puberteti e deri në menopauzë,  përveç në rastet e shtatëzanisë apo të sëmundjeve të caktuara.

I tërë cikli është nën kontrollin e hipofizës së përparme (gjëndër endokrine). Hipofiza prodhon hormone gonadotrofike si FSH-ja, LH-ja dhe LTH-ja.

FSH-ja prodhohet gjatë gjysmës së parë të ciklit menstrual dhe stimulon folikulin Graafian në rritje e sipër që të prodhojë estrogjen.

LH-ja prodhohet gjatë gjysmës së dytë të ciklit, pas ovulacionit (ovulimit), dhe stimulon formimin e trupit të verdhë (corpus luteum), i cili prodhon progesteron. Në pubertet, estrogjeni (estrogeni) dhe progesteroni (progjesteroni)  janë përgjegjës për zhvillimin e organeve seksuale dytësore dhe karakteristikave seksuale dytësore. Gjatë moshës së rritur, këto hormone janë përgjegjës për ruajtjen e organeve dhe karakteristikave seksuale dytësore.

Nivelet e estrogenit dhe progesteronit në gjak, bien gjatë menopauzës, sepse indi i vezores gradualisht fillon e nuk i përgjigjet më hormoneve gonadotrofikë të prodhuar nga hipofiza e përparme. Kështu cikli i ovarian çrregullohet dhe më në fund ndalon. Vezorja zvogëlohet dhe fibrotizohet (e pasur me ind fibroz) pa prodhuar më qeliza vezë. Të gjitha indet në trup fillojnë të tregojnë ndryshime. Ndodh mëpastaj një regresion i karakteristikave seksuale dytësore. Të gjitha këto ndryshime shenjojnë fundin e periudhës riprodhuese të jetës.

© Rinstinkt

Diabeti

Diabeti

Diabeti është një sëmundje relativisht e përhapur: rreth 6% e popullsisë së SHBA-ve paraqet anomali të metabolizmit të glukozit, që janë treguese të diabetit apo të një prirjeje për tu sëmurur nga diabeti.

Sëmundja e diabetit mund të ndahet në dy klasa kryesore: diabeti i tipit I ose diabet insulin-vartës (IDDM), dhe diabeti i tipit II apo diabet jo insulin-vartës, që quhet edhe diabet insulino-rezistent (NIDDM).

Në rastin e parë, sëmundja fillon që në moshë të re, përkeqësohet mjaft shpejtë dhe përgjigjet ndaj dhënies së insulinës duke qenë se defekti metabolik vjen nga  shkatërrimi i qelizave beta të pankreasit për shaka të një gjëndjeje autoimune. Pasoja e kësaj situate autoimune është paaftësia për të sekretuar (tahitur) mjaftueshëm insulinë.

IDDM-ja kërkon një terapi me insulinë dhe një kontroll të vazhdueshëm dhe të rreptë të sasisë së sheqerit ditor të gëlltitur dhe të hormonit të marrë.

Simptomat karakteristike të të dyja llojeve të sëmundjes së diabetit janë etja dhe urinimi i shpeshtë (poliuria), që shpienë në marrjen e ssasive të mëdha të ujit. Termi “diabet mellit” vjen pikërisht nga “sekretim i tepërt urine të ëmbël”. Simptomatologjia i detyrohet eskretimit të sasive të mëdha të glukozit me urinën.

Diabeti i tipit II zhvillohet më ngadalë, tipik i pesonave të moshuar dhe obezë, dhe është më pak i rëndë dhe në disa raste as nuk haset fare. NIDDM përfshin në realitet një grup sëmundjesh në të cilat fillon e mungon aktiviteti rregullator i insulinës: insulina prodhohet por sistemi që i përgjigjet insulinës është difektoz dhe individët  janë insulino-rezistentë. Relacioni mes diabetit të tipit II dhe obezitetit është një fushë kërkimi në zgjerim të vazhdueshëm.

Individët diabetikë, në të dyja rastet e diabetit, nuk janë në gjendje të shfrytëzojnë në mënyrë efiçiente glukozin e fluksit hematik (të gjakut); insulina i jep shkas transferimit  të transportuesit të glukozit GLUT4 në membranën plazmatike të qelizave të indit dhjamor dhe muskulit.

Një tjetër modifiki metabolik karakteristik, që i detyrohet mungesës së aksionit të insulinës, është oksidimi i tepërt por i paplotë i acideve lyrorë në mëlçi. Acetil-CoA e prodhuar nga beta-oksidimi nuk mund të oksidohet plotësisht në ciklin e acidit citrik për shkak të inhibimit të ciklit. Inhibimi i ciklit të acidit citrik shkaktohet nga një raport i lartë [NADH]/[NAD+] prodhuar nga beta-oksidimi.

Akumulimi i acetil-CoA shpie në mbiprodhimin e trupave ketonik, acetoacetat dhe beta-hidrosibutirat. Përveç këtyre në gjakun e diabetikëve ka edhe aceton, që vjen nga dekarbosilimi spontan i acetoactatit.

