Katastrofa e Talidomidit dhe eksperimentimi mbi kafshët

Skandali i Talidomidit  dhe eksperimentimi mbi kafshët

Talidomidi është një ilaç që u jepej grave shtatëzënë mes viteve 1957 dhe ‘61-’62. Talidomidi shërbente për të qetësuar të vjellat gjatë shtatëzanisë. Vetëm më pas u zbulua se, ilaçi talidomid, kishte disa efekte anësore të tmerrshme mbi fetusin, të cilit i bllokonte zhvillimin e gjymtyrëve.

Nga talidomidi mund edhe të vdisje; në vende të ndryshme të botës pati me qindra (deri mijëra) viktima, derisa ilaçi u hoq nga qarkullimi.

Vetëm pas 50 vitesh nga tragjedia, shtëpia farmeceutike gjermane, Gruenenthal – që prodhonte talidomidin –   kërkoi publikisht falje.

“Na vjen keq – tha administratori i deleguar i firmës – Kërkojmë falje që për 50 vite nuk gjetëm mënyrën për të komunikuar me ju si njeriu me njeriun”.

Por, kjo deklaratë, e të tjera, nuk do të mund kurrë të shpërblejnë mijëra nëna dhe fëmijët e tyre që ishin viktima të pafata të ilaçit në fjalë.

Nënat si kavie

Tamam, pas skandalit të Talidomidit, në vitet ’60, fillimisht në Gjermani e më pas në të gjithë botën u futën rregullat e para dhe farmakovigjilanca, për të parandaluar rreziqe të reja nga efektet anësore (kolaterale) të ilaçeve.

Në rastin e Talidomidit, ishin praktikisht nënat shtatëzanë që “shërbyen” si kavie… Sepse ilaçi i Talidomidit ishte testuar, po, mbi kafshët, por jo në mënyrën e duhur mbi kafshët shtatëzëna. Kështu nuk u pa praktikisht efekti teratogjenik i Talidomidit tek fetuset.

Nëse eksperimentimi do të ishte kryer në mënyrën e duhur – që në atë kohë nuk mund të konceptohej, sepse tek e fundit nuk kishim eksperiencë – do të ishin shmangur të gjitha vuajtjet e nënave dhe fëmijëve që lindën të gjymtuar për shkat të ekeftit herë teratogjenik e herë të tjera vrasës të Talidomidit.

Talidomidi dhe eksperimentimi mbi kafshët

Ky i Talidomidit, është një mësim që duhet mbajtur mend mirë, duhet të fiksohet mirë në ndërgjegjjen kolektive, sepse aktualisht, kryesisht në vendet e zhvilluara, janë shfaqur grupime që ndërmarrin fushata për të rrëzuar hapin e detyruar të eksperimentimit shkencor mbi kafshët përpara se ilaçi të tregtohet, apo t’i futet hapit tjetër të testimit.

Këto grupime, që kërkojnë rrëzimin e eksperimentimit me kafshët, kanë një pozicionim të tipit demagogjik, duke qenë se stimulojnë emocionet më të përcipta të njeriut mesatar, i cili “informohet” në mënyrë të gabuar, pra gjysmake, mbi realitetin e eksperimentimit me kafshët.

Nga ana tjetër, qëndrojnë ata që e mbështesin dhe e nxisin eksperimentimin me kafshët duke qenë se është një nga mënyrat për të rritur mirëqenien dhe progresin shkencor. Progres shkencor që mund të ketë qoftë edhe vetëm synime njohjeje teorike të gjërave.

Ata që kanë lexuar (nëpër rrjet) se, Talidomidi nuk mund të parandalohej sepse nuk jep të njëjtat rezultate tek kafshtë me ato te njeriu, duhet të kërkojnë gjithnjë referencat, që në këtë rast duhet të vijnë nga burime të sakta, shkencore e të konfirmuara. Pohimet si ato të mësipërme nuk kanë asnjë bazë shkencore. Shfrytëzohen vetëm nga grupimet e kafshistëve (animalistëve) duke shkëputur të dhënat nga konteksti e duke thënë gjysmë të vërteta. Tabloja për fatin e keq të kafshistëve, grupimeve e shoqatave kafshiste, është më e gjerë.

Talidomidi, me doza të duhura dhe në kohë të mjaftueshme gjatë shtatëzanisë, ka induktuar keqformime tek majmuni, tek lepuri, tek embrionet e pulës dhe tek miu. Por këto, janë rezultate të përftuara pas tragjedisë së Talidomidit, sepse asokohe nuk kërkohej që ilaçet e reja të studioheshin edhe mbi riprodhimin e kafshëve, ndërsa sot  një gjë e tillë është e detyrueshme.

Talidomidi u fut në tregtim në 1957, pasi në ’56 ishin kryer testime me rezultate të kënaqshme mbi kafshë jo shtatëzëna. Vetëm në vitin 1960 u kryen testet e para mbi kafshë shtatëzëna,  përsëri me efekte negative, por sipas vet autorit të eksperimentimit ishin përdorur sasi shumë të vogla të ilaçit – jo proporcionale. Në 1961 një studim i ri tregoi keqformimet e para tek fëmijët, të filluara më 1957, deri atëherë të panjohura, që sollën tërheqjen e ilaçit nga tregu. Në vitin 1962 u krye një eksperimentim (studim) i ri mbi kafshët shtatëzëna, këtë rast me sasi të Talidomidit të proporcionuara (përpjesëtuara?)… dhe u vunë re keqformimet mbi fetuset.

Bibliografi:

  • D’Amato RJ, Loughnan MS, Flynn E, Folkman J (1994) Thalidomide is an inhibitor of angiogenesis. Proceedings of the National Academy of Sciences of the United States of America 91:4082-4085.
  • Delahunt CS, Lassen LJ (1964) Thalidomide Syndrome in Monkeys. Science 146:1300-1305.
  • Dipaolo JA, Gatzek H, Pickren J (1964) Malformations Induced in the Mouse by Thalidomide. The Anatomical record 149:149-155.
  • Gatzek H, Dipaolo JA (1965) Radiographic Studies of Thalidomide-Induced Malformations in Mice. Acta radiologica: diagnosis 3:145-150.
  • Hendrickx AG, Axelrod LR, Clayborn LD (1966) ‘Thalidomide’ syndrome in baboons. Nature 210:958-959.
  • Etj.

© Rinstinkt, Shkurt 2013

——————————————————————————————————–

Telefonat celularë shkaktojnë kancer?

Telefonat celularë shkaktojnë kancer?

Pyetje një milion dollarëshe kjo. Kushedi se sa firma shumëkombëshe telefonie celulare do të paguanin për të më mbyllur gojën e mos përhapur të tilla informcaione… :P

Fjalë mbi këtë pyetje ka shumë, por pak mund të quhen informacione apo fakte minimalisht të kënaqshme.

