Vena portë

Vena portë

Vena portë

Vena portë (Wikipedia)

Vena portë (vena hepatike portale) është një nga venat kryesore të trupit të njeriut. Funksioni i saj kryesor është ai i tejçimit të gjakut nga organet dhe indet e ndryshme të abdomenit drejtë organit të mëlçisë, që ndodhet menjëherë nën pjesën e djathtë të diafragmës.

Sistemi venoz portal e merr gjakun nga zorrët, duke filluar nga niveli i ezofagut deri tek gjysma e sipërme e kanalit anal, sikundër edhe nga mëlçia, pankreasi dhe fshikëza e urinës.

Pra, funksioni është ai i të transportuarit të gjakut të me prejardhje nga zorrët; i cili gjak është i pasuruar me produktet e derivuara nga ushqimet e tratura dhe të metabolizuara. Këto lënë parësore të nxjerra nga ushqimet, transportohen drejtë mëlçisë. Është pikërisht mëlçia që me funksionet e saj ose i metabolizon, transformon apo rezervon këtë tulla parësore.

Ky rrugëtim i këtillë i gjakut, nga zorrët drejtë mëlçisë e mëpastaj në qarkullimin e përgjithshëm, ka një implikim thelpësor. Në disa raste specifike disa ilaçe (farmakë) kanë një mekanizëm të tiillë thithjeje që implikon përvetësimin e tyre në nivelin e zorrëve; mëpastaj këto ilaçe kalojnë nga mëlçia, ku i nënshtrohen një ndryshimi të detyruar nga reaksionet kimike që ndodhin në hepaticitet e mëlçisë. Ky fenomen luan një rol të rëndësishëm dhe kihet parasysh nga farmakologët/farmacistët/kërkuesit shkencorë kur projektojnë një ilaç të caktuar – të paktën në fazat e para të projektimit.

Vena portë lind pas qafës së pankreasit, nga bashkimi i venës mezenterike të sipërme me venën e shpretkës.

-

———————————————————————

Punktura lumbare dhe anestezia epideurale

Punktura lumbare dhe anestezia epideurale

Nga lëngu cerebrospinal mund të përftohet dhe ekzaminohet një mostër duke kryer një punkturë (shpim) lumbare.

punktura lumbareGjilpëra futet në hapsirën subaraknoidale të cisternës lubare, në mesvijë midis proceseve spinalë të vertebrave L3 dhe L4 apo midis proceseve spinalë të vertebrave L4 dhe L5.

Duke qenë se palca kurrizore (apo spinale) përfundon afërsisht në nivelin L1, L2 gjilpëra e futur në nivelet e shtyllës kurrizore të përshkruar më sipër nuk do ta dëmtojë palcën kurrizore.

Punktura lumbare mund të kryhet për të përftuar një mostër të lëngut cerebrospinal, ose për të kryer anestezinë epidurale. Kjo e fundit realizohet duke futur në hapsirën epidurale (mbi dura meter) agjentë anestetikë, duke anestetizuar fibrat nervore të cauda equina-s.

Anestezia epidurale është një formë e njohur e anestezisë që përdoret gjatë lindjeve në vendet Perëndimore. Anestetiku epidural infiltrohet nëpër trastën epidurale për të mbërritur në rrënjët e nervave duke i bërë të pandjeshëm.

-

Rinstinkt

—————————————————————————

Embolia pulmonare

Embolia pulmonare

Ilustrim i embolisë pulmonare

Ilustrim i embolisë pulmonare

Zakonisht mushkëritë janë të afta të “filtrojnë” në mënyrë natyrore droçka venoze, edhe më të gjera se rruazat e kuqe të gjakut; kjo falë mekanizmave fibrinolitikë.

Gjithsesi embolia pulmonare (PE) është shkaku i vdekjes së 10-15% të pacientëve të shtruar nëpër spitale.

Droçkat (thërrimet) e mpiksura e kanë origjinën e vetë, në 95% të rasteve të embolive pulmonare, në venat e thella të këmbëve. Embolit venoze lindin më shpesh nga venat iliake të jashtme, venat femorale dhe ato popliteale.

Shkaqet kryesore futen në të ashtuquajturën triada e Virchow-it dhe përfshijnë:

  • Palëvizshmëri venoze (për shembull nga qëndrimi i gjatë shtrirë në krevat)
  • Traumë (për shembull, thyerjet apo dëmtimet e indeve)
  • Çrregullime të koagulimit të gjakut (të trashëguara apo të fituara)

Shkaqe të tjera që kontribuojnë në lindjen e droçkave të mpiksura të gjakut janë palëvizshmëria postpartum dhe disa mjekime hormonale të cilat rrisin rrezikun për krijimin e thërrimeve të mpiksura.

Rreth 60-80% e embolive pulmonare janë të heshtura duke qenë se janë të vogla. Embolitë më të mëdha mund të bllokojnë enët e gjakut me madhësi mesatare dhe të shkaktojnë infarkt të parenkimës mushkërore.

Embolia pulmonare mund të prezantohet edhe pa infarkt, madje është forma që haset më shpesh. Në këto raste pacienti paraqet takipne, ankth, dispne etj.