Acetoni është një përbërje që avullon dhe i jep frymës së pacientëve me diabet të pakontrolluar një erë karakteristike, që ndonjëherë mund të ngatërrohet me atë të etanolit. Mbiprodhimi i trupave ketonik, gjendje e njohur si ketozë, shpie në rritjen e këtyre përbërjeve në gjak (ketonemi) dhe në urinë (ketouri).

 

© Rinstinkt, tetor 2012

Të dhëna historike mbi sistemin endokrin dhe hormonet

Të dhëna historike mbi sistemin endokrin dhe hormonet

Vesalio-ja (1514-1564 afërsisht) përshkroi i pari shumë organe endokrine në veprën e tij De humani corporis fabrica libri septum, e publikuar mes viteve 1537 dhe 1543. Anatomistët B. Eustachio (afërsisht 1500-1574) dhe G. Fallopio (1523-1562) përshkruan strukturën e sistemit endokrin të njeriut.

Fiziologu Claude Bernard, në 1855, demonstroi mekanizmin e “sekrecionit të brendshëm”, duke përshkruar lirimin e glukozit nga ana e mëlçisë. Por pjesa më e madhe e botës shkencore pretendonte se, sekrecioni i brendshëm  konsistonte në kalimin e çdo substance nga indet në gjak.

Në vitin 1902 W.M. Bayliss dhe E.H. Starling zbuluan se epiteli i zorrëve të holla prodhonte një substancë që nëse i injektohej qenit, stimulonte sekrecionin ekzokrin të pankreasit.

Straling ishte emëruar Profesor i Fiziologjisë pranë University College të Londrës, në katedrën e mbajtur nga E. Schafer (1850-1935), që kishte studiuar efektet e ekstrakteve të gjëndrës mbiveshkore mbi presionin arterioz. Fama e Starling-ut i detyrohej studimeve të tija mbi forcat ozmotike, që marrin pjesë në shkëmbimet kapilare. Me kunaitin e vet, Bayliss-in, filloi të studionte inervimin e pankreasit dhe të duodenumit, që kishin qenë objekt i punës së Pavlov-it mbi kontrollin nervor të aparatit gastroenterik.

Pavlovi kishte hipotizuar se sekretimi pankreatik varej vetëm nga kontrolli nervor: në fakt, përmbajtja acide e stomakut duke kaluar nëpër duodenum stimolonte nervat e duodenumit që në refleks bënin që pankreasi të lëshonte sekrecionet.

Bayliss-i dhe Starling-u seksionuan një më një të gjithë nervat e duodenumit; pastaj vendosën në kontakt me mukozën duodenale një solucion acid dhe vëzhguan se sekrecioni pankreatik stimulohej në mënyrë fiziologjike.

Në ato vite dilte për herë të parë në literaturën shkencore fjala endokrinologji. Në 1905 Starling u ftua nga Royal College of Physicians për të mbajtur një sërë lekturash të quajtura Praelectio Crooniana. E para ndër katër lekturat kishte si argument kontrollin kimik të funksioneve të organizmit. Gjatë prezantimit të tij Starlingu përdori termin e ri “hormon”, derivuar nga greqishtja ορμαω, për të përkufizuar (përcaktuar) substancat kimike që transportohen në gjak nga organi ku sekretohen në organin apo indin shenjestër.

Në kujtimet e biokimistit anglez, Joseph Needham (1900-1995), tregohej se Starlingu me këshillë të Willian B. Hardy (1864-1934), biolog në Kembrixh, Angli, iu drejtua një profesori ekspert të greqishtes, W.T. Vesey, për të krijuar termin “hormon”.

Lind kështu fiziologjia endokrine moderne, edhe pse vëzhgime klinike të mjaft Autorëve u kishin paraprirë studimeve fiziologjike. Mund të kujtohen, ndër të tjerë, punimet e T. Addison (1795-1860) mbi pamjaftueshmërinë kortikombiveshkore; R.J. Graves (1797-1853) dhe K.A. von Basedow (1799-1854) mbi hipertiroidizmin; O.Minkowski (1858-1931) dhe J.F. von Mering (1849-1908) mbi diabetin; P. Marie (1853-1940) mbi akromegalinë, etj. etj..

Biokimistët izoluan dhe purifikuan hormone si tiroksina, e sintetizuar nga C.R. Harrington në 1926, ndërsa E.C. Kendall (1886-1972) izoloi principet e kristalta bioaktive nga tiroidja në 1914. Kortizoni u sintetizua nga Kendall dhe T. Reichstein (1897-1996), dhe insulina dhe hormoni i paratiroides nga J.B. Collip (1892-1965). R. Guillemin dhe A.V. Schally izoluan hormonet e parë hipotalamikë që lironin hormonet e hipofizës, por këto vetëm në vitet e pasluftës së Dytë Botërore.