Ekskursus i nevojshëm, si gjithnjë xhanëm  ;)

Valët elektromagnetike janë një formë e përhapjes së energjisë në hapësirë. Çdo valë elektromagnetike përcaktohet nga një frekuencë, pra numri i lëkundjeve (oshilacioneve) të kryera në një sekondë; më e madhe është frekuenca e valës, më e madhe rezulton energjia e transportuar nga ajo.

Radiacionet e emetuara nga telefonat celularë janë të tipit “me frekuencë të lartë”, sepse gjende në fashën (rripin) e 900 MHz – 2.4 GHz, dhe janë të tipit jo-jonizuese.

Jo-jonizuese do të thotë që janë valë që nuk e ndryshojnë (modifikojnë) strukturën kimike të substancave dhe materies që takojnë në rrugën e vet. Dhe kjo ka një shpjegim, logjik. Për të ndërhyrë apo ndikuar mbi molekulat gjatësia e valës duhet të jetë nga ana e vetë e vogël, dhe si pasojë me frekuencë të lartë.

Pra, fakt është se valët e emetuara nga telefonat celularë nuk ndërveprojnë drejtëpërsëdrejti me molekulat e një substance apo në rastin që na intereson, me molekulat e trupit të njeriut.

Efekti termik i telefonit celular

efekti i celularit tek indet e trupit të njeriut

Nxehja e indeve nga përdorimi i telefonit celular

Por kjo nuk do të thotë se radiacionet e emetuara nga telefonat celularë nuk kanë asnjë efekt mbi trupin tonë, sepse nga pikëpamja termike valët transferojnë (gjenerojnë) nxehtësi në indet e trupit, që si pasojë ngrohen. Kjo vihet re lehtë, duke krahasuar temperaturën që ka krahu nga është mbajtu telefoni celular gjatë një telefonate 20 minutësh me temperaturën e krahut tjetër. Shiko pamjen me kamerën termografike.

Një studim ka treguar se, kur një person e përdor telefonin celular për 50 minuta pa ndërprerje, indet e trurit nga ana e celularit metabolizojnë më shumë glukoz krahasuar me krahun tjetër. Nuk është akoma e qartë nëse kjo gjendje e ndryshuar krijon rreziqe. Të paktën, studimi në fjalë konfirmon se  përdorimi i zgjatur i celularit ka një efekt mbi trupin e njeriut.

Sasia e energjisë që celulari emeton varet nga modeli i aparatit, nga teknologjia, por mbi të gjitha nga distanca mes telefonit dhe antenës, apo ripetitorit(përsëritësit) të sinjalit. Sa më larg të jetë nga antena aq më shumë duhet të rritet fuqia për të stabilizuar komunikimin, pra për të “patur rrjet”. Po ashtu, kur telefoni gjendet brenda një strukture metalike, kjo mund të shërbejë si izoluese, dhe energjia e emetuar të jetë më e madhe. Një rast konkret është ai i makinës, skeleti metalik i së cilës rrit energjinë e emetuar nga telefoni celular.

Në gjendjen aktuale të gjërave, nuk njihet një mekanizëm biologjik që të shpjegoj se si rrezatimet jo-jonizuese mund të provokojnë kancerin.

Pavarësisht kësaj, OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë) në 2011 i klasifikoi telefonat celularë si burim i mundshëm kancerogjen (Grupi 2B).

“The conclusion means that there could be some risk, and therefore we need to keep a close watch for a link between cell phones and cancer risk.”

Për të qenë të ndershëm, edhe kafja, ushqimet nënuthull dhe të tjera substanca me të cilat jemi në kontakt gjatë aktiviteti tonë përfshihen në këtë kategori.

Gjithsesi, në komunitetin shkencor ka shumë dyshime (dhe hetime) mbi efektet afatgjata të përdorimit të telefonit celular. Testet epidemiologjike që të japin “rezultat”, duan kohë dhe durim, sepse për shembull duhet pritur 10 vite për të parë efektet afatgjata mbi një grup të caktuar.

Studime të reja po kryhen mbi kafshë me jetëgjatësi të vogël, si për shembull minjtë. Në këtë rast, studimi kryhet duke i rritur minjtë në një dhomë të izoluar nga burime të tjera ndotjeje elektromagnetike, por në afërsi të madhe e të vazhdueshme me ndotësin që na interson. Pra në kontakt me një aparat telefonik apo një përsëritës sinjali.

Studime epidemiologjike tashmë të përfunduara e publikuara thonë:

We found that eight of the 10 studies reported increased prevalence of adverse neurobehavioral symptoms or cancer in populations living at distances < 500 meters from base stations. None of the studies reported exposure above accepted international guidelines, suggesting that current guidelines may be inadequate in protecting the health of human populations. We believe that comprehensive epidemiological studies of long-term mobile phone base station exposure are urgently required to more definitively understand its health impact.

Ndërkohë, në pritje të prononcimeve pa ekuivokë të komunitetit shkencor, disa masa personale mund të merren, për njëfarë parandalimi:

1-   Të përdoren kufjet, sepse edhe me disa centimetra distancë fusha elektromagnetike bie dukshëm në intensitet.

2-    Në çdo moment telefoni celular dërgon drejt antenës  mesazhe me energji të lartë, edhe kur nuk është në përdorim, për të patur një kontakt të vazhdueshëm. Kështu, më mirë të mos e mbajmë telefonin në xhepa. Për meshkujt të shmangen xhepat e përparmë duke qenë se janë afër organeve gjenitale. (shënim: organet gjenitale dhe nxehtësia)

3-   Për të njëjtën arsye, të mos mbahet telefoni celular afër, nën jastëk, gjatë gjumit.

Telefonatë të këndshme!

Bibliografia:

© Rinstink, Shkurt 2013

——————————————–

A vuajnë kafshët, a ka rreziqe për jetën e tyre gjatë eksperimentimit?

A vuajnë kafshët, a ka rreziqe për jetën e tyre gjatë eksperimentimit?

Ka disa lloje eksperimentesh të cilat me të vërtetë janë të patëkeq ose pothuasje të patëkeq për kafshën. S’ka fare hipokrizi këtu, kjo është e vërteta. Në një pjesë të eksperimenteve ka njëfarë rreziku dhe stesi për kafshën. Ky risk dhe stres bën që eksperimenti të zhvillohet pikërsisht mbi kafshën dhe jo njeriun.

Nuk thuhet asgjëkundi se kafshët nëpër laboratore jetojnë si në parajsë. Ajo që thuhet, dhe nga ata që janë të informuar dihet mirë, është që, kafshët jetojnë në kushte më se të mira, dhe se merret çdo masë për të shmangur vuajtje të panevojshme. Ky është realiteti i gjërave.