© Rinstinkt 2013

——————————————————————-

Lakimet anormale të shtyllës kurrizore

Lakimet anormale të shtyllës kurrizore

anatomia patologjike e skolizoes

Anatomia patologjike e Skoliozës

Skolioza është një lakim anësor jonormal i shtyllës kurrizore, që përfshin edhe një rrotullim onormal të një vertebre mbi një tjetër. Skolioza nuk është çrregullimi i vetëm që prek shtyllën kurrizore, meqënëse lakime të tjera jonormale të theksuara përfshijnë kifozën dhe lordozën.

Në tabelën më poshtë një përmbledhje sintetike e lakimeve patologjike të shtyllës kurrizore.

Çrregullimi Përkufizimi Etiologjia
Skolioza Lakim i theksuar anësor dhe rrotacional i shtyllës kurrizore të pjesës së kraharorit de asaj lumbare Gjenetike, traumatike, idiopatike, haset më shpesh në adoleshentët femra sesa meshkuj.
Kifoza Gungë (kurrizdalje), përthyerje e theksuar e shtyllës kurrizore të kraharorit Qëndrimi i keq, osteoporoza
Lordoza Ekstension i theksuar i shtyllës kurrizore të pjesës lumbare Dobësim i muskujve të trungut, shtatëzania e vonë, obeziteti

-

Rinstinkt 2013

——————————————————————–

Ekzaminimi digjital rektal

Ekzaminimi digjital rektal

“For most diagnoses all that is needed is an ounce of knowledge, an ounce of intelligence, and a pound of thoroughness.”

Ekzaminimi digjital rektal është një manovër që mund të jap të dhëna semeiotike interesante e kështu informacione të rëndësishme për ndërtimin e diagnozës së pacientit.

Por në çfarë konsiston ekzaminimi rektal digjital (jo instrumental)?

Eksplorimi digjital rektal është një teknikë speciale ekzaminimi e cila së bashku me të tjera teknika ndërton korpusin e metodave sistematike të ekzaminimit të abdomenit. Përveç eksplorimit digjital rektal ekziston edhe ai instrumental, për të cilin mund të shkruaj diçka tjetër herë.

Eksplorimi rektal kompleton, në njëfarë mënyre, ekzaminimin fizik të aparatit gastro-enterik. Është një manovër pra që përtej turpit dhe vështirësisë aparente duhet realizuar gjithjë kur pacienti ka shqetësime si dhimbje në pjesën e poshtme të pelvisit, gjak okult në fekale etj.

Ekzaminimi digjital rektal

Ekzaminimi digjital rektal

Për të realizuar ekzaminimin digjital rektal, pacienti mund të qëndrojë ose shtrirë me kurriz ose në pozicion genupektoral, i cili quhet ndryshe pozicion proktologjik (pozicioni i ngjashëm me të fëmijëve që ecin këmba-doras).

(Hetimi në fjalë përfshin si inspektimin ashtu edhe palpimin (prekjen).

Gjatë inspektimit vërrehet nëse ka ndryshime të lëkurës perianale apo protruzione hemorroidale të dukshme.)

Gishti eksplorues është zakonisht gishti tregues, i lubrifikuar, i cili futet në sfinkterin anal dhe rrotullohet për ta eksploruar atë rreth e përqark. Pozicioni i mbajtur nga pacienti i shtrirë me kurriz favorizon palpimin e sipërfaqes abdominale inferiore. Gjatë palpimit (prekjes) ushtrohet presion dhe ftohet pacienti që të “shtyjë pak”; në këtë mënyrë mund të evidentohet ndonjë masë brenda-abdominale e cila përndryshe mund të mos vihej re.

Në rast se pacienti ka dhimbje lokale të prodhuar nga alteracione anale patologjike, ajo mund të zvogëlohet duke i dhënë pacientit një supostë me anestetik lokal.

Me anë të këtij ekzaminimi mund të përftohen informacione të rëndësishme mbi: tensionin e  sfinkterit anal, mbi gjendjen e mukozës rektale, nëse janë të pranishme masa rektale hipertrofike, pjesë të skuqura etj.

Ekzaminimi digjital i rektusit

Ekzaminimi digjital i rektusit

Ndër të tjera tek mashkulli mund të vlerësohet edhe gjendja e prostatës dhe fshikëzave seminale. Tek prostata vlerësohet gjendja e përgjithshme si dhe prania apo jo e thellimit të mesëm (Në rast hipertrofie ky thellim zhduket). Ndërsa tek femra, me anë të manovrës, mund të vihen re abscese të tubave të Falopit apo të vezoreve, si dhe alteracione të organeve gjenitale.

Po ashtu ekzaminimi digjital rektal shërben, në rast dyshimi të një apendiksi të skuqur,  për ta dalluar këtë nga një kolikë renale në gjysëm-trupin e djathtë, nëpërmjet prekjes së xhepit rekto-fshikëzor të Douglas-it. (Tek femra përveç eksplorimit rektal mund të kryhet edhe ai vagjinal).

Një nga arsyet se pse kryhet ekzaminimi digjital rektal është edhe gjakderdhja nga pjesa e fundit e aparatit gastroenterik. Kështu vlerësohet edhe nëse pacienti ka apo jo hemorroide. (Duhet bërë kujdes sepse ndonjëherë gjakrrjedhja anale mund të mos jetë pasojë e hemorroideve por e një tumori malinj të rektusit.)