Prioriteti është jeta njerëzore dhe progresi shkencor. Kjo qëndron përpara nivelit të vogël të stresit që disa kafshë duhet të pësojnë. Bëhet fjalë për një çmim që njerëzimit i duket më se i arsyeshëm. Në të kundërt, do të ishte mjaft amorale dhe e parespekt, kundrejtë të ngjashëve tanë që kanë qenë apo janë me më pak fat se, refuzimi për të paguar këtë çmim të vogël për progresin bio-mjekësor.

Çfarë kufizimesh imponon legjislatura aktuale europiane mbi eksperimentimin me/mbi kafshët?

Çfarë kufizimesh imponon legjislatura aktuale europiane mbi eksperimentimin me/mbi kafshët?

Direktiva e fundit europiane rregullon eksperimentimin mbi të gjitha kafshët që konsiderohen të pajisura me aftësi për të vuajtur mjaftueshëm të zhvilluar. Pra rregullon eksperimentimin mbi kafshë si, për shembull, vertebratët dhe cefalopodët.

Normat më të rëndësishme të direktivës kanë të bëjnë me ndalesën e përdorimit të kafshëve të rrugës për eksperimente. Me përdorimin më shumë herë të së njëjtës kafshë në procedura eksperimentale stresuese dhe me zhvillimin e ekperimenteve të dhimbshme pa anestezi.

Disa thonë se është e mundur që këto ligje të thyhen apo të mos respektohen…

Ligji dhe direktivat nuk parashikojnë shtigje shpëtimi.

Manovrat e vetme që mund të bëjnë kërkuesit shkencorë kanë të bëjnë me mundësinë për të mos respektuar pengesën (e shprehur nga rregullorja) atëherë kur kërkohet nga eksperimenti që do të kryhet.

Për shembull: nëse duhet bërë një kërkim mbi dhimbjen, nuk mund të përdoret një kafshë e anestetizuar; nëse duhet të bëhet një screening mbi një ilaç kundër depresionit apo kundër ankthit, duhet të kihet në dispozicion një kafshë nën stres. Kjë është një pikë e panegociueshme.

Kriteret nuk krijojnë asfare ekuivokë. Ka rrethana në të cilat të respektuarit e normës (pengesës së shprehur në rregulore), kompromenton eksperimentin. Norma në këto raste anashkalohet, përndryshe eksperimenti, i cilësuar i denjë më parë edhe nga një komision etik, nuk mund të zhvillohet.
Në të gjitha rastet e tjera, pengesa është e vlefshme.

Nëse problemi i pretenduar qëndron tek kontrollet e pakta, ky nuk është problemi i shkencëtarëve, por i forcave të rendit apo kontrollorëve që merren me këto punë.

Në fund, duhet thënë se, edhe sikur një kërkuesh shkeoncor të mos ishte i kontrolluar ai nuk do ta linte pa anestetizuar kafshën para operimit. Kjo do të ishte e panevojshme. Aq më tepër që nëse kafsha është e ndjeshme, e ndërgjegjshme dhe e lëvizshme, kjo mund të kompromentojë operacionin dhe punën e kërkuesit shkencor.

Ata që përflasin mbi kënaqsi të kërkuesve shkencorë kur operojnë  mbi kafshët, janë thjesht disa idiotë të vjellin mbi punën e njerëzve të ndershëm, që punojnë për të mirën e përgjithshme, për shëndetin publik të njerëzve e të kafshëve, duke qenë se njohuritë e përftuara aplikohen edhe në mjekësinë veterinare.

Përse laboratorët dhe stabularët nuk janë të hapur për publikun?

Përse laboratorët dhe stabularët nuk janë të hapur për publikun?

Laboratorët kanë një qëllim të caktuar e jo një tjetër.
Nuk janë kopshte zoologjike, e as parqe argëtimi. Kanë funksionin e tyre specifik. Funksioni i stabularëve është ai i të mbajturit të kafshëve në kushte të caktuara, jashtëzakonisht të kontrolluara. Hyrja e agjentëve patogjenë dhe alergjenë duhet të jetë minimale. Kushtet mjedisore duhet të jenë të qëndrueshme.

Në laboratorët kërkimorë ka substanca të rrezikshme për shëndetin e njeriut e të kafshës, mes të cilave ilaçe, drogëra, shënjues radioaktivë. Humbja apo vjedhja e këtyre e të tjerave nuk mund të rrezikohet. Kjo është edhe një nga arsyet se pse laboratorët po spostohen gjithnjë e më shumë larg qëndrave të banuara.

Gjithsesi, përmbledhje shkencore gjenden në internet për këdo që është i interesuar, mjaft të lexohet ndonjë publikim shkencor. Po për të lexuar dhe më e rëndësishmja t’i kuptuar këto, duhet njëfarë kualifikimi dhe kompetence, që përftohet vetëm me vite e vite studimi. Kështu, inspektorët apo njerëzit që merren me kontrollin e aktivitetit (të llojllojshëm) të laboratorëve mund t’i lexojnë e të verifikojnë nëse gjatë eksperimentimit janë kryer parregullsi.

Kam parë në internet një video shokuese të xhiruar në një laborator ku praktikohej eksperimentimi me/mbi kafshët…

Kam parë në internet një video shokuese të xhiruar në një laborator ku praktikohej eksperimentimi me/mbi kafshët…

Në radhë të parë duhen bërë disa kontrolle për të verifikuar autenticitetin e videos. Duhet parë se kur është xhiruar dhe ku është xhiruar. Prej pothuaj 20 vitesh ligjet europiane mbi eksperimentimin mbi kafshët janë shumë më shumë të rrepta se më  parë, ndërsa më shumë vende të tjera të botës legjjislacioni është ende shumë pas nën këtë aspekt.

Për më tepër që shpesh këto video xhirohen në vende që nuk janë laboratorë kërkimorë, si në kopshte zoologjikë apo institute veterinare, dhe kështu që nuk përfaqësojnë aspak realitetin e laboratorëve kërkimorë.

Së dyti, duhet parë nëse imazhet që shihen janë vërtetë “të dhunshme”. Mund të shihet një mi që i nënshtrohet gijotinës. Në një laborator, miu, pothuaj gjithnjë sakrifikohet, dhe prerja e kokës me gijotinë është një nga metodat e preferuara. Kjo duket e tmerrshme, por kafshës nuk i dhemb aspak, sepse vdes në vend. Më shumë se nga “vuajtja”, spektatori shokohet nga gjaku…

Mund të shihen ndonjëherë majmunë, me kafkën e hapur, me elektroda të vendosura në tru. Përshtypja e parë është ajo e  torturës. E vërteta është se truri nuk ka receptorë të dhimbjes, kështu nëse një elektrodë vendose korrektësisht, stimulimi i saj nuk shkakton asnjë dhimbje, në të kundërt, mund të jetë e këndshme dhe të përdoret si shpërblim për kafshën kur duhet të stërvitet për një detyrë të caktuar.

Në përgjithësi vuajtja nuk i nevojitet eksperimentuesit, dhe shpesh dëmton rezultatet e eksperimentin që po kryhet.

Këshilla është që të mos kihet besim qorr tek këto video, për arsyen e thjeshtë se: nëse do të përfaqësonin realitetin e laboratorëve kërkimorë, ai që i ka xhiruar duhet të kishte bërë denoncimin përpara se t’i kishte vendosur në rrjet (youtube).

Metodat alternative në eksperimentimin mbi/me kafshët në kërkimin shkencor

“Metodat alternative”

A ekzistojnë metoda kërkimi në biologj që nuk përdorin kafshë të gjalla?

Plotë! Kultura qelizore, simulime në kompjuter, studime klinike dhe të tjera e të tjera. Duhet thënë se këto metoda nuk përdorin kafshë të gjalla, por shpesh i përdorin të vdekura, sepse materialet biologjike (kultura qelizore për shembull) duhet të merren nga diku.

Përse nuk përdoren këto metoda “alternative”?

Këto metoda përdoren rregullisht në kërkimin shkencor. Mund të thuhet se të tërë laboratorët e botës i përdorin këto metoda. Por çdonjëra nga këto metoda ka caqet e veta natyrore. Kulturat qelizore dhe simulimet me kompjuter mund vetëm të japin informacione paraprake që duhet të konfirmoen nga studimi in vivo. Nëse thuhet se zemra e një miu nuk mund të simulojë atë të një njeriu (100%), atëherë duhet të thuhet edhe me më shumë forcë se simulimi i zemrës së njeriut nuk mund të simulohet as nga një shtresë qelizash të rritura mbi një pllakë Petri.

Ndërsa, studimet klinike, nëse kryhen mirë, kanë vlefshmëri të lartë por paraqesin një sërë vështirësish: së pari duhet gjetur një numër subjektesh për të studiuar që të jetë mjaftueshëm i bollshëm, duhet ofruar garanci mbi shëndetin e tyre, duhen zotëruar financime po të bollshme, duhen kontrolluar kushtet e jetesës së subjekteve gjatë një harku kohor mjaft të gjatë, duke izoluar faktorë biologjikë të ndryshëm veç e veç… dhe natyrisht nuk mund të ecet me “prova dhe gabime” në liri të plotë, që është , kjo, një nga nevojat e kërkimit shkencor.

A është e vërtetë se këto metoda “alternative” nuk përdoren sepse janë shumë të kushtueshme?

Paraja përfaqëson një mjet me anë të të cilit mund të gjenden dhe të përdoren resurse të tjera të nevojshme që duhen investuar në kërkimin shkencor. Fushat e studimit janë të shumta, dhe resurset të kufizuara.

Gjithsesi, në të vërtetë eksperimentimi me/mbi kafshët është metodologjia e kërkimit më e kushtueshme dhe e vështirë, nëse përjashtojmë studimet klinike. Fakti se këta të fundit kushtojnë shumë është një nga arsyet e shumta që kufizojnë përdormin e tyre. Një substancë e re provohet mbi njeriun nëse ekziston një grumbull i tërë të dhënash që tregojnë potencialitetin dhe jo rrezikshmërinë, që është një qëndrim perfektësisht racional.

A është e mundur me gjëndejn aktuale të gjërave, të zëvendësohet eksperimentimi me/mbi kafshët me këto metoda të ashtuquajtura “alternative”?

Për momentin në asnjë ambient të fushave kërkimore shkencore që i përkasin biologjisë së kafshëve nuk mund t’ia dilet pa kafshët. Të studiosh kafshën pa kafshën, është njësoj sikundër të bësh informatikë pa kompjuterin… Ah, mund edhe të bëhet, duke i shkruar algoritmet mbi një fletë letre etj., por gjithsesi nuk ka një mjet, mbështetje ku mund të provohen.

Ndonjëherë mund të përsoren metoda që janë në gjendje të zvogëlojnë numrin e kavieve të përdorura apo që përmirësojnë kushtet e tyre të jetesës, si pasojë edhe reduktim të kostove të kërkimit. Në laborator, çdo teknikë ka protë dhe kundrat e veta, kështu asnjë metodë nuk  mund të zëvendësohet plotësisht nga një tjetër. Edhe vetë modeli kafshë që përdoret në një kërkim të caktuar, nuk është i mangët nga difektet.

Po përsa i përket të ardhmes?

Në të ardhme mund të zhvillohen metoda alternative efikase dhe të vlefshme për sa i përket testeve toksikologjike, apo për operacione që janë në njëfarë mënyre “të rutinës”. Për momentin, gjithsesi, metodat e studimit janë këto që janë.

Praktikisht në të gjitha fushat, herët a vonë, do të jetë një hap i detyrueshëm testimi mbi/me kafshët. Një hap i pashmangshëm; veçse nëse njohim në perfeksion ato që na interesojnë nga biologjia e kafshëve. Por nëse do t’i kemi këto njohje, për çfarë do të na duhen studimet?

A ka shkaktuar ndonjëherë dëme eksperimentimi me/mbi kafshët? (Faqet onlajn që thonë të kundërtën japin shembuj të shumtë.)

Nuk mund të shkaktojë dëme.

Të gjitha produktet në treg, kanë kaluar përveç hapit të eksperimentimit mbi kafshët edhe trialë klinikë mbi njerëzit. Nëse më pas janë shfaqur gjithsesi të dëmshëm, ky nuk është një limit i eksperimentimit mbi kafshët, por i eksperimentimit in toto.

Efektet anësore (kolaterale) nuk mund të shihen nëse verifikohen 1/10000 raste, në një kampion (mostër) prej 100 individësh. Nëse merret parasysh kjo, praktikisht 90% e “dëmeve” të raportuara nga faqet e kafshistëve (animalistëve) bien poshtë, pa asnjë farë vlere. Tek e fundit statistika nuk është një opinion.

Vihet re se në të njëjtat faqe, shpesh thuhet dhe akuzohet eksperimentimi me kafshët se ka ngadalësuar zhvillimin e disa teknikave. Nëse e marrim si të mirëqenë, edhe pse gjëja nuk është e tillë, mund të flitet për kujdes të tepruar. Por, asnjë nuk do të rrezikojë e të provojë tek njerëzit një ilaç që ka vrarë të gjitha kafshët mbi të cilat është provuar, apo jo? Kush do ta merrte përsipër një përgjegjësi të tillë?