Eksplorimi digjital rektal shërben si një teknikë përplotësuese gjatë ekzaminimit fizik të fshikëzës së urinës në mënyrën bimanuale.

-

© Rinstinkt, mbi tekstin

————————————————————————————————-

Semeiologjia e kraharorit – Semeiotika e gjëndrës së gjoksit (gjirit)

Semeiologjia e kraharorit – Semeiotika e gjëndrës së gjoksit (gjirit)

 

Anamneza e pacientes

Gjatë realizimit të anamnezës pacientes i drejtohen pyetje mbi moshën, moshën e menarkës dhe/ose të menopauzës, mbi karakteristikat e ciklit të vet menstrual (pra nëse ësthë i rregullt apo jo, nëse ka dhimbje, dizmenorrea etj.), mbi shtatëzaninë, mbi abortet që mund të ketë patur, mbi zakonet e saj seksuale, mbi përdorimin apo jo të kontracpeptivëve (oralë), mbi ushqyerjen me gji, mbi terapi të mundshme hormonale të ndjekura nga pacientja.
Së fundi i drejtohen pyetje për të hetuar ndonjë familjaritet të mundshëm për patologji neoplastike beninje ose malinje të gjëndrës së gjirit (për shembull:mamaja ka vdekur nga kanceri i gjirit në moshën X).

Ekzaminimi fizik

Inspektimi (kontrolli)

Çdo gji (gjoks) mund të ndahet semeiologjikisht në katë kuadrantë, si një orë në qendër të së cilës ndodhet areola dhe thitha. Kuadranti i sipërm-i jashtëm dhe zgjatimi sqetullor i gjëndrës janë vendi i 60% të patologjisë që prek gjirin.

kuadrantet ne te cilet ndahet gjendra e gjirit

Gjatë inspektimit (kontrollit të pacientes) kjo duhet të qëndrojë në ortostatizëm me duart afër hijeve dhe më vonë pas kokës, me një përthyerje të lehtë përpara të bustit.

Qëndrimi i pacientes gjatë hetimit

Qëndrimi i pacientes gjatë hetimit

Thitha (thumbi) është i përbër nga ind erektil (ngrehës) i mbuluar nga lëkurë e pigmentuar. Në majë apo një afërsi të saj mund të vihen re hapjet e dukteve galaktoforik (të qumshtit).

Areolat përreth thithës janë edhe këto të pigmentuara; intensiteti i pigmentimit ndryshon drejtëpërdrejtë në varësi të ngjyrës së errët të pacientes. Pigmentimi është më i vogël tek subjektet bionde, ndërsa rritet gjatë shtatzanisë dhe në rast pamjaftueshmërie të mbiveshkores.

Hetimi i kryer nga ekzaminatori realizohet duke proceduar në sens orar.

Gjatë kontrollit (inspektimit) vëzhgohet simetria e gjëndrave mamare, pamja sipërfaqësore, lëkura, pigmentimi, thitha dhe tërheqjet (rrudhjet) lëkurore.

  • Forma – është është diskoide apo konike (ndryshueshmëri fiziologjike).
  • Numri i gjinjve – përdoren termat: amasti, normomasti apo polimasti.
  • Numri i thithave – përdoren termat ateli, normoteli apo politeli.
  • Simetria (anizometria) – edhe pse shpesh simetria tregon apo “flet” për një jo-simetri fiziologjike të zhvillimit të gjinjve, rritja e vëllmit të një gjjiri mund t’i detyrohet një anomalie zhvillimi, pranisë së ndonjë cisti, mastitit apo ndonjë mase tumorale, të kufizuar apo të përhapur.
    Asimetria e gjinjve bëhet më e dukshme kur pacientja qëndron drejtë, në këmbë.
  • Vëllimi – përshkrimi i vëllimit realizohet duke përdorur termat: hipomasti, normomasti, hipermasti, gjigantomasti etj.
    Duhet të vëzhgohet nëse ka alteracione të profilit të gjëndrës; rilieve, mbufatje, tërheqje apo depresione.
  • Pamja sipërfaqësore – Duhet të vihet re dhe të sinjalizohet nëse ka rrjeta venoze të dukshme, eritema, ulçera, lëkurë si zhapë portokalli etj.
    Në rast mastiti, vihet re një skuqje e shpërhapur apo eritemë e lëkurës së gjirit. Një rrudhje (tërheqje) lëkurore lokale mund t’i detyrohet një tumori që prek ligamentet varës (mbajtës, pezullues) të gjëndrës.
Forma e gjinjve mund të jetë, ndër të tjera, diskoide apo konike.

Forma e gjinjve mund të jetë, ndër të tjera, diskoide apo konike.

Edema e gjoksit mund të jetë shprehi e një bllokimi të kanaleve limfatike të lëkurës, të cilat mund t’i detyrohen qelizave neoplastike.