Eksperimentohet pikërisht sepse nuk dihet rezultati.

Eksperimentimi me/mbi kafshët ka qenë pjesë integrale e zbulimeve dhe standardizimit të pothuajse të gjitha teknikave mjekësore që janë sot në përdorim, dhe nuk mund të pretendohet se eksperimentimi mbi kafshët nuk ka asnjë meritë në të gjitha ato teknika që funksionojnë e nga ana tjetër që është përgjegjës për të gjitha ato që nuk funksionojnë. Kjo është thjeshtë jondershmëri intelektuale.

A ekzistojnë teknika jo invazive për studimin e proceseve cerebrale/trunore?

Po. Ka interes të madh në zhvillimin e teknikave të tilla, duke qenë se nuk kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale, dhe lejojnë që të studiohet drejtëpërdrejtë edhe tek njeriu.
Mjaft të kujtohet teknika më e thjeshtë, elektroencefalogrami (EEG).

Veças, metodat komplementare (përplotësuese) nuk mund ta zëvendësojnë modelin kafshë.

Po një përqasje e integruar e të gjitha metodave përplotësuese a është e mundur?

Të gjithë presin me mjaft interes të zbulojnë se si mbështetësit e tezave të tilla – që krejt rastësisht qarkullojnë të gjithë në ambiente kafshiste – do të zëvendësonin me metoda in vitro, për shembull, eksperimentët me deprivim monookular të Hubel-it dhe Wiesel-it(Wiesel and Hubel, 1965; Hubel and Wiesel, 1970), apo se si do të studionin fenomenet e të mësuarit, nga ai pamor e deri tek ai kortikal, në nivelin e përgjigjeve të neuroneve të veçuar (Bjorklund and Magnussen, 1981; Sclar et al., 1985; Smirnakis et al., 1997; Li et al., 2008). Apo se si do të studionin efektet e natyrës konjitive-komportamentale që kanë të bëjnë me integrimin e shkarkesave në nivelin e neuroneve të vetëm, singular.

Duhet medoemos të vihet në pah, se është mjaft bizzarre të thuash se, është e mundur të ndërtohet reagimi i një organizmi human në kompleksitetin e vet, duke u nisur nga përbërës kaq elementarë, dhe pastaj të thuash se problemi i modeleve kafshë është se janë “shumë reduksionistë”, duke sjellë nën një dritë të veçantë artikuj të gjatë të pudrosur me referenca pak a shumë rreth kompleksitetit të organizmave të kafshëve si arsye të papërputhshmërisë së tyre me njëri-tjetrin.

Gjithashtu, nuk mund të zëvendësohet eksperimentimi me/mbi kafshët me eksperimentimin in vitro. Nëse vërtet do të ishte e mundur, atëherë, përse ata që mbështesin këto teori nuk i vënë në praktikë? Sigurisht kjo nuk ndodh për mungesë fondesh. Fatmirësisht metodat e studimit in vitro janë më pak të kushtueshme se eksperimentimi me kafshët, dhe praktikohen në të gjithë laboratoret e botës.

Nëse duam të marrim vesh se si përgjigjet një neuron në kulturë ndaj një ilaçi të dhënë, mund ta bëjmë. Apo ashtu mund ta bëjmë këtë edhe për një astrocit, ose nëse nuk mund ta bëjmë ne, dikusht tjetër e ka bërë ose do ta bëjë në SHBA ose Zvicër dhe do t’i publikojë rezultatet e veta në mënyrë që të jenë në dispozicion të të gjithë të interesuarëve. Janë gjëra që ndodhin çdo ditë, kudo.

Por, ti mund të kesh testuar efektin e ilaçit tek astrociti i vetëm, apo vetëm tek neuroni, ose tek të dy së bashku në një kulturë qelizash nervore. Mëpas e injekton ilaçin tek kafsha e gjallë, dhe… surprizë, kafsha vdes, ose ndodh krejt e kundërta e asaj ç’ka prisje.

Nëse fanta-teoriko-diznejanët janë kaq të mirë dhe të zgjuar, të mjaftohen me demonstrimin shkencor të medotës/medotave të veta “alternative”, dhe jo të hipotizojnë se është e mundur, duke ua hedhur fajin për të kundërtën (pra, jo egzistencën) kërkuesve shkencorë. Kjo është një sjellje fëmijnore.

Pse disa sëmundje si ato mendore degjenerative studiohen tek brejtësit?

Përse sëmundjet kronike dhe degjenerative studiohen tek brejtësit që jetojnë vetëm 2-3 vite?

Natyrisht sepse edhe proceset degjenerative (zvetënuese) janë të përshpejtuara tek kafshët me jetë-gjatësi të shkurtër. Përpara futjes së transgjenezës modelet kafshë të parapëlqyera për të studiuar sëmundjet degjenerative ishin kafshët e plakura. (Hollander and Mos, 1986; Dewachter et al., 2000b; Dewachter et al., 2000a)

Përse sëmundjet e mendjes studiohen tek kafshët që nuk dinë të flasin?

Modelet kafshë të sëmundjeve psikiatrike nuk e riprodhojnë asnjëherë të gjithë kuadrin simptomatologjik të sëmundjes origjinale (siç ndodh tek njeriu) – nuk është ai funksioni i modelit kafshë. Kërkimet dhe vëzhgimet përqëndrohen mbi simptomatologji të shkëputura, singolare, që mund të studiohen edhe pa i kërkuar brejtësit biografinë e vet (që tek e fundit e dimë, duke qenë se kafshët që përdoren për eksperimentim rriten apostafat për këtë arsye). Parametrat e sjelljes së kafshës që mund të studiohen për të matur simptomat psikiatrike janë të shumta, për detaje mund/duhet të shihet leteratura e specializuar e fushës.

Për sa u përket kritikave të atyre që thonë se modelet në fjalë krijohen nëpërmjet substancave psikoaktive apo dëmtimeve trunore, dhe kjo i shvlerëson, duhet thënë se: 1- Ka modele që nuk shfrytëzojnë asnjë nga të dy metodologjitë, si ato të bazuara mbi stresin dhe deprivimin ambiental (Millstein and Holmes, 2007; George et al., 2010; Monje et al., 2011; Farooq et al., 2012; Kim et al., 2012); 2- Në trurin tonë ka mjaftueshëm substanca psikoaktive, dhe është tek rivendosja e riekuilibrit të funksionimit të tyre që bazohet mekanizmi i veprimit të shumicës së psikoilaçeve, pra në rastin e kësaj metodologjie, ajo që i jepet kafshës nga jashtë bëhet për të riprodhuar artificialisht kushtet për simptomën që nga intereson të studiojmë.

“Eksperimentimi me Kafshët” është sinonim i “Viviseksionit”?

“Eksperimentimi me Kafshët” është sinonim i “Viviseksionit”?

Domethënia e një fjale atribuohet mbi bazën e etimologjisë dhe të përdorimit. Nga pikëpamja etimologjike, viviseksioni është një term që tregon vetëm ato teknika laboratorike për ushtrimin e të cilave kërkohet prerje e indit të kafshës in vivo (nën anestezi të përgjithshme apo zonale); pra nuk i përmbledh të gjitha metodat eksperimentale që nuk kanë të bëjnë me prerjen e indit të kafshës.

Nga pikëpamja e përdorimit, në ambientin shkencor termi nuk është i pranishëm, duke qenë se nuk jep indikacione me vlerë mbi tipin e eksperimentit që është kryer. Në disa ambiente, mbi të gjitha “animaliste” (kafshiste), përdoret si sinonim i eksperimentimit me kafshët in toto.

Është një taktikë për të përftuar një reaksion emocional tek lexuesi/dëgjuesi, duke qenë se evokimi i  “prerjes”, “plagës” dhe “gjakut” sjell, gjithnjë, në mendje pamje negative.

Natyrisht ne e kundërshtojmë fortësisht atë lloj përdorimi, duke qenë jokorrekt etimologjikisht dhe duke evokuar një pamje të shtrembëruar të eksperimentimit me kafshët; dhe i mbetemi kuptimit të ngushtë të termit që edhe pse është pak i nevojshëm, është padyshim më i saktë.

Për çfarë shërben eksperimentimi me kafshët?

Për të kryer kërkime shkencore, natyrisht. Kërkimi mund të kryhet në mënyra të ndryshme: thjesht për kuriozitet intelektual pa aplikim, të paktën jo të menjëhershëm ( për shembull, dua të kuptoj se si arrin të orientohet një milingonë); për teste farmakologjike dhe toksiciteti etj etj.

Fakti se të gjithë ilaçet duhet të testohen tek njeriu përpara se të tregtohen, a nuk tregon se testet mbi kafshët nuk shërbejnë për asgjë?

Fakti se të gjithë ilaçet duhet të testohen tek njeriu përpara se të tregtohen, a nuk tregon se testet mbi kafshët nuk shërbejnë për asgjë?

Është si të thuash, “për çfarë duhen numrat e këpucëve kur prapëseprap këpucët duhet t’i provosh”. Por, testimi i 25,000 këpucëve është pak si shumë i ndryshëm nga të testuarit e vetëm disa palëve. Veçanërisht nëse ekziston rreziku që këpucët që teston mund edhe të të vrasin…

Testimi mbi kafshët nuk garanton efektet që një ilaç mund apo do të ketë tek njeriu, por kjo nuk do të thotë se testimi mbi/tek kafshët është i kotë. Jep gjithsesi indicje të forta mbi funksionin e vet ilaçit, na lejon të bëjmë një paraseleksionim për të përjashtuar përbërjet e dëmshme apo të panevojshme për trupin e njeriut dhe nga lejon po ashtu që të evidentojmë potencialin e të tjera ilaçesh. Në këtë kuptim modeli kafshë, pra testimi tek kafshët, përfaqëson një hapësirë lëvizjeje në të cilën shkencëtari mund të prodhojë dhe të provojë hipoteza të reja pa patur kufizimet që do të kishte me një qenie njerëzore. Një funksion thelbësor.

Transgjeneza nevojitet për t’i bërë kafshët më “njerëzore”?

Transgjeneza nevojitet për t’i bërë kafshët më “njerëzore”?

Absolutisht jo. Transgjeneza nuk i bën kafshët më humane (njerëzore). Transgjeneza shfrytëzon ngjashmëritë që janë të pranishmt ndërmjet të gjithë organizmave për të studiuar efektin që ka një gjen në kontekstin e organizmit. Një profan mund të çuditet, por shpeshherë gjenet janë perfektësisht të ndërkëmbyeshme mes specieve. Kështu, një proteinë njerëzore apo një proteinë që ka të njëjtin funksion tek miu është e njëta gjë.

Njeriu dhe miu kanë pothuajse 100% të gjenomit të përbashkët (Pennacchio, 2003; Tecott, 2003; Brown and Hancock, 2006), një ngjashmëri që reflektohet edhe në planin funksional(Rossant and McKerlie, 2001; Argmann et al., 2005; Kim et al., 2010; Kitsios et al., 2010; Miller et al., 2010)… asnjë nuk pretendon t’i bëjë edhe më të ngjashëm nga sa janë vetë.

Është e vërtetë se modeli kafshë nuk i nënshtrohet vlerësimit (validation)?

Është e vërtetë se modeli kafshë nuk i nënshtrohet vlerësimit (validation)?

Në realitet nuk duhet të filtet për model kafshë, por për modele kafshë, në shumës. Janë potencialisht të pafundëm.

Modelet e përdorur në kërkimin shkencor bazë (të pa drejtuar), si Drosophila dhe Xenopusnuk kanë nevojë për asnjë lloj vlerësimi, vleftësimi, duke qenë se roli i tyre i dyfishtë është që të mbledhin informacione që nuk janë asnjëherë të panevojshme, dhe të  sugjerojnë drejtime të mundshme për kërkimet e ardhshme, dhe jo të përkthejnë rezultatet drejtëpërdrejtë në një teknikë terapeutike për njeriun.

Modelet që riprodhojnë patologji njerëzore duhet, në të kundërt, t’u përgjigjen tre kushteve për t’u marrë si të vlefshme: face validitypredictive validity dhe construct validity (Willner and Mitchell, 2002; Anisman and Matheson, 2005; Vollmayr et al., 2007). Që do të thotë se  në një model-kafshë (patologjie) të mirë duhet të shfaqen të njëtat simptoma si tek njeriu, që njëjtat reaksione ndaj trajtimeve dhe e njëjta etiologji e simptomave. Pra, çdo model vleftësohet nga komuniteti shkencor në bazë të përkitjes të plotë ose jo ndaj këtyre kushteve (kërkesave).

Informacionet e përftuara nëpërmjet organizmave model mund të “zgjerohen” (dhe aplikohen) edhe për organizmat e tjerë, apo njeriun?

Informacionet e përftuara nëpërmjet organizmave model mund të “zgjerohen” (dhe aplikohen) edhe për organizmat e tjerë, apo njeriun?