  • Thithat – duhet vëzhguar vëllimi, forma, pigmentimi dhe simetria. Ndonjëherë në vend që të jenë të spikatura, të dala mund të jenë të tërhequra, të rrudhura. Mund të vëzhgohen ulçeracione bilaterale që zakonisht janë shprehje e një sëmundje dermatologjike beninje. Apo ulçeracione unilaterale që mund të jenë shprehi e një procesi malinj.
    Në inspektimin e thithave duket të vihet re dhe të referohet edhe mbi sekretimin e mundshëm dhe llojin e tij.
  • Tërheqja lëkurore – Për të dhënë një vlerësim të saktë mbi tërheqjen lëkurore të gjinjve duket mbajtur mend pak anatomi. Duhet mbajtur mend se gjëndra përshkohet nga ligamentet suspensorë (mbajtës) të Cooper-it. Kur këto ligamente tkurren si pasojë e pushtimit nga një masë tumorale, në sipërfaqe vihet re rrudhja e lëkurës.Ekzistojnë disa manovra për të bërë më evidente fenomenin e tërheqjes së lëkurës. Nëpërmjet tkurrjes së muskujve të kraharorit… njëra metodë kërkon që pacientja të shtypi pllëmbët e duarve përkundrejt njëra-tjetrës, në mënyrë që të forcohen dhe të tkurren muskujt e kraharorit. Metoda tjetër kërkon që pacientja të ushtrojë forcë në hijet e veta për të njëjtë arsye si më sipër. Këto manovra duhet të përsëriten më shumë herë për të eksploruar të katër kuadrantët e gjinjve.
Manovra për evidentimin e ndonjë tërheqjeje lëkurore

Manovra për evidentimin e ndonjë tërheqjeje lëkurore

Palpimi (prekja me dorë)

Palpimi, pra prekja me dorë e kraharorit, duhet të jetë sipërfaqësor dhe të kryhet me lkujdes të madh në mënyrë që ndonjë dëmtim të mos kaloj i pavëzhguar.

Palpimi (prekja me dorë) zakonisht realizohet “në spirale”, duke filluar nga thitha e mëpastaj duke kaluar nga kuadranti në kuadrant.

Në palpimin e thithës vlerësohet elasticiteti që, për shembull, në rast karçinomi subareolar humbet.

Gjatë palpimit (prekjes me dorë) të zonës areolare të gjinjve, vlerësohet duke ushtruar presion, sekrecioni eventual dhe natyra e tij.

Gjëndra mamare – Prekja me dorë e gjëndrës realizohet pra në spiral, në sens orar. Pacientja duhet të qëndrojë shtrirë me shpinë ose në këmbë, me gjymtyrët e dipërme fillimisht të lënë të lirë anash hijeve e pastaj të ngritur mbi kokë.

Në palpimn e gjirit duhen vlerësuar disa karakteristika:

  • Konsistenca dhe elasticiteti – rritja e konsistencës dhe humbja e elasticitetit sygjerojnë një infiltrim të natyrës neoplastike në indin nënlëkuror të gjirit.
  • Dhembshmëria (dhimbje në prekje) – zakonisht është shenjë e një procesi flogjistik apo e një mastopatie cistike. Gjatë periudhës që paraprin menstruacionet mund të ketë dhimbje në prekje, e cila bën pjesë në kuadrin e “tensionit premenstrual”. Ndërsa dëmtimet dhe proceset malinje janë zakonisht jo të dhembshme.

Nëse gjatë palpimit (prekjes me dorë) të gjirit vihen re masa, tek to duhen vlerësuar dhe përcaktuar këto karakteristika:

  • Vendi – lokalizimi kryhet sipas katër kuadrantëve në të cilët ndahet gjëndra e gjirit.
  • Vëllimi – preferohet të jepet një vlerësim sipas tre drejtimeve, gjatësi, gjerësi dhe trashësi. Kështu gjatë ekzaminimeve të ardhshme mund të gjykohet në evolucion vëllimor në sens progresiv apo regresiv.
  • Konturnet – nëse janë të rregullt, të lëmuar, apo jo të rregullt, në formë ylli (kjo e fundit haset zakonisht në rast tumori malinj).
  • Konsistenca – e butë, e fortë, “gëlqerore”, etj…
  • Dhembshmëria (dhimbja gjatë palpimit) – të shihet më sipër.
  • Lëvizshmëria – duhet vlerësuar lëvizshmëria e masës së prekur si në planin sipërfaqësor ashtu edhe në atë të thellë. Kujtoj se pjesa më e madhe e dëmtimeve beninje janë të lëvizshme, ndërsa proceset apo dëmtimet malinje mund të jenë të lëvizshme në fazat e para por bëhen gjithnjë e më statikë, më pak të lëvizshëm në stadet e mëpasshëm, meqnëse infiltrojnë (pushtojnë) indet rrethues.

Palpimit (prekjes me dorë) duhet t’i bashkëngjitet edhe eksplorimi i gropave të sqetullave dhe të rajoneve mbiklaveare dhe çervikale. Ky hetim bëhet për të vlerësuar gjendejen e gjëndrave limfatike; nëse janë të zmadhuar, të shkrirë me njëri tjetrin, nëse ndihet dhimbje gjatë palpimit etj. Po ashtu vlerësohet migrimi apo invazioni i këtyre gëndrave limfatike nga qelizat kanceroze metastazike.

Auskultimi (dëgjimi)

Gjatë auskultimit (dëgjimit) të gjirit mund të dëgjohen “zhurma” të prodhuara nga arteria mamare e brendshme gjatë fazave të avancuara të shtatëzanisë apo gjatë ushqimit të foshnjes me gji (për shkak të kërkesës së rritur për gjak).

 

Ekzaminimi diagnostik

Termografia apo Teletermografia – bazohen mbi vlerësimin e temperaturës sipërfaqësore, lëkurore të gjëndrës. Një rritje e temperaturës me 2 gradë Celsius është shenjë e një procesi patologjik.

Ekografia mamare – kryhet me sondë me frekuencë të lartë (7,5 MHz). Ekografia mamare është një metodikë instrumentale e patëkeq e cil mund të përsëritet pa limit, pa i shkaktuar dëme pacientit. Mundëson evidentimin e nyjeve cistike apo të tumorale. Për këto të fundit duhet të vlerësohen edhe kriteret e beninjitetit apo malinjitetit.

Mamografia – ekzaminim radiologjik që realizohet në tre projeksione me ekrane të posaçëm mbrojtës për të zvogëluar ekspozimin. Mamografia mundëson vlerësimin e modifikimeve të opacitetit të trupit gjëndëror. Po ashtu mund të vlerësohen fryrjet (mbufatjet) e mundshme dhe natyra e tyre, beninje apo malinje.

-

© Rinstinkt, mbi tekstin

—————————————————————————————–

Evolucioni i njeriut: evolucioni i trurit të njeriut

Evolucioni i trurit të njeriut

Kur flitet për evolucionin njerëzor, dhe në veçanti për evolucionin e trurit – që është organi më kompleks i trupit tonë, dhe për shumë aspekte ende i panjohur – është e vështirë të identifikosh një kauzë të vetme selektive që të mund të justifikojë këtë farë zhvillimi të pësuar.

Në këtë rast, pra në rastin e evolucionit të trurit, do të ishte më mirë të flitej, në vend të “shkaqeve”, për unaza me prapaverpim, katalizuese apo inhibuese. Pra për një zinxhir ngjarjesh të cilat duke vepruar në mënyrë pozitive apo negative mbi fenomenin fillestar mund të përshpejtojnë apo ngadalësojnë të gjithë procesin.

Kështu, jeta e primatëve në pyll, kishte përcaktuar zhvillimin e gishtit të madh të përthyeshëm, i cili mundësonte manipulimin e imët të objekteve së bashku me kapjen e forcës.

Gjithsesi, edhe pse i rëndësishëm, ky modifikim evolutiv nuk ishte i vetmi që kishte prekur “të afërmt” tanë evolutiv primitivë.
Në pyll, për shembull, mungonin predatorët e egër dhe të super-specializuar të savanës, por ishte thelbësore për ushqyerjen dhe mbijetesën njohja e saktë e frutave të ngrënshme dhe aq më tepër kapja e tyre “në fluturim” e sipër, pra pa rënë nga dega.
Natyrisht për të patur një perceptim sa më të saktë të thellësisë në të cilën një objekt ndodhet në plan dhe hapsirë, gjallesa (kafsha) duhet të zotërojë një shikim stereoskopik i cili mundësohet nga patja e të dy syve në pozicion sa më ballor. Vizioni trepërmasor krijohe nga mbivendosja e pjesshme e fushave pamore të syve.

Jo vetëm kaq; ndërsa paraardhësit e primatëve e zhvillonin aktivitetin e vet kryesisht natën, primatët e zhvillonin veprimtarinë e tyre ditën duke u bërë të ndjeshëm ndaj një spektri të gjërë ngjyrash (lidhja me qelizat receptoriale të rrjetëzës).

Njëkohësisht ndjeshmëria ndaj erërave apo aromave, filloi të dobësohej, ngase më pak e nevojshme; në pyll erëra kishte me bollëk. :D kështu turiri (hunda) filloi të bëhej gjithnjë e më shumë e sheshtë…

Ndalëngadalë, nën presionin evolutiv, nën presionin e një mizërie faktorësh rrethanorë dhe sistemeve të ndërlikuara me prapaveprim, primatët morën pamjen që kanë sot, që ne njohim.

Por nuk po ndryshonte vetëm pamja e jashtme. Cilësia dhe sasia e informacioneve dhe stimujve që shkonte drejt sistemit nervor qëndror, dhe në veçanti drejt trurit, ishte rritur ndjeshëm. Kjo falë manipulimit të objekteve – i mundësuar nga gishti i madh i përkulshëm – i cili lejon lëvizje më komplekse, më të ndërlikura…

Për më tepër, fluksi i mesazheve pamore dhe dëgjimore u rrit dhe u bë gjithnjë e më shumë i artikuluar: për të përpunuar këtë lum stimujsh, informacionesh, truri duhej të transformohej dhe të bëhej më i shpejtë, më i fuqishëm, pra të ishte në gjendje që të rriste fuqinë e vet (kujdes intencionin po ia japim ne!) në mënyrë proporcionale me rritjen e fluksit të informacioneve.

Gjatë evolucionit truri është zhvilluar kryesisht në strukturat cerebrale të përparme dhe sipërfaqësore. 1-Makako 2-Shmpanze 3-Gorillë 4-njeri.