Me kujdesin e duhur, informacionet mbi mekanizmat bazë të funksionimit të organizmit të kafshës mund të konsiderohen të vlefshme nga Drosophila (Drozofila) tek miu, tek makako-ja e njeriu. (Sharman and Brand, 1998; Acampora et al., 2005.) Për më tepër që shumë informacione të përftuara nga studime që nuk janë kryer mbi kafshë, si studimet e kryera mbi bakteret apo kërpudhat, mutatis mutandis rezultojnë të jenë me vlefshmëri (vlerë) të përgjithshme.(Afshar and Murnane, 1999; Yang et al., 2000; Meulemans et al., 2010).

Nëse zbulimi shkencor ka, gjithsesi, një vlerë të përgjithshme, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për aplikimet e veta specifike; si përdorimi tek njeriu i ilaçeve të caktuara, apo testet e toksicitetit. Në këto raste, modeli kafshë përdoret si garancia më e vogël, minimale, në mungesë të metodave të tjera më të besueshme në gjendje për ta zëvendësuar. Ky rol, gjithsesi, nuk duhet nënvlerësuar, sikundër nuk duhet nënvlerësuar roli i zbulimit shkencor (në vetevete) pavarësisht aplikimit të tij teknik.

Modelet kafshë: Çfarë është një model kafshë?

Çfarë është një model kafshë?

Një organizëm që për karakteristikat e veta biologjike specifike, mund të përdoret (fare mirë) si objek i studimit për të nxjerrë përfundime të aplikueshme në përgjithësi ose të aplikueshme vetëm tek njeriu.

Mund të merret si “kopje” e njeriut?

Jo. Modeli është një sistem i thjeshtëzuar që përdoret për të riprodhuar disa karakteristika të origjinalit. Nuk është një kopje dhe askush nuk pretendon që të jetë. Për më tepër që çka (mund të) zbulojmë tek modeli shpesh është e aplikueshme jo vetëm tek njeriu, por edhe tek një gamë e tërë organizmash të tjerë.

Si zgjidhet një organizëm model, dhe cilët janë më të përdorurit?

Varet nga lloji i eksperimentit që duan të bëjmë. Çdo model ka avantazhet dhe mangësitë e veta. Zakonisht zgjidhen organizma model mbi bazën e disa kritereve të prakticitetit eksperimental; duhet p.sh., që të rriten me thjeshtësi në një laborator dhe të riprodhohen me shpejtësi. pjesa tjerër e zgjedhjes varet nga karakteristikat që dëshirohen të vëzhgohen: miza Drosophila melanogaster, për shembull, është organizmi i preferuar për studimet gjentike, kjo falë lehtësisë me të cilën vëzhgohen efektet e mutacioneve dhe me të cilën përftohet transgjeneza. (Boyl et al., 2001; Joshi, 2003; Prasad and Joshi, 2003; Saitoe et al., 2005; Piazza and Wessells, 2011); bretkosa Xenopus laevis është beniamini i biologëve zhvillimorë (që merren me studimin e zhvillimit të organizmave), duke qenë se vezët e mëdha dhe pa “lëvore” lejojnë që të vëzhgohet me thjeshtësi procesi i zhvillimit embrional dhe të ndërhyet mbi të (me thjeshtësi, relative!). (Vignali et al., 1994; Amaya, 2005) organizma më të ngjashëm me njeriun, si qentë, macet dhe primatët, përdoren rallë, dhe fushat e tyre të aplikimit janë kryesisht në eksperimentet toksikologjike, të neurobiologjisë dhe të kirurgjisë eksperimentale.

Ajnshtajni i cituar

Ajnshtajni i cituar

Do të merrem përsëri, për pak, me PAPAt e Facebook-ut. Sot këto pak rreshta që do të shkruaj do të jenë mbi citimet e ndryshme që PAPA sjell, në formën e kartolinave për fansat, në faqen e vet të Facebook-ut.

Unë do të merrem me një në veçanti, një që ka të bëjë me Ajnshtajnin.

Këtu mund të shihet citimi në fjalë ( Notable Quotes).

Nothing will benefit human health and increase chances for survival of life on Earth as much as the evolution to a vegetarian diet.

ALBERT EINSTEIN, quoted in Sinfully Vegan

Albert Einstein

Përkthimi i PAPAs është ky:

Asgje nuk do ta permiresoje shendetin dhe te rrise shanset per mbijetese te njeriut ne toke, sa kalimi ne nje diete vegjetariane.

Përtej faktit se përkthimi lë shumë për të dëshiruar (edhe një nxënën i shkollës 9-vjeçare që studion anglisht, do të kishte ditur ta përkthente më mirë), citimi është sjellë pa kontekstin (ambientin) në të cilin është formuluar dhe për të cilin është formuluar.

PAPA ajnshtajnKy përkthim është i keq jo nga padija, mendoj, por nga dashakeqësia. Nga natyra manipuluese e individit që e ka përkthyer, duke dashur ta shfrytëzojë atë në favor të ideologjisë së vet. Ata që merren me këto punë e dinë mirë se “animalistët” (kafshistët – apo ata që pretendojnë se i duan kafshët më shumë se të tjerët) pothuajse në totalitetin e tyre janë edhe vegjetarianë. Përkthimi është bërë keq nga ligësia sepse duhet që një racionalist si Ajnshtajni të dalë, për interesin e PAPAve, në mbrojtje të kafshëve. Por kafshët nuk mbrohen duke manipuluar citimet (edhe sikur këto të mbartnin ndonjë vlerë përtej opinionit të thjeshtë).

Citimi i Ajnshtajnit vlen, për aq sa vlen. Që do të thotë se është një opinion sikundër është një opinion ai i një kalamaku shkolle. Dhe opinionet nuk është se vlejnë më shumë edhe sikur tërë bota të ketë të njëjtin opinion (për më tepër të gabuar). Opinionet që të jenë të mirë pritura nga një mendje racionale duhet të faktohen. Dhe faktimi – të dashur kafshistë manipulatorë – kalon nga metodologjia shkencore. Ta harroni, sot e përherë, vegjetarianizmin. Sepse nuk ka asnjë studim shkencor serioz që tregon vlefshmërinë e një diete vetëm vegjetariane. Në të kundërt, një dietë vetëm vegjetariane (apo vegane) është e dëmshme, sa nuk mund të imagjinohet. Sikundër është e dëmshme një dietë hiperproteinike.

Kështu, sipas gjykimit tim, PAPAt shkojnë përtej një manipulimi të thjeshtë për qëllime të ideologjisë së vetë (i dënueshëm); duke kaluar në keqinformim që mund të dëmtojë ndonjë individ që e merr seriozisht. Në këtë rast burimi e keqinformimit është një sharlatan.