Gjatë evolucionit truri është zhvilluar kryesisht në strukturat cerebrale të përparme dhe sipërfaqësore. 1-Makako 2-Shmpanze 3-Gorillë 4-njeri.

Sistemi neuronal, i vjetri le të themi, nuk ishte në gjendje të suportonte sasinë e madhe të informacioneve. Kështu “mbijetonin” individët më të aftë për të u përshtatur ndaj këtyre kushteve të reja, të pjesshme – fitness-i i famshëm. Atyre me sistemin “e vjetër” neuronal, u shkonte truri në qark të shkurtër.  :D

Rritja e stimujve të perceptuar imponoi, kështu, riorganizmin e rrjetave neuronale, duke ushtruar një presion selektiv që shpinte në zhvillimin e një truri cilësisht të ndryshëm, më të madh, dhe mbi të gjitha të organizuar më mirë.

Ndryshe nga sa ndodh, apo ka ndodhur zakonisht, pra sipas “normës” evolutive, evoluimi i trurit nuk kishte lidhje me ngjarje “të jashtme” ndaj organizmit. Në të kundërt i detyrohet ndryshimeve “të brendshme” të prodhuar nga modifikimet fizike të primatëve të parë.

Neokorja (neokorteksi), që është zona e trurit ku përpunohen perceptimet ndijimore,  zgjerohej gjithnjë e më shumë. Si korolar i ndryshimeve cerebrale pati edhe një ndryshim të sjelljes.

Në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë, zhvillimi i trurit, dhe pasojat komportamentale që ky zhvillim solli, kontribuan në ruajtjen, pra konservimin e morfologjisë së pjesëve të tjera të trupit.

Pra, nëse ndryshimet e sjelljes mjaftojnë, të vetme, për të përballuar dhe kaluar vështirësitë e mbijetesës, trupi nuk pëson më presione selektive. Këtu, mëpastaj, futet në lojë kultura (ah, jo kultura në terma të letrarucëve).  :)

-

Rinstinkt 2013

Gurët në fshikëzën e tëmthit

Gurët në fshikëzën e tëmthit – (Gurët në tëmth)

Vreri i sekretuar nga qelizat hepatike dhe mëpastaj i rezervuar në fshikën e tëmthit është i nevojshëm për të patur një tretje të efektshme të ushqimeve.

Lëngu tëmthor aktivizon lipazën pankreatike, neutralizon acidin klorhidrik me prejardhje nga stomaku, lehtëson thithjen e lyrave në zorrën e hollë, ekstion lëvizjet peristaltike të zorrëve dhe ka, gjtihashtu, një aksion antiseptik mbi florën intestinale.

fshikeza e temthit dhe pankreasiNë fshikën e tëmthit mblidhet rreth një litër vrer në ditë. Në fshikëz falë mureve të kësaj të fundit, lëngu tëmthor pasurohet me mukus të sekretuar pra, ngamukoza e fshikëzës së tëmthit. Gjithashtu, falë thithjes së një pjese të mirë të ujit dhe të kriprave minerale, bilirubina*, kripërat tëmthore**, enzimat dhe substancat lyrore që formojnë lëngun tëmthor përqëndrohen.

Disfunksionet e fshikëzës së tëmthit, apo disfunksione të lidhen me funksionin normal të kësaj, shkaktojnë probleme të tretjes. Ndër to janë, infiamacioni, infeksione bakterore, shqetësime funksionale të fshikëzës së tëmthit, apo funksionimi jo i rregullt i sfinkterit të koledokut.

Gjithsesi, promblim më i përhapur dhe më i shpeshtë mbetet ai i gurëve të tëmthit (në tëmth). Gurët që krijohen në fshikëzën e tëmthit kanë norigjinë kimike apo të formuar nga akumulimi i kolesterolit. Gurët e tëmthit mund të lindin në mënyrë të vetvetishme ose si pasojë e një infeksioni.

Prekin rreth 25% të grave dhe 12% të burrave nën moshën 60 vjeç.

Prania e gurëve në tëmth jo gjithnjë krijon shqetësime, apo pasoja domehtënëse. Shumë persona i kanë pa paraqitur ndonjëfarë simptomatologjie.

Por, ndonjëherë, ndonjë “gur” bllokon duktin cistik, apo bllokon sfinkterin e kolodokut duke penguar derdhjen në duodenum të vrerit dhe lëngut pankreatik. Në këtë rast shfaqen simptomat.

Zakonisht kryhet një operacion kirurgjik ose litotripsia***.

-

* Bilirubina – pigment i lëngut të tëmthit që vjen nga transformimi apo shkatërrimi hemoglobinës.
** Kripëra tëmthore – kripëra me natrium të acideve glikolik dhe taurokolik.
*** Thyerja, fragmentimi apo shkrirja e “gurit” nëpërmjet ultratingujve.

© Rinstinkt 2013

Mbi sekretimin e vrerit

Sekretimi i vrerit dhe rezervimi i tij në fshikëzën e tëmthit

Hepatocitët – qelizat e mëlçisë – sekretojnë vazhdimisht lëng tëmthi. Prodhimi dhe sekretimi i tij nëpër kanalet e Heringut vartet nga nevojat e organizmit.