Duke u rikthyer tek fjalët e Ajnshtajnit; ato fjalë, siç thashë, kanë vlerën e një opinioni dhe vetëm kaq. Nuk ka asnjë llogjikë që të kërkohet apo të merren si të mirëqena (të vërteta) ato fjalë. Anshtajni vlerësohet dhe do të vlerësohet gjithnjë, jo për kontributim e tij në dietologji. As për kontributin e tij në studimin e evolucionit, dhe aq më tepër nuk vlerësohet për asnjë kontribut në studimet që bëhen mbi rolin e dietës në evolucionin e jetës në Tokë.

Biologët evolutivë e dinë mirë dhe e vlerësojnë rolin qëndror që ka patur dieta e njeriut në evolucionin e vet. Kapërcimi nga një dietë vetëm barngrënëse në një dietë të larmishme, ku futej dhe mishi, i dha një zhvillim të jashtë zakonshëm evolucionit të species/llojit tonë. Mishi pra, mishi, me proteinat e veta ndikoi në super-zhvillimin e trurit të njeriut të hershëm.

Po ashtu, ata që kanë lexuar nja dy faqe biologjie qoftë edhe të klasës të 7-8 9-vjeçare e dinë shumë mirë se çfarë roli të jashtë zakonshëm ka patur zjarri, dhe mësimi se i administrimit të tij, në evoluimin e Homo sapiensit. Por jo zjarri në vetvete, por derivatet e këtij “mësimi”. Zjarri lejoi gjuajtjen më me thjeshtësi të kafshëve. Lejoi ngrohjen, dhe duke u rikthyer tek ushqimimi, bëri të mundur gatimin e mishit. Gatimi lejoi kësisoj një tretje më të mirë,  më efiçiente, në më pak kohë të ushqimit të ngrënë. Pasojat dihen mirë.

Tani, nuk po dua të shkruaj se nga lind dëshira për bar e disa grupeve të caktuara njerëzish. Por është e qartë se një ndikim të veçantë, të rolit të parë, ka edhe koha hiperenergjitike në të cilën jetojmë; ku shfrytëzimi i lëndëve fosile është faktori kryesor për daljen në pah të këtyre njerëzve takanjozë.

© Rinstinkt, 2012

—————————————

Anestezia në eksperimentimin me/mbi kafshët

Anestezia në eksperimentimin me/mbi kafshët

Kamë vënë re se shumë herë bëhet konfuzion mes realiteti të fakteve dhe legjendave urbane sipas të cilave laboratorët kërkimorë janë dhoma torture.

Gënjeshtra më e akredituar është ajo sipas të cilës brenda laboratorëve nuk përdoret anestezia sepse është tepër e shtrenjtë. Gënjeshtra qëndron tek togfjalëshi “tepër e shtrenjtë”.

Anestetikët blihen me vështirësi; kërkojnë në fakt, disa formalizma dhe rrugëtime me dredha në relacion me faktin se i gjithë rrugëtimi i blerjes duhet të jetë i gjurmueshëm duke qenë se bëhet fjalë për substanca narkotike (drogëra). Gjithsesi, kostot e anestetikëve nuk janë edhe aq të larta; fillohet nga 1,50 euro për qetësuesit e thjeshtë për të shkuar në çmime relativisht më të larta për opioidët. Them relativisht sepse në të gjithë eksperimentimin/studimin kanë një peshë (monetare) minimale; kështu do të ishte budallallëk që për pak “qindarka” të rezikoheshin sanksione të kripura, për respektimin e munguar të një ligji që i ka themelet në një normativë europiane mbi eksperimentim. Pastaj, anestetikët ndihmojnë në lehtësimin e punës së eksperimentuesit. Po ashtu, sepse një njeri që punon në këto ambiente, nuk ka aspak dëshirë të shikojë një qenie të gjallë të vuajë për shkak të punës së vet.

Atëherë përse disa herë anestetikët nuk përdoren?

Përgjigjia është e thjeshtë: sepse mund të ndërhyjnë në vlefshmërinë e eksperimentin.

Në çfarë mënyre?

Duke mos lejuar një vlerësim të reaksioneve të kafshës (të reksioneve që ka kafsha për shkak të substancës të testuar) sepse e droguar, apo sepse anestetikët ndërhyjnë me rrugën që substanca e përdorur në test do të kryente në mungesë të anestetikut (për shembull: mund të shkaktojë një ndryshim të dozës së substancës që është realisht e nevojshme, mund të shkaktojë rritjen e shpejtësisë së eliminimit, mund të ndërhyjë me thithjen e substancëa po me receptorët me të cilet ajo lidhet etj.).

Disa shembuj të tjerë, që ndihmojnë në sqarimin e çështjes. Le të mendojmë për një eksperimentues që po studion një anestetik të ri. Nëse kafsha do të drogohej (me një anestetik) si do të arrijë studiuesi të kuptojë nëse substanca që po testohet vepron apo jo, pra nëse ka apo jo efekte qetësuese, anestetizuese? Apo si mundet të testohet një substancë kundra dhimbjes, nëse refleksi i dhimbjes është shuar, nga anestetiku?

Po kur kryhen studime mbi epilepsinë, që bazohen mbi analizën e sjelljes së miut (komportamentale), nëse miu është i anestetizuar (droguar), si mund ta marr vesh eksperimentuesi sjelljen e modifikuar të miut?

Si ia bëhet në këto raste?

Mbi të gjithave, para se të fillojë një eksperimentim duhet që dokumentacioni dhe protokolli që mendohet të ndiqet t’i prezantohet një komiteti etik. Komiteti etik, edhe mbi bazën e motivimeve që i shtyjnë eksperimentuesit të ndërrmarin një kërkim të tillë, nëse i konsideron të panevojshme disa eksperimente mund të sugjerojë (disa) ndryshime ndaj protokollit ose edhe të mohojë dhënien e lejes për fillimin e studimit. Për më tepër në rastet kur është ngushtësisht e nevojshme eksperimentimi pa ndihmën e anestezisë atëherë duhet të merren masat që vuajtjet të jenë sa më të pakta.

Ligji imponon, ndër të tjera, që eksperimenti mbi një individ të kryhet vetëm një herë të vetme. Pra, për shembull, nëse protokolli kërkon shkaktimin e një krize epileptike, të gjitha kafshët do t’i nënshtrohen këtij eksprimenti vetëm një herë të vetme gjatë jetës së tyre.

Të gjitha këto me shpresën se do të kuptohet që, laboratorët kërkimorë nuk janë dhoma torture në të cilat veprojnë sadistë, por janë vendi ku punohet për të mirën e të gjithëve (edhe të kafshëve) dhe është ky ndërgjegjësim që e lejon shkencëtarin që të kapërcej vuajtjen e shkaktuar nga fakti se shpesh duhet të sakrifikojë kafshë.

-

Rinstinkt 2012

———————————————————————————