Përbërësit e lëngut të tëmthit janë: kriprat biliare, kolesteroli, fosfolipide, pigmente, jone dhe ujë. Lëngu i tëmthit rrjedh nëpër rrugët e tij të transportit ndër parenkimën hepatike dhe falë dukteve përfundon në fshikëzën (qeskën) e vrerit, ku rezervohet. Fshikëza e vrerit është e vendosur në pjesën e poshtëme të organit të mëlçisë.

fshikeza e temthit dhe duodenumiFshika e vrerit përveçse funksion rezervues ka edhe një funksion absorbues, duke thithur një pjesë të mirë të ujit dhe joneve dhe duke përqëndruar kripërat tëmthore.

Kur kimusi mbërrin në zorrën e hollë, sekretohet CCK, pra kolecistokinina. CCK kryen mbi sistemin tëmthor dy veprime të ndryshme por të koordinuara. Stimulon tkurrjen e fshikës së tëmthit dhe relaksimin e muskulaturës së sfinkterit të Oddit, duke shkaktuar rrjedhjen e vrerit të rezervuar në fshikë nga kjo drejtë lumenit të duodenumit (pjesa e parë e zorrës së hollë). Në zorrën e hollë kriprat tëmthore emulsifikojnë dhe tresin lipidet e marra me anë të dietës, në mënyrë që të lehtësojnë aktivitetin enzimatik mbi to.

Kur tretja dhe thithja e lipideve përfundon, kriprat tëmthore riqarkullojnë, pra rikthehen drejtë mëlçisë, nëpërmjet qarkullimit enterohepatik (venës portë). Pra kriprat e vrerit të tëmthit thithen nga zorra e hollë, kalojnë në qarkullimin portal, shkojnë drejtë mëlçisë, dhe ri-kapen nga hepatocitët.

Riqarkullimi i kriprave të tëmthit nëpërmjet qarkullimit enterohepatik, ul kërkesën për sintetizim të kriprave të reja nga ana e hepatocitëve. Kështu mëlçia zëvendëson vetëm një përqindje të vogël të kriprave të lëngut të tëmthit, atë që është ekskretuar me anë të fekaleve.

-

Rinstinkt 2013

Sekretimi dhe funksioni i surfaktantit në reduktimin e tensionit sipërfaqësor në hojëza

Sekretimi dhe funksioni i surfaktantit në reduktimin e tensionit sipërfaqësor në hojëza

Sekreteimi i surfaktantit nga pneumocitët e tipit të dytë.

Sekreteimi i surfaktantit nga pneumocitët e tipit të dytë.

Surfaktanti është një substancë e prodhuar nga disa qeliza të veçanta epiteliale të mushkërive (pneumocitët e llojit të dytë). Substanca derdhet në lëngun që lag hojëzat.

Surfaktanti, është një substancë tensioaktive, që do të thotë që redukton tensionin sipërfaqësor në hojëza. Në mushkëritë normale surfaktanti luan një rol të jashtëzakonshëm me qenë se parandalon kolapsimin e vet hojëzave.

Ekzistojnë disa gjendje në të cilat ndodh një hiposekretim i surfaktantit, si për shembull, në sindromën e vështirësisë respiratore, që shpesh prek të porsalindurit.
Si pasojë tensioni i lëngut të hojzave rritet si pasojë e mungesësë së surfaktantit që nëse është i pranishëm në sasi normale zvogëlon pikërsiht tensionin sipërfaqësor i cili tenton të ngushtojë zgavrën alveolare. Kështu tek këta të porsalindur ekziston një tendencë më e madhe e mushkërive për të kolapsuar.

Shumë nga këta të porsalindur vdesin nga mbytja, ndërsa ateletasia pak ng apak përfshin zona të mushkërisë gjithnjë e më të mëdha.

Rinstinkt, 2013

—————————————————————————————————

Hernia e diskut intervertebral

Hernia e diskut intervertebral (Hernia diskale)

Disqet intervertebralë janë të përbërë nga një zonë qëndrore prej kolagjeni dhe proteoglikanësh të hidratuar, e ashtuquajtura nucleus pulposus, e cila nga ana e saj është e rrethuar nga fletëza bashkëqëndrore të përbëra nga fibra kolagjeni që përbëjnë anulus fibrosus.

Nucleus pulposus është i hidratuar dhe vepron si “thithës shocku”, duke u shtypur në prani të peshës dhe duke u relaksuar kur kjo largohet.

hernia e dikut intervertebror - hernia diskale, nucleus pulposus, anulus fibrosus

Anatomia patologjike e Hernies Diskale (© Netter)

Me kalimin e kohës mund të ndodh që anulus fibrosus të dëmtohet, nga ciklet e vazhdueshme të kompresionit dhe relaksimit, gjë që lejon daljen, pra hernien, e nucleus pulposus xhelatinoz.

Ky proces zakonisht ndodh kur individ plaket ngase bërthama xhelatinoze e disqeve ndërvertebrorë dehidratohet dhe transferon më shumë forcë drejt anulus fibrosus-it. Pikërisht ky stress i shtuar shkakton hollimin progresiv dhe mëpastaj dëmtimin e anulusit.

Shumica e hernieve diskale ndodhin në drejtimin posterolateral ngase pas disqeve ndërvertebrorë, pra pas trupit të vertebrave kalon në mënyrë gjatësore ligmenti gjatësor i pasëm (posterior longitudinal ligament) i cili në nëjfarë mënyrë përforcon rolin e anulus fibrosus.

Herniet diskale ndodhin më së shumti në pjesën çervikale të shtyllës kurrizore, veçanërisht në nivelet C5-C6 dhe C6-C7, që shkaktojnë dhimbje në shpatull dhe gjymtyrën e sipërme. Po ashtu janë të shpeshta edhe herniet diskale që prekin nivelet L4-L5 dhe L5-S1 të shtyllës kurrizore lumbare.
Duhet të saktësoj se herniet diskale të pjesës lumbare të shtyllës kurrizore janë, në terma absolutë, më të shpeshtat dhe rezultojnë në dhimbje të artikulacionit sakroiliak, të pjesës së pasme të kofshës dhe të këmbës.

Rinstinkt, 2013

——————————————————————-

Si përcaktohet seksi i individit

Përcaktimi i seksit

ADN-ja, pra materiali gjanetik, i pranishëm në të gjitha qelizat – me funksion atë të drejtimit të zhvillimit harmonik të organizmit – tek njeriu është i ndarë në 46 pjesë, të quajtur kromomozome, të cilët janë të dukshëm veçanërisht gjatë ndarjes qelizore.

Në çdonjë qelizë këto 46 kromozome janë të ndarë në çifte: 22 çifte janë të pranishëm në qelizat e të dyja sekseve, femër dhe mashkull (kromozomet autosomike), ndërsaa dy kromozomet e fundit, të cilët mund të jenë të njëjtë apo të ndryshëm, paraqiten në kombinime të ndryshme tek mashkulli dhe tek femra (kromozomet seksuale, të shënuar me X dh Y).

Të gjitha qelizat e organizmit të femrës kanë 2 kromozome X, ndërsa qelizat e trupit të një mashkulli kanë një kromozom seksual X dhe një Y.

zhvillimi i organeve gjenitale te jashtme

Evoluimi embrional i organeve gjenitale të jashtme, tek femra (në të djathtë) dhe mashkulli (në të majtë)

Kjo diferencë në materialin gjenetik prodhon si korolar të vetin gjithë ndryshimet e tjera që dallojnë mashkullin nga femra.

Diferenca lidhet, padyshim, me procesin riprodhues: çdonjë individ lind nga shkrirja e një qelize seksuale femërore (veza) me një qelizë seksuale mashkullore (spermatozoidi). Kujtoj se qelizat seksuale përmbajnë vetëm gjysmën e setit kromozomik normal. Pra qeliza seksuale femërore, veza, përmban në bërthamën e saj 22 kromozome autosomike dhe një kromozom seksual X. Ndërsa qeliza seksuale mashkullore (spermatozoidi) përmban 22 kromozome autosomike dhe një kromozom X ose Y.

Nëse qeliza vezë fekondohet nga një spermatozoid me kromozom seksual X do të prodhohet një zigotë e mëpastaj një individ i seksit femër. Në të kundërt, nëse spermatozoidi që fekondon qelizën vezë përmban kromozomin seksual Y individi do të jetë i seksit mashkull.

Ky është, në linja të trasha, kuadri gjenetik nga i cili merr origjinën seksi një individi.

Gjenet që gjenden në “trupin” e kromozomeve seksualë X dhe Y, drejtojnë zhvillimin e aparatit seksual dhe të karakteristikave seksuale dytësore.

Duke filluar nga gungëza gjenitale e papërdalluar (pa diferencuar) që është e pranishme në embrionët 4-7 javësh, brenda javës së 12-të të shtatzanisë zhvillohen karakteristikat që dallojnë aparatin gjenital mashkullor nga ai femëror.

kriptoorkidit bilateral

1-unaza inguinale sipërfaqësore 2-epididimi 3-testikuli 4-tunica vaginale 5-pjesë e veshjes së ardhshme të testikulit 6- skrotumi 7-penisi 8- linea alba 9- fshikëza e urinës 10-peritoneumi parietal

Gjithsesi, duhet thënë se, ka shumë probleme që mund të lindin gjatë kësaj faze zë zhvillimit.
më i shpeshti është kriptorkidia, pra “mos-zbritja e testikulit”; në fakt gjatë zhvillimit embrional, tek mashkulli, testikujt zhvillohen të gjandur në zgavrën endoabdominale, tamën si vezoret e femrës. Dalngadalë, gjatë zhvillimit, testikujt spostohen,apo më mirë të them, zbresin, derisa në momentin e lindjes gjenden të pozicionuar në trastën skrotale.

Gjithsesi, ndonjëherë, kjo zbritje e testikulit/testikujve nuk kompletohet dhe në momentin e lindjes mund të gjende akoma në zgavrën abdominale.

Jo gjithnjë nevojitet ndërhyrja kirurgjikale ngase zbritja e testikujve mund të përfundojë plotësisht gjatë vitit të parë të jetës, apo në raste të rralla edhe gjatë adoleshencës.

-

Rinstinkt 2013

—————————————————